top of page

VILHELME VRANA- HAXHIRAJ,SHKRIMTARE QË I KËNDON KOMBIT DHE MËMËDHEUT!


VILHELME VRANA- HAXHIRAJ,

SHKRIMTARE QË I KËNDON KOMBIT DHE MËMËDHEUT!


Fisnike nga rrënjët, shkrimatre dhe studiuese Vilhelme Vrana-Haxhiraj, pikërisht në “Ditën e Rinisë”, më: 08, të Dhjetorit, ka ditëlindjen. Si duket fati dhe koha, tani në moshë të thyer, po e përkëdhel duke i ofruar rini të përjetshme.

Lindi në Kaninë, Vlorë, më, 8.12.1944, me prejardhje nga familja e vjetër princërore e Gjergj Arianitit. Edhe pse e përndjekur nga lufta e egër klasave, me baba e xhaxha të burgosur, të internuar si fis, edhe pse i mohuan profesionin si mësuese, edhe se i ndaluan diplomimin, ajo gjeti forca të ngrihet përsëri, mundi të kompletohej me arsim të lartë në UT, dega (Histori-gjeografi) me rezultate të admirueshme.

Vetëm pas vitit 1990, rifilloi profesionin e nderuar dhe të adhuruar të mësueses, dhe nisi të shkruajë. Ajo shpërtheu. Vullkani nuk mund të rrijë përherë i shuar. 50-vjet një shpirt krijues i mbyllur dhe i ndrydhur mori frymë lirisht. Mjaftoi vetëm pak fllad lirie dhe pena e saj kërkoi të arrinte kohën që kishte shkuar shumë larg. Në këtë mënyrë realizoi ëndrrat e shuara, shpresat e vrara, dëshirat e dhunuara, duke gjetur vetveten e humbur në rrjedhat e kohës së vrazhdët, të kohës pa kohë. Ajo me 55 librat e botuar, i tha vetes, shqiptarëve dhe botës, se shpirti krijues i shkrimtarit, poetit, studiuesit, nuk vdes kurrë.



Vilhelme Vranari Haxhiraj, është nderuar me shumë tituj e çmime:

* Urdhrin “Mjeshtre e Madhe e Penës”(2012), me “Medalje Ari”

*Fituese e çmimit “Premio internazionale di Poezia”, -Firence-Italia, -2010-2012. Është e vetmja autore shqiptare në këtë antologji mes 205 autorëve nga e gjithë bota.

* Është anëtare e Akademisë Shqiptaro Amerikane të Shkencave dhe Arteve, në New York. - 2018;

* Ikonë e letërsisë Botërore e përzgjedhur nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Indisë – për vitin 2020;

*Vlerësohet me titullin “Nder i Kombit” nga Unioni shqiptar në Bukuresht- më: 08, të marsit, 2023.

*Autorja është përfshirë në më se 28 antologji shqiptare dhe të vendeve, ku është vlerësuar me çmime prestigjioze, në gjuhët përkatëse.



Vivra (kështu i thërrasim shkurt) i ka dhuruar lexuesit rreth 55 libra të botuara dhe disa janë në botim.

. Është personalitet i shquar, si shkrimtare, publiciste, studiuese dhe veprimtare në emancipimin e gruas e të shoqërisë, që meriton vend të veçantë në kolanën e kulturës kombëtare.

. Njëkohësisht është njëra nga 4-5 femrat e para në vend, që punoi për rrëzimin e diktaturës dhe u dallua si një veprimtare e shquar për emancipimin e gruas dhe demokratizimin e shoqërisë Shqiptare.

. Më tej, është themeluese e Lidhjes Demokratike të Gruas Vlorë.

. Është formuluese e të drejtave dhe lirive të gruas në demokraci me peticion drejtuar Parlamentit Shqiptar, më, 22.4.1992.

Është e para femër që ka mbrojtur me forcë liritë, të drejtat e grave e të fëmijëve, njohjen e emigrantëve nga shtetet ku kishin emigruar dhe bashkimin familjar të tyre.

Përmes një publicistike të zjarrtë, ka kërkuar vendosjen e barazisë gjinore, integrimin e gruas dhe të Shqipërisë në organizmat evropiane dhe ato botërore. Këto kërkesa ajo i realizoi përmes publicistikës dhe prurjes letrare në numër dhe cilësi.

Qysh më 1993, ka ngritur zërin për përkrahjen nga politika dhe shteti të Himarës autoktone shqiptare.

Ajo shkruan në të gjitha gjinitë, si në letërsi, gazetari, në prozën e gjatë (roman) e të shkurtër( skicë, tregim, novelë, ese), poezi, satirë, fabulë, si dhe një studiuese e mirëfilltë... në fushën e historisë, filozofisë dhe etnokulturës Shqiptare”

Nderimet dhe çmimet që ka marrë nëpër botë, janë aq shumë sa duhen disa faqe libri për t’u përmbledhur. Unë përmenda vetëm disa prej tyre.

Për “heroinën” tonë, znj, Vivra, kanë shkruar pena të shquara të letrave shqipe, si Akademik, Prof. Dr. Eshref Ymeri në SHBA, Baki Ymeri në Rumani, Mujo Buçpapaj, etj, etj. Ndërsa Prof, dr. Fatmir Terziu, Londër, i ka kushtuar librin: "Liria në Optikën e Letrave të Vilhelme Vranari Haxhiraj".

Vivra nuk është durrsake, por në këtë hulli vlerësimi, ajo ka qenë e pranishme në jëtën shkrimore, poetike dhe artistike të qytetit të Durrësit. Kashtu asaj nuk i ka munguar edhe nderimi që i kanë bërë institucionet e Durrësit dhe krijuesit, poetë dhe shkrimtarë të këtij qyteti të lashtë:

. Çmimin e Karrierës, - 2017, nga “Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve. Durrës”.

. Kryetare e Bashkisë Durrës, znj. Valbona Sako, e nderon me “Emblemën Diplomatike të Durrësit, “Kullën Veneciane”, derdhur në bronx. – 2019.

. “Mike e Fëmijëve”, më: 26. 04. 2023, vlerësuar nga nxënësit, biblioteka dhe drejtoria e shkollës “14 Nëntori”, Durrës.

Për znj. Vivra, kanë shkruar vlerësime, analiza e kritika letrare, hyrje në librat e saj, madje nuk kanë munguar edhe vargje e poezi kushtuar kësaj autoreje, tashmë të shumë njohur në letrat shqipe dhe nëpër botë. Mund të përmend: Shpendi Topollaj, Merita Kuçi-Thartori, Fatmira Beqja-Veseli, Agim Bajrami, Vladimir Muça, Kadri Tarelli, Fatmir Minguli, etj.

Nuk mjaftohemi me kaq: Më, 24.10.2019, në muajin e letërsisë shqipe, në mjediset e Pallatit të Kulturës “A. Moisiu, në Durrës, znj. Merita Kuçi-Thartori, poete dhe drejtore e shkollës “14 Nëntori”, në Durrës, ftoi dhe organizoi përurimin e librit studimor “Elitat e mohuar, krenari kombëtare”.

Pas katër vitesh, në pranverë: 23 prill, 2023, përsëri znj. Merita, organizoi përurimin e dytë për këtë autore, librin “Genti, mbreti Ilir i Ardianëve”, roman historik-fantastik dhe shkencor për fëmijë. Aktrimi i fëmijëve në rolet e personazheve, ishte vërtet një mrekulli. Vivra, e mrekulluar nga loja e fëmijëve, shprehet: - “E them pa frikë, se asnjë çmim nuk vlen para vlerësimit që fëmijët i bëjnë shkrimtarit. Para fëmijëve shkrimtari përherë është nxënës dhe e sheh shëmbëlltyrën e tij si në pasqyrë”.

Urime znj. Vivra! Jetë të gjatë, shëndet dhe krijimtari të bukur dhe me vlerë letrare, atdhetare e qytetare!

Je kurdoherë e mirëpritur në Durrës, me veprat tuaja të çmuara!

Miqësisht dhe mirënjohje!


Kadri Tarelli

Dhjetor 2023.


20 views1 comment

1 Comment


Pershendetje "Fjala e lire" dhe drejtuesi i saj Fatmir Terziu, qe jane kaq te kujdesshem te publikojne shkrimet tona, sidomos kur behet fjale per krijues te permasave kombetare, siç është zznj. Vivra. Faleminderit dhemirenjohje!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page