Vazhdon të ndodhë



Astrit Lulushi


"Vështrim i butë" është një përzierje e shikimit të hollësishëm dhe shikimit periferik; kur i kushton vëmendje asaj që është përpara dhe asaj që është anash në të njëjtën kohë. Jeta e mësoi njeriun në kohët e shkuara të kërkojë komunikim joverbal me individë ose grupe në mënyrë që të shmangte shenjat e telasheve. Në kohën e viteve të perëndimit të diellit, njerëzit mësuan se gjuha u jepej për të fshehur mendimet. Cila është arsyeja? Pse ishte kaq e rëndësishme të vëzhgoje sinjalet e heshtura, tonin e zërit, dhe gjithçka tjetër që ndodhte rreth teje?

Fuqia zë vendin qendror në sistemin tonë të vlerave. Jo të gjithë e dinin kush ishte Sokrati, por të gjithë ishin dakord me mençurinë e tij. Një zakon u krijua për t’i trajtuar njohuritë me shumë kujdes; ju duhet të fitoni njohuri - por sapo t’i merrni ato, mos lejoni askënd të dijë që i keni. Shpërnda njohuri me shumë, shumë kujdes, ashtu si njerëzit e mençur bëjnë me pushtetin - qëndro larg, jeto gjatë. Kjo u përforcua shumë nga sekreti i padepërtueshëm. Mendimi ishte që gjithçka që armiku mund të mësonte për ne do të përdorej për të na dëmtuar. Kështu u mësuam të gënjenim, duke krijuar Realizmin Socialist. Ne nuk kishim një kuptim të saktë për "buzët e lëshuara fundosin anijet", shprehje nga koha e LDB, por thelbi i shprehjes ishte i ngurtësuar në trurin tonë. Falë punës së palodhur të policisë sekrete, i gjithë populli e dinte se i pari që do të fundosej për shkak të ‘buzëve të lëshuara’ ishte me shumë gjasë pronari i buzëve dhe familja e tij. Kjo “urtësi” vazhdon. Udhëheqësit, ish anëtarë të lartë të PPSh-së, ose pasardhës të familjeve të tyre - si trashëgimtarë të denjë për punë të këqia - kanë mbartur pjesën më të madhe të asaj fryme vigjilence revolucionare dhe vetëkontrolli. Gjatë dekadës së fundit, apo më shumë, neveria për ‘buzët e lëshuara’ filloi t'i afrohej nivelit të kohës së diktaturës. Atëherë njerëzit dënoheshin për agjitacion e propagandë, sot dënohen për “lajm të rremë”.

12 views0 comments

Shkrimet e fundit