TË MARRËT DHE LUTËSAT
1
Kanë zbritur të mëdhenjtë e marrë
prej qiellit në një kënd të globit
ku pleksen paralelet e meridianët,
ku fryjnë zefirët dhe murlanët,
ku rrugët e zogjve shtegtarë kryqëzohen
me korridorët e aeroplanëve
për një koncert të mbramë.
Bethoveni i shurdhuar luan Pasionatën,
Van Gogu pikturon renë e zezë të korbave,
Homeri i verbër vajton hirin e Trojave,
Shekspiri me zërin e Lirit të hakërruar
mallkon pjellat e tij të padenja,
Uitmeni mbi oqeanet e tërbuara
hedh urat e poemave.
Rënkojnë të marrët e pavdekshëm
për ne të shurdhërit e përjetshëm.
2
Poetët janë murgjër të tempullit të fjalës
të veshur me zhgunin e poezisë,
bibla e tyre - jeta e gjallë
shkruar me dorën e vetmisë,
Agjërojnë dhe kungohen
me gjakun e tyre të magjepsur,
Harrohen mes gjarpërinjsh pleksur,
gjarpërinj ndjenjash mëkatare
dhe vrullesh ëndrrimtare
të zgjojnë demonët e shpresës,
të ndërrojë bota gjynaqare.
Luten murgjët aedë
të pagëzuar nga perënditë
në altarin e shenjtë të fjalës,
të bëhet vargu i tyre dritë.
Comentarios