top of page

Verë dashurie…


Verë dashurie…





Nga Spasse Thanasi


RRËNJË MYZEQEJE, FJALË SHPIRTI E VËRË DASHURIE NË NJË THJESHTËSI VARGJESH POETIKE….

Libri “Vajzë e Myzeqesë”(2021) është një “tërbim stuhish” në shtigjet e poezisë ku poetja Donika Stasa Domi thyen portat e ëndrrave dhe frymon me“valë dashurie”në çdo skutë të shpirtit…

Muza e vargjeve derdhet si kordele e bardhë mbi nota simfonie në mjegullat e kohës, duke qendisur në ngurtësinë e fjalës flegrat magjiplotë të zemrës në dehje agimesh e shkëlqime yjesh!...


- Nga ç’gurrë a krua

Më erdhe o muzë,

O nimfë hyjnore

Me dritë praruar

Në shpirtë më trazove

Ujërat e fjetur

Herë si sirenë

E herë si shtojzovalle

Më fanitesh e bardhë

Në më të bukurat vegime

Lartësive zbret prej Olimpit

T’më pushtosh qënien

Me drithmë jete

Ti…

Perëndesh e zemrës sime !...



Kështu vjen çdo varg poezie i latuar si dalta e skulptorit nëpërmjet penës së shpirtit ku DONIKA si një fluturake nuk njeh kufij kohor për të sjell “flokëza të brishta” ndjenjash si në ëndrra dashurie. E fillon “skalitjen” si Hirushja e përrallës në ditë të shenjtë për të zbuluar parajsën e zemrës poetike. Vjen si mjegull që mbyt çdo vegim dhe end e end pëlhurë gëzimesh në djepe vargjesh me fjalë të bukura për jetën ndër laguna….

Me mijëra zjarre ndezur ajo risjell oksigjenin që ngre në këmbë jetën, ngroh bukur përkundjen deri në zgjim qerpikësh nën harkun e fjetur…Përmbi dallgë me “gjoksin barrikadë” derdh në hapësirë qiell poeti, zbraz “gjuhën e heshtjes” me ca tinguj kënduar nën zë si ninull brazdave të kujtesës, shijon çastet në portat e zemrës, që hapen si me magji vetëm për lumturinë dhe dashurinë e paqtë.

Tani vargu im

Me telat e shpirtit luan

E diellin rrëzëllitës

Ma ul mbi sy

E ti…

Ti vegim ëndrrimtar

Si këngë gjethe

Mbi buzë më rri !...

Nuk shfaqet si maskë e shtirë, por del para nesh e qeshur, e lirë, e paarritshme. Buzëqeshjen ka në çdo pore të fytyrës e bindur se dhe dhimbjen e ka “pa maskë”. Mes fjalëve mbart dashuri e përcjell fjalë tek çdo njeri si kozmetikë në bardhësinë e bukur që josh me drithërimë, në ikje e në ardhje, në pritje rrugësh pakthim apo në puthje pambarim, në erërra të tërbuara inatesh që përplasen mbi ndjenjat !... Racë poeti e flladitur nga fusha ku ulet mirësia, e dashuruar me stërkala deti, e pasur në shpirtë e prodhimtare ndjenjash shpirti si vajzë e Myzeqesë!.

Mbresa lenë poezitë “Ndryshe”, “Ti – unë”, “aromë lagune”, “çast magjie”, “dehur në vetmi”, “rrënjë Myzeqeje”, “ Në gjurmët e muzës”, “Lere zemrën të qesh”, “dhimbje pa emër”, “ dashuri e humbur” etj ku ti ndjehesh i pështjelluar në një “drithmë” të qënësishme të shpirtit për dashuri, për energji pozitive, për fjalë të ëmbla e lumturi. Ndjehesh i fokusuar në “truallin” femëror ku luan melankolia, ndjeshmëria, dashuria, kënaqësia, tërheqja manjetike, përhumbja shpirtërore…Siç shprehet edhe Valter Memishaj në parathënien e librit : “ Në këtë vëllim poetik Donika na shfaq botën e gruas që dashuron, femrën si qënie e brishtë, nënën si dhuruese e jetës, bashkëshorten, mësuesen, edukatoren si formuesit e brezave, natyralisten dhe patrioten…”. Edhe këto fjalë të përzgjedhur për këtë libër i kanë të gjitha ngjyrat e buqetës poetike të poetes,që cilësohet mes vargjesh si “ arkitekte e shpirtit njerëzor” plot dashuri nëpërmjet fjalës së bukur shqipe.

Eja

Në të mirën

E të bukurën Divjakë

Eja

Dhe prek me duar

Këto bukuri

Në vendin ku qetësinë

Në çdo qelizë e ndien

Simfonisë së pyllit

Vetë shpirti shëruar

E perëndimet e përflakur

Që s’i qendis asnjë penë!...

Dhe jetën që rrjedh

Ndjeje te një pishë

Mbushi mushkëritë

Me flladin e detit !...

125 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page