Myrvete Dreshaj - Baliu
Namik Resuli, Katërqind vjet Letratyrë Shqype, “Përpjekja”, Tiranë, 1994
Për studimet historiko-letrare të letërsisë shqipe janë shkruar mjaft vepra dhe janë bërë mjaft sinteza, në të cilat janë përmbledhur shkollat, stilet dhe autorët më të mirë a më me ndikim në letërsinë shqipe, por vlerësimet për to, baza metodologjike e tyre etj., përgjithësisht ka munguar. Përpjekjet për periodizimin e saj, ndërkaq, e kanë përcjellë përgjithësisht gjatë gjithë kësaj kohe.
Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, apo sikur jemi mësuar të themi pas Luftës së Dytë Botërore, janë botuar mjaft “Histori të letërsisë shqipe“ dhe po kaq vlerësime për to. Përveç botimit zyrtar në Tiranë të “Historisë së letërsisë shqipe” dhe të antologjisë së saj, në Kosovë dhe në diasporë, nga studiues të huaj dhe shqiptarë, janë botuar disa vëllime, të cilat për fat të keq nuk janë liruar nga konceptet ideologjike të kohës.
Veprat e Manit, Resulit, Pipës etj., sado duken më të çliruara nga konceptet ideologjike, me zbrazëtitë që kanë, nuk bëjnë përjashtim nga mungesat që po për shkaqe politike janë kushtëzuar veprat e Dhimitër S. Shuteriqit dhe ajo e grupit të autorëve nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Kjo ka të bëjë sidomos me konceptin e Pipës, i cili ka përjashtuar në mënyrë shumë përbuzëse letërsinë shqipe të shkruar dhe të botuar në Kosovë. Me tërësinë e saj gjatë këtij gjysmë shekulli imponohet vetëm “Historia e letërsisë shqipe” e Robert Elsit dhe para saj “Historia e letërsisë shqipe” (Periudha e romantizmit) e Prof. Rexhep Qosjes, në të cilën për herë të parë, realizohet përpjekja për pamjen e integruar të romantizimit shqiptar, duke përfshirë këtu edhe letërsinë shqipe të Kosovës.
Sinteza e ish profesorit të Institutit Oriental të Napolit, albanologut Namik Resuli, është përmbledhje e një kursi leksionesh mbi zhvillimin e letërsisë shqipe në përgjithësi, që nga fillimet e shkrimit të saj e deri te botimi i “Historisë së letërsisë shqipe” të Shuteriqit (1957, 1959 etj.).
Ky kurs leksionesh, fillimisht u përmblodh në një monografi në gjuhën italiane. Më vonë, më 1988 është përkthyer, redaktuar dhe botuar në gjuhën angleze te “Vatra” e Bostonit nga Eduard Liço. Në vitin 1994, revista “Përpjekja” e Tiranës e botoi në gjuhën shqipe me titull Katërqind vjet Letratyrë Shqype, të cilës po i referohemi këtu.
Në këtë sintezë për letërsinë shqiptare, autori ka për qëllim që t’i prezentojë dhe shqyrtojë të gjitha ato studime që janë shkruar për letërsinë shqipe, si dhe kriteret, metodat dhe mënyrat më të përgjithshme, me të cilat është kundruar zhvillimi historik i kësaj letërsie.
Ai numëron autorë dhe vepra të njohura gjer atëherë të zhvillimit kulturor shqiptar, që përmbledhin vlerësime dhe periodizime të ndryshme a të përafërta, dhe që pak përkojnë me njëra tjetrën.
Namik Resuli mendimin e tij mbi rrugën e historiografisë së letërsisë shqiptare, shpesh e shpreh përmes mendimit të “Historisë…” së Zef Siroit të Ri, që njëherit e konsideron, me gjithë mungesat, si më të mirën histori të letërsisë shqiptare të shkruar në gjuhë të huaja deri atëherë.
Autori këmbëngul në gjykimin e tij se letërsia shqipe është mjaft e vjetër, por studimi i saj nga studiuesit shqiptarë është shumë i vonë, madje vetëm 35 a 40 vjetet e fundit zunë fill në përgatitjen e tyre, që me mund t’i përkushtoheshin studimit të saj.
Interesimin për letërsinë shqipe, thekson Resuli, së pari e patën të huajt, por interesimi i tyre ishte para se gjithash për letërsinë popullore dhe në këtë rast i përmend si material bibliografik veprat e studiuesve, si; Hahn, Stier, Dozon, Meyer etj. Resuli këtu ndan mendimin e tij se studiuesit e huaj dhe arbëreshët, si: Vinçenco Korsa, Kamarda etj., “edhe për arsye politike, nisin e flasin për një histori të literaturës shqipe, duke i pasur sytë sidomos mbi thesarin e letërsisë popullore”(37). Prej studiuesve arbëreshë të shekullit XIX, Namik Resuli vendin më meritor ia lë Anton Stratikoit dhe librit të tij “Manuele di litteratura Albanese”(1896), të cilën e quan “Histori të vërtetë të literaturës shqipe”(39). Është kjo histori e letërsisë, e cila pati ndikim të rëndësishëm deri te vepra e Gaetano Petrottës.
Në pjesën e parë të këtij studimi monografik, të ndarë sipas kritereve kohore të studimeve të botuara, Namik Resuli vazhdon të përmendë autorë dhe vepra të tyre, që pak përkojnë me njëra tjetën.
Për vitet e para të shekullit XX, Resuli përmend Lumo Skendon me “Istorinë e shkrimit shqip”, në “Dituria” (1909), pastaj shkrimet nga Pauolini “Lingua e litterature Albanese” (1913), nga Vaggeti “Gli Albanesi e la loro litteratura (1914), nga Falvio Cordigniano “Epopeja komtare e popullit shqiptar” (1925) dhe së fundi veprën studimore të Petrotës “Poplo, lingua e litteratura Albanese” (1931), “që edhe sot e kësaj dite -vlerëson Namik Resuli, -është krua i pashterrur, ku venë të gjithë ata që merren me historinë e kulturës sonë”(43). Kjo është vepra e parë e punuar me përkushtim studiuesi që përmbledh të gjithë letraturën që është shkruar në gjuhën shqipe gjer atëherë dhe mbi autorët e saj, dhe që paraqet gjithë materialin e shkruar mbi origjinën e popullit dhe të gjuhës shqipe.
Edhe në pjesën e dytë të studimit, ku trajton gjendjen social-kulturore të vendit, problem ky me të cilin pati filluar të merret edhe vetë autori, Namik Resuli vazhdon të vlerësojë veprën e Petrottës, si të vetëm mbi të cilën mund të mbështetej. Autori e nxjerr këtë vepër përballë asaj të Justin Rrotës “Letratyra Shqype për shkolla të mesme” (1925), të cilën e quan “libër fort të thatë (44) dhe asaj të Eqrem Çabejt “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe” (1936), të cilën e quan “libër fort i thjeshtë, vërtetë, po në të cilën dukej që atëherë dora e mjeshtrit”.
Në rrjedhë të kësaj bibliografie historiografike Namik Resuli përmend një shkrim të tij, të botuar më 1937 në revistën “Mësuesi shqiptar”, me të cilin, thotë ai, “kërkoja të periodizoja këtë prodhim tërthorazi studimit të vetë historisë, nën influencën e së cilës ai prodhim kishte lindur”(45).
Pra, te ky studiues ekzistonte vetëdija që atëherë, se zhvillimi i letërsisë nuk dilte jashtë realitetit historik. Faktori ‘histori’ dhe faktori ‘fe’ qenë faktorët kryesorë që kishin përcaktuar gjenezën e letërsisë sonë dhe kishin qenë bazë e periodizimit të saj. “Në qoftë se duam ta studiojmë historinë e një literature si histori, -thekson Resuli, -atëherë jemi të shtrënguar të bëjmë historikun e të gjithë atyre elementëve të jashtëm, të cilat sigurisht nuk i përkasin aq fort personalitetit artistik, origjinalitetit krijues të poetëve” (45).
Namik Resuli duke u bazuar në kriteret e studimit të Lumo Skendos dhe të periodizimit të propozuar nga Maksimilian Lamberci, më 1922, në vija të përgjithshme, nxjerr dy konstatimet kryesore mbi zhvillimin e letërsisë shqiptare:
- së pari, se kjo letërsi që nga lindja e gjerë te Lidhja e Prizrenit është e përbërë prej veprash fetare e mësimore dhe në pjesën më të madhe të përkthyera, joorigjinale dhe pa karakter kombëtar. Këtu e arsyeton edhe vendin e kufirit fillestar të letërsisë shqiptare;
- së dyti, vetëm pas Lidhjes së Prizrenit filloi të mëkëmbet në Shqipëri një letërsi kombëtare, në të cilën marrin pjesë, pa dallim, të gjithë shqiptarët.
Idenë mbi ndarjen e letërsisë shqipe në qarqe, të propozuar nga Lamberci dhe të mbështetur më pas nga Eqrem Çabej, në studimin “Për gjenezën e literaturës shqipe” (1939), Namik Resuli e kundërshton duke theksuar se “dallimi i vendit nuk është një dallim themelor”(48), dhe propozon për pjesën e parë të prodhimit letrar shqiptar, ndarjen në nëngrupe e jo në qarqe, ashtu që secilit nëngrup duhet t’i jepen karakteristikat e veta që e dallojnë nga nëngrupet e tjera.
Parimet e shprehura më parë mbi historinë e letërsisë shqipe nga Namik Resuli e gjetën vendin në dy vëllime me titull “Shkrimtarët shqiptarë” (1941), pavarësisht prej vërejtjeve që ka sidomos për vëllimin e dytë, përpilues i të cilëve është edhe autori.
Kjo histori e letërsisë shqipe është gërshetim i historisë së letërsisë dhe antologjisë së letërsisë, ku zënë vend shënimet dhe vështrimet për autorët, si dhe pjesët e zgjedhura nga opusi letrar i tyre. Resuli vlerëson me bindje të plotë se “ajo jo vetëm qe tentativi më i gjerë, më i urtë shqip për zhvillimin e një historie të literaturës shqipe, por qe edhe puna më e dlirë e atyre kohëve të pështjelluara”.(51)
Në pjesën e tretë të këtij studimi autori trajton shkurt librin e Stuart Mann-it “Albanian Literature” (1955) dhe e vlerëson si një përmbledhje të shkurtër të letërsisë shqipe paraqitur anglezëve, duke thënë se “disa autorë shqiptarë Mann-i di t’i gjykojë drejt dhe u jep vendin që u përket” (51). Me “Historinë e letërsisë shqipe” të botuar nga Dhimitër S. Shuteriqi dhe me “Historinë e letërsisë shqipe” të botuar më 1959 nga një grup autorësh, Namik Resuli merret më gjatë, si me metodologjinë dhe konceptet mbi të cilat ndërtohet kjo histori e letërsisë ashtu edhe me terminologjinë e përdorur në të. Resuli sjell përfundimin “se hartuesit e “Letërsisë“ së Tiranës, nuk janë udhëhequr nga asnjë parim e metodologji thjesht letrare. Krejt përkundër, ata kanë qenë udhëhequr e frymëzuar nga parime, metodologji e kritere që s’kanë të bëjnë aspak me artin dhe me literatyrën”. (560. Ata, sipas Resulit, -janë udhëhequr vetëm nga parime politike!
Në këtë aspekt autori tërheq vërejtjen për përjashtimin nga historia e letërsisë të Gjergj Fishtës, Faik Konicës e Lumo Skendos dhe para se gjithash për mospërrfshirjen e “Lahutës së malcis“, e cila u përgjigjet këtyre kritereve vlerësuese. Duke i shfrytëzuar kriteret e kësaj “Historie të letërsisë“, mbi rëndësinë e personaliteteve letrare, ai bënë ballafaqimin mes Naimit e Konicës dhe përfundon se “nga një krahasim i imtë i të dyve ata mund të shpjegohen e të ndriçohen më mirë dhe mund të kuptohet me kthjellët puna e njërit dhe tjetrit”. (60)
Ndonëse kjo sintezë nuk mund të thuhet se ka trajtuar plotësisht të gjitha mungesat dhe përparësitë, të cilat i kanë përcjellë botimet e gjertashme të historive letrare, si e tillë është me interes për kërkimet e mëtejshme në fushë të historisë së letërsisë shqipe.
Comments