Vasil Klironomi: VRASËSI I DASHURISË
- Jan 22
- 2 min read

VRASËSI I DASHURISË
Asnjëra nga shoqëritë e shërbimit funeral nuk pranoi të vihej në dispozicion për ceremoninë mortore. Dy prej shoqërive u justifikuan me “defektet” teknike në autofuneralët, ndërsa njëra ajo e shoqërisë Parajsa, doli hapur: - Nuk mund të kryejm veprimin ritual për atë mort, se në qytetin tonë nuk ka rrugë për në Skëterrë! - Atëherë të afërtit iu drejtuan bashkisë, por dhe atje ndeshën refuzimin.
– Bashkia merë përsipër vetëm të vobektët- u përgjigjën dhe kur njëri prej vllezërve këmbënguli duke thënë se të vdekurve u falen ndëshkimet, nëpunësja ia ktheu rreptë: -Vdekja nuk është amnisti. –Je e ligë!- iu kundërvu njëri prej të afërmve dhe e di pse? Se u ngjanë shumë fjalëve që thua. - Aq sa u ngjante dhe ai prapashtesë e së keqes veprimeve të tij – dha përgjigjen nëpunësja dhe u ktheu krahët.
-Një veprim arkaik nga njerëz të moderuar, por dhe një mllef i justifikuar:
-Ta mbulojnë me bajga si Eraklitin! -çoi zërin dikush nga brenda zyrës.
Pas asaj fraze të prerë, të afërmit kërcënuan se do ta çonin të vdekurin në supe, kështu që nderimi do të ishte më i madh dhe shtuan se ashtu mbi supe, do ta sillnin përreth qendrës së qytetit. -Ky veprim do të jetë në dëmin tuaj, se qytetarët të indinjuar do t’ iu zënë me gurë – u dëgjua i njëjti zë nga brenda.
Së fundi më të mençurit e kuptuan që ai nder nuk i takonte dhe si e vendosën sarkofagun në karrocerinë e një Zuk-u, e përcollën drejt varrezave, por dhe atje e gjetën portën të mbyllur. – E dini ç’ ka bërë në dhjetëra të dashuruar! - u tha roja e varrezave- nuk ka vend këtu. Kush prej të vdekurve do të donte ta kishte në krah? -Varroseni jashtë mureve dhe thellë, shumë thellë, gjer në shtresat më të errëta të Tokës.
Ishte shpërthimi i njeriut të lënduar.
– Ç’ faj i kish Natalia ime! Ime bijë dashurohej vetëm me djem të bukur. Erosi i kish mbyllur syçkat kur ai egërsira juaj e qëlloi të mirin me gurë pas kokës dhe e rrëzoi prej saj. Flutura ime u tmerrua kur hapi syçkat dhe pa përsipër atë kafshën tuaj. Si mund të varroset ai shtazë përballë saj? Ai ia mbylli syçkat përgjithmonë. Varroseni jashtë mureve ju them dhe thellë, thellë, në pjesët më të errëta të Tokës!
Ndërsa roja e varrezave u kërcënohej, që tutje u duk një grup njerëzish të veshur në të zeza. Kur u afruan dhe panë e ç’ po ndodhte, zunë të qëllonin sarkofagun me shkelma. –Ç’ faj të kish sokoli ynë që e vrave tek puthte virgjërinë!- shpërtheu një e moshuar veshur trup e shpirt në të zeza.
Ishte një histori e ngjashme me të parën. Shtaza e qëlloi dhe birin e saj të vetëm me një grusht të rëndë pas kokës dhe puthja humbi si zog i trembur.
-Atje ta varrosni, jashtë mureve të varrezave! - ndërhyri përsëri roja -se përndryshe do të le sarkofagun të hapur, ta hanë sorrat.
Shënim: Një nga viktimat e shumta të atij vrasësi, ishte dhe autori i tregimit.









Comments