Vasil Klironomi: Me verën e vjetër të mijëvjeçarëve.
- Apr 25
- 2 min read

Dhjetë shekuj në gurrën e zhvillimit. Erdhën pastaj avaro- sllavët dhe perdet e mermerta të Onhezmit edhe pse të thyera, u mbyllën, për të ruajtur nën lëkurën e tokës kapitelet e rrëzuar, kolonat e shtrira jonike, pilastrit, shandanët dhe monedhat e hedhura. Ikën vendasit dhe u kthyen përsëri në kohëra, që askush nuk e di dhe si për çudi, u vendosën asnjë metër më pakë, asnjë metër më shumë në të njëjtin vend. Instinkti? Ndoshta. Ai gji deti, i krehur nga era e juglindjes, nuk kishte kuptim pa këta njerëz. Dhe ata, nuk ia lan pa shlyer. Si shkallëzim, dashurinë për detin, e vendosën mbi shumë dashuri. Morën nga deti qetësin, shpërthimin, dinakërinë, zgjuarsinë, bukurinë; besën dhe “pabesinë”. Nëpërmjet detit, u bënë të njëjtë midis tyre dhe të veçantë nga të tjerët. Që të mund të jetoje midis tyre, duhej të ishe si ata, ose i ngjashëm me ta, të ishe vetja, por dhe dikush tjetër. Edhe pse me historinë e ri- ardhjes të pa shkruar, këta ngatërrues të çuditshëm që shpesh bëheshin përkohësisht dhe maska e vetes, krijuan pasaportën e re. Askush nuk di me saktësi kur ri- erdhën në këtë shpat mali të pa ujë dhe të pa pemë. Historia e re e këtij qyteti, nuk shkon shumë tej kujtesës e megjithatë, solli në jetë arkeologët, të zgjonin ( dhe zgjuan) fragmentet qeramike; ngritën kolonat jonike dhe mbi to, vendosën pilastrit anim, ndërsa poetët, i kënduan qytetit të lashtë, që u krijua përafërsisht me lindjen e Diogjenit dhe vdekjes së Sokratit. I duheshin qytetit historianët për brezat që vijnë dhe solli në jetë Strabonët e rinj, që shkruan për shkollat e para, për sportistët e parë. I duheshin matematikanët, fizikanët, skulptorët, poetët dhe filozofët popullor, që perceptuan me shqisat e tyre dukuritë e jetës. Me këto kritere, Saranda klasifikohet si një nga qytetet më të lashtë.
U krijua si liman nga kaonët, u kthye në skelë nga romakët dhe sot, ekziston qytet-port, me elementë që plotësojnë tërësinë e jetës të një vendi të banuar. Që në fillimet e tij gjer në ditët tona, asnjëherë nuk mungoi transporti detar dhe lidhja me prapatokën, ( fjalë kjo, e shumë- mirë-gjetur nga arkeologu i paharruar Kosta Lako). Nuk munguan situatat e vështira politike, heroizmi, besa dhe pabesitë, por dhe tradhtitë, vrasjet, vetëvrasjet, sinqeritetin dhe dinakëritë, dashuritë e mëdha, por dhe pabesitë bashkëshortore sidomos flirti, flirti i gjetur në amforat që na dehin me verën e vjetër të mijëvjeçarëve.
Kjo është jeta që këta njerëz i dhanë ngjyrat e një tragjikomedie dhe e ngjitën në këtë shpat mali ku radhë ulësesh, janë valët e detit, që era e ngrohtë e juglindjes i solli nga teatri Dionisian.








Comments