top of page

VEPRIMTARI NË SHKOLLËN “14 NËNTORI”


Edukoje shpirtin tënd, mos resht së mësuari, se jeta pa lexim është portret i zymtë...”. Sokol Demaku


VEPRIMTARI NË SHKOLLËN “14 NËNTORI”, TË QYTETIT TË DURRËSIT

Sokol Demaku përuron librin “Pylli i çuditshëm”.

Pak dit më parë, saktësisht më: 17, të vjeshtës së tretë, 2022, shkolla “14 Nëntori”, organizoi në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Qemal Mici” në Durrës, një takim dhe përurim libri, të autorit Sokol Demaku, shqiptar nga Drenica, anëtar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Suedisë, poet, shkrimtar, studiues, përkthyes, drejtues dhe botues i revistës “Dituria”, drejtues i Radios dhe TV. në gjuhën shqipe. Sot banues në Suedi.

Merita Kuçi-Thartori, drejtore e shkollës. Mjeshtre e veprimtarive të tilla festive në shkollë e jashtë saj, njëkohësisht poete dhe nën/kryetare e “Klubit të shkrimtarëve dhe artistëve, Durrës”, ideoi të gjithë skenarin e festës.

Nën/Drejtorja. Znj. Jorida Shala, specialiste në informatikë, realizoi vidio-dokumentar në paëer-point. Ishte një krijim i bukur artistik me shumë fantazi.

Në përshëndetjen e saj të mirëseardhjes, drejtore Merita, falënderoi pjesëmarrësit e shumtë, nxënës, prindër, mësues, drejtorë shkollash, përfaqësues të Bibliotekës Publike Durrës, të ftuar, miq të Sokolit nga Tirana dhe Durrësi ynë. Më tej vazhdoi:

Është i treti takim me mikun tonë Sokol Demaku, që organizohet në shkollën tonë. Por sot ndihem disi ndryshe. Libri është më peshë të madhe. Ndaj….! Jam gjithkush në këtë takim e kuvend, për librin e ardhur nga Suedia, ku nxënësit tanë shkëlqejnë në logjikë, vlerësim dhe interpretim artistik.

Ata e duan leximin, librin, por mbi gjithçka krenari ta përhapin me gjuhën e bukur shqipe të Dardanisë, të pohojnë historinë tragjike të shqiptarëve tanë në Dardani. T’i rrëfejnë botës, barbarinë, egërsinë dhe mizorinë, që detyruan shpërnguljen, shpopullimin e trojeve arbërore, me forcë e dhunë, nga çmenduria e makinerisë ushtarake serbe.

- "Duhet të ketë një vend edhe për mua në këtë botë", - kështu shprehet autori Demaku, me mirënjohje për Suedinë, ku arrin të publikojë në krijimtari dhe përkthim, në gjuhën shqipe, gjuhën e nënës dhe suedisht. Si i tillë, ai u shpall: “Mik i bibliotekës” së shkollës “14 Nëntori”. Përhapës i gjuhës shqipe, të folur e të shkruar”.

Një falënderim e mirënjohje, shkon për çikën dardane, shqiptaren me shpirt të madh, znj. Emine Hoti, atdhetare, stiliste, poete dhe humaniste e përkushtuar ndaj çështjes kombëtare, e cila bëri të mundur të dërgojë nga Norvegjia, kostumet kombëtare të zonës së Drenicës. Është dëshira e saj për vendosur Plisin në kokat e djemve tanë. Ndjen krenari e dashuri. Ajo na solli këtu në Durrës, një copë nga Drenica trime. Është një veprim i pamat atdhetarie.

Me interes u prit fjala e znj. Suela Bakri-Gjeçi, Mësuese e Gjuhës shqipe, njëkohësisht drejtuese e grupit të krijuesve në shkollë. Ajo përcolli meditimin: “Pylli i çuditshëm”, me autor Sokol Demaku, ku letrarisht mundi të shpalosë vlerat dhe bukurinë e këtij libri, me rrëfim tronditës. Më pëlqen të citoj pak fjalë:

“Libri “Pylli i çuditshëm”, vjen si himn i jetës dhe i forcës njerëzore. Figura shumëdimensionale e Shahas, prezantohet si nënë, si grua, si simbol i vazhdimësisë.

Brenga e luftës jetoi gjatë në vetëdijen e autorit duke shoqëruar mendimet për librin, deri në botimin e tij. (Fund shkurti i vitit 1998 – fillim qershori i vitit 1999, botimi 2022), ku lufta, shenja e pashmangshme në trupin e çdo banori të Dardanisë Ilire, u bë “gen” i trashëgimisë, u bë pjesë e ADN-së shqiptare”.

Më pas fjalën e patën nxënësit, disa prej tyre edhe krijues të talentuar: Shpresa Meçja. kl. 9c, në rolin e personazhit Shaha, është edhe poete e poezisë,Më 17 Shkurt Pavarësia”, e denjë për t’u përballur në konkurse letrare kombëtare:

………………..

Se ne kemi gjak shqiptari,

Nga i fundit tek i pari.

Ne heronj, jo tradhtarë,

Të besës dhe krenarë.

Më 17 Shkurt, pavarësia,

Me UÇK. u dha liria.

Për t’u veçuar në interpretim dhe ndjesi kënaqësie për të pranishmit që mbushnin sallën, mësuesja e muzikës Xhejsi Kaziqi, luajti në flaut, pjesë nga Bethoveni. Mësues të tillë janë pasuri për shkollën.

Më pas një grup nxënësish, Eranda Musai 9a, Greqi Gjuzi 9a, Kejsi Kërçuku. 9a, Laura Skora 9a, Bernard Isufi, 9c. Bashkim Maksutaj. 9b, Melisa Kaci. 9c, të veshur të gjithë me kostume kombëtare të Dardanisë, dhuratë e shqiptares Emine Hoti, me rrënjë e degë nga Drenica, dërguar nga Norvegjia, ku banon e krijon si mërgimtare. Kostumet erdhën enkas për këtë festë. Një humanizëm i panjohur më parë në shkollat e Durrësi, që duhet vlerësuar dhe admiruar, si gjest adhurimi për komb e atdhe. Një shembull që flet pa fjalë dhe edukon aq shumë e madhërisht, sepse në vetvete pasqyron shpirtin e shqiptarit, edhe kur është larg mëmëdheut.

Pikërisht këta nxënës, si artistë të vërtetë, folën për librin, duke cituar fraza të shkëputura, ku kishte shumë mall, vuajtje, tronditje, dhimbje, frikë dhe guxim, për t’u përballur me vështirësitë dhe të papriturat e jetës, që nuk kishin të sosur. Me duhet të ndaloj duke veçuar me shumë, emocionet që solli në skenë, nxënësja e kl. 9c, Alesia Kreka, e cila interpretoi plot ndjesi e dhimbje, skenën e pyllit të frikshëm.

Qershia mbi tortë, siç themi shpesh për pjesët më kulmore të të gjithë shfaqjes, ishte vallja popullore kosovare e luajtur nga dyshja e nxënësve Kloi Lutdhi dhe Denis Dola. Valle e përgatitur nga mësuesja e Edukimit Fizik, Elida Keçi, e cila njëkohësisht ishte edhe koreografe e valles. Mirënjohje për mësuesen që derdh art në krijimtari, krahas edukimit fizik.

Mbas këtyre emocioneve, do të thosha drithëruese, e morën fjalën pjesëtarë të librit dhe të ftuar:

Viron Kona, redaktor i librit, shkrimtar dhe studiues me shumë vlerësime, përshëndeti të pranishmit, duke vënë në dukje arritjet e letërsisë shqipe në diasporë, në Suedi, veçanërisht të krijuesve nga Dardania, ku një rol të veçantë ka Sokoli. Për një pjesë prej tyre, Vironi ka shkruar edhe libra monografi, përfshi edhe Sokolin,. Ai nuk harron të kujtojë mikpritjen e shqiptarëve, dhe nderimin që morën nga shtypi dhe media suedeze në disa vizita të kryera në atë vend, ku liria është e shenjtë.

Teuta Dhima, punonjëse e Bibliotekës Publike Durrës, e pranishme gati nëtë gjitha ngjarjet letrare në qytet, përshëndeti Sokolin, për bashkëpunimin prej më shumë se 10-vjetësh, duke uruar suksese dhe vazhdimin e lidhjeve të krijuara disa vite të shkuar, mes bibliotekave përkatëse Durrës-Boras, në Suedi.

Kadri Tarelli. Në fjalën time, pas falënderimit për ftesën e organizatorëve, që të jem pjesë e këtij takimi, që unë e quaj “Kuvend mbi librin e Sokolit”, vura në kujtesë, se para pak ditësh në facebook, solla një shkrimin tim “SOKOL DEMAKU, MODEL I VEPRIMTARIT ATDHETAR”, botuar në vitin 2011, në portalin “Fjala e lire”. Londër dhe në gazetën “Republika”. Tiranë. 21. 06. 2011., ku shkruaja: “Si fillim në krye të shkrimit mendova të vendos titullin, “Sokol Demaku “Ambasador” i shqiptarëve në Suedi”. Ndërrova mendje shpejt. Kostumi i “ambasadorit” është shumë i ngushtë për trupin dhe shpirtin e Sokolit. Atij i shkon më shumë titulli: “Model i veprimtarit atdhetar”. Ndërsa për librin “Pylli i çuditshëm”, që sot po përurojmë në këtë festë të bukur, çova në shtyp shkrimin: “Pse na e ndanë qytetin”, ku bëhet fjalë për qytetin e Mitrovicës, që vazhdon të jetë i ndarë.

Sa për njohje, të pranishmëve u përmenda edhe këto fjalë: “Në Tiranë, pritës i Sokolit dhe të gjithë krijuesve shqiptarë që vijnë nga Suedia, është shkrimtari dhe studiuesi Viron Kona e Bashkim Saliasi. Ndërsa në Durrës, që 15 vjet e deri sot, pritës e përcjellës është Avdyl Buçpapaj, ish drejtor i shkollës 9-vjeçare “Demokracia”, që krijoi lidhje dhe binjakëzim me shkollën “Fjardingskolan”, në Boras, Suedi, sot drejtor i shkollës jopublike “Planetary”. Njëkohësisht edhe Teuta Dhima, që ka qenë e përkushtuar në pritje dhe organizim të bisedave në Bibliotekë, disa herë duke pritur edhe jashtë kohës së parashikuar. Përherë bashkë me ta, në çdo veprimtari ndodhesha edhe unë Kadri Tarelli, kuptohet në zanat të ri, në rolin e gazetarit.

Në shkrimin tim: Studim analizë e librit, tema: “PSE NA E NDANË QYTETIN”. SOKOL DEMAKU NË LIBRIN “PYLLI I ÇUDITSHËM”, pa dashur të përsëris të tjerët para meje, mes të tjerave, shtova këto pak fjalë:

“Nuk e di ç’ forcë ka Sokoli? Por ky libër duhet përkthyer edhe në Anglisht, për t’u lexuar në gjithë botën, pasi është një akuzë e hapur, ndaj luftës dhe dhunës, shkaktuar nga agresori që vesh qyrkun e viktimës, ndaj mizorive të kryera kundër shqiptarëve në Dardani”. Më pas shtova: “Le të bëhet në mijëra kopje dhe të shpërndahet, e t’u dhurohet çdo zyrtari në tavolinë e punës, në Europë dhe ShBA, që të dëgjojë zërin e një nëne dhe gruaje të thjeshtë, si vetë populli i Dardanisë. Atëherë do të binden për çka ndodhi. Pasojë e tyre edhe ç’po ndodh sot”.

Sokoli vetë, këtë herë i mrekulluar nga ky spektakël i përkryer, u tregua i kursyer në fjalë kur foli për vete, shkollimin, përfshirjen në luftë dhe largimin nga Dardania për në Suedi. Ai u përqendrua më shumë në përgjigjet e pyetjeve nga të pranishmit, nxënës, prindër, mësues dhe drejtues shkollash. Pyetja që ngjalli interes në përgjigje ishte: Si u krijua personazhi Shaha, sa e vërtetë është ajo? Dhe, Sokoli mbushur me emocione, e shoi kureshtjen. “Shaha” është vetë ai dhe zëri i mbarë nënave e baballarëve dardanas. Sepse gjithçka mbështetet në kujtim të ngjarjeve, të cilat në shumicën e tyre i ka përjetuar vetë autori, veç atyre rrëfimeve të dëgjuara nga qindra nëna dhe gra të Dardanisë, që humbën burrat, djemtë e çikat, të dashurit e zemrës, aq sa shumë prej tyre nuk i dinë as varrin, ku të derdhin një pike loti dhe të vendosin një tufë me lule. Të gjithë u vranë se ishin shqiptarë. Marrëzi dhe çmenduri në kohët moderne!

Sokolin e bren një brengë e madhe, kur shprehet: “Duhej ditur këtë, se kur të çmendurit sundojnë një vend, askush nuk mund të ndihmonte t’i jepte fund ferrit, që ata mund të planifikonin t’u bëni fëmijëve, grave dhe pleqve të pafajshëm”. A nuk po ndodh edhe sot në ditët tona …….? Është pyetja që rëndon e dërmon shpirtin dhe mendjen e gjithsecilit.

Mjaftojnë vetëm këto pak rreshta, për t’u bindur edhe më shumë në fjalën profetike të lënë nga At Zef Pllumi: “Rrno Për me Tregue”. Fjalë që i shkojnë përshtat Sokolit dhe personazhit Shaha, që jetoi për të rrëfyer bëmat dhe gjëmat e një lufte të përbindshme: Shpopullimin e Dardanisë, nga dardanët e vjetër, sa vetë bota. “Historia duhet shkruar që mos të harrohet”, - shprehet diku Sokoli.

Mirënjohje kolektivit të shkollës “14 Nëntori”, për të vazhduar më tej traditën e bukur të veprimtarive letrare-artistike.

Urime Sokolit, duke pritur edhe libra të tjerë, po kaq të mirë dhe të arrirë letrarisht.


Kadri Tarelli

Durrës. Vjeshta e tretë. 2022.



43 views1 comment

1 comentario


kadritarelli
25 nov 2022

Pershendetje dhe falenderim, qe publikuat kete shkrim qe nderon shkollen "14. Nëntori", por edhe Durresin tone. Veprimtari te tilla jane lajme te gezueshme per qytetarine dursake, sidomos kur behet fjale per te peruruar krijime te shqiptareve te Dardanise ne mergim, siç eshte edhe drenicari Sokol Demaku. Me vjen keq qe vewprimtari te tilla jane te pakta. Uroj qe të kete me shume. Keshtu edhe afrohet e bashkohet me mire kombi yne i shumevuajtur. Mirenjohje!

Me gusta

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page