top of page

Vargjet e bardha të një dashurie të ngrohtë jugu

Updated: Apr 14, 2021


Timo Mërkuri

Vargjet e bardha të një dashurie të ngrohtë jugu.

Shënime mbi librin e ri poetik “Dashuri Jugu” të Fatmir Terziut.


Nga Timo Mërkuri


Jemi njohur me poezinë e Fatmir Terziut nëpërmjet publikimeve të tij, kryesisht te portali “Fjala e Lirë”, aq të shpeshta, sa që po të rastisë ndonjë ditë pa një poezi të tijën, ndjejmë një si mungesë brenda vetes. Si shumë miq edhe unë mendoja se kjo “ndjenjë mungese” e kishte burimin pikërisht tek ambientimi me ritmin e publikimeve të poezive të tij që i ngjante “rënies së pikave të shiut”. Por u desh të lexoja pikërisht një poezi të tij me titull “Retë mbi Himarë” në vëllimin e tij të ri poetik “Dashuri Jugu”, që të konstatoja se tjetër është arsyeja e ndjesisë së mungesës .


I-Është pikërisht lirizmi i tij poetik, arsyeja që na e bën të kërkueshme dhe të pëlqyeshme poezinë e tij, një lirizëm tipik që formaton stilin e tij poetik. Është pikërisht ky lirizimë që na krijon një ndjesi hapësire, përkundër disa tipe vargjesh që “zvarriten” nëpër portale. Vargjet e tij të lira, që krijojnë “dritare” të gjëra shikimi nëpërr ‘to në diferencën e gjatësisë mes tyre, drita dhe ajri që depërtojnë nëpër këto “dritare” ta ëmbëlsojnë poezinë dhe e dritësojnë leximin , duke të treguar njëkohësisht se ky lirizëm është elementi më i dukshëm i stilit të tij poetik. Në poezitë e tij edhe kur flitet për mot të vrenjtur, mbi vargje ndrin një dritë që dhe kur nuk duket, ndjehet:

Edhe nëse bie shi,

retë mbajnë peng vetveten mbi Himarë

dhe një tufë pulëbardhash,

si një ogur i mbarë,

mbeten mysafirë në sytë e mi,

ndërsa shkruaj vargjet e bardha

për këtë poezi.

“Retë mbi Himarë” fq 49-50


Ose kur shkruan te poezia “Guri i Qafës së Muzinës” (fq 51):

...Ai tregon përrallat e shiut

nën çatinë e vjetër të shtëpisë...nuk ndjen kurfarë “lagështie ajrore” nëpër vargje e jo më të ndjesh pikat e shiut të të “lagin”.


II-Vargu i tij poetik ka një ritëm të brendshëm të lehtë, që i ngjan ecjes së vajzave të dashuruara si në majë të gishtave, si duke “fluturuar” mbi gurë e lule. Nuk ka “pesha të rënda” metaforike sepse nuk mban “çanta zbori”. Më së shumti, zhurma e ritmit të poezisë së Fatmir Terziut është si një e qeshur të rinjsh të zhurmshëm apo si thirrjet drejtuar njeri-tjetrit:

Dil o Yll i mëngjesit dil,

si atëherë mbi Eksamil!

Ksamil fq 43


III-Në poezitë e këtij vëllimi të Fatmir Terziut, shumë tema poezish janë nga viset e mia joniane ku poeti ka qënë vizitor i shpeshtë, kryesisht nëpër aktivitetet tona poetike. Ka ardhur si poet, ka vrojtuar njerëzit dhe natyrën si poet dhe ka marë gjithçka që marin poetët. Kjo të krijon përshtypjen se është arsyeja që në poezitë e tij ka shumë kaltërsi, qoftë kaltërsi e një qielli të pastër, qoftë kaltërsi e Jonit. Ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se ai e ka kaltërsinë e natyrës dhe çiltërsinë e njerëzve pjesë të artit të tij poetik:

...u pikturua

Dea e madhërishme në qiell

dhe në atë mëngjes shumëngjyrësh

vargjet e mia fjetën në një shtrat

me mjaltin e dashurisë.

“Liqeni i Butrintit” fq 39 ndërsa te poezia “Qeparo” fq 37 ku shkruan:

...Ndërsa dëgjova rrëfimin e Dukeshës Camilla

fjalët e saj të bukura u pagëzuan nga kopshtet,

me një aromë të lashtë lirie,

duke mbjellë historinë e Bregut me lule

për vargjet e kësaj poezie...


IV-Gjatë leximit kupton dhe ndjen se poeti e ka kaltërsinë e natyrës dhe çiltërsinë e shpirtit pjesë të artit të tij poetik. Ai shkruan me dashuri për njerëzit, ai jep dashurinë e tij në poezi si dhe në jetë, sepse duke dhënë dashuri njeriu ndjehet mirë, poeti ndjehet i plotë.

Para një nëne të moshuar

përkulem,

i jap një lule të freskët me duar

Ajo: pëshpërit me vete,

një fjalë të huaj,

„Efkharistó polý“

Unë: e mbaj fort në sy.


një njeri që nuk ka dashuri të vërtetë

nuk mund të dhuroj një lule vëllazërimi,

në jetë.


Ka lule në shpirt, pa shpirt s'ka dashuri!

S'ka poezi.

“Në Finiq” fq 40.

E lexova këtë poezi dhe u krenova me mikun tim Fatmir Terziu, ndërsa u ndjeva ngushtë që shumë bashkëkrijues nga viset e mia nuk kanë mundur të shohin bukurinë njerëzore te një plake minoritare, e rrudhur nga hallet e jetës, veshur me roba të zeza, por me sy që përcillnin dritën e një zemre të bardhë. Fatmir Terziu ariti ta shohë këtë dritë shpirti në sytë e saj, mori nga ajo dritë dritësimin e saj, ashtu siç marim në kishë dritën e Pashkës së Madhe për ta shpurë në shtëpitë tona, për ta dritësuar jetën tonë. Fatmir Terziu e mori këtë dritë për të dritësuar poezinë e tij. Prandaj gjithmonë sheh vetëm më të bukurën dhe më të mirën te ditët dhe te njerëzit, prandaj dhe në vargjet e tij është një bukuri njerëzore që të zbukuron ditët me leximin e tyre, janë si vajza bukuroshe që bëjnë sfilata në konkursin Mis Albania:

...Valët e kristalta dallgëzohen

përmes zmaltit që melos syrin e lagur.


Bukenvilet shpotisin mes vetes

shpërndajnë majanë e bojës

ndërsa pëshpëritjet e kohës,

mbledhin rima,

vargje të bardha si stërkala.


Çdo poezi ka sfilatën e saj.

“Qafa e Gjashtës” fq 38


Është pikërisht kjo ndjenjë që që krijon vargje të rubinta: “Zëri është si një vajzë e lindur nga valët e tretura” , “Zëri është e gjitha. Bukuritë/të gjitha hijeshojnë kopshtin e bekuar/

me lulet e tyre shumë ngjyrëshe të dashurisë” “Gumenicë” fq 44


V- Le t’i rikthehemi poezisëShi në Llogara” (fq 35-36) te disa vargje që të mbeten në mëndje:

Dhe ti zbret. Dhe zbret

.......................................

ndërsa mendimet prekin atë që lënë pas sytë...

për të kuptuar arsyen pse Fatmir Terziu pas një periudhe prej disa vitesh na sjell një cikël të bukur jonian. Është në natyrën e tij meditimi mbi vizionet, ngjarjet, njerëzit për të zbërthyer te ato pikërisht esencialen, tipiken e tyre për ta vendosur në poezi, si te poezia “Nën themelet e një hoteli në Sarandë”:

U flas syve.

Gjuha flet me heshtjen e tyre

.........................................

Në themelet e një hoteli.

heshtja qëndron te burimi,

përsëri ngërç në rrënjët tona.


Në themelet e një hoteli,

nën beton,

shfletoj mes heshtjes historinë e dhimbshme

të racës sonë.

Është e dhimbëshme të pohojmë dhe pranojmë se historia e qytetit tim, që rëndom quhet arkeologji ndodhet nën betonet e hoteleve dhe pallateve të qytetit tim. Një ose dy raste ka konstatuar rastësisht poeti dhe më pas u ka rënë “kambanave” poetike, për të dëgjuar ata që kanë veshë.

Citimi i poezive të Fatmir Terziut bëhet një dëshirë e papërmbajtëshme, ca më tepër kur gjen në mes të tyre emrat e kolegëve të tu, të cilët të duken më të ndritshëm, madje me një brerore poezie mbi krye.

Të mos e fsheh, është ndër librat poetikë që të mbush me dritë e ngrohtësi kur e lexon.


Sarandë, Prill 2021

179 views13 comments

13 תגובות


Daughter Of The Sun
Daughter Of The Sun
14 באפר׳ 2021

Urime për këtë shkrim z. Mërkuri dhe falenderime për prezantimin! Fluturim të mbarë librit tuaj të ri, z. Terziu!!! Suksese e respekt autorë të nderuar!

לייק

FJALA E LIRE FREE SPEECH
FJALA E LIRE FREE SPEECH
14 באפר׳ 2021

Minush Hoxha

Z. Timo në analizen për poezinë e z. Fatmir, ka mbëthyer mirë poezitë, ka dhënë dhe opinionët e veta për to duke spikatur me nënvizime vlerat që përmban poezia. Dhe për këte urime sëpari z. Terziut për librin e ri poetik dhe më pas z. Timo që dijti hem t,i çaset poetikes hem të shploj bukurinë e jugut në vargun poetik të autorit. E saktë, por, unë kurdoherë që lexoj sajesat e z. Terziut, në vete shprehë një dëshirë që tani e them publikisht: ajo është që z. Terziu të jetë sa më i joni. E kam fjalen për artin që krijon se elbasanasi etnikisht smund të jetë tjetër pos i joni. Dhe njëherë, urime shëndet e depërtime…

לייק

FJALA E LIRE FREE SPEECH
FJALA E LIRE FREE SPEECH
14 באפר׳ 2021

Ildije Xhemali

Poeti i rritur në Elbasan, me rrënjë nga Korabi ( uroj të mos gaboj ) "me lartësinë" e këtij mali shkruan me dashuri dhe për dashurinë e kësaj pjese të ATDHEUT ! Por gjen edhe dhimbjen brenda për çka injorohet, mbyllen sytë në emër të parasë. Dhe në analizën e poezive për Jugun tonë përrallor nuk besoj të gjendej një I dytë si Timo Mërkuri, banor dhe poet i kësaj Perle të Jonin! Urime z.Fatmir Terziu!

לייק

FJALA E LIRE FREE SPEECH
FJALA E LIRE FREE SPEECH
14 באפר׳ 2021
לייק

FJALA E LIRE FREE SPEECH
FJALA E LIRE FREE SPEECH
14 באפר׳ 2021

Kostandin Vogli

I uroje suksese. Uroj dhe Timon, i cili ka ber nje koment qe duhet vleresuar. Te lumte Timo.

לייק

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page