top of page

Viron KONA: Doli  nga shtypi romani më i ri i autorit Sokol Demaku     



Doli  nga shtypi romani më i ri i autorit Sokol Demaku “Nëna ime kishte vetëm një sy, shtypur në Shtypshkronjën Lena Graphic në Prishtinë

     “Edhe  engjëlli,  edhe djalli, flenë brenda tek i gjalli”                                                                                          

                                                                             Populli  

      

      Vitet e fundit Sokol Demaku po e tregon veten edhe si një romancier dhe në këtë gjini mendoj  se ai ka gjetur më shumë dhe më dukshëm vetveten. Këtë konstatim e kam vërejtur edhe kur kam shkruar për  romanet e tij të mëparshëm: “Çohu Rexho, çohu djalo!”, “Tri valixhe për nënë e babë” dhe “Pylli i padukshëm”. Në këtë gjini, z. Demaku ndihet më mirë, është më i natyrshëm, fjalia dhe fraza rrëshqasin lirshëm, tingëllojnë bukur dhe këndshëm, pena e tij është më e shkathët, teksa zjarri i krijimtarisë qëndron i ndezur nga fillimi deri në fund. Këto konsiderata letrare do të shprehja edhe për romanin e tij të kohëve të fundit “Nëna ime kishte vetëm një sy”,  i cili, ndonëse bazohet në një rrëfenjë tashmë të njohur dhe të shkruar, nga Sokol Demaku është përshtatur dhe shkruar në gjininë e romanit.

             Përshkrime mbresëlënëse të fshatit Bardhok

       Romani nis me përshkrimin e  fshatit Bardhok, ku nis e merr udhë  edhe subjekti i romanit. Autori e krahason atë fshat me “një kopsht lulesh”, “ku njerëzit punojnë si bletët”, “atje  puna e rinon njeriun, e bën më të fortë, më të qëndrueshëm në jetë, të aftë të përballojë  çdo vështirësi që i del përpara”. “Këtu, - shkruan autori, - ishin një, si gruaja dhe burri, të dy në shtëpi, të dy në ara të dy në tregti, të dy në kuvend, të dy në pleqëri, kjo ishte një mrekulli!”. Në vijim Demaku ndalet natyrshëm  te dashuria e Gjimit me Marën, dy të rinj bashkëfshatarë të dashuruar, që kurorëzojnë dashurinë e tyre me një martesë të bukur e të ëndërruar, teksa fshati dhe bashkëfshatarët i gjenden pranë çiftit. Autori shkruan:  “me të mbushur të tetëmbëdhjetat, fëmija krijonte familjen e tij dhe ishte  fshati ai i cili  e ndihmonte në krijimin e kushteve për jetë familjen e re, ajo të  bëhej me shtëpi  dhe çdo gjë përcjellëse për vazhdimin  e  jetës normale. Kjo ishte kishte ndikim jashtëzakonisht të madh në jetën e  të rinjve, sidomos të familjeve, të cilat sapo kishin filluar ta shijonin jetën”.

   



                  Gjithçka mund të ndodhë në jetë                                                           

      Jeta e çiftit vijon natyrshëm. Mara mbeti shtatzënë dhe gëzimi i të dy bashkëshortëve ishte më se i natyrshëm. Autori shkruan:  “Gjimi... u  ndje se tani ishte më i fortë, më i fuqishëm se do t`i mbushej shtëpia me trashëgimtarë, që njëherazi do t`i kishte edhe mbështetje për vazhdimin e jetës...”Ndërkohë pritej  lindja e një fëmijë, djalë apo vajzë, kjo nuk kuptohej dot shpejt aso kohe, por, si çifti, si fisi dhe banorët e fshatit dëshironin që fëmija i parë të ishte djalë, pasi djali konsiderohej sipas traditave të vjetra “shtylla e shtëpisë”. Por, kur ata prisnin me ankth lindjen e fëmijës, Gjimi nuk po ndihej mirë me shëndet, një “sëmundje e keqe” e kishte përfshirë si pa kuptuar dhe ajo zhvillohej me shpejtësi, duke shkaktuar një dëshpërim të thellë e të rëndë mes çiftit dhe keqardhje të thellë në fshat. Autori i përshkruan me nota dëshpëruese gjendjen psikologjike dhe shpirtërore të Gjimit dhe të bashkëshortes së tij, Marës, duke përfshirë në këtë dëshpërim edhe lexuesin. Siç na parapërgatit autori, erdhi koha dhe Gjimi nuk mundi ta përballonte më tej sëmundjen. Ai la amanetet për trashëgimtarin dhe ndërroi jetë. Shkrimtari përshkruan me ngjyra dhe nota të thella tronditjen dhe dëshpërimin e  madh të gruas që mbeti e vetmuar, me dhembje të thellë dhe të jashtëzakonshme, sepse fati i zi e deshi që dashuria e tyre të përfundonte në një gjëmë, e cila goditi dhe shkatërroi atë dashuri aq të madhe dhe të sinqertë. Por, c` est la vie, (fr. I ka jeta këto!). Njeriu, do apo s`do, duhet të mësohet edhe me të papritura e dhembje të tilla, të cilat duket se janë pjesë përbërëse të jetës, fatkeqësisht  ato ndodhin.

                 Jeta vjen si vjen, por duhet përballuar

           Koha shëron plagët e dhembjet më të mëdha

 

       Tashmë gruaja e vetmuar, Mara, duke u mbështetur nga familjarët e saj, nga fisi dhe bashkëfshatarët nisi ta merrte veten gradualisht dhe të kujdesej veçanërisht e çdo çast për fëmijën që mbante në barkun e  saj, e që ishte fryt i dashurisë së saj me ish-bashkëshortin, të cilin e kishte dashur shumë. Ajo ndihej e pushtuar nga ndjenja se në trupin e  saj të bukur po rritej dhe po merrte jetë fëmija. Erdhi koha dhe Mara lindi djalë. Ia vunë emrin Mimi, emër të cilën e kishte dëshiruar babai i saj kur ishte në prag të vdekjes. Koha shëron plagët e dhembjet më të mëdha. Krahas kujdesit për mirërritjen e birit të saj, Mara përballonte e vetme edhe punët e shumta që duhej të kryente, ato të shtëpisë, por edhe të mbijetesës, duke punuar si grua dhe si burrë për të përballuar jetesën e familjes së saj të vogël. Ndërkaq ajo e gjente fuqinë te dashuria për djalin e saj, Mimin, i cili po rritej i shëndetshëm, një fëmijë çapkën dhe plot shkathtësi, me shumë dëshira siç janë në përgjithësi fëmijët. Ai, midis shumë lojërave  kishte qejf edhe rrëshqitjen në akull e borë dhe shpesh herë me shokët e  fshatit, nën kujdesin e më të rriturve shkonin e bënin ski dhe patinazh në mal.                        

                             Ka dhe njerëz kjo botë!                                              

                  Syri im, le të jetë drita e syrit të tim biri!

 

        Por një ditë teksa bënin  lojëra tërheqëse në malin me borë, Mimi i vogël, duke dashur të tregojë shkathtësinë e tij, teksa bënte ski u rrëzua dhe pësoi një aksident të rëndë. E dërguan menjëherë në spitalin rajonal dhe mjekët atje arritën në konkluzionin se duhej një ndërhyrje kirurgjikale e vështirë dhe delikate në njërin sy. Autori ndalet veçanërisht në përshkrimin e klinikës kirurgjikale, portretizon bukur dhe në mënyrë të përsosur dy motrat medicinale, që kishin detyrë të kujdeseshin, si për pacientin dhe për nënën e tij, dhe sidomos për anën shpirtërore të nënës, e cila e kishte të rëndë përballimin edhe të kësaj fatkeqësie aksidentale pas vdekjes së bashkëshortit të saj. Krahas motrave medicinale, autori shkruan edhe për kryemjekun, Dr. Simon, të cilin e portretizon me shumë dashuri, shkruan për përgatitjen e tij profesionale dhe veçanërisht për humanizmin e tij,  por edhe për komunikimin dhe marrëdhëniet e ngrohta sidomos me nënën fatkeqe,  që  ajo të ishte e përgatitur shpirtërisht ta përballonte gjendjen e rëndë shëndetësore të birit të saj të shtrenjtë.

      Në vijim autori, tregon se e njeh mirë klinikën dhe shërbimin atje e, sidomos përballimin e momenteve të vështira të dhembjeve të prindit për fëmijën.

      Operacioni i vogëlushit, Mimit, shkoi mirë si operacion, por megjithatë mjekët nuk arritën dot që t`i kthenin atij shikimin  pasi dëmtimi i syrit të tij ishte i rëndë dhe ai nuk kishte shpresa për përmirësime dhe ndërhyrje të tjera.  E vetmja gjë që mbetej ishte një transplantim i mundshëm për të cilin duhej dhe një dhurues, përndryshe vogëlushi do të mbetej me një sy. Kur nëna e mësoi këtë nga Dr. Simoja, ajo e befasoi mjekun kur i tha se do të ishte ajo donatorja e syrit të birit të saj :“Për birin tim, unë jap çdo pjesë të trupit tim”, “Syri im, le të jetë drita e syrit të tim biri!”- tha ajo duke treguar kështu dashurinë e nënës për birin e  shtrenjtë, humanizmin e saj, por edhe shpirtin e sakrificës. Kështu që erdhi një çast që, edhe vogëlushi, edhe nëna, ishin pacientë, nëna dhuruese, kurse birit të saj do t`i transplantohej syri i nënës.  Operacioni doli me sukses.  Djalit iu vendos syri i nënës dhe shikimi i tij ishte normal, kurse nënës, mjekët i vendosën një mushama të zezë, që vendi i syrit të saj të mbrohej nga infeksioni.     

       Gëzimi i nënës ishte i pakufishëm, djali i saj u bë si të gjithë të tjerët, me dritë në të dy sytë. Të gëzuar ishin edhe ekipi mjekësor, sepse realizoi një ndërhyrje kirurgjikale të suksesshme.

         Jeta vijoi në familje normalisht, por edhe me vështirësi, sepse nëna krahas gëzimit për djalin, i duhej që të punonte shumë që t`i plotësonte atij kushte sa më të mira, që ai të rritej pa asnjë mangësi si të gjithë moshatarët e tij në fshat.  Ndërkaq djali vijoi shkollën dhe dallohej mes të tjerëve për dëshirën për të studiuar. Sa ishte i vogël, ai e shihte nënën me shumë dashuri, ndonëse i bënte përshtypje mushamaja me të cilën ajo kishte mbuluar njërin prej syve të saj. As djali nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur, por as nëna dhe as të tjerët nuk i kishin treguar djalit sakrificën që kishte bërë nëna.

                          Befasi, bullizëm, paragjykime.

                Çfarë ndodh me një karakter antinjerëzor

      

         Ngjarjet  marrin një kthesë të papritur dhe mënyra sesi ato zhvillohen krijojnë befasi për lexuesin, teksa mesazhet janë ndryshe nga ato çfarë lexuesi pret e parashikon gjatë  faqeve të para.  Mbase kjo ka të bëj edhe me vet jetën që shfaqet herë-herë si një lum i rrëmbyer, që merr kthesa të papritura, diku tërhiqet, diku krijon gjeratore, diku turbullohet, diku shpërthen e del nga shtrati. Shumë gjëra ndodhin në natyrë, por po aq shumë gjëra ndodhin edhe te shpirti dhe karakteri i njeriut. Djali, duke u rritur  e duke e parë vazhdimisht nënën me mushamanë e zezë në njërin sy, ai kushedi pse po ndihej keq dhe, dalëngadalë,  keqardhja ndaj nënës me një sy, po i kthehej në fillim në një ndjenjë pakënaqësie. Ai s`donte që nëna e tij të ishte qorre me një sy! Ai s`donte që shokët të thoshin: “Mimi e ka nënën qorre me një sy”.

        Aso kohe nëna luftonte me jetën dhe ishte angazhuar kundrejt një pagese të shërbente në shkollën ku mësonte djali i saj. Ky fakt, që nëna punonte në shkollën ku studionte ai, e pezmatoi edhe më shumë djalin. Ai nuk donte që shoqet dhe shokët e tij ta merrnin vesh që ai e kishte nënën qorre  me një sy.  Kështu, ai niste të mbante qëndrim ndaj saj: sillej keq, i përgjigjej me nervozizëm, madje edhe me përbuzje, kurse një ditë i tha që ajo të mos i fliste dhe të mos i shfaqej atij në prani të shoqeve dhe shokëve, s’donte që ata ta dinin se gruaja me një sy, ishte nëna e tij.  Por, sa do ta mbante të fshehtë një fakt të tillë? Situata u bë më acaruese për djalin, kur njëri nga moshatarët e tij e përqeshi dhe tha që ta dëgjonin të gjithë se, “ajo gruaja me një sy, që shërbente në shkollën e tyre  ishte nëna e Mimit”. Kjo e zemëroi edhe më  shumë djalin. Edhe në shtëpi ai ia shprehu nënës inatin dhe përbuzjen, madje edhe e fyeu rëndë. Nëna u dëshpërua jashtëzakonisht, uli kokën, s’foli, por ndërkohë vijonte të kujdesej për gjendjen ekonomike të shtëpisë që, djalit të saj, Mimit të mos i mungonte asgjë. Jeta vazhdonte. Erdhi një kohë dhe Mimi u largua nga fshati. Ai shkoi për studime në një shtet tjetër,   larg vendlindjes. Krahas shkollimit atje u njoh me një vajzë, që pas mbarimit të shkollës dhe emërimit në një punë të mirë, u martua me vajzën që donte, duke krijuar një familje të lumtur. Me kalimin e viteve u bënë me tre fëmijë. Ndërkaq autori nënvizon se Mimi, gjatë gjithë atyre viteve,  as që e kishte kujtuar ndonjëherë nënën e tij. Edhe kur ndodhte që e kujtonte, ndjente urrejtje për të. Një ditë, ndërsa ai ishte me fëmijët dhe gruan në shtëpi, trokiti dera. Ai hap derën dhe pa nënën e tij, Marën, e cila po e shihte me dashuri nëne dhe priste që ai ta ftonin brenda. Ndërkaq fëmijët e panë gruan me një sy dhe u frikësuan. Atëherë, Mimi iu kthye me britma nënës, duke i kërkuar llogari  pse ishte dukur në derë të shtëpisë së tij, teksa ajo u largua duke kërkuar ndjesë se “kishte ngatërruar  shtëpinë”.

                            Fati tragjik i një gruaje     

         Ai as që u interesua ndonjëherë për fatin e mjerë të nënës, madje as që donte ta kujtonte. Ndodhi  që pas dy dekadash shkoi një herë në fshat dhe iu prezantua disa fqinjëve se cili ishte. Atëherë, ata i thanë se nëna e tij, Mara kishte vdekur në mjerim të thellë, por ajo që e kishte munduar dhe e kishte afruar më shumë pranë vdekjes, ishte vetmia.  Ajo ishte ndjerë e braktisur dhe pa asnjë lloj interesimi nga askush. Kur ajo vdiq, s`kishte pasur askënd nga familja e fisi, përveç fqinjëve që e kishin varrosur.

        Edhe kur dëgjoi këtë fat tragjik të nënës, djali as që u emocionua, as që lëshoi qoftë edhe një pikë loti. Njëri nga fqinjët i dha djalit një letër amanet që nëna  i kishte lënë kur ishte në çastet e fundit të vdekjes. Letra ishte e mbyllur dhe i adresohej Mimit.

      Pa kurrfarë emocioni djali e mori letrën dhe nisi ta lexonte. Në fund të letrës ajo i shkruan natyrshëm se, kur ai kishte qenë i vogël, kishte humbur njërin sy në një aksident dhe, ajo,  nëna e tij, i kishte kërkuar mjekëve që njërin nga sytë e saj t`ia transplantonin birit të saj të dashur... Dhe ashtu kishte ndodhur...

             Askush nuk na do më shumë se prindërit tanë!

        Mbyllja e romanit të trondit thellë. Lexuesi ndien dashuri, humanizëm dhe mirësi ndaj aktit human e madhështor të nënë Marës, por nga ana tjetër  ndien revoltë për qëndrimin poshtërues të djalit, Mimit, ndaj nënës së tij. Gjithkush futet në mendime dhe pyet veten: Vallë mund të ndodhin në jetë veprime të tilla të përbindshme?  Duket se po, sepse rrëfenja tashmë ka ndodhur, ajo është bërë e njohur për lexuesin  nga disa forma të shkruari apo e vënë edhe në skenë. Por, kemi dëgjuar dhe dëgjojmë edhe plot raste të ngjashme, që na dëshpërojnë thellë, madje edhe na tronditin e na tmerrojnë, sidomos kur mendojmë se deri ku mund të arrijë natyra njerëzore. E, teksa mendojmë këto, na vjen pa dashur ndërmend thënia: “Edhe  engjëlli, edhe djalli, flenë brenda tek i gjalli!”

 

26 views0 comments

Kommentarer


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page