VETËM TRI ORË DIELL, EDHE NE…SI ATA
“Ata…”, i sollën aty ku ishim ne. “Si ndëshkim…”, tha dikush. Një herë të vetme u thanë këto dy fjalë.
Pas njëzetë e dy vjetësh Ata u larguan nga aty, me dëshirën e tyre, ngaqë s’ishin më të padëshiruar. Edhe prej nesh, të Atyshmëve të asaj kohe, kanë ikur, larguar prej aty, ose kanë mërguar.
Megjithatë, sot e kësaj dite, jo pak nga Ne s’jemi dot gati të besojmë se i kishin sjellë aty ku jetonim Ne dhe fëmijët tanë, pikërisht se aty kishte vetëm dy orë diell.
Edhe pse vetëm dy orë diell kishim edhe ne, NE s’ishim si Ata… NE ishim të besuar të pushtetit, NE ishim me pushtetin, NE nuk ishim…, si ata! Vetëm dy orë diell kishim, por NE s’ishim të prurë, si Ata. NE ishim aty se dikush duhej të shërbente, NE s’ishim të sjellë për tu ndëshkuar, si Ata...
Ata sigurisht ishin të pakënaqur, përderisa i kishin sjellë aty, por s’na shkonte mendja të pyesnim nëse u bënë të pakënaqur kur i sollën aty, apo ishin më herët, kur kishin më shumë diell.
Fëmijët e tyre, bënin sikur s’dinin gjë, dhe donin të luanin me fëmijët tanë. Edhe nëse vërtetë s’e dinin se ishin fëmijë të të Pakënaqurve, do tua thoshim ne këtë.
Ata duhet të besonin se ne e dinim pse i kishin sjellë aty (edhe pse në të vërtetë ne nuk e dinim. Sot e themi këtë!)
Në njërën nga muzgjet e hershëm, Shahit Veshi u afrua tek ata. Për shkurt ne e thërrisnim ‘Veshi’. E lëshonte gojën Shahiti sa, po të mos e njihje, dukej si Ata. Kur, largohej prej tyre Veshi bëhej Gojë!
Shkoi dhe tregoi se njeri nga të padëshiruarit e kishte pyetur: Si ia keni bërë pa diell ju, këtu?
I Plotë Fuqishmi Ynë e nxori përpara nesh dhe u tha Atij dhe Atyre, (që ta dëgjonim NE, shtojmë ne sot):
Nuk u sollëm këtu t’u tregoni gjëra që këtu i dinë den-baba-den…! Edhe pa i porositur kush, këta e dinë: ju s’keni të drejtë tua thoni ju të vërtetat! Nuk i duan prej jush të vërtetat. Të vërtetat tuaja bëhen gënjeshtra. U sollëm këtu, të mësoni nga këta njerëz. Ju dhe fëmijët tuaj. Keni harruar ç’është jeta…”
NE, të atyshmit, besonim tërë sa thoshte Njeriu i Pushtetit, se Pushteti ishte Yni, NE ishim të Tij, por vetëm sot vëmë re se Ai nuk e zuri kurrë ngoje se ata i kishin sjellë se vetëm dy orë diell kishte.
NE e dinim që dielli vinte përqark tokës, që edhe toka rrotullohej rreth diellit, por s’bënim dot lidhjen mes fjalëve dhe orbitave tona dhe të padëshiruarve me diellin, hënën dhe tokën.
Edhe sot, sikur s’i dimë: Na i ngatërrojnë gjërat e thjeshta, neve Njerëzve të Thjeshte.
NE e dimë se Dielli ka qenë dhe është falas, por të Plotfuqishmit se si i thonë Gjërat dhe ne këtu Poshtë ngatërrohemi me Njeri Tjetrin…
Kozma Gjergji:
Një tregim ekselent për dramën tronditëse të luftës së klasave, e cila i mbajti shqipëtarët të armiqësuar me njëri-tjetrin që të sulltaniste sa më lehtësisht i Plotëfuqishmi.
Me konsideratë, K.Gjergji.
Një tregim ekselent për dramën tronditëse të luftës së klasave, e cila i mbajti shqipëtarët të armiqësuar me njëri-tjetrin që të sulltaniste sa më lehtësisht i Plotëfuqishmi.
Me konsideratë, K.Gjergji.