top of page

Violinçeli



Nga Juliana (Saliasi) Troci

Ajo mbylli sytë teksa ndjeu violinat t’i drithëronin shpirtin. Përkundej me to duke fiksuar ato imazhe duarsh femërore që përkëdhelnin apo ngacmonin ethshëm telat e shtrirë si linjat e një jete…

Dukej se çdonjëri në atë sallë kishte diçka të veten aty: një kujtim, një mbresë, një copëz jetë, një çast të paharruar që zgjonte buzëqeshje dhe mall sa herë prekej lehtë në kujtesë…

Dhe tingujt vazhdonin; ata vinin ëmbël e më pas lartoheshin bashkë me rrahjet e shtuara të zemrës e mornicat nëpër trup. Shumë prej dëgjuesve qendronin symbyllur, duke u përpjekur t’i rrëmbenin, t’i përjetonin e t’i mbanin përjetësisht brenda vetes ata tinguj.

Të tjerët vështronin ngultas orkestrën që ekzekutonte; ndiqnin çdo lëvizje, çdo emocion të vetë këtyre njerëzve që luanin duke përkundur kokën lehtë sa majtas-djathtas, të përkushtuar tërësisht aty, madje deri edhe në buzët e tyre dukej se i lexoje ato nota ndërkohë që interpretonin.

Shumë prej dëgjuesve ishin armiq të përhershëm të asaj salle. Ata njihnin çdo pjesë të ekzekutuar aty, çdo triumf. Dokumentarë të gjallë të dhjetra e dhjetra kompozimeve, diskutonin gjithëmonë pas çdo koncerti, duke krahasuar atë të fundit me të mëparshmit.

Por, gjithesesi, më të përfolurat mbeteshin ato që kishin lënë më tepër e më thellë gjurmë në zemrat e këtyre njerëzve, dhe pjesët e tij qendronin gjithmonë në Tryezën e Arisrtikracisë, përfaqësues të denjë të asaj që arrin të krijojë e të përcjellë nota.

Këta njerëz mendonin se ky njeri kaq i njohur e po aq misterioz, ruante një të fshehtë. Nuk mund të ishte vetëm talenti, guximi dhe shpirti i tij krijues. Diçka fshihte ky njeri. Në kaq e kaq vite triumfesh e arritjesh, ata njihnin vetëm krijesën e tij, e fare pak atë: kush ishte ai, përse kaq shumë rezerva…

E megjithëse ky mendim i impenjonte gjatë, së fundmi mjaftoheshin me aq sa u kishte dhënë ai, duke menduar se ky njeri ishte po aq i mrekullueshëm sa edhe notat e tij.

Dhe në çastet që po flasim, ata e kishin harruar atë dhe vazhdonin të qendronin symbyllur, ashtu si fëmija që shijon qumështinë e jetës prej gjijve të nënës, ashtu dhe ata përjetonin harmoninë plot mrekulli të notave që dilnin nga shpirti i tij. Të tjerët, ata që vinin për të disatën herë, qendronin ulur në vendet e tyre, mu si nxënësit në bankat e shkollës kur përqendrohen pas fjalëve të mësuesit e përpiqen të përthithin sa më shumë…

Dhe të tjerë akoma, që ishin të pranishëm për herë të parë, dëgjonin të qetë e të kënaqur. Kur mendonin që ishin aty e jo diku tjetër, duke bërë diçka të zakonshme për ta, i shihje të buzëqeshnin lehtë…

Koha marshonte drejt fundit të koncertit. Salla ushtonte e gjitha nga ajo mrekulli tingujsh: violin plot hire, pianoja që buzëqeshte, trombat e sigurta, trili endacak, violinçeli plot magji në çdo hap. Çdo spektator në vendin e vet ndihej kaq rehat, pavarsisht nga ç’mendime e problem mund të kishte patur në mendje më parë. Çdo tingull i ledhatonte zemrën apo i ngacmonte thellë atë; ata e ndiqnin pas, përhumbur krejtësisht pas tij…

Vetëm ai qendronte i ftohtë dhe, si përherë, ishte i vemendshëm për gjithçka: çdo reagim, çdo lëvizje dhe çdo shikim dukej se reflektohej tek ai, ashtu sikurse dhe tingujt e tij pushtonin çdo mendje dhe mbushnin çdo shpirt.

Qendronte pa lëvizur në karrigen e tij, i sigurtë si për herë. Sytë e tij ishin kaq të kthjellët e kaq të trishtë. Pas çdo koncerti ai mbyllej në dhomën e vet, vështronte partiturën dhe pyeste veten:

- Çfarë mungonte ende? Përse s’arrij ta gjej…përse?! Një jetë të tërë që merrem me muzikë, ku janë ata tinguj që kërkoj, ku ka humbur ajo harmoni-delir i mendjes së lodhur…?

E teksa harqet vallëzonin magjishëm, ndjeu dy buzë mbi faqe, lehtë. Ah, e adhuronte gjithë atë mirësi…

-E mrekullueshme babi, si përherë! Përgëzime! Të kam shumë xhanë! Duhet të shkoj tani, kam takim në fakultet.

-Mirupafshim, e shtrenjta ime, - pëshpëriti ai teksa ia mori dorën e brishtë e ia vendosi pranë zemrës. Ajo e vështroi plot ëmbëlsi dhe u largua, ndërsa ai ktheu kokën duke e ndjekur me sy, deri sa ajo u zhduk si një engjëll mëngjesi që lë pas dritën e vet. Ai fëmijë ishte gjithçka kishte në botë, dhe notat e tij e kishin ndjekur kudo, që nga hapat e parë deri në pavdekësi. Nuk mund të jetonte pa të, pa buzëqeshjen e saj, pa sytë plot dritë, pa zërin e ëmbël si një tingull i brishtë, ishte gjëja më e shtrenjtë që kishte në jetë.

Muzika vazhdonte. Harmoni tingujsh përkundnin lehtë dëshirat-sunduese

Legjitime të ambjentit përrreth. Dhe dalëngadalë, frymëmarrja shpeshtohet, mornicat fillon dhe e i ndien kudo nëpër trup; ndihesh keq në ankth nën një emocion që rritet në vazhdim, deri sa shpërthen në një të qeshur marrëzie e kërkon të ngopesh me ajër, i kthjellët në pafundësi…

Pas një pause të shkurtër, salla shpërtheu në duartrokitje. Dukej se në sytë e tyre kishte falenderime të pafundme për gjithë këtë. Kjo ishte si përherë mbyllja triumfuese e asaj çfarë krijonte ai.

99 views0 comments

留言


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page