top of page

Vepra e Ernest Koliqit mes poezisë dhe prozës


Nga Fatmir Minguli

Vepra e Ernest Koliqit mes poezisë dhe prozës

Vetë pritja u lodh

Nga pritja e pafund

Veç trojet shtërgjyshore

Nuk lodhen kurrë.

Hekuran Halili, poet çam, Sarandë


Gjithçka trajtohet në këtë temë modeste për disa veçori të veprës letrare së Ernest Koliqit niset e frymëzuar nga përcaktimi i Karl Gurakuqit për të:

“Nuk janë shum shkrimtarët t´onë, emni i të cilvet të njifët aq mirë në shtresat letrare shqipe sá ai i Koliqit; të pakët janë atá, prodhimet e të cilvet të kenë marrë aq hapt në çdo kând të Shqipnís, sá ato qi emnin e tij në çfaqje kulturore gjithëfarësh, në botime nëpër fletore e revista të ndryshme, disá prej të cilavet themelue dhe mbajt prej tij vetë, në botime veprash qi janë të pacaktueme të zánë nji vend të dukshëm, dashtas e padashtas, në historín e letrave t´ona.”

Ndërsa mendimi i Moikom Zeqos për vlerën e krijimtarisë letrare është dhënë nga Bedri Islami:

Ka pasur gjithnjë një luftë të pandërprerë mes librit dhe rrjedhave të historike, dhe si duket, edhe në vitet e e mëparshme ajo do të jetë e pranishme. Ndoshta historia e përbotshme nuk është gjë tjetër veçse historia e librit, ose e kundërta, historia e librit është historia e librit. Edhe te ne, historia e librit është historia e diktaturës. Ka një përplasje të vazhdueshme mes diktaturës, librit dhe individit.

(Gazeta “Dita” 9 tetor 2023 “Një regjim mund të shëmbet nga librat ashtu si mund të shembet nga e vërteta.”)

Mjafton të sjell këta dy shembuj nga dy mendimtarë të ndryshëm në kohë për të hyrë në botën e brendshme të krijmitarisë të poetit, shkrimtarit, studjuesit, publicistit, përkthyesit Ernest Koliqit.

Është e habitshme se si edhe sot e kësaj dite kjo krijimtari nuk shihet në analiza organike, por shihet në pjesë të veçanta të saj, e kryesisht për tregimet e botuara këto vitet e fundit në Shqipëri.

Dhe një shembull i kohëve të fundit sjellë nga dr. prof. Eshref Ymeri që jeton në Sh.B.A.

“Sa herë më qëllon të përmend emrin e tij, më kujtohet profesori Vedat Kokona. Në librin me kujtime "Endur në tisin e Kohës", profesor Vedati kujton Ernest Koliqin, i cili, në fillim të viteve '40, kur ishte ministër arsimi, Vedatin e pati emëruar në një punë të mirë në Itali. Vedati nuk kishte pranuar. Gjatë viteve të diktaturës së kriminelit Enver Hoxha, Vedati pati sjellë shpeshherë kujtesë fjalët e Ernestit pas refuzimit të Vedatit" "Vedat, ke me u pendue!" . Dhe në kujtimet e veta, Vedati ofshan: "Ah, mor Ernest, sa largpamës paske qenë!".

Duhet të jesh poet i ndieshëm që të veprosh në ato kohë të vështira me shkrimtarë si Vedat Kokona.

Duke studjuar me kujdes veprat e njëpasnjëshme të Ernest Koliqit, vëmendja përqëndrohet pikërisht te poezia e tij e cila është promotorri i krejt krijimtarisë së tij. Poezitë e tij nuk para janë botuar në vëllime të veçanta por ato janë të përmbledhura te vëllimi i parë i gjashtë veprave të tij, botim i shtëpisë botuese “Faik Konica” në Prishtinë .Gjej rastin ta përshëndes këtë shtëpi botuese sepse vetë Koliqi qe ai që bëri shumë për Kosovën jo vetëm me dërgimin e 200 mësuesve aty por dhe me studimet e tij për autorët kosovarë. Dhe vetë ky sesion i shtatë i veçantë shkencor me rastin e 120 vjetorit të lindjes së prof. dr. Koliqit në Pejë, është në këtë vazhdë nderimi që bën vetë Kosova, ashtu si profesori kosovar Fitim Veliu që bën analizën shkencore komplete të veprës së Koliqit në shkollat e Kosovës.

Në vijim të analizës për veprat e Koliqit do theksoja se ai ka një lidhje organike të brendshme mes poezisë dhe prozës. Kjo lidhje është krejt e veçantë te Koliqi që ndeshet pak a shumë edhe te Migjeni e nuk shihet aspak as te Kadareja dhe Agolli apo shkrimtar tjetër i kohës së realizmit socialist në Shqipëri. Poezia e tij ka “mendimet kyçe” të cilat ndërhynë te proza, jo vetëm te tregimet. Një nga paralelet më të spikatura është patjetër figura e zanave, orëve, shtojzavalleve që ndeshen në tregimet “Nusja e mrekullueshme”, “Kërcimtarja e Dukagjinit”, “ Kur orët lajmërojnë” dhe “Zana e fundme” te vëllimi “Hija e maleve”. Ndërsa në vëllimin “Pasqyrat e Narcisit” mbizotëron pothuaj në të gjthë tregimet “Uji” si metaforë përgjithësuese në prozën e Koliqit. Ja se si shprehet në librin “Shija e bukës së mbrame”:


E hapi puset e freskisë t’pashoqe,

mbrënda nesh, o Zojë ujnash: shuejna etin

qi për ty na djeg zemrën n’rravgime mërgimtar,

e lumejt le t’vërshejn suval rrëmbyesa.


Në poemthin dramatik “Kushtrimi i Skandërbeut” zanat dhe orët janë të privilegjuara:


Zbritnju, ju Orë e Zana- prej maleve plot borë,

namnja, ju turpin t’gjallve,-pshtimin ju ndillnja Atdheut;

Shqipnis o Zot i Epër – njitja t’fuqishme dorë:

Mos len, mos len qi t’humbim- nipnija e Skanderbeut!

Poezia asht nji kryengritje – shkruan ai në hyrjen e vëllimit poetick “Gjurmat e stinëve”…dhe kalon te fenomeni i hakmarrjes, të cilin e zbërthen më mirë se kushdo në poezi e në prozë.

Ose” Zana ma dha ngushullimin e shfrimit muzikuer të fjalve” po aty.

Shkodra sipas Koliqit, më e analizuara gjer në indet e qytetit.

“Përderisa Migjeni vizaton Shkodrën me ngjyra tepër të zymta, Koliqi na shfaqet si antipod i të parit, ngase pikëvështrimi i tij rreth individit dhe shoqërisë është tejet kontradiktor me atë të “poetit të mjerimit”. Përderisa personazhet e të parit përgjëroheshin “Zoti të dhashtë”, protagonistët e të dytit kishin “sofër të shtrueme me takam të mirë. Bukë gruni të bardhë.”” – shkruan Lekë Ndoja në studimin e tij pËr prozën e Koliqit. Mund të them pa ndrojtje se Shkodra është zana e dytë e Koliqit.

Por poezia e Koliqit është prroi i ndërgjegjes së shqiptarit, ku tingëllimat e tij ,ndryshe sonetat lëkunden në lavjersin e dashurisë, të mallit për Shkodrën e për të shkuar te Shën Gjergji jo vetëm metaforik. E ai i kushton një poezi Karl Gurakuqit me titull “ Pak t’imta për nji lamtumirë”

Ai nuk harron as Kepin e Rodonit durrsak e as Ujin e Ftohtë vlonjat.

Poemthi dramatik “Kushtrim i Skanderbegut”, na sjell idetë kombëtare të autorit që i shpalos si një dialog për të kaluarën dhe aktualitetin e kohës në Shqipëri. Është ky laitmotivi kryesor që Koliqi e transmeton në shumë vepra të tij. E njejta ide del dhe në veprën poetike “Symfonija e Shqipevet” ku kulturës së një kombi ai i referohet për zhvillime të duhura; më tej në “Këngë të Milosaos” të De Radës autori i bashkangjit idenë e madhe që kërkon të ruaj trashëgiminë arbërore, përmes arbëreshëve të Italisë.

Në “Gjurmat e Stinve”, ai manifeston idetë më të plota të poezisë së tij duke i pasuruar ato me sontet ( tingëllimat).

Mendimi im është se poezia e çon Koliqin edhe në krijimet e veprave analitike siç janë vetë prozat poetike te “Pasqyrave të Narcisit” ku shpërthen psiko- analitika në format më moderne. Jo më kot ai studjon në dy vëllime veprën “ Poetët e mëdhej t’Italisë” ku i pari studjon poezinë e Dantes, Petrarkës, Arioston dhe Tasson, ndërsa i dyti studjon Parinin, Montin, Foskolon dhe Manzonin. Po është vetë Koliqi ky paraprijës i kritikës serioze profesionale që studjon edhe autorët shqiptarë si në studimin folkloristik “ Nji rapsod i alpeve shqiptare”, apo në “Poesia popolare albanese”(“Poezia popullore shqiptare”) , në vëllimin “Kangjelet e Rilindjes” (“I canti della Rinascita”) me përkthimin në italisht, kushtuar arbëreshëve të Italisë, në studimin “Gabriele D’Annunzio e gli Albanesi” (“Gabriel D’Anuncio dhe Shqiptarët”) dhe “Antologia della lirica albanese” (“Antologjia e lirikës shqiptare”) ku për herë të parë paraqiten në një gjuhë evropiane përkthimet e lirikat më të mira të autorëve shqiptarë të vjetër e të rinj ku nuk harron të theksojë autorët kosovarë me qëllim që të njihen më mirë.

Por ajo që e bën Koliqin krejt të veçantë e të papërsëritshëm në botën e letrave shqipe është përmbedhja me ese të letërsisë shqipe ku spikat si përherë shpirti i tij poetik.

E shkruar në italisht “ Saggi di letteratura albanese” dhe botuar në Romë në vitin 1972, kjo vepër i bën anamnezën veprave poetike që i nis që nga rapsodët e alpeve shqiptare e për të vazhduar me Jeronim De Radën, Gjergj Fishtën, Zef Skiroin, e deri te poetë të Kosovës. Ky libër është një thesar për studjuesit e sotëm, një burim frymëzimi poetik ku në çdo faqe spikat një kulturë e madhe për të pasqyruar kulturën dhe letërsinë shqiptare e arbëreshe.

Prof. Koliqi falë shpirtit të tij poetik zë vend me rëndësi si përkthyesi më i parë dhe tejet kompetent i poezive nga italishtja e frëngjishtja në shqip, dhe nga shqipja në italisht. Qe i pari, që solli poezinë e Dante Aligherit, Petrarkës, Aristo Tassos, Foscolos, Carduccit, Pascolit, D’Annuzios, Bodlerit, Meterlinkut, Verharenit, etj. E si mund të përktheheshi këta autorë të mëdhënj nëse Prof. Koliqi nuk do të ishte poet.Diku në intrenet kur flitet për përkthimet e tij se për çdo shkrimtar krijimtar si Koliqi, është më vështirë të sjellësh në një shqipe të kulluar artistike të këtillë poetë, se sa të krijosh një vepër origjinale.

Vepra e prof. Koliqit e frymëzuar nga shpirti i tij poetik prek shumë motive dhe aspekte që e përbëjnë atë nga ana analitike.

Ajo ka gjetje artistike të pafundta, udhëtimin në botën e zanave dhe legjendave shqiptare, sjelljen e vazhdueshme të figurës së Skëndërbeut, trajtimin e plotë teorik të hakmarrjes të konsideruar si të sjëllë nga jashtë trojeve shqiptare, dilemën si laitmotiv, dramat e familjeve shqiptare, fatet e dashurisë qytetare, tendencat për shnrim të jetës dhe kulturës së vetë shqiptarëve, qytetin e lindjes, Shkodrën dhe vetë Shqipërinë, etj.

Vetë ky sesion shkencor do të influencojë në njohjen e mëtejshme të veprës së prof. Koliqit. Duhen përshëndetur zotërnjtë Afrim Shabi, drejtor i Qendrës për Hulumtime Shoqërore dhe historike në Pejë dhe Nue Oroshi, kryetar i shoqatës “Trojet e Arbërit” në Prishtinë, pa përjashtuar dhe pjesmarrsit e këtij sesioni.

40 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page