top of page

VEPRA LETRARE E JUSUF GËRVALLËS


VEPRA LETRARE E JUSUF GËRVALLËS

1. FLUTUROJNË E BIEN Në maj të vitit 1975 Jusuf Gërvalla botoi librin e parë poetik me titull "Fluturojnë e bien". Në kuadër të Bibliotekës "Sofra" librin e botoi Redaksia e Botimeve “Rilindja” në Prishtinë. Redaktor i këtij botimi ishte Anton Pashku, recensentë Azem Shkreli dhe Fahredin Gunga, punues i kopertinës Blerim Luzha, redaktor teknik Shyqri Kushevica, korrektor Fehmi Spahiu. Libri numëron 70 faqe dhe ndahet në ciklet: Shtëpia në kornizë, Skena nga jeta e fshatit, Fluturojnë e bien, Kalon pranë meje, A ikën lejlekët e verës. Libri u prit mirë nga lexuesi dhe nga kritika letrare. Brenda një kohe të shkurtë botimin e këtij libri e shënuan pjesa dërmuese e gazetave dhe revistave tona. Ishte konstatim i përbashkët: parabola krijuese poetike e Jusuf Gërvallës po fillonte aty ku shumë krijues do të donin ta përfundonin. Poet i fuqishëm dhe sugjestiv, Jusuf Gërvalla, me një cikël poezish të këtij libri, në mesin e 20 poetëve, do të përfshihet edhe në vëllimin "Antologjia e poezisë së sotme shqipe në Jugosllavi" hartuar nga Ali Aliu, e botuar në Shkup në vitin 1977. Një pjesë e poezive të librit "Fluturojnë e bien" janë botuar në vëllimin poetik: Jusuf Gërvalla, "Bekimi i nënës", poezi, "Naim Frashëri", Tiranë, 1983. Ribotimi i plotë i vëllimit "Fluturojnë e bien" është përshirë në librin: Jusuf Gërvalla, Vepra letrare, Ora, Prishtinë, 1992 dhe në librin e parë, Poezia, të kompletit në tre vëllime: Jusuf Gërvalla: Vepra, 1, 2, 3., Faik Konica", Prishtinë, 2010.

2. KANJUSHË E VERDHË Librin e dytë poetik me titull "Kanjushë e verdhë" Jusuf Gërvalla e botoi në mars të vitit 1978. Libri u botua në kuadër të Bibliotekës "Drita" të Redaksisë së Botimeve "Rilindja" në Prishtinë. Redaktor i botimit: Anton Pashku, recensentë: Azem Shkreli dhe Eqrem Basha, lektor: Riza Bicaj, punues i kopertinës: Rexhep Ferri, redaktor teknik: Shyqri Kushevica dhe korrektor: Nezir Selmani. Libri ka 85 faqe dhe ndahet ne ciklet: Shtëpia rrëzë malit, Muret dritaret uji, Kroi, U mësova të dua. Për kët libër, gjatë atij viti, u shkruan një varg vështrimesh dhe kritikash letrare. Me rastin e botimit të këtij libri dhe të tre librave të tjerë, atë vit, redaksia e revistës "Zëri i rinisë" organizon një tryezë diskutimi të frytshëm. Ishte mendim i përgjithshëm i kritikës: "Me kualitetet që sjell në poezinë tonë të re libri i Jusuf Gërvallës është një prej realizimeve më të suksesshme të kohës së fundit te ne". Një pjesë e poezive të librit "Kanjushë e verdhë" është botuar në vëllimin poetik: Jusuf Gërvalla, "Bekimi i nënës", poezi, "Naim Frashëri", Tiranë, 1983. Ribotimi i plotë i vëllimit "Kanjushë e verdhë" është perfshire në librin: Jusuf Gërvalla, Vepra letrare, Ora, Prishtinë, 1992 dhe në librin e parë, Poezia, të kompletit në tre vëllime: Jusuf Gërvalla: Vepra, 1, 2, 3., "Faik Konica", Prishtinë, 2010.

3. SHENJAT E SHENJTA Librin e tretë poetik me titull "Shenjat e shenjta" Jusuf Gërvalla e botoi në verë të vitit 1979. Libri u botua në kuadër të Bibliotekës "Valët" të gazetës "Flaka e vëllazërimit" në Shkup. Redaktor i librit: Resul Shabani, recensentë: Qerim Ujkani dhe Shaip Beqiri, kopertina: Aleksandër Kuzmanovski. Libri ka 66 faqe dhe ndahet në ciklet: Grishje e egërsisë polare, Syri i zbrazët, Stinët e urisë, Vitrinë muzgu. Botimi i këtij libri përkon me kohën e arratisjes së Jusuf Gërvallës prandaj, duke e pësuar fatin e autorit, libri mbyllet dhe i ndalohet qarkullimi. Fare pak ekzemplarë të këtij libri arritën ta shohin dritën. Një pjesë e poezive të librit "Shenjat e shenjta" është botuar në vëllimin poetik: Jusuf Gërvalla, "Bekimi i nënës", poezi, "Naim Frashëri", Tiranë, 1983. Ribotimi i plotë i vëllimit "Shenjat e shenjta" është përfshirë në librin: Jusuf Gërvalla, Vepra letrare, Ora, Prishtinë, 1992 dhe në librin e parë, Poezia, të kompletit në tre vëllime: Jusuf Gërvalla: Vepra, 1, 2, 3., Faik Konica", Prishtinë, 2010. Në mungesë të botimit të parë të librit "Shenjat e shenjta", në këtë paraqitje, po mjaftohem me fotokopjen e faqes titullare të kësaj vepre të botuar në librin e parë të kompletit: Jusuf Gërvalla, Vepra, Faik Konica, Prishtinë, 2010.

4. BEKIMI I NËNËS Një vit pas vrasjes së Jusuf Gërvallës nga plumbat serbë, armikut shekullor të shqiptarëve, Shtëpia Botuese "Naim Frashëri, Tiranë, në vitin 1983, boton vëllimin poetik të këtij autori me titull "Bekimi i nënës". Libri është përgatitur nga Ramazan Vozga dhe Pandeli Koçi. Libri ka 88 faqe dhe, pos biografisë së shkurt të Poetit, përmban poezi të zgjedhura, të ndara në ciklet: Nga libri "Fluturojnë e bien", Prishtinë, 1975; Nga libri: "Kanjushë e verdhë", Prishtinë, 1978 dhe nga libri "Shenjat e shenjta", Shkup, 1979. Në saje të veprimtarisë së organizuar të mërgimtarëve tanë ky libër ka qarkulluar ilegalisht në mesin e lexuesve të interesuar kudo në Kosovë.

5. RROTUL Menjëherë pas botimit të poezive të zgjedhura "Bekimi i nënës", po në vitin 1983, Shtëpia Botuese "Naim Frashëri", Tiranë, boton romanin e Jusuf Gërvallës me titull "Rrotull". Redaktor i romanit është Pandeli Koçi, ndërsa ilustrues Abdurrahim Buza, Piktor i Popullit. Libri u botua në 10.000 kopje, ka 128 faqe të ilustruara dhe hapet me shkrimin e Ismail Kadaresë "Jusuf Gërvalla dhe romani i tij "Rrotull". Në këtë shkrim, për Jusufin dhe romanin e tij, mes tjerash, Kadare thotë: "Trupmesatar, gjysmëbiond ai kishte në qenien e tij atë lloj thjeshtësie dhe paraqitjeje të zakonshme, pas së cilës ndihet menjëherë thellësia dhe e pazakonshmja... Vrasja e Jusuf Gërvallës ndërpreu, veç të tjerash, një nga krijimtaritë më origjinale e me kolorit të letrave shqipe... Krijimtaria letrare e Jusuf Gërvallës, poezitë e tij, si dhe proza artistike e publicistika përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në rrugën e zhvillimit të artit e të mendimit shqiptar". Romani u botua sipas dorëshkrimit që e ruante familja e autorit. Të theksojmë se dorëshkrimin e këtij romani, në fillim të vitit 1979, Jusufi i kishte dorëzuar për botim në redaksinë e botimeve "Rilindja" në Prishtinë, por, për shkaqe të panjohura, botimi i tij u vonua. Arratisja e Jusufit nga Kosova, më 14 dhjetor 1979, për t'i ikur burgosjes së sigurt nga UDB-a, bëri që edhe romani ta ketë fatin e autorit. Ky roman deri më sot ka përjetuar tri ribotime. Si libër i veçantë është botuar nga Shtëpia Botuese "Dita", CH-Delemont, 1991, pastaj si vëllim i përbashkët është përfshirë në librin: Jusuf Gërvalla, Vepra letrare, Ora, Prishtinë, 1992 dhe në librin e dytë të kompletit: Jusuf Gërvalla: Vepra, 1, 2, 3., Faik Konica", Prishtinë, 2010.

6. PROCESI Në korrik të vitit 1984, në kuadër të Bibliotekës "Liria", redaksia "Zëri i Kosovës", Zvicër, e botoi dramën e autorit Jusuf Gërvalla me titull "Procesi". Këtë dramë Jusuf Gërvalla e shkroi në mërgim në kushte të jashtëzakonshme jetësore dhe në kulmin e veprimtarisë së tij atdhetare dhe politike. Duke pasur për subjekt një proces gjyqësor të kurdisur drama i bën jehonë temës së madhe të zgjimit kombëtar, të idealit të lirisë dhe të çlirimit të atdheut. Në shënimin hyrës të dramës, në mes tjerash, thuhet:"Drama 'Procesi' provon më së miri se vlera e një krijimi nuk matet me numrin e faqeve, por me porosinë, me vlerat mobilizuese... 'Procesi' është një rrëfim dramatik i thjeshtë, por madhështor". Kritika buzëhollë pacifiste tekstin e kësaj drame e barazoi me tekst agjitues politik, me trakt dhe me pamflet, ndërsa Jusufin, si autor të dramës, e quajti tru të kufizuar, dogmat, të zhveshur intelektualisht, të varfër në ide... Jusuf Gërvalla e kuptoi herët atë që nuk e kuptojnë as sot antipodet e tij: kur rrethanat historike e kërkojnë, pritjet absurde të Beketit, patjetër, zëvendësohen me veprimin heroik të Brehtit.



25 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page