Vetëm një mall i largët?
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Dec 14, 2022
- 3 min read

Vetëm një mall i largët?
Nga Fatmir Terziu
Miq të dashur, njerëz të mirë e të nderuar, mos harroni atë që i bëri Kombit shqiptar nepotizmi i një kohe të mallkuar. Mos harroni! Kjo është letra e shtatë që mban datën 07.01.1991 me një përgjigje që solli vetëm lotë… Fati ishte shkruar që ne të gjithë, më së shumti im Atë, Dail Terziu, dhe një fis i tërë të mos e gjenin më atë pjesë të trungut tonë, atë njeri të dashur e të talentuar të familjes sonë të madhe, familjar, mjeshtër që në moshë të re, i dashuruar në vendlindje dhe me vendlindjen …
Kishte ikur natën e për gjithë natën Miftar Rama. Kaq dihej. Vetëm një shënim në një copë letër tek një vend që ende sot e kësaj dite ka marë emrin e asaj letre. E asaj historie të mistershme… dhe thuhej vetëm kaq se ai donte të ikte nga vendlindja e tij e të gjendej diku në tokën amë, ndoshta aty ku ai kishte shënuar në atë letër, në Ferizaj …, të shpëtonte njëherë e mirë. Po nga kush? Nga se? Për cilën arsye?
Ishte koha kur ende kufijtë shënoheshin vetëm në hartën e propagandës, ishte kohë e vështirë. Por ja që dhe pas viteve 90-të nuk pati ndonjë shpresë… Rifalenderojmë familjarisht me këtë rast Kryqin e Kuq të Ferizaj, dhe sekretarin e asaj kohe z Ibush Krasniqi, për respektin dhe kohën në kërkim të gjakut tonë…Është koha vetëm të rikujtohen ato ikje të mistershme, të tmershme, vrastare, zhdukëse, barbare.

Koha ka përcjellë kohën. Dhe vetë përcjellja është një melos në memorje. Një melos që rreket të zgjojë cingërrima veshësh, zemrash, e molusqesh trupore që shtrydhen në lotë. Koha… Dhe jo vetëm ajo. Ajo që ikën mbetet e zjarrtë në shpirt, në rrëfenja, mbetet e përflakur, e plakur. Një mëngjes, një drekë, një mbrëmje tjetër ku urrejtja që ndjen për ikjen kaq të mistershme të kohës digjet aq e nxehtë sa që të dhemb ezofagu. Dhe i thua vetes ja të gjitha nga koha, nga Qoftëlargu!
E tashmë ndërsa pena ime rrjedh dhe përcjell aq sa ka mbetur për tu shkruar, mendimi më ikën ende i pashkruar. Nuk e di pse ndihet njeriu kaq i vështirë kur shkruan për ikje të tilla, për largime nga vendlindja, për zhdukje identitare. E kjo e fundit të lë pa emër, pa ymër, pa varre.
Ja kështu ndodhi. Më pas shkuam dhe e kërkuam në Kosovë. Shkuam në disa qytete ku ishte e njëjta përgjigje që merrte dhe vuloste vetëm misterin dhe dhimbjen me vete. E më tej fjalët dhe shenjat udhëtuan bashkë me ne si udhërrfyese në Ibrik Tepe, aty ku dikush mund të thoshte të paktën diçka në këtë mesele. E meseletë, sikurse kanë ardhur që nga rrjedhat e nakatosjes së fjalëve me atë gjuhë, shkuan pa u ndjerë në strofkën e errësirës. Asgjë! As dhe paratë që paguam në kërkesën e ligjshme televizive nuk pruri ndonjë lajm. Thjesht thuhej se dinin se kishte ardhur, kishte qenë i dashuruar, më pas i martuar dhe … thuhej se përsëri mund të ishte larguar. Por kjo ishte sa një shenjë largimi, ikjeje tjetër nga realiteti, nga ajo që të shpie tek vetë sikleti.

Miftar Rama kishte ndryshuar mbiemrin disa herë. Ishte bërë sipërmarrës dhe kishte atje prona e pasuri. Kishte lënëpas një brez të ri, ndoshta e ndoshta nga tre barqe që e kishin gllabëruar në „dashuri“. E të gjitha tashmë ishin aty. Ishin të gjitha mister si në rini. Për ne asgjë. Asgjë për kohën e mallin ndaj tij. Asgjë. Vetëm një mall i largët i përkëdheljes së dorës së tij që i kishte mbetur fiksim babait tim të shtrenjtë, që kur ai kishte qenë fëmijë. E im Atë, e mori atë me vete atje tej në bardhësi për t'ia kujtuar se dikur, në një kohë, në një Dhé të pastër, të begatë, të bukur e të pasur kishin jetuar të dy… Vetëm një mall i largët?
Comments