top of page

Vangjush Ziko: TË VEÇANTAT E LIRIKËS EROTIKE TË NATASHA LAKOS



Kam përpara poezinë “Kur mendoj, kur mendoj, kur mendoj” të Natasha Lakos:

“Kur mendoj, kur mendoj, kur mendoj,

që në këngë nuk kanë hyrë ende dritaret,

që zënë myshk duke të pritur ty

dhe perdet e kaltra të rëna, thua prej supeve të erës,

dhe sirtari i kthyer përmbys, në imitim të njeriut,

kur mendoj boshësinë e gjithë fjalëve,

fjalëve nga plot gjilpërëza dhe karfica,

nga ca xhufka me hare lozonjare të ca mbulesave të trishta,

si mund të arrij deri te goja jote e hapur, që mbledh gjithë shirat,

vetëm me lëkurën, pa kërkuar gjithë shkretëtirën.”

Që me vargun e parë: “ Kur mendoj, kur mendoj, kur mendoj” gjendemi përballë një emocioni delirant, të cilin e përjeton heroina lirike dhe e reflekton i gjithë mjedisi i dhomës së saj. Atë e perceptojnë dritaret, “që (kanë) zënë myshk duke (të) pritur”, “perdet e kaltra të rëna, thua prej supeve të erës” dhe imazhi, që dëshmon për mbresa dhe për zheste të pakontrolluara, për një shqetësim të madh.

Heroina i quan të kota fjalët, ato janë të pavlefshme, “boshe”. Ato u ngjajnë “gjilpërëzave dhe karficave”, që shpojnë shpirtin dhe as nuk vlejnë për të kapur dhe varur stolitë, i duken të trishta si “ xhufka(t) me hare lozonjare të (ca) mbulesave”.

Poetja, na përcjell impresionet, që përjeton heroina, pa komentuar aspak për etikën, për sjelljen e saj.

Të shkruash për një vizion të çastit, brenda një sekonde të pakomandueshme, do të thotë që të përjetosh vetëm çastin. Fjalët duken boshe.

Impresionisti i shquar francez Pol Vërlen i ka vënë vëllimit të tij me poezi titullin e çuditshëm “Romanca pa fjalë”!

Kjo nuk do të thotë aspak se poezisë së tij vërtet i mungojnë fjalët.

As poetja jonë, në të vërtetë, nuk i shmang ato.

Poezia, në fakt, nuk është thjesht një “fjalë”, ajo është më shumë se një substancë linguistike, është, mbi të gjitha, një “logos”, në kuptimin e aftësisë për t' i folur lexuesit, për t' i përcjellë mesazhin e poezisë.

Poetja abstragon, përshkruan dhe e interpreton gjithshka emocionalisht. Ajo na flet nëpërmjet imazheve, nëpërmjet mbresave shqisore dhe çasteve mendore kalimtare. Frymëzimi i poetes pulson me rrahjet e zemrës, jo të gjykimit.

Është vetë përmbajtja e poezisë, e cila e përcakton strukturën e saj.

Në radhë të parë, ligjërimin poetik të Natasha Lakos e ngjiz figuracioni letrar, gjuha e figurshme, metaforat, epitetet, antonimet, shpirtëzimi i sendeve.

Secili mjet artistik ka domethënien e vet: “myshku” i dritareve simbolizon moskomunikimin e heroinës me botën e jashtme për një kohë të gjatë, me të dashurin e zemrës as vizualisht; “perdet e rëna” janë simboli i apatisë së plotë; ndërsa, përqasja e dy epiteteve anatonimike “lozonjare” dhe “të trishta” në vargun përkatës, na përcjellin humorin e trishtuar, që përjeton heroina lirike; me ngarkesë simbolike nervoze është edhe vargu “sirtari i kthyer përmbys, në imitim të njeriut”.

Strukturën e poezisë së Natasha Lakos e përcaktojnë, në mënyrë të veçantë, konstruktet sintaksikore të vargut: përsëritja leksikore te vargu “më kujtohet, më kujtohet, më kujtohet”, na kumton një gjendje stresante të një dalldie emocionale.

Vëllimi semantik i fjalëve, të cilat shprehin një bashkësi kuptimore metaforike natyrore dhe njerëzore, siç janë “myshku”, “perdet e rëna nga supet e erës”, “dollapi përmbys”, “xhufkat lozonjare”, “goja e hapur që mbledh gjithë shirat” dhe vetë vargu i lirë e i ngjeshur impulsiv i poezisë na dëshmojnë për begatinë semantike të gjuhës poetike të autores.

Natasha Lako e shmang analizën konceptuale, gjykimin e sjelljes dhe të temperamentit impulsiv të herinës së vet. Ajo nuk e ngarkon poezinë me meditime apo stërhollime natyraliste apo filozofike, por i jep përparësi çastit dhe interpretimit të lirë të lëndës poetike, për të përcjellë impulse emocionale sa më mbresëlënëse.

Po të perifrazoja Ezra Paundin, do të thosha se tipari kryesor i poezisë së Natasha Lakos është amplifikimi maksimal i impresionit të çastit.

Muza e poetes i lejon heroinës përjetime romantike nëpërmjet dëshirës së saj të papërmbajtur për t' u takuar sa më parë me njeriun e dëshiruar të zemrës së vet.

Heroina nuk mund ta durojë mungesën e një takimi kaq gjatë. Ajo ëndërron për një takim pasionant me të zgjedhurin e zemrës së vet, për ta shuar sa më parë përvëlimin e shpirtit marrëzisht të dashuruar, për të rihapur perdet e rrëzuara nga supet e erës dhe për ta ngritur “sirtarin njeri” të rrëzuar përmbys.

I jashtëzakonshëm është, veçanërisht, vargu me semantikë të dyfishtë, që na flet për këmbënguljen, për të arritur sa më parë te “goja e hapur, që mbledh të gjitha shirat”.

Kjo metaforë e shtjelluar semantikisht mund të merret si simboli i një “hurdhe lumi”, grope që mbledh ujin e tij dhe si metafora e një “oazi shkretëtire”, që do ta shuajë shkretëtirën e shpirtit të heroinës lirike të përvëluar nga epshi erotik i dashurisë së zjarrtë.

Poezia e Natasha Lakos është një poezi moderne bashkëkohore me një strukturë poetike komplekse.

Poetja e thyen tabunë e konceptit klasik mbi stilin. Ajo është një nga krijuesit tanë të rrallë bashkëkohorë, që guxojnë të prekin “tabunë” e stilit të pastër poetik përshkrues apo moralizues.

Verbin e saj poetik e përcakton tensioni që mbart fjalia dëshirore e vargut “si mund të arrij deri te goja jote e hapur”. Tensioni maksimal i këtij vargu na sugjeron tërthori edhe dëshirën e nënndërgjegjshme të saj për ta zhbërë sa më parë mjedisin torturues që e rrethon. Ajo kërkon sa më parë të shkundet myshku dhe “dritarja të hyjë në këngë” dhe, mbase, të dëgjojë sesi i këndon një kitarë dashurisë në qytetin e saj...

M.I.Lotman shkruan: “ "Alfabeti" i simboleve të një poeti të caktuar nuk është gjithmonë individual: ai mund të nxjerrë simbolikën e tij nga arsenali i epokës, nga lëvizja kulturore, nga rrethi shoqëror.”

Në epokën tonë të globalizmit individualiteti krijues manifestohet jo vetëm në krijimin e diçkaje të re, por edhe në aktualizimin e stileve më të vjetra, që korrespondojnë me një nivel tjetër të zhvillimit kulturor, siç ndodh me këtë poezi të shkruar në ditët tona, në të cilën janë të pranishme dhe remineshenca impresioniste dhe romantike, të cilat, me ndërgjegje apo pa ndërgjegje, i ka gërshetuar përmbajtja erotike pasionante e kësaj poezie, vetë muza e poetes.

M' u kujtua dhe një nga poezitë e para të veçanta erotike të Natasha Lakos: “Njëzet qindarka për të folur me ty,/ tridhjetë qindarka për të ardhur te ti…”. Pesëdhjetë qindarka një dashuri!

M' u kujtua dhe Robert Elsie, i cili, që përpara disa dekadash, profetizoi se poezisë shqiptare po i vinte “një zonjë”, poetja e përfytyrimeve dhe e kundërpërfytyrimeve poetike, Natasha Lako.

56 views0 comments

Kommentare


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page