top of page

Vendbërja e një poeti me prirje të ndjeshme


Vendbërja e një poeti me prirje të ndjeshme


Fatmir Terziu


Insinuatat njerëzore të lidhura e të sytërlidhura me kohën, hapësirën dhe vendin janë pjesë e librit të tretë të poetit Kastriot Fetahu. „Qiell dhe puthje“; „Deluzion“; „Kam kohë“; „Statujë“ apo „Heshtja e vrarë“ janë shembuj të kësaj fryme sa poetike, aq dhe filozofike në ndërtesën dhe ngarkesën e saj emocionale, që përcillet me të gjitha format figurative për të qenë një poezi e mirëkuptueshme. E gjithë kjo krijimtari poetike, është një lloj topo-poetikë, që sillet si shkas i vetë lidhjes treshe të lartcituar. Duke u mbështetur në veprën e Aristotelit, Heideggerit dhe filozofive të tjera që shkojnë tek Lacan e Žižek idea e kësaj topo-poetike natyrshëm kap atë që sot më së shumti e sedërton formati dhe struktura semantike e vendit, kohës dhe hapësirës.

Duke e parë këtë në një tërësi krijuese poetike, si të marë shkas nga vëllimi i tij i fundit, çështja nuk është të mbulohet terreni i njohur i 'ndjenjës së vendit' në poezinë e tij, as edhe të mbështetet e gjithë idea tek ai, por më tepër të eksplorohet se si poezia e tillë është një lloj vendi rrëfyes dhe mënyra në të cilën poezitë krijojnë hapësirë dhe vend nëpërmjet vetë pranisë së tyre në mesazhe, përmes ndërveprimeve të vetë hapësirës së plotë dhe hapësirës boshe, stasis dhe asaj kuotike, ashtu si brenda dhe jashtë konceptit.

Në këtë lexim natyrshëm ne mendojmë se e gjitha kjo ndalesë e shkurtër mund të na thotë të gjithë atë që poezia flet me mëmyrën e saj për hapësirën dhe vendin, as edhe anasjelltas, se çfarë mund të na thotë të menduarit për hapësirën dhe vendin për poezinë e këtij krijuesi letrar, por për një hapësirë më të madhe ndikuese dhe premtuese që poezia e tij të konsiderohet si e tillë. Këto janë arsyet tona që e motivojnë këtë poet, për të marë të mundshmen e tij më të mirë e më të ndjeshme, për të qenë vetvetja, dhe natyrshëm për të ristruktuar atë që me tërësinë e saj diskursive nuk vjen thjesht nga ndërtesa e saj poetike, por nga larmishmëria diskursive. Sidoqoftë mund të themi plotësisht se poeti Fetahu, me këtë vëllim të tij të ri tenton zhvilloj një topo-poetikë (tendbërja) si një projekt që i sheh poezitë e tij si vende dhe hapësira, të cilin do ta shpjegoj më poshtë.

Tek poezia e tij „Nuk e kuptoj“ më së shumti mund të kuptohet kjo topo-poetikë, që s'është thjesht një retropoetikë, as edhe retorikë diskursive, por një diskurs kohor, po aq edhe hapsinor dhe vendor: „Nuk kuptoj,/pse toka më ftoh/me shkëlqimin e diellit“. Kështu toka, shkon jo vetëm tek vendi, por rrek dhe hapsirën, sikurse është dhe „shkëlqimi i diellit“ ndërsa vendi mbetet një sublimitet që ndërthurret edhe me të tërën në vazhdim ku „e stinët përdridhen/në brinjë ditësh të thyera,/pa vegimin e ringjalljes?“ Kështu është dhe vazhdimi që përcakton thelbin e kësaj preambule filozofike „Nuk kuptoj,/pse fluturat ngecin në mureve të stomakut njerëzor/dhe vdesin një kohe gazmore/që tretet e vrarë fundit të saj?/Nuk kuptoj,/pse ironitë tuaja si gurë bilardoje/më përplasen në sferat e lotëve,/si një kore buke e sapogjetur,/në urinë e një endacaku?“

Dallimi midis hapësirës dhe vendit që bëhet më shpesh është ai në të cilin hapësira shihet si e pakufishme, e zbrazët, e ndashme dhe subjekt i formave matematikore të të kuptuarit, ndërsa vendi shihet si i kufizuar, i plotë, unik dhe i nënshtruar formave të të kuptuarit interpretues. Vendi është përshkruar më shpesh si një segment kuptimplotë i hapësirës dhe thjesht si 'vendndodhja' në hapësirë e mbivendosur me gjëra të tilla si kuptimi, subjektiviteti, emocioni dhe ndikimi (Tuan 1977; Buttimer dhe Seamon 1980; Relph 1976; Cressuell 2014) . Përkufizimet e hapësirës janë bërë më të sofistikuara falë ndërhyrjeve nga teoria dhe filozofia kritike, të cilat e kanë nxjerrë hapësirën jashtë sferës së abstraktes dhe absolutes në përpjekje për të zbuluar funksionet e hapësirës në prodhimin e vetë tempit jetik të shoqërisë ( Soja 1989; Lefebvre 1991; Massey 2005). Në të njëjtën kohë puna në vend ka shtuar shtresa fuqie nga njëra anë (Cressuell 1996; Massey 1997) dhe një rol më të thellë filozofik në ekzistencën njerëzore nga ana tjetër (Casey 1998; Malpas 1999). Nuk ka vend këtu për të provuar të gjitha kthesat dhe diskurset e tjera në këto prurje poetike, që natyrshëm përforcohen dhe nga këto teori të shkëputura në lidhje me këtë tematikë. Një aspekt që ia vlen të zgjatemi është pyetja se cila është së pari, hapësira apo vendi, por që në këtë rast kërkon kohë më të gjerë e më të madhe për të nëshkruar një kontartë studimore me poezinë e këtij poeti, ndoshta edhe si një argument që shënon dhe vlen edhe për të ngjashëm të këtij lloji.

Në krijimtarinë e sotme, të asaj që botohet në hapësirën shqiptare dhe jashtë saj, në emigrim, është bërë e zakonshme të shohësh vendin si të dalë nga hapësira, për kushtet që imponohen, apo për vetë rrethanat e sotme. Në këtë kuptim, hapësira vjen ‘së pari’. Nëse hapësira është një fushë e padiferencuar, një bosht kategorik abstrakt i ekzistencës në kuptimin kantian, atëherë vendi duhet të ndodhë në hapësirë. Vendet këtu janë momente hapësinore, ose pika në hapësirë mbi të cilat shtresohen përvoja dhe kuptimi. Vendi vjen pas hapësirës. Hapësira është një fakt themelor i realitetit të universit ndërsa vendi është ajo që njerëzit bëjnë prej saj. Filozofi Jeff Malpas e sheh këtë si një ulje të vendit ndaj rëndësisë në rritje të hapësirës në mendime pas Rilindjes: "Ngritja" e hapësirës shoqërohet kështu, mund të thuhet, nga "rënia" e vendit. Në të vërtetë, në shumë mendime bashkëkohore, vendi shpesh shfaqet ose si mbivendosje subjektive mbi realitetin e hapësirës së materializuar (vendi është hapësirë plus vlera njerëzore e 'kuptimit'…) ose si thjesht një pozicion i caktuar arbitrar në një fushë hapësinore. Malpas n.d.). Kjo mënyrë të menduari është kthyer në mendim nga filozofët e traditës fenomeno-logjike që ndjekin Heideggerin dhe Merleau-Pontyn, të cilët shohin hapësirat duke u formuar jashtë realitetit të vendit. Vendi, këtu, bëhet themelor dhe parësor, ndërsa hapësira është ajo që pason pasi vendet vijnë në ekzistencë si një lloj raporti midis vendeve.

Në disa nga poezitë e këtij poeti, sikurse janë „Meditim kontinental“; apo „Pezull“ argumenti mund të interpretohet si një formë krejtësisht në mënyrë hapësinore, që plotëson termin topo-poetikë. Termi topo-poetikë e ka origjinën nga termi topos siç është zhvilluar nga Malpas dhe Casey në leximet e tyre për Heidegger dhe të tjerët (Casey 1998; Malpas 2012b). Topo vjen nga topos (τόπος), greqishtja për "vend". Kjo kombinohet me poetikën, e cila vjen nga poiesis (ποίησις), termi grek i lashtë për "bërjen". Pra, topo-poetika është "vendbërje". Prejardhja e veçantë që po kërkoj për topos rrjedh nga filozofia e Aristotelit. E rëndësishmja, për qëllimet tona, topos shfaqet në të dy rrëfimet se si bota vjen në ekzistencë dhe si një figurë në retorikë. Në retorikë një topos është një "formë apo model i veçantë argumentues".

Kështu duke e përmbyllur me këtë përcaktim të poezisë së Fetahut mund të themi se poezia e tij është topo-poetike dhe ka një formë të veçantë, që i jep dhe një pamje retorike. Kjo pamje retorike e topos është e lidhur me botën përmes artit të memorizimit të njohurive të tij të mira duke i vendosur gjërat në një listë në vende të veçanta. “Sepse, ashtu si në artin e të kujtuarit, thjesht përmendja e vendeve na bën t'i kujtojmë gjërat në çast, kështu këto do të na bëjnë më të prirur në deduksione duke shikuar në këto premisa të përcaktuara sipas renditjes së numërimit.” Në retorikën e Aristotelit. është e rëndësishme të zgjedhësh llojin e duhur të topos për argumentin në fjalë, ashtu siç është e rëndësishme të zgjedhësh formën e duhur për një poet të caktuar. Ajo tërheq vëmendjen tonë për rëndësinë e (ndër të tjera) formës në qasje, po aq dhe në mesazh të cilët Kastriot Fetahu isedërton mirë dhe estetikisht. .

135 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page