
Viron KONA: Abdyl Kajanaku, një margaritar vezullues në gjerdanin e mësuesisë dhe pedagogjisë elbasanase
Parathënie e librit të Eduart Hoxhollit: “Abdyl Kajanaku, intelektuali i qytetarisë elbasanase”
1.
Një autor që shkruan një monografi, ndodhet vazhdimisht përpara një sprove të madhe, pasi i duhet doemos të hulumtoj sa më shumë për të zbuluar anë të panjohura të protagonistit të tij, të përshkruaj me vërtetësi dhe realizëm formimin arsimor e kulturor, inteligjencien, mendimet, psikologjinë dhe momentet shpirtërore që protagonisti ka kaluar, tipin dhe karakterin e tij. Thënë shkurt, autori duhet “të shkrihesh” me personazhin, të përjetoj thellësisht jetën dhe veprën e tij, të ecë bashkë me të në rrugëtimin e gjatë që ka përshkruar, të depërtojë në shtigje dhe mjedise ku ai ka qenë i detyruar të lëvizë, por, edhe të përjetojë përballjet me vështirësitë dhe të papriturat, gjendjet emocionale dhe qëndrimet që ai ka mbajtur në situata të vështira, e, mbi të gjitha, të ndjej rrahjet e zemrës dhe të shpirtit të protagonistit, në mënyrë që të arrijë ta shfaqë dhe ta prezantojë atë përpara lexuesve ashtu siç është, pa zbukurime, por sa më realisht, të qartë dhe të vërtetë. Me këtë monografi, kushtuar mësuesit dhe pedagogut të shquar Abdyl Kajanaku, mendoj se z. Eduart Hoxholli, ia ka arritur qëllimit. Ai e ka paraqitur dhe e ka prezantuar bukur dhe në mënyrë të plotë figurën dhe personalitetin e protagonistit të tij, madje ai edhe ia arrin të na emocionojë thellë, jo vetëm me stilin elegant, plot finesë e fjalë e shprehje të zgjedhura, por edhe me pasurinë e episodeve dhe larminë e ngjarjeve, që kanë shoqëruar z. Kajanaku në etapa të ndryshme të jetës dhe veprimtarisë, veçanërisht në fushën e arsimit së cilës ai i përket. Për ta realizuar sa më mirë dhe në mënyrë sa më të plotë portretin dhe jetëshkrimin e protagonistit, autori i monografisë, është mbështetur në truallin e begatë elbasanas, duke përshkruar me realizëm, shpesh edhe me detaje dhe ngjyrime gjithçka, duke filluar me atmosferën ekonomike e shoqërore të kohës kur z. Abdyl Kajanaku jetoi dhe kreu veprimtarinë e tij të gjerë e të vyer e deri mjedisin ku ai lindi, familjen, fëmijërinë e rininë, e duke u ndalur më së shumti në rrugën e përshkuar prej tij për të përballuar vështirësitë dhe dallgët e larta dhe të turbullta të jetës. Nëpërmjet penës së z. Hoxholli, portreti dhe personaliteti i z. Kajanaku shfaqet përpara lexuesit ashtu siç ai ishte, që në fëmijëri e deri në fund të jetës, me ato veti, cilësi, virtyte e karakteristika të rralla, që kanë dalluar shumë qytetarë, mësues dhe pedagogë të shquar të Normales së famshme të Elbasanit, të cilët, nëpër vite e dekada, kanë ndezur dhe përhapur dritën e shkëlqyer të dijes dhe të arsimit shqip, jo vetëm në Elbasan por në të gjithë truallin shqiptar, madje edhe jashtë kufijve, në trojet shqiptare të Kosovës dhe të Maqedonisë.

Duke qenë dhe vet z. Eduart Hoxholli, një mësues i kompletuar, studiues i thellë i arsimit, historisë, kulturës dhe traditave të Elbasanit, një njohës i ndjeshëm i shpirtit njerëzor, i vlerave, cilësive dhe motiveve të veçanta të një mësuesi e pedagogu, duke shprehur në çdo faqe respekt dhe nderim për jetën dhe veprën e protagonistit të tij, ia ka arritur që me rrëfimin e ngrohtë dhe tërheqës, të na bëj ne lexuesit të mbajmë frymën dhe të përjetojmë thellë dhe me emocion këtë monografi brilante për një njeri brilant siç është z. Abdyl Kajanaku.
2.
Mendoj se është kuptimplotë fakti se shkrimi i këtij libri, ka nisur pikësëpari prej interesimit të birit të Abdyl Kajanakut, Fationit, i cili si bir i denjë i të atit, ka ndjerë detyrimin se, babait të tij emër ndritur, meriton plotësisht t`i ngrihet një përmendore shkrimi, t`i dokumentohet në një libër të veçantë jeta dhe vepra e tij e vyer në fushën arsimit dhe të pedagogjisë shqiptare. Dhe në këtë rrafsh, ky libër, është dhe një nderim i djalit për një baba të rrallë dhe të vyer si Abdyl Kajanaku, i cili, siç nënvizon autori, ishte “një meteor i veçantë në universin e vlerave elbasanase, i mësuesisë dhe i pedagogjisë mbarëshqiptare”.
“I larti, babai im! I shenjti e i shtrenjti njeri! Prind e shoku im i përkryer! Për ty nderim sot e përgjithmonë! Lejona këtë përkushtim, skalitur në dashurinë e një zemre që rreh kraharorit, e pakursyer, për të nderuar me dritën kujtimtare të shpirtit tim... Sot, nesër, gjithherë, gjallë sa të jem, me lulet më të bukura të pranverës, ky libër le të jetë azhdë mirënjohjeje në universin e vlerave mbarëshqiptare. Mbetesh model i jetës sime, baba i rrallë i aftësive edukuese, simbol i urtësisë njerëzore, je më e larta dashuri në shpirtin tim. Përulje, respekt e falënderim! Nuk ka njeri që mund të matet me virtytet e tua të shenjta. Malli për ty nuk tulatet, por bëhet dritë e kujtimeve të mia të shtrenjta. I tillë ke qenë dhe je, o babai im!”...
“Komenti, - thotë Shekspiri, - i ulë vlerën veprës”, ndaj nisur dhe nga kjo thënie, pyes: “Cili prind nuk do të krenohej dhe nuk do të emocionohej me këtë dedikim dhe vlerësim të birit për atin?”
3.

Sapo nisa të shfletoj librin, që nga faqet e para e deri në fund të tij, ndjeva bukurinë e rrëfimit, sinqeritetin dhe çiltërsinë, respektin dhe pasionin e autorit ndaj protagonistit të tij të nderuar, i cili shfaqet përpara lexuesit njeri me zemër të madhe dhe shpirt të pastër si qelibari, një majë e lartë plot blerim dhe një personalitet i shquar, jo vetëm i arsimit elbasanas, por atij mbarëshqiptar. Siç përshkruan autori: “Fare pranë Namazgjasë, në rrugën që të çon për te shkolla 9-vjeçare “Ali Agjahu” dhe pranë shkollës së mesme artistike “Onufri”, në anën e djathtë, ngrihej një shtëpi e bukur dollmallie elbasanase, ngritur mes kopshtit plot lule e pemë gjithfarëshe, aty lindi më 9 tetor 1908 Abdyl Kajanaku, që do t’i jepte rrugës e lagjes pavdekësinë e emrit të tij të nderuar. I ati, elbasanasi filantrop, fisnik e urtar, Qazim Kajanaku, ishte njohës i mirëfilltë i kulturës orientale, veçmas asaj arabe, ku edhe kishte qenë për haxh në Mekë për t’u kthyer në Elbasan si haxhi. Ishte njeri i ditur, shpirtmirë, besimtar e fjalëpakë, tregtar e i përpiktë, cilësi këto që do t’ia mëkonte butësisht edhe të birit, Abdylit. Ndërsa nëna, Zegjineja, një grua fisnike, do t’i mëkonte bashkë me qumështin e jetës, dashurinë për njerëzit, pastërtinë, mikpritjen, durimin, nikoqirllëkun dhe dëshirën për dije...Në moshën 12 vjeçare, i vdes i ati. I detyruar të përballë lotët e dhembjes prej humbjes së babait, iu desh të përvishte mëngët për të siguruar jetesën. Janë vitet 1920, 1921, 1922. Fare i njomë, lastar në moshë, i mbeturit jetim, pa baba, ai e vë në provë karakterin dhe ndershmërinë e tij. Përballet me punën, por dhe me zellin për t’u arsimuar, teksa, “mësuesit e tij të fillores dalluan te djaloshi prirjen dhe dëshirën për t’u arsimuar”. Ky mësues i ardhshëm e formoi personalitetin e tij, duke ecur në rrugën e më të mëdhenjve të letrave shqipe, të cilët, me mësimet e tyre të vyera, u bënë burim i pastër prej nga ku rridhnin energji të pandërprera për të vënë edhe më shumë në lëvizje shkollën, arsimin, gjuhën dhe kulturën shqiptare. Autori, duke hedhur përherë dritë, që sa vjen e bëhet më e fuqishme, ia arrin që, ky personalitet, jo vetëm të shfaqet përherë i plotë, por edhe të lartësohet përpara lexuesit nga njëra faqe në tjetrën, nga njëra veprimtari në tjetrën.
Në libër mësojmë të vërtetën e madhe se Abdyl Kajanaku, ishte nga ata njerëz që me forcën e karakterit dhe të diturisë së tij, në çdo hap të jetës dhe të veprimtarisë, largonte errësirën dhe përhapte dritën...Ai nuk e shkroi jetën e vetë në libra, nuk shkroi vet autobiografi, por foli me veprën e tij monumentale, që ne lexuesve të sotëm dhe atyre të kohëve që do të vijnë, na tregon Njeriun-Pishtar, që rrezaton përherë dritë të shkëlqyer, që nuk do të shuhet dhe do t`u shërbejë pandalshëm brezave që vijnë në rrugën e dijes dhe përparimit. Ndaj nuk është e rastit që jetën dhe veprën e tij të ndritshme, sot po e shkruajnë të tjerë njerëz të dijes, mësues, dhe personalitete të kulturës dhe të shkencës, njerëz që me fjalën e tyre të artë, kanë shfaqur ide dhe mendime brilante që meriton një figurë e tillë si z. Kajanaku. Ai, “me veprën e tij, u bë simbol i mësuesisë së urtë elbasanase, u bë model i intelektualit të qytetarisë, u bë i paharruar, mik i të gjithë nxënësve dhe studentëve që mësuan prej tij, duke u përkundur në qytetin-djep të arsimit kombëtar, patriotizmit, traditës e tolerancës, të harmonisë dhe bujarisë. Dhe, në vazhdim, z. Hoxholli, ky mësues me kulturë dhe pasion, që e gjen rrallë te njerëzit e letrave, ia arrin të ngrejë një përmendore drite për idhullin e tij Abdul Kajanaku, duke na sjellë në kujtesë njeriun e shquar, i cili me dashamirësinë dhe fjalën e tij të urtë e të ngrohtë, ka mbjellë te shpirtrat dhe zemrat e nxënësve, studentëve, shokëve dhe miqve, atë forcë të jashtëzakonshme që përmbys male dhe ndryshon kohët: mirësinë dhe dashurinë njerëzore. E, siç shprehet z. Hoxholli, - për të realizuar këtë vepër kujtimtare, ishte Abdul Kajanaku, protagonisti i tij, i cili i dha guximin për të kapërcyer vështirësitë e të shkruarit të kësaj proze dhe për ta risjellë atë midis nesh plot freski dhe vlera të papërsëritshme monumentale e njerëzore.
4.
Duke lexuar dhe rilexuar monografinë, krijova bindjen se vlerë të jashtëzakonshme i japin asaj edhe kujtimet, përjetimet dhe përshtypjet e bashkëkohësve, kolegëve, drejtuesve të shkollave dhe ish - nxënësve të mësuesit të madh Abdul Kajanaku. Në këtë artikull-recensë, e gjeta me vend të citoj disa prej tyre, edhe sepse ndjeva një padurim dhe dëshirë për t`i rishprehur dhe për të treguar bukurinë e librit, por edhe për të krijuar një përfytyrim sa më të plotë te lexuesi për emrin dhe personalitetin e Abdyl Kajanakut: “Ne e përpinim atë mësues, me një respekt të jashtëzakonshëm, - kujton ish - nxënësi i tij, sot shkrimtar, autor i sa e sa librave, Namik Selmani. - Profesor Kajanaku ishte për ne si një profet tokësor, tejet korrekt dhe dashamirës. Miqësia me atë njeri, ndër më njerëzorët, ishte privilegj për ne, naivët, adoleshentë e të rinj. Ai s’kishte nevojë të bërtiste. Ai s’dinte të bërtiste. Në zemrën e tij kishte vend për të gjithë. Ai ishte një Makarenko shqiptar. Na dëgjonte, aq me durim e mirësi, sa ne shpreheshim fare lirisht e me besim të plotë. I ngjiste fjala! Edhe sot njeri e mësues, profesor e intelektual si Abdyl Kajanaku, nuk mund të konkurrohet!” Dhe, në vazhdim, Akademiku Ylli Popa do të shprehej kështu për z. Kajanaku: “Intelektual i formuar, një nga figurat më të nderuara të arsimit tonë, që krijoi vlera didaktike, që u karakterizua nga një profesionalizëm, përfaqësues i plejadës më të mirë të pedagogëve, me ide bashkëkohore perëndimore. Studiues erudit”. Profesor Grigor Kallajxhiu, ish - drejtor i Shkollës Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” Elbasan: “Abdyl Kajanaku ishte i veçantë. E skaliti emrin e tij përkrah mësuesve më të mirë të Normales sonë. E lidhi jetën me shkollën dhe mësuesinë. Unik në ndershmëri, urtësi e përpikëri në punë, familje e shoqëri. Abdyl Kajanaku me shpirt, me zemër e me mendje diti të ishte pranë nxënësve, jo vetëm duke u dhënë dije të sakta shkencore, por me dashamirësi prindërore, ndizte në zemrat e mendjet e tyre, prushin e dëshirave, shpresën për të ardhmen dhe pasionin për mësuesinë. Njeri i virtytshëm. Asnjëherë s’e dëgjova të ankohej. Shumë i duruar e i matur. I thjeshtë, i rregullt në sjellje, veshje e paraqitje. Me vullnet e pasion të admirueshëm, Abdyl Kajanaku, punoi, jetoi e foli me gjuhën e zemrës, me mirësinë e shpirtit, me mençurinë e mendjes, duke e merituar ta quanin “Mësues model”, i respektuar nga të gjithë...” Selman Biza, ish – mësues, shkruan: “Për maturantët e vitit 1947, Abdyli ishte më i thjeshti, më i dashuri. Orët e mësimit të pedagogjisë teorike e praktike priteshin me kënaqësi nga ana jonë. Kjo nuk vinte vetëm nga fakti i tij për t`na ofruar, por edhe nga përgatitja lëndore e metodike e tij. Ai ishte intelektual i formuar...Zotëronte shkëlqyeshëm frëngjishten dhe italishten. Dhe ky mësues, që përgatiste mësues, na futi në zemër dashurinë e atij profesioni aq të vështirë sa edhe fisnik... Abdyli e provoi grushtin e diktaturës. Së pari e nxorën nga shtëpia, ku nuk hyri kurrë më, e transferuan në Korçë 3 vjet dhe në Shkodër 8 vjet... Ai ishte një rritës i mirë bletësh, një kopshtar i pasionuar agrumesh, një amator lulesh. N ‘atë terren të vogël të shkollës, puna dhe kujdesi i tij i dhanë gjelbërim dhe lulëzim mjedisit rreth e rrotull...”. Prof. Mani, ish - nxënës: “...Ka qenë viti shkollor 1949-1950, e qysh në bisedën e parë, profesor Kajanaku na u fut në zemër. Ishte shembull i mësuesit edukator, i një edukatori të rrallë, që me gjuhën, sjelljen e tij bënte të tjerët të vepronin siç i këshillonte ai njeri shpirtmadh. Kishje kënaqësi ta ndigjoje! Një simbol i vërtetë urtësie! Tiparet e larta të atij burri, bënin që tek çdo fjalë, që thoshte, të kishje besim. Dhe, a e dini pse? Sepse ai vepronte ashtu siç shprehej. E kam për nder, sot në moshën 86 vjeçare, të flas për profesor Abdyl Kajanakun. Elbasanllinjtë kanë të drejtë të mburren me Normalen e tyre që mësoi, edukoi e formoi intelektualë të vërtetë si Abdyl Kajanaku. Ai meriton të përjetësohet në libër, sepse në Korçë e kudo, ku punoi e jetoi, e skaliti madhështinë e tij fisnike…Rrallë, shumë rrallë më është dhënë fati, të njoh njerëz kaq njerëzorë sa profesori im i paharruar Abdyl Kajanaku, imazhin e të cilit e ruaj në kujtesën time 86 vjeçare…” Prof. Tomor Arianiti: “E njoha profesor Abdylin në shkollën Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” Elbasan, në vitet 1960. Njeri me kulturë, shumë korrekt e i urtë. Shumë i aftë në pedagogjinë praktike. Dallohej e vlerësohej nga nxënësit dhe nga studentët për lëndën e pedagogjisë dhe psikologjisë. Njeri me virtyte e principe të larta morale. I komunikueshëm e i respektueshëm, por që s’i lejoi vetes as shkeljen e as privilegjin më të vogël. Profesor Abdyli, si pedagog i ILP Elbasan, dha një kontribut të çmuar në përgatitjen e studentëve në fushën e mësimdhënies. Ai ka vendin e vet të merituar në historinë e shkollës Normale dhe të shkollës sonë Kombëtare”. Kurtali Lozana, mësues, ish - nxënës: “...Fati e deshi që unë, i ardhur nga Franca, të isha nxënës në shkollën Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan e të merrja mësim e njohuri nga një mësues që kishte jetuar, që ishte shkolluar dhe edukuar në Gjenevë. Me një hijeshi fisnike, që ia pasqyronte si portreti i tij burrnor, ashtu edhe paraqitja e tij shumë e rregullt, ishte personifikim i urtësisë dhe i modestisë qytetare. Shpjegonte e bisedonte me ne, nxënësit, me një ngrohtësi njerëzore që e dallonte nga të tjerët. Do të bëhej modeli në rrugën time të mësuesisë...Më duket sikur bisedoj me atë njeri të mrekullueshëm: Profesor Abdyli! Mësova shumë nga Juve. Le t’ju jetë respekti dhe mirënjohja ime kurorë nderimi! Faleminderit!” Prof. Isa Alibali: “Lum ju që keni profesor Abdyl Kajanakun, të tillë burra s’ju vinë më”. Xhebro Velaj, ish - nxënës i tij në vitet 1953-1954, kujton:“...Klasa jonë pati fatin të kishte mësues kujdestar profesor Abdylin, një mësues shembullor, personifikim i figurës së një edukatori të brezit të ri. Secili nga ne e kujton për fjalën e tij të ëmbël, të qetë e të matur. Ishte tepër modest dhe i komunikueshëm… Ishte vërtetë një mrekulli të asistoje në orën e profesor Dylit. Ishte ora më e shkurtër dhe më e këndshme në shkollë..” Reshit Koburja, profesori i nderuar elbasanas: “Studimet dhe konkluzionet e profesor Abdyl Kajanakut bëjnë pjesë në fillesat e trajtimit të tyre në shtypin tonë pedagogjik..., ai mbetet një nga figurat më të nderuara të arsimit tonë, sepse krijoi vlera didaktike, sepse vazhdimisht u karakterizua nga një motiv i fortë shërbimi dhe dedikimi profesional, i mbështetur nga një kapacitet tërësor ndaj profesionit me një nivel të lartë të besimit publik”. Ali Sallja, pedagogjikasi dhe nxënësi i profesorit, mjeshtri i matematikës për nxënësit e shkollës 9-vjeçare: “E admiroj atë njeri të rrallë, unik e i veçantë si profesor, studiues enciklopedik, didakt novator, intelektual fisnik, që më dha dritën e shpresës së lirë, në vitet më të bukura të rinisë sime, të bëja zgjedhjen e rrugës së jetës, mësuesinë dhe përkushtimin për matematikën...Ju faleminderit, mësuesi ynë i paharrueshëm, profesor Abdyli, që më mëkove dashurinë dhe pasionin për mësuesinë”. Albert Shijaku, ish - nxënësi i tij, mësuesi i nderuar elbasanas: “Sikur na mbërthente me hipnozën e tij të dashamirësisë, nuk i harroj fjalët e tij”. Fritz Radovani, ish - nxënës, publicist i njohur: “...Në vitin e dytë (1953) një tjetër, profesor Abdyl Kajanaku, na mësonte psikologji dhe landën kryesore, atë të pedagogjisë me të cilën vlerësohej dhe aftësia jonë për mësues. Ishte ma i moshuemi i grupit të profesorëve të Elbasanit, por me heshtjen e Tij jepte me kuptue shumë. Në dukje jepte përshtypjen se nuk kishte shoqni me profesora tjerë, po në të vërtetë shihej ma shumë se të tjerët me personelin shkodran, me të cilët ndonjëherë shihej edhe në Fushën e Qelës… Ata mësues nga Elbasani, ishin prindët tanë, po edhe dashamirë të pashoq”!
Kështu, me konsiderata të larta vijnë mendimet e të gjithëve atyre që kanë arritur të shprehen për mësuesin e tyre, për personalitetin që kanë njohur dhe qytetarin model të Elbasanit. Lexuesi do t`i lexojë këto dhe të tjera opinione të çiltra dhe të sinqerta dhe do të emocionohet, sepse ndjen në ato shprehje shpirti dhe zemre, njeriun e pastër dhe të ndritshëm, që e shndërroi veten me punë dhe përpjekje të palodhshme në një margaritar të vyer të arsimit shqiptar. Ndaj dhe 80 vjeçarët e sotëm, përmendin me mall dhe nderim të thellë: “Abdyl Kajanaku ishte mësuesi ynë, mësuesi i çdo kohe, mësuesi që na bëri mësues”.
5.
Në Monografi është shkruar si një moment i veçantë fakti i nisjes së studimeve të Abdyl Kajanakut në Normalet e Elbasanit. Mesazhi dhe amaneti prindëror, i mbjellë tek i biri qysh në fëmijëri, u arrit në shtatorin e vitit 1923, kur në moshën 15 vjeçare Abdyl Kajanaku zgjodhi mësuesinë. Në këtë rrugë, veç prindërve, ai pati edhe një udhërrëfyes tjetër të madh, “Mësuesin e Popullit”, profesorin dhe shkencëtarin e shquar elbasanas, “mësuesin e mësuesve”, Aleksandër Xhuvanin, i cili kishte kuptuar zellin dhe dëshirën e Abdyl Kajanakut që në klasën përgatitore. Faktin pse z. Kajanaku u regjistrua dhe studioi pikërisht në shkollën Normale, z. Hoxholli e argumenton edhe me thënien e akademikut të shquar Ylli Popa: “Ka shumë arsye, - shkruan akademiku në artikullin “Abdyl Kajanaku është intelektuali i qytetarisë elbasanase”, - ndoshta sepse në vitet ’20 shkolla Normale për shqiptarët, por në veçanti për elbasanasit, qe bërë pikë reference për dijeni e kulturë kombëtare. Nxënësit dhe mësuesit e saj u konceptuan si modele të të menduarit e të sjelljes, ndoshta preferencat familjare, por më shumë nga të gjithë, mendojmë se qe predispozicioni intelektual dhe temperamenti i tij”.
Jeta e këtij personaliteti të madh vijon në një rrugë me shumë kulme. Ai u diplomuar “shkëlqyeshëm” në Normalen e famshme të Elbasanit, e cila filloi më 1 dhjetor 1909 me drejtor të parë të saj Luigj Gurakuqin. Pas katër vitesh studimi intensiv në Normale, më 2 korrik 1928, Abdyl Kajanaku, në lule të rinisë, meriton “Dëftesën e maturitetit për shkollat fillore”, i aftë për të shërbyer mësues. Kishte realizuar dëshirën dhe ëndrrën e tij fëmijërore, kishte plotësuar amanetin e të atit dhe të nënës së tij fisnike. Siç nënvizon në monografi z.Hoxholli, - “themeluesit e Normales, mësuesit e tij legjendarë, Ahmet Gashi, Ismail Haxhihyseni, Anton Deda, Sami Starova, A. Thanasi dhe drejtori i Normales, kolosi i arsimit shqiptar, Aleksandër Xhuvani, pas mbarimit të provimeve të shtetit, do të jepnin vlerësimet më të larta si më poshtë: Në pedagogji – “fort mirë”, gjuhë frëngjishte – “fort mirë”, histori e mësime të vendlindjes - “fort mirë”. “Sjellja e tij morale ka qenë e lavdërueshme. Tue i marrun parasysh këto përfundime, i ipet të sipërpërmendunit dëftesa e maturitetit, me të cilën dëftohet i aftë t’emnohet mësues në shkollat fillore të shtetit”...
Dhe, më 16 shtator 1928, me vendim të Ministrisë së Arsimit, Abdyl Kajanaku emërohet mësues në qytetin e Durrësit... Në vitet 1931-1932, në moshën 24-vjeç ai do të punonte në shkollën Plotore, që mban emrin “Naim Frashëri”. Përgatitja e lartë teorike, aftësitë praktike e komunikative jo vetëm që i dhanë të drejtën të ishte krah mësuesve më të mirë të qytetit, por edhe i dhanë kënaqësi të ndiente respektin e nxënësve, përkrahjen nga kolegët dhe prindërit elbasanas.
6.
Zë vend të rëndësishëm në Monografi periudha e viteve 1930-1935, e cila ka qenë dhe për të rinjtë shqiptarë e vështirë, por qenë edhe vite përpjekjesh për t’u arsimuar në universitetet evropiane. Entuziazmohemi, kur nga Monografia mësojmë se, veçanërisht ata që kishin mbaruar Normalen, pranoheshin në universitetet evropiane pa konkurse. Si çdo i ri, edhe Abdyl Kajanaku, i dhënë pas profesionit të mësuesisë, mbante ndezur ambiciet e tij për studime dhe do të niste përmbushjen e ëndrrës së tij: të studionte në një nga universitetet me famë botërore. Kështu, më 25 tetor 1935 - 7 nëntor 1936, kur vjen qeveria e Mehdi Frashërit, Abdyl Kajanakut, së bashku me Sotir Papariston, Skënder Sejdinin dhe Mehmet Ganin, i jepet e drejta të studiojë në një nga universitetet më prestigjioze të botës, në “Zhan Zhak Ruso” të Gjenevës, ku studentët diplomoheshin në shkencat pedagogjike e psikologjike. Po fillonte studimet në njërin nga institucionet më prestigjioze ndërkombëtare në fushën e edukimit, që drejtohej nga i famshmi Zhan Piazhe, një figurë botërore dhe personalitet i lartë i psikologjisë e pedagogjisë. Me këtë njeri, kolos të mendimit, do të mësonte e do të bashkëpunonte profesor Abdyl Kajanaku. Prej këtij psikologu të shquar në fushën e psikologjisë konjitive të fëmijërisë do të niste punën studimore shkencore. Studionte e jetonte në Olimpin e mendimit evropian e botëror, duke sfiduar vështirësi e përgjegjësi, të cilat do të ishin vendimtare në udhëtimin e tij. Siç na bënë të njohur z. Hoxholli në librin e tij, “studenti Abdyl Kajanaku lexoi në origjinal Kantin, Laplasin, Shopenhauerin, Rusoin, Bualonë, Montenjin, Danten...Do të njihte e përvetësonte Herbartin, Pestalocin, Brunerin e Xhon Djuin për të qenë i aftë t’u paraprinte e zotëronte me kompetencë shkencore të gjitha përvojat më të përparuara evropiane e botërore gjatë gjithë shekullit XX. Gjeneva, ku ishte bërë aktor Aleksandër Moisiu më 1892, Gjeneva, vendlindja e “Kryqit të Kuq”, do t’i dhuronte jo vetëm bukuritë magjepsëse, por edhe atë potencial intelektual që i duhet një personaliteti... Në të gjitha stadet apo nivelet shkollore e universitare, - vijon më tej z. Hoxholli, - profesor Abdyl Kajanaku është shquar për rezultate të larta, për ide e mendime përparimtare. Fotot, dëshmia e notave dhe diploma autentike janë dëshmuese brilante për një student ideal. Në ndikimin e mjedisit studentor, intelektual e shoqëror të Gjenevës, Abdyl Kajanaku 30 vjeçar shfaqet një përkrahës i vendosur i mendimeve liberale demokratike, i parimeve e ligjësive përparimtare evropiane. Më 10 korrik 1939 profesor Abdyl Kajanaku diplomohet me rezultate maksimale”.
7.
Vitet kur z. Abdyl Kajanaku studionte në Gjenevë, do të ishin kohë ndryshimesh të mëdha politike në Evropë dhe në botë. Sapo kishte nisur Lufta e Dytë Botërore. Kësaj atmosfere të rëndë për të gjithë botën, autori i Monografisë i ka kushtuar vend të veçantë, me përshkrimet dhe konkluzionet, duke mbajtur gjithnjë në vëmendje protagonistin Abdyl Kajanaku. Ndërsa Italia fashiste kishte ngulur kthetrat në trojet shqiptare, Hitleri, i armatosur nga pushteti nazist, i kishte ndezur Evropës dhe gjithë globit zjarrin e luftës... Dhe, Abdyl Kajanaku, me bindjen dhe atdhedashurinë e trashëguar, do të kthehet për t’iu gjendur pranë vendlindjes së tij. U kthye në Elbasan si një njeri, si një mësues e profesor i një profili perëndimor, atdhetar e patriot... Duke qenë studiues erudit, hulumtues dhe pedagog i shquar, ai i dha frymë të re didaktikës shqiptare, duke mbjellë në mendje e zemra vizione të qarta e qasje praktike, jo vetëm në mësimdhënie, por edhe në fushën e edukimit. “47 vjet, gjysmë shekulli si mësues e pedagog me vokacion, mjeshtër i zbatimit në praktikë të gjithçkaje teorike, i prirë për të zbatuar teknika të reja të mësimdhënies, të përshtatura sipas moshës së nxënësve. Gjithashtu, si njohës i shkëlqyer i psikologjisë dhe i mendjes njerëzore profesor Kajanaku do të bëhej një figurë markante e shkollës shqiptare, me të cilën udhëtoi nga mosha 7 deri në atë 70 vjeçare. Në vazhdën e gjeneratës së parë të didaktëve profesionistë shqiptarë Aleksandër Xhuvani, Sotir Paparisto, Mirash Ivanaj u krijua gjenerata tjetër e mendimit pedagogjik shqiptar me një frymë evropiane, së cilës i përket edhe profesor Abdyl Kajanaku, i cili përvijoi dhe pasuroi përvojën e shkollës shqiptare me njohuritë dhe përvojën e shkollave të përparuara në Evropë. Ai u shndërrua kështu në një tjetër yll të plejadës së ndritshme të arsimit dhe pedagogjisë elbasanase dhe gjithëshqiptare”.
Sapo u kthye në atdhe ai do të pritej e do të emërohej prej Ministrit të Arsimit, Ernest Koliqit (1939-1942) në detyrën e Inspektorit të lartë pranë Ministrisë së Arsimit dhe drejtor i arsimit fillor. Në Tiranë do të njihej e shoqërohej me intelektualë të tjerë të formuar në Evropë, ndër të cilët Vedat Kokona. Në vitin 1941 drejtor i arsimit në Gjirokastër, shok dhe mik i Çabejit dhe i Mahir Domit. Kur në vitet 1941-45, 300 mësues nga Shqipëria shkuan në trojet shqiptare të Maqedonisë dhe Kosovës për të dhënë mësim, mes tyre ishte edhe Abdyl Kajanaku, i cili shkoi në Tetovë. 1945-1948 emërohet në DAR Korçë deri në vitin 1951 e më pas në Shkodër. Pas vitit 1951, kur priste që ta emëronin në qytetin e tij të lindjes, Elbasanin e Normales prej nga ishte larguar, profesor Kajanaku do të urdhërohej të punonte në Shkodër, duke lënë të vetme nënën e tij.
Mendoj se z. Hoxholli e përshkruan me realizëm gjendjen e rëndë në të cilën u përballën në Shqipëri demokratët nacionalistë dhe njerëzit e arsimuar jashtë shtetit, të cilët ishin ndër të parët që vuajtën pasojat makabre të luftës së klasave. Ish - mësues të asaj kohe, sot mbi 80 vjeç, pohojnë survejimin që u bëhej disa mësuesve të shkollës pedagogjike, ndër të cilët Shyqyri Demirit, Abdyl Kajanakut, Besim Qorrit, Hysen Çaushit...Diktati i partisë shtet mbi veprimtarinë mësimore edukative ishte i prekshëm po dhe i frikshëm. Profesor Kajanaku, gjatë kësaj periudhe ndërpreu botimet, apo punimet për përvojën e shkollave evropiane. I afirmuar si pararendës e themelues i didaktikës shqiptare, ai s’mund të pajtohej me konformizmin. Iu përkushtua aftësimit praktik të mësuesve të rinj, duke zhvilluar metodikën e mësimdhënies.
Duke qenë i vëmendshëm e i kujdesshëm ndaj realitetit gri të atyre viteve, profesor Kajanaku, zbatoi në mënyrë rigoroze itinerarin monoton, shtëpi-shkollë, shkollë-shtëpi...Me peshën e 62 viteve mbi supe e me përvojë të gjithanshme, pasi i kishte rënë kryq e tërthor Shqipërisë, për t’i shërbyer asaj dhe brezave të së ardhmes, profesor Abdyl Kajanaku, riemërohet në Shkollën Pedagogjike “Luigj Gurakuqi”, kthehet në gjirin e saj i mirëpritur me respekt nga nxënësit e kolegët.
8.
Autori i monografisë përshkruan në mënyrë drithëruese ngjarjet e errëta të vitit 1967, kur me dekretin 4337 deklarohej prerë: “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe inkurajon zhvillimin e propagandës ateiste, për të krijuar te njerëzit botëkuptimin shkencor materialist…!” Për të demaskuar sa më rreptë këtë periudhë monstruoze, z. Hoxholli na sjellë dhe thënien e Pjetër Mëshkallës: “Unë po ju them këtu, se populli nuk asht dakord me shka jeni tue ba ju, ai ka besue dhe do të vazhdojë me besue në Zotin edhe pa kisha e xhamia... Ky veprim që bani ju sot, asht turp para Zotit e para Popullit, asht turpi juej para vendeve të Evropës, mbasi kjo që bani ju sot këtu, a e dini se po bahet në pragun e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, Mbrojtës i Krishterimit?!” Mbylleshin kështu për t’u shembur të gjitha xhamitë e kishat. Përndiqeshin, torturoheshin, burgoseshin, hoxhallarë e priftërinj të pafajshëm.“ Në këtë situatë absurde dhe alarmante për mendimin intelektual shqiptar, z. Kajanaku nuk u mashtrua nga propaganda komuniste, antifetare dhe antikombëtare. Ai nuk mori pjesë në polemika e diskutime për probleme ideologjike, por në rrethe të ngushta shoqërore ai shprehej: -“Çdo njeri ka besimin dhe fenë e vet”.
Më 1 shtator 1971, kur u hap për herë të parë ILP Elbasan, profesor Kajanaku ftohet të zhvillojë leksione për pedagogjinë. I komunikueshëm e dashamirës me studentët, po aq dhe korrekt e i përpiktë në zbatimin e të gjitha rregullave e normave. Gjithmonë ka dhënë ndihmesën e tij si pedagog në ILP Elbasan e Shkodër, veçanërisht për problemet e didaktikës si dhe të metodikës.
Ai ka qenë ndër më të shquarit pedagogë të ILP Elbasanit, që sapo kishte filluar nga puna, pasi, jo vetëm që zhvillonte lëndët bazë për mësuesinë, por organizonte me studentët praktikën profesionale. Ndërsa në shkollat e mesme të vendit, po edhe në “Luigj Gurakuqi” Elbasan, për dhjetë vjet, zhvilloi lëndën e pedagogjisë dhe psikologjisë. Gjatë kësaj kohe, ai shquhej edhe për përkthimin e materialeve nga fusha e pedagogjisë.
Përvoja e gjatë, aftësitë shkencore e praktike dhe zotërimi i italishtes, frëngjishtes e turqishtes, i jepnin meritën, të dallohej në përkthimin e shumë materialeve shkencore. “Shkolla shqipe, do të roj gjithnjë edhe pse në të është shkrirë mendja dhe dija e përjetshme e të madhit Abdyl Kajanaku”,-nënvizon me të drejtë autori i monografisë.
9.
Autori e ka vizatuar e portretizuar protagonistin e tij me shumë dritë dhe me shumë pamje, herë duke u shprehur vetë, por edhe duke sjellë në vëmendjen e lexuesit përshtypjet e njerëzve që e kanë njohur nga afër profesorin e madh dhe familjen e tij, duke vënë në dukje se edhe në familje, ashtu si në shkollë e shoqëri, Abdyl Kajanaku jetoi si një bashkëshort e baba model. Mjeku i shquar korçar Gusho kujton: “...Ata bashkëshortë, kanë mbetur në kujtesën time ndër njerëzit më të sjellshëm, më dashamirës e më njerëzorë që kam njohur”. Tinka Kurti, artiste madhe dhe ish - nxënëse e profesor Abdylit: “Unë në Elbasan, tek nënë Hatixheja, gjeja gjithmonë shtëpinë time të dytë. Më bëri përshtypje, sjellja, respekti i tyre, dashuria që kishin për fëmijën e tyre. Dua të them se aty pashë sërishmi profesor Abdylin që e kisha mësues në Shkodër, një mësues shembullor, korrekt, i përgatitur. Në shtëpinë e tyre, ku buajta së bashku me Margarita Xhepën, ne pamë një familje solide, njerëz të dashur, të respektueshëm. Ajo që bënte nëna për të birin dhe i biri për nënën, si rrallë mund ta gjesh në botë…”. Kurse i biri i tij Fationi, duke folur për kujdesin e babait për bashkëshorten e vyer, kujton: “Në mëngjes herët, kur drita mëngjesore zbardhte xhamat e dritareve, babai shkonte pranë nënës së tij dhe e puthte në ballë. Mbante frymën dhe pëshpëriste i ngazëllyer: - “Shyqyr, o Zot, qenka mirë!” Pasi e përqafonte nisej për në shkollë”.-Në netët e prapme të jetës së saj, kur e ëma, e pafuqishme për të lëvizur, ai fshihte lotët e nxehtë dhe ia merrte këmbët në gjoksin e tij. -“E kam parë me sytë e mi, - shprehet i mallëngjyer i biri Fationi, - ashtu të qarë e të përlotur, tek binte në gjunjë e i puthte këmbët nënës. I jepte asaj nëne gjithë dashurinë e vet të qëndisur nga shpirti i tij human. E adhuronte!”
10.
Njerëzit e dijes mbahen mend edhe për thëniet e tyre në momente të veçanta, dhe natyrisht që këtë fakt autori i monografisë nuk e ka kaluar në heshtje. Në fjalët dhe shprehjet e njerëzve të mëdhenj, ne ndjejmë të pranishëm edhe Abdyl Kajanakun, vlerat e të cilit marrin një theks të spikatur e kumbues: Herbart:“Jo në dijen, por në vullnetin e fortë qëndron vlera e njeriut”. Gëte: “I lumtur është ai që arrin të vendosë lidhje midis fillimit të jetës dhe fundit të saj”. Ruso: “Krijoni qytetarin dhe keni çdo gjë që ju nevojitet. Pa atë (qytetarin) ju nuk keni bërë asgjë, përveçse skllevër që nga sundimtari e deri poshtë”. Për të shkuar pastaj te vargjet e Dantes: “..Po s’ke nam të mirë, mblidhe. Ç’të duhet jeta?/Zhduket si reja në tym, si shkuma në valë./Ai që pa lënë një gjurmë, çoi dëm ditët e veta...” E në vazhdim te Viktor Hygoi: “Është Engjëlli Liri, është viganeja Dije, që do t’i sillnin popujve përparim, dinjitet e mirëqenie” e për të përfunduar me thënien e famshme të Aleksandërit të Madh: “Nëse babai më zbriti nga qielli në tokë, mësuesi më ngre nga toka në qiell.”
Por ne mbushemi me shumë nderim dhe respekt për profesorin tonë të shquar kur kemi nderin të lexojmë edhe disa nga thëniet e tij, që lexuesi do t`i gjej në libër, në vendin dhe kontekstin duhur: “Shqipnija asht fortesa e qytetnimit, burra të naltë naltësojnë edhe nji Atdhe të vogël”. “Mësuesi, duhet të njohë mirë psikologjinë e fëmijës dhe të nxënësit në tërësi, të njohë mirë imagjinatën, fantazinë dhe altruizmin e fëmijëve”. “Shkolla dhe familja, zënë vendin kryesor në formimin dhe edukimin e të vegjëlve me dituri dhe edukatë të shëndoshë”. “Jeni bij e bija të familjeve fisnike, të atyre familjeve që kanë mbajtur ndezur zjarrin e pashuem të kulturës e të qytetarisë. Është në nderin tuej ta mbani lart e po aq të nderuem emrin e ndritur të Normales sonë!” “Themeli i zhvillimit, përparimit dhe mirëqenies së një populli, është shkolla”. “Ji human, që të shijosh lumturinë e kësaj bote! Duaj për njerëzit, atë që dëshiron për vete! Vetëm kështu nuk do tretesh në dëshpërim e lot. Shikoi bletët si i lënë radhë njëra-tjetrës! S’lodhen së punuari për të mbledhë e për të na dhuruar nektarin e kësaj bote…”!“Ruani shëndetin, nderin dhe edukatën”! “Çdo njeri ka besimin dhe fenë e vet”.
Në vitin 1980, profesor Abdyl Kajanakut do t’i akordohej, pas 36 vjetësh në rrugën e mësuesisë, titulli i lartë “Mësues i Merituar”, ndër më të shquarit personalitete në fushën e arsimit, për kontribute të rëndësishme shkencore e profesionale në përgatitjen e mësuesve për Shqipëri e Kosovë, ndërkaq, që ai ka marrë edhe shumë vlerësime nderi të tjera e, mes tyre edhe “Nderi i Qytetit” të Shkodrës.
Duke konsideruar dhe vlerësuar këtë libër të shkruar nga z. Eduart Hoxholli ndër të zgjedhurit në llojin e librave monografikë, dëshiroj të nënvizoj fort se në çdo faqe e kapitull, nga fillimi e deri në faqen e fundit, ai të mbushë me dashuri dhe jetë, të bënë të ndjehesh krenar dhe plot nderim e respekt për Abdyl Kajanakun, që është një tjetër margaritar vezullues në gjerdanin e mësuesisë dhe të pedagogjisë elbasanase. E, ndërkaq, parathënies që m`u besua e që mbetet gjithnjë e hapur, mendoj se do t`i shkonte si mbyllje elokuente shprehja e madhërishme e profesorit dhe protagonistit tonë: “Shpirtrat e njerëzve, janë të pavdekshëm, por shpirtrat e njerëzve të drejtë e të ndershëm, janë jo vetëm të pavdekshëm, por edhe hyjnorë”.
Shënim i autorit të artikullit:
Falënderoj z. Fation Kajanaku, i cili përpara disa ditëve më përcolli ftesën nga Bashkia Elbasan, Qendra e Artit dhe Kulturës, Biblioteka “Qemal Baholli“ dhe Qendra e Formimit Profesional, për organizimin në Elbasan, më 10 mars 2025, të një ekspozitë personale familjare, si dhe promovimin e librit “Abdyl Kajanaku, Intelektuali i qytetarisë Elbasanase“ shkruar nga mësuesi dhe shkrimtari i talentuar Eduart Hoxholli.
Për arsye shëndetësore nuk e pata mundësinë dhe kënaqësinë të isha në atë veprimtari dhe, në respekt të jetës dhe veprës së intelektualit të mirënjohur elbasanas, dërgova për botim këtë artikull kushtuar Abdyl Kajanakut, i cili është njëherazi edhe parathënie e librit të shkruar nga z. Eduart Hoxholli.
Me nderim dhe respekt,
Viron Kona
Kommentarer