Para ca kohe në Hotelin Kotoni, në kryeqytet, në prani të një auditori të zgjedhur intelektualësh shqiptarë dhe arumunë, u paraqit libri i autores italiane Roberta Fidanzia “Dora d’Istria - një vështrim femëror mbi shekullin XIX” (Rilindje, pedagogji, politikë dhe gjendja e femrës), përkthyer në rumanisht dhe pajisur me parathënie e shënime nga profesoresha Viorika Balteanu, redaktuar nga profesoresha Nina Çeranu. Përveç përkthyeses dhe redaktores së librit, për vlerat e pamata e të gjithanshme të Dora d’Istrias (alias Elena Gjika), folën kritiku letrar Behar Gjoka, shkrimtari Kopi Kyçyku, botuesi Viktor Kadeli (që ka nxjerrë në dritë në shqip librin e Dora d’Istrias “Historia e princërve Gjika”) dhe ambasadori i Rumanisë në Tiranë, Shkëlqesia e Tij, profesor doktor inxhinier ekonomist Mirçea Perpelea, i cili bëri edhe konkluzionet përkatëse. Dora d’Istria, fëmija i gjashtë i princit Mihallaq Gjika, që u lind në Bukuresht më 22 janar 1828, është pinjolle e një familjeje, e cila 160 vjet me radhë la gjurmë të ndritshme e të pashlyeshme në zhvillimet historike e shoqërore të Trevave Rumune. Për disa dhjetëvjetësha rresht, asnjë femër tjetër, përveç Zhorzh Sandit, nuk gëzoi popullaritet aq të madh në botën e qytetëruar evropiane sa Elena Gjika. “Është e habitshme sa njohuri u grumbulluan në mendjen e kësaj gruaje të jashtëzakonshme dhe me sa lehtësi ia dilte mbanë t’i nxirrte në ballë sa herë i duhej të luftonte. Sepse ajo ka qenë një predikuese e kredos luftarake. Liberalizmi antiklerikal gjeti tek ajo një mbrojtëse të palodhur. Dhe gjithaq e drejta e kombeve për të mbijetuar” shkruante për të historiani i shquar Nikolae Jorga (autor i librit “Historia e Shqipërisë”, në frëngjisht, më 1919), në parathënien e vëllimit “Dora d’Istria” të Magda Nikolaesku Joanit. Dora d’Istria shkroi në gjuhën frënge studime letrare, social-politike, gjuhësore, etnografike, shënime udhëtimi etj duke shtjelluar aspekte dhe ngjarje të vendeve të ndryshëm. Shumë prej punimeve të saj kanë lidhje me Shqipërinë, kauzën e së cilës e bëri të njohur në Europë. Ja disa nga veprat e saj: “La nationalité albanaise d’après les chants populaires”, Paris, 1866; “Fyletia e Arbënare prej kohëve të lashta”, në “Revue des deux mondes”, 15 maj, 1866; “Les écrivains albanais de l’Italie méridionale”, Athinë, 1867; “La nazionalità albanese secondo i canti popolari”, Kozencë, 1867; “Gli Albanesi musulmani”, Firence, 1868, 1870; “Affaires de l’Albanie”, Athinë, 1862; “Gli Albanesi in Rumenia. Storia dei principi Ghica nei secili XVII, XVIII e XIX da documenti inediti degli archivi di Venezia, Vienna, Parigi, Berlino, Constantinopoli ecc”, Firence, 1873. Dora d’Istria shfaqi gjithashtu ndjenja të ngrohta ndaj Rumanisë. Ja, në vazhdim disa copëza nga shkrimet e saj me këtë temë: “Besoja se po dëgjoja mërmëritjet e ëmbla, të përsëritura nga jehonat e maleve, emrat e Radut, Mirçeas, Huniadit, Aleksandrit të Mirë, heronj të harruar të një epoke të madhërishme, ushtarë të guximshëm të një lufte të lavdishme...”. “Liria, lumturia e vendit tim - ja preokupimet që do të mbushin tash e tutje krejt jetën time. E larguar nga fati, qysh në fëmijëri, nga brigjet e dashura të Dëmbovicës (lumë që përshkon Bukureshtin, sh. im), nuk kam rreshtur asnjëherë të jem pjesë e vendlindjes, fatet e së cilës kanë qenë objekti i përsiatjeve të mia të patundura”. Ndër veprat e tjera të Dora d’Istrias, përmendim: “La vie monastique dans l’Eglise orientale”, Bruksel, 1855; “Les roumains et la papauté”, Athinë, 1856; “Osservazioni sull’organizzazione dei Principati Danubiani”, Torino, 1856; “Un principe straniero nella Moldo-Valachia”, Torino, 1856; “La propaganda austro-rumena nei Principati Danubiani”, Paris, 1856; “La Roumanie et l’Eglise orthodoxe”, Bruksel, 1857; “La nationalité roumaine d’après des chants populaires”, Paris, 1859; “Un été au bord du Danube”, Paris, 1861 etj. Mund të themi , pra, se Dora d’Istria, “albanese d’origine, rumena di nascita”, siç është shkruar në pllakën përkujtuese në varrezën Trespiano (Firence), ku ruhet hiri i saj, ka qenë shkrimtare e gjuhës frënge, e njohur dhe e vlerësuar lart nga bashkëkohësit dhe që, sidomos me artikujt e saj, dha ndihmesë konkrete në bërjen të njohur të Çështjes shqiptare në botë.
top of page
bottom of page
Comments