top of page

VARGJE TË NGATERRUARA...


VARGJE TË NGATERRUARA...


Pushime i thënçin

Ku tik-taku i orës në mur

U lodh edhe ai terë kohën

Me bezdi zvarriset


Pushime i thençin

Ku zagushia ndjen siklet

Po heq edhe robën e fundit

E shfryn nervoze


Pushime i thençin

Ku salloni kërkon liri

Me lemsh në fyt, kollitet

Dritaren vrapon të hap


Pushime i thençin

Ku kafja e harruar në tavolinë

Veshtron indiferente perreth

E një mizë tremb


Pushime i thënçin

Ku monotonia sillet nëpër këmbë

Duke ngatërruar orët dhe ditët

E shpesh i harron fare.


Pushime i thënçin

Ku tavolina e kompjuterit

Ka varur turinjtë i pakënaqur

E përgjumet në mesditë


Pushime i thënçin

Ku shtrati ankohet me zë të ulët

Se fryma iu mor padashur

Nga orari i tejzgjatur.


Pushime i thënçin

Ku zogjtë kanë marrë fladet

Ngarkuan edhe mëngjeset

Dhe më lanë vetem.


Pushime i thënçin

Ku mbremjet moren edhe përendimet

Nuk më lanë yjet të bisedojmë

As henën të më përkedhel


Pushimet i thënçin

Ku deti ka humbur diku larg

Dhe buzët e saj presin në buzëmbremje

Pranë valeve të puthen


RA HESHTJE PËRENDIMI


Ra heshtje përendimi dhe dallgët u qetësuan

Në mugëtirën e hirtë ëmbël ëmbël përqafohen

Me përkedhelje hedhin krahët njera-tjetres

Dhe tani që s’i sheh kush, puthen e dashurohen


Silueta e një vajze fanitet befas aty në breg

Ajo u lutet të rrinë edhe pak,t’i bejnë shoqeri

Sa të degjohen hapat e të mirit në rerën e lagur

T’u hedhin ca sterkala bëkimi në flokë e në sy


Horizonti humbi ,dy zogj çuçurisin në errësirë

Peshperima, gulçime dhe një yll që i ndriçon

Xhelozë u bëne dallgët dhe fshehurazi afrohen

Deshmitar marrin hënën,të degjojnë se ç’thonë.


TË KUNDROJ PAK SYTË E TU


Më mori malli , pak çaste sytë t’i kundroj

Më kupto e dashur,nuk dua asgjë me shumë

Vetem t’i shoh sa ngjajnë me Bistricën time

Me Syrin e Kaltër qe ka ky i bukuri lumë


Sa ngjajnë! Unë nuk ju ndaj aspak, më ndje

Ti me turp e plot naze m’i ul dhe m’i fsheh

Syri i Kaltër,i çiltër,sterkala uji po më hedh

Pi pak, më thotë, si verë e bardhë të të deh.


Më dashuroi Syri i Kaltër,unë sa shumë atë

Sy vajze të tillë kërkova për një jetë të terë

U lodha kaq shumë, por befas një ditë te kroi

I pashë te dridheshin në ujë nga një puhizë erë


Ato janë, thashë, mundimi nuk më vajti kot

Sa ngjanin ato me Syrin e Kaltër të lumit tim

Varkën , në liqenin e tyre, me gaz e leshova

Dhe nuk dua me asnjë vend tjetër për lundrim


KËNDUAN GJELAT

-Dashuria ime,askoma po fle?

Më jep akoma edhe një të puthur-

Motiv popullor



Heshtjen e trishtë të natës e prishi gjeli im

Iso po i mbajnë në kor gjitonët e tij të mirë

Omer Khajani s’më shqitet me verë e vargje

Paçka tellallit që tha se dita është në të gdhirë


Si fle akoma ti e dashur? Në ëndërr na sheh?

Omer Khajami dhe unë sonte bëmë batërdi

Na pelciti koka nga vera e me vargjet u zumë

Poezia jote për sytë e saj, më tha, qenka flori


Dhe poeti i madh rrekellente gotat një nga një

Pas çdo gote ëndërronte,shtonte edhe një varg

Poezia është si kjo vera.ë ëmbël e kuqe, magji

Me engjejt vallëzoj tani,në qiellin e shtatë, larg


Si fle ti e dashur akoma? Në ëndërr na sheh ?

Po vjen ngadalë agu i ditës, gjelat na e thanë

Me verë e vargje për ty ngritem një mbretëri

Na sheh nata e qan, na sheh edhe dita e ofshan

 
 
 

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page