top of page

Vilhelme Vranari Haxhiraj: Doli nga botimi romani “Ai dhe Ajo..., E Çmendura”



    Për Ju, Gjyshe, Nëna, Bashkëshorte, Motra, Bija dhe djem të dhunuar !

 

Një libër për veshët që dëgjojnë dhe mendjet që i bëjnë apel ndërgjegjes!


Nuk besoj të ketë në botë si në Shqipëri, obelisk natyral, ku është gdhendur jeta, vuajtjet, dinjiteti dhe vetmohimi i gruas shqiptare!” Vivra

 

                            “Ai dhe Ajo..., ‘E Çmendura’

     Botim i ShB.Europrit, Vlorë

 

    Një roman i dhembshëm, prej të cilit duhet të mësojë çdo njeri që nuk e kontrollon dot temperamentin e tij të shthurur! Mes dy a tri personazheve femra të nderuara, viktima të kohës së vrazhdët, që dhunohen si vazhdimësi e injorancës së mentalitetit mesjetar, u bëj thirrje gjithë atyre individëve apo strukturave shtetërore që në një formë apo në një mënyrë tjetër, përdorin dhunën ndaj segmentit më vital, Gruas! Kurrë mos harroni se çdo grua, është një gjyshe, një nënë, një bashkëshorte, motër apo vajzë, si dhe bashkëndërtuese e jetës së familjes dhe kombit, ndaj si e tillë duhet respektuar, sepse në trupin e saj ngjizet embrioni i jetës! Gruaja është zanafilla e jetës mbi tokë.

                                                                                                             

Medikamenti narrativ i shpirtërave njerëzorë

   

    Analizë nga Prof. Dr. Fatmir Terziu “Mjeshtër i Madh” Londër, qysh para 12 vitesh,  ia paraqita më të shkurtër si novelë. Kërkoja mendimin e tij, nëse vlente të botohej ose jo. Zoti Terziu, një nga tre kritikët bashkëkohor, i përzgjedhur nga Oksfordi, bëri analizën, të cilën po e paraqes për lexuesin:

       Çdo gjë në botën bashkëkohore është e vendosur nën shenjën e krizës. Dhe kriza varion. Ajo nuk është vetëm sociale. As vetëm ekonomike, por është edhe kulturore. Është edhe krizë shpirtërore. Pra, çdo gjë është bërë problematike. Kjo është mëse e qartë në tërë dimensionin Global dhe në lidhje me këtë shkrimtarja Vranari, na sjell në vëmendje si kurrë më parë, një temë të strukur në astarin e ndërgjegjes humane. Në atë astar që griset, pa u grisur, që griset pa u ndjerë, por që moliset në etiketën ‘i/e çmendur’. Në këtë simbiozë lind edhe romani “Ai dhe Ajo” ose “E Çmendura”, që flet mes krizës së përshpirtjes.

       Njeriu i konstruktuar në romanin e fundit, “E Çmendura” të shkrimtares, Vilhelme Vranari Haxhiraj, ka një lidhje të brendshme humane, që dedikohet nga përshpirtja e vetë njeriut. Dhe jo më kot në këtë roman ndeshemi me këto fjalë e grupe fjalësh që në anën shkencore formojnë lidhjen me vetë këtë krizë: qetësia shpirtërore, lirinë e shpirtit, gjendja shpirtërore, thellësisht në shpirt, ndjesisë shpirtërore, botën shpirtërore, shumë probleme shpirtërore, qetësinë e shpirtit, në xhep të shpirtit, dhembjen e shpirtit, energjive morale dhe shpirtërore, vritesh shpirtërisht e mendërisht, shpirt intelektuali, e qetë shpirtërisht, grumbulluar në shpirt, vuajtjen e mohimit, vuajtjen shpirtërore, qante shpirti, medikament i shpirtërave njerëzorë, me shpirt në dorë, gjeti shpirtin binjak, etj.

      Të gjitha këto e mjaft të tjera janë produkt i makinës kulturore dhe narrative të Vranarit, jo se ato nuk dihen, porse në atë formë që strukturohen, zor se i përdor kaq mjeshtërisht dikush tjetër. Por pse kjo krizë shpirtërore ka kuptimin e saj argumentativ shkencor? Pikërisht kjo e disa të tjera do të jenë thelbi i kësaj analize, që zbërthen narrativin e novelës në konsideratë. Pas njëmëdhjetë vitesh, autorja e përpunoi  dhe e shndërroi në roman.

        Si studiues, unë duhet ta shoh këtë në një lidhje që duhet të kapet me agoninë e botës. Si duhet ta konsiderojmë atë? A është kjo vetëm një krizë e një bote të jashtme për të gjendurit në gjendjen ‘e çmendura’, ka tradhtuar besimin e vet natyra tek njeriu, apo kjo është po ashtu një krizë e vetë përshpirtjes? Në roman vetë strukturimet ndajnë arsyet edhe në fatin e botës shpirtërore. Ja si shkruan vetë autorja:

       “Pastaj nuk ka se si ta zhbirosh ti qenien time... E si mund të më njohësh? Ndryshe do ta kishe mësuar me kohë se jam një shpirt i zbrazët. Dhe atë shpirt dikur të pasur, ma boshatise ti.”

         Është një botë e njohur. Një botë e vogël, ajo botë që lidh burrë e grua, që lidh dashuri, që lidh dhe formëson jetën. Por është një botë ku zien arsyeja e humbjes së besimit, ku fundoset ‘shpirti’ dhe gjithë ajo sa lidhet me të. Shkrimtarja e qartëson: “Rrallë ndonjëherë kur provonte kënaqësinë që të jep qetësia shpirtërore, një shqetësim i brendshëm dukej sikur e ndalte. Këto pak çaste lumturie që zgjasnin aq sa një vegim, zhdukeshin papritur.” 

        Dhe kështu protagonistët nuk mund të pretendojnë pikëpamjen, se brenda vetes, brenda botës së tyre çdo gjë është vetëm e shkëlqyer dhe se asgjë në botë nuk i irriton ata. Dhe mbi botën e karaktereve, mbi lëvizjen e tyre humane, atje bie një përgjegjësi e rëndë. Me botën e tyre është duke u kryer një gjykim, dhe ky është gjithashtu një gjykim mbi fatin historik të njeriut për njeriun, të lidhjes ‘shpirt’ apo ‘shpirtërisht’ me fatin e njeriut. Të këqijat e botës narrative janë të lidhura jo vetëm me ikjen larg nga shpirtëzimi, me një trisht poshtërues prej (mos)besimit, por edhe me moshën e vjetër të ardhur nga sëmundjet e tipizuara, më së shumti të konstruktuara, nga masa ndëshkuese për të ndëshkuarin, si i çmendur, apo e çmendur në rastin konkret, ku aperativi sillet si faturimë jete në anën e saj (jo)njerëzore. Dhe këtu është fatura e kohës, ajo që determinon dhe vulgarizon, ajo kohë në të cilën vetë njeriu agravohet. Dhe koha nuk është më këngë. Nuk është dhe sikur: “jeta të ngjasonte me një këngë, eh si do të ishin marrëdhëniet mes njerëzve! Në një këngë nuk është e rëndësishme ajo që ka thënë autori, por ajo që ngelet jashtë temës, apo brendisë letrare të saj, ku duhen marrë parasysh hamendësimet, apo idetë e admiruesëve, si dhe reagimet e tyre. Kurse për jetën kanë vlerë ato që nuk janë bërë e nuk janë thënë. Duke i lënë jashtë të qenësishmes, ne nënkuptojmë të pathënat që ngelen si enigmat, të cilat gjithmonë kërkojnë zgjidhje. Por me ulje- ngritjet që na ofron jeta, ujërat e turbullta të saj, të kalllin frikën. " Ndërsa analizonte, papritur u kujtua se çerek shekulli më parë, në këtë stinë ishte femra më e lumtur në botë...

          Kjo është bota. Është vetë kohëbota me të cilën Vrana na sjell medikamentin narrativ për shpirtërat njerëzorë në krizë. Dhe kjo përpjekje narrative është universale në rëndësinë e saj, dhe çdo gjë që ndodhet brenda orbitës së saj, nuk është vetëm lokale, as edhe individuale, ajo është e gjerë dhe kolektive. Asgjë për këtë s’mund të jetë plotësisht vetëm një astar dhimbës nga grisja në pjesën e jashtme. Ai ka faturat e veta të tjera.

       Është narrativi që ta jep këtë mundësi, që të shohësh karakterët që më tepër perceptojnë gjendjen shpirtërore të botës bashkëkohore nga brenda vetë përshpirtjes, për të përcaktuar, se çfarë nënkupton kriza e botës së tillë si një ngjarje brenda shpirtrave, në kuadër të universalitetit të dhimbjes dhe therjes shpirtërore që të jep “E Çmendura”. Bota në romanin e Vranarit ka ardhur në një gjendje të frikshme, nuk është më brenda saj.

       Brenda kësaj bote janë institucione, firma, shoqëri dhe pezma (acarime) të tjera të ndërlikuara. Kjo botë është duke jetuar me anë të një epoke katapultive, të dyja ankthet shpirtërore, atë që lidhet me mjedisin e jashtëm dhe atë që ndërlikohet deri në çmendinë prej një mjedisi patriark e të shkufanjitur, të brendshëm. Kjo në romanin e Vranarit është një epokë e anarkisë shpirtërore. Njeriu jeton në ankthin më shumë se kurrë më parë, nën një kërcënim të përjetshëm, ai varet dhe gjendet me tru-pezull mbi një humnerë dhe: “-Gjithmonë kam besuar se njeriu ndryshon gjatë jetës, e cila gjatë rrugës së saj të gjatë dhe të vështirë, i shërben si përvojë. Kurse ti, nuk mund ta bësh një hop të tillë, se je me mendësi mesjetare dhe fshatare. Ajo nuk vazhdoi më tej, pasi ishte e bindur se fjala e saj do të shkonte dëm. Ndërsa "Ai" kërciti dhëmbët, e pa ashpër dhe u vesh.

     -Çfarë fyerjeje! E sidomos kur ta thotë një femër, një bushtër...," -klithi Ai me zë të çjerrë, duke u skërmitur. Prej marazit nisi të turfullonte nga inati. Në pragderë mbajti këmbët dhe... 

       -Natyrisht, je bërë e dëgjuar tani...Helbete, "shkenctaruce"...e kush mund të matet me studiuesen e mendjeve dhe shpirtërave njerëzorë? Eh mos durofsh, o Perëndi. Edhe kush? Një hiçi si ti, i duket vetja sikur ka arritur majat...Nuk ke më nevojë tani, se je bërë e adhuruara e dhjetëra e dhjetëra njerëzve me probleme mendore apo...apo je bërë medikament i shpirtërave njerëzorë...

       Njeriu modern në këtë roman e ka humbur besimin. Ka humbur ato gjëra që njeriu i kohës moderne u përpoq në shekullin e fundit t’i zëvendësojë me njerëzillëkun dhe lirinë e tij për besimin në jetë. Ai beson se nuk është më në progres, në humanizëm, në fuqinë shpëtimtare të shkencës, në fuqinë shpëtimtare të demokracisë, ai është i vetëdijshëm për padrejtësinë e rendit të tillë ku shtysat bëjnë dhe agravojnë aksese negative dhe ai e ka humbur besimin në utopinë e bashkëkohores. Jeta moderne është goditur nga skepticizmi kulturor dhe vetë strukturat e jetës janë katapultuar në gremina të shpirtit nga kriza që shuan dhe është e gatshme të shuajë të gjitha vlerat.

        Karakteristike për qetësinë dhe humbjen e saj në mjedisin narrativ të romanit, ajo stigmë bashkëkohore, është rritja vetë forma pesimiste, ku filozofia e Shopenhauer del thjesht inkurajuese dhe e pafajshme. Dhe kështu është filozofia e Heidigger, për sa i përket thelbit të njeriut që ka rënë në pozicion pesimist, por që nga ‘askush’ nuk shihet dhe vihet në vemendje se është ajo vetë pesimistja që e ka rrënuar dhe rrëzuar larg, tregon se bota është e pashpresë, mëkatare, dhe që nuk ka asnjë arsye tjetër në botë ku të gjendet dalja nga ‘çmendina’ ku fitimtar është ankthi.

         Më tej autorja shkallë-shkallë na jep segmentimin akrologjik, që është një segmentim melankolik, i cili sipas Kierkegaard lidhet me mërzinë tragjike, të cilin ai e lidh dhe e shpreh në gjendjen aktuale të botës, apo ndryshe tek pozita e vetë njeriut, karakterit të strukturuar në roman. Vetë ky fragment e qartëson këtë: “Me punën që bën ke lënë përshtypje të mirë, jo shaka. Po të lavdëronin aq shumë, jo vetëm prindërit e Erës, (një paciente) por edhe të tjerët. Ishin të gjithë që festonin rikthimin në normalitet të vajzës së tyre, e cila i ishte kthyer jetës së mëparshme, njëlloj sikur kishte rilindur, pasi kishte pësuar një traumë, depresion a diçka të tillë si rezultat i një historie dashurie. Kjo më bëri të ndihesha krenar për ty dhe e thënë troç: "si lum unë i lumturi që të kam në krah për shoqe jete! Së paku nuk më shkoi mundi dëm as me ty dhe as me fëmijët..." - dhe ndërkohë i zgjati gazetën, ku ishte shkruar një artikull për të.

         Kurse ajo e vështroi gjatë me shpërfillje dhe ushqimi i krijoi një ngërç të pakapërcyeshëm... Egoja e tij që çdo sukses të familjes ia dedikon vetes, meritave të tij, bashkë me ushqimin i ngeli në fyt si laklitari i vdekjes.”

         E ndërsa ajo mediton se ai duhet ti kërkojë falje, shfaqet trendi në mendime teologjike dhe fetare që çlirojnë përshpirtjen, duke iu drejtuar Zotit, si e vetmja mënyrë e lirimit të skutës trunore të rënduar.

         Njeriu si të thuash është rritur i lodhur përtej lirisë shpirtërore dhe është i përgatitur të heqë dorë prej lirisë shpirtërore në emër të pushtetit, me të cilin trazon jetën e tij. Me të gjitha pushtetet, edhe ato që formojnë sistemin, edhe me ato që agravojnë në sistemin si të brendshëm dhe të jashtëm.

      Dhe kështu, për shembull, nëse Komunizmi është një formë ekstreme e idhujtarisë sociale, atëherë ku ndodh të kaplohet sistemi i besimit të njeriut? Shkrimtarja ka udhë të gjatë në romanin e saj.      Kjo temë duhet lexuar e rilexuar për të kuptuar medikamentin e saj filozofik.

Londër, 28. 07. 2013

 

Prolog...

 

Asaj ose atij që do t’i bjerë në dorë ky libër!



      Ky roman u kompozua si shkak i problemeve sociale të rënda për jetën e cilitdo dhe veçanërisht dhunës ndaj gjinisë femërore apo fëmijëve, e cila shkatërron jetën e të dhunuarës apo të dhunuarit, të familjes dhe brezit aktual (fëmijëve) që e përjetojnë atë si një kërcënim i së ardhmes së tyre! Dhuna që lind si pasojë e ndryshimeve të çdo rendi shoqëror, ka disa ngjyra, politike, raciste, sociale dhe individuale. Secila prej këtyre kategorive të sjelljes shtazarake, shkallëzohet nga kamxhiku i kohës dhe i atij që e përdor. Përdorimi i dhunës është ves i njerëzve pa kulturë, pa dhembshuri, pa njohuri qytetarie, tek të cilët sundon egërsia shtazore si trashëgimi gjenetike ose si pasojë e kohës së errët dhe mendja paranojake, ku logjika ose arsyeja nuk ka vend në koshiencën e tyre, së cilës i kundërvihet subkoshienca. Ky dyluftim mes trurit dhe ndërgjegjjes shkatërrohet nga veprimi i nën/ndërgjegjes. Nuk duhen harruar format dhe trajtat antinjerzore të dhunës që shpesh e kalojnë çmendurinë, pasi tek ata mbizotëron pavetëdija dhe vepron e keqja mbi të mirën. Duke u nisur nga ky fenomen ekstrem dhe shkatërrimtar i njeriut, familjes dhe shoqërisë dhe nga fakte të përjetuara në ekran apo përditësinë jetike,gjithashtu duke qenë Kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas në qytetin tim në tri legjislatura, njoha shumë fate zonjash të dhunuara. Kjo më shtyu që punova një novelë me titull “Ai dhe Ajo”qysh në pranverën e vitit 2013. Një mikja ime nga ShBA, pasi e lexoi në internet, më sugjeroi që të mos e lija me një fakt të ekranit në TV, por duke shtuar raste të tjera dhune, ta bëja roman.Në këtë mënyrë e përpunova dhe e përgjithësova me titullin Ai dhe Ajo...‘E Çmendura” 

      Lexim të këndshëm e ndoshta nëpër paragrafe e rreshta do të gjeni diku veten tuaj si dhunues apo i dhunuar, të strukur nëpër faqet e këtij romani të vogël po me peshë të rëndë psiko-morale dhe sociale, i cili i bën apel kohës dhe njeriut që i mungon logjika, arsyeja, si dhe humanizmi!

     Pasi lexon edhe fjalën e fundit, cilido arrin në këtë përfundim:

    “Çdo njeri duhet të mësojë nga gabimet dhe fajet e tij apo të të tjerëve. Atëherë kupton se përvoja e së shkuarës është një shkollë autodidakte, pa  u ulur në bangat e shkollës, pa mësues dhe pa libra. Kjo është shkolla e jetës, para së cilës, deri në frymën e fundit, përherë i detyrohemi me respekt përvojës së kohës, ku çdo individ është nxënës,” Vivra.

 

Vlorë, 3.02.2025

 

 
 
 

1 Kommentar


Gast
03. März

Urime nga zenra Zonjës Vilhelme për këtë dhuratë tejet të çmuar për të gjithë lexuesit e saj aq dashamirës për artin e mrekullueshëm të fjalës artistike.

Urime nga zemra Prof.dr. Fatmir Terziut, Mjeshtër i Madh, për analizën brilante të kësaj vepre, analizë, në të cilën spikat mjeshtëria e kritikut të rrallë në letërsinë shqipe.

Eshref Ymeri

Kaliforni, 03 mars 2025

Gefällt mir

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page