top of page

VALLJA U SHËNJTËRUA NË DODONË




Sprovë


Nga TIMO MËRKURI


I- Shumëkujt i ka rënë rasti të kalojë një ditë feste, një dasëm apo në një gëzim çfardo në një fshat të Bregdetit ose Labërisë, jo vetëm në ditët tona, por edhe në të shkuarën. Me siguri që i ka bërë përshtypje atmosfera e gëzueshme që krijohej, thua se në këtë vend s’kanë patur kurrë halle e derte, por vetëm këngë e valle. Në qoftë se do e lejojmë fantazinë të na çojë aty, unë do t’ju ftoja të përqëndrohemi te vallja e vajzave dhe nuseve, valle që kërcehej me një hap të shtruar e plot finesë, e shoqëruar me një këngë të ëmbël që të shtin në ëndërime. Vajzat dhe nuset lidhur dorë për dore me një shami, me kokën lart, sikur do fluturojnë apo presin diçka nga qielli hedhnin vallen qetësisht. Valle në formë rethore, sikur në mes të sheshit apo të rethit të valles të ishte diçka e shënjtë. Vajza që heq vallen (kështu quhet vajza që është e para në vargun e valltareve) tund një shami herë pas here, sikur të japë ndonjë sinjal të fshehtë për dikë e për diçka. Djemtë rinë rreth e rrotull e shohin me bisht të syrit, sikur s’u intereson dhe aq shumë kjo valle ‘’çupëlinash’’. Medemek, ata janë bërë burra, u ka dirsur mustaqia (ah sa shumë vonon kjo e shkretë që të rritet dhe ca e të dallohet që përtejë) e janë gati të bëjnë ndonjë trimëri a heroizëm e jo të meren me kësi vallesh çupëzash. Ama, ashtu si shkarazi, i shohnin mirë vajzat që hedhin valle, se aty tek ai rreth janë ato që u ndezin ëndërrat netëve..

Për të parë i shohnin, por s’guxojnë t’u hedhin ndonjë fjalë në valle e sipër dhe ca më pak t’u thonë të ndalin vallen e të shkojnë të bisedojnë me ‘ta atje tejë, te koria. Jo se kanë frikën e prindërve të vajzave, të cilët bëjnë sikur s’dinë gjë që e bija është pleksur me filanin. Sigurisht që as vëllezërve të vajzave nuk u trëmben, se dhe ata djem janë dhe shikojnë ‘’miket’’e tyre. Vëllezërit i mirëkuptojnë motrat në këto raste, aq më tepër që ato janë edhe shoqe me miket e tyre dhe i ndihmojnë kur ua do rasti. Për nënat e për gjyshet as që bëhet fjalë, ato janë si shpirti. Vetëm mirësi buron prej tyre.

Pengesa është pikërisht ajo, vallja. Atë s’mund ta ndalin kursesi as vajzat që vallzojnë dhe ca më pak ata që shikojnë. Vallja, njësojë si kënga isopolifonike është e shënjtë, është si “një ritual” i shenjtë fetar ku askush s’guxon të pipëtijë.

Burrat e shkuar në moshë vallzojnë veças në kohë dhe në grup, djemtë e rinj dhe të porsa-martuarit vallzojnë veç, vajzat po se po vallzonin veç. Mund të hynin ne rrethin e djemve burrat, apo në rrethin e burrave të hynin djemtë e rritur, mund të vallzojnë bashkë vajza e djem, mund të vallzohet dyshe në kuptimin në dy rrathë, me rreth të gjërë a të ngushtë etj. etj. sajime për ta bërë sa më të gëzueshme atmosferën festive. Për këto gjënden plot mënyra dhe plot arsye, por asnjë arsye nuk egziston që ti detyrojë valltaret ta lënë vallen në mes.

Ka ndodhur që ndonjë çapkën i dashuruar të hidhej në mes të grupit te vajzave dhe t’i hiqte shaminë nga koka vajzës që dashurnte dhe që familja e saj, për ndonjë arsye nuk ja jipte, duke shpallur kështu botërisht se: ajo vajzë ishte nusja e tij e ardhëshme. Vëllezërit dhe babai i vajzes mund të kenë rrëmbyer edhe armët për të vënë ‘’nderin në vend’’, por vajza gjithsesi nuk e ka ndërprerë vallen. S’ka rëndësi për ne si kanë rjedhur ngjarjet më pas, rëndësi për ne ka të mësojmë pse nuk ndërpritej vallja.

II-Ambienti i festës është shumë poetik dhe vallja e vajzave është si një ëndër, por ja që ne na kujtohet që kemi thënë se: vallja e parë në të cilën njeriu shqiptar njeriu goditi tokën me ritëm valleje ishte “vallja e rëndë e burrave” dhe prej kësaj valleje e kanë origjinën edhe vallet e tjera të vajzave dhe të djemve. Ky pohim sigurisht që krijon një farë reagimi, aq më tepër që për këtë nuk egzistojnë dokumenta. Në mungesë të dokumentave, le të ecim në rrjedhën e llogjikës.

Duke qënë se shoqëria e parë e organizuar ishte matriarkati, duke qënë se autorët e shndrimit të vajit në këngë isopolifonike ishin nënat dhe motrat, hamendësohet që edhe vallja e parë të jetë krijim i grave dhe jo i burrave. Ndërkohë ne këmbngulim për parësisnë e valles së burrave dhe këtë e bazojmë te fakti që: gratë në këtë kohë ishin “tepër të zëna” duke shndruan vajtimin në këngë, duke kaluar nga vajtimi nëpër logatje dhe në epoka të mëvonëshme mbritën në këngë dhe s’kishin kohë të shndronin (kërcenin) dhimbjen në valle. Vajzat, po ashtu shoqëruan nënat nëpër këtë rrugëtim vajtimi, shkuan nëpër logatje dhe nxituan hapin drejt këngës, si njeriu që pasi arin në mes të urës, nxiton hapin për të dalur në bregun tjetër. Në atë breg ku ishte kënga.

Gratë jo më kot kanë trashëguar veshjen me rroba të zeza, që përfaqsojnë veshjen në raste të mbajtjes së zisë për ndonjë vdekje të ndodhur. Unë ju them se: në zonat tona gratë mbanin zi gati gjithë jetën, pavarësisht se për kë mbahej ajo, për një plak a për një të ri. Mund të shkoje në varrezat e fshatit dhe të shikoje e të dëgjoje ndonjë grua të moshuar që ligjëronte e vajtonte për vjerin e saj, i cili kishte nja dyzetë a pesëdhejtë vjet që kishte vdekur, bile mund të kishte vdekur dhe në vitin e parë të martesës së saj. Ajo s’ja mbante mënd fytyrën, por ritualin do ta bënte. A mund të shkonte kjo grua nga vajtimi e të kërcente valle. Shto këtu faktin që vdekjet ishin të shpeshta dhe në mos i shtëpisë, ndonjë i afërm do vdiste a do vritej patjetër.

Lind pyetja se a mund të thyhej zia? Po, zia mund të thyhej, por vetëm në raste të caktuara dhe rëndom ajo thyhej në dasmën e djalit të vetëm, të djalit të madh apo të djalit të vogël, pra avetëm në dasmën e djemve anësorë (i pari dhe i fundit) dhe në asnjë rast në dasmën e vajzave. Në rastin e thyerjes së zisë, në mes të sheshit a në mes të oborit ku bëhej dasma, pas një kërkese kolektive me zë të lartë gruaja e hiqte nga koka shaminë e zezë të zisë, hidhte mbi flokë një shami të bardhë, si shënjë e lumturisë dhe ja mirte këngës e vallës. Ama rrobat e tjera të zeza kurrë nuk i hiqte.

Veç këtyre rasteve fatlume të thyerjes së zisë, gratë nuk vallzonin dhe nuk e prishnin larminë festive të vajzave valltare. Mendojeni vetë, në një shesh fshati ku heqin valle një grup vajzash veshur me të bardha si nuse apo me veshje plot ngjyra, të futet në mes të tyre e të vallzojë edhe një grua me të zeza, kjo jo vetëm që nuk shkonte, por mirej edhe si një shënjë tersi për vajzat valltare. Edhe për këtë arsye, gratë ishin spektatoret e përjetëshme të valleve.

Është e vërtetë që veshja e zezë është bërë simbol zie këto dy mijë vjet, por ama zia ka egzistuar edhe para unifomiteti të veshjes së zisë dhe nënat që mbanin zi, instiktivisht i largoheshin “festimeve” të gëzueshme ose së paku nuk ishin “aktorë” festivë.

III-. Për argumentim të lindjes së parë të valles së rëndë të burrave ne kemi cituar faktin se burrat mbahen sup më sup kur kthehen nga varrezat, ndërkohë që gratë mbahen për dore, por sigurisht kjo u përket kohëve moderne dhe mund të vlejë si dëshmi e një gjesti instiktiv i trashëguar. Në qoftë se hyjmë në thellësi të pyllit të kohëve do të shohim se burrat ishin gjuetarët që siguronin ushqimin për familjen dhe në çdo rast vrasjeje të kafshëve të mëdha, që ishin baza e ushqimit të tyre, ata hidheshin plot gëzim rreth e rrotull trupit të tyre, të gëzuar që e siguruan ushqimin e familjes për disa kohë..

Po në thellësi të këtij pylli do shohim se burrat ishin luftëtarët që siguronin egzistencën e jetës së familjes nëpërmjet luftës dhe në çdo fitore, instiktivisht ata hidheshin të gëzuar rreth trupave të armiqve të vrarë, ndërsa vinin rrotull plot dhimbje e rrënkime rreth trupave të shokëve të tyre rënë në betejë. Me kalimin e kohëve, këto lëvizje plot klithma gëzimi apo me rënkime u shndruan në valle të kënduara dhe ca më tepër u trashëguan në brezat e ardhshëm gjer në ditët tona si rite.

Luftëtarët himariotë, pas betejës së Torviollit, pranë trupave të shokëve të vrarë hoqën vallen e kënduar me atë tekstin sa ironik aq dhe domethënës: “Demave të Shqipërisë/S’u shpëton lop’ e Turqisë”, bashkëluftëtarët e Marko Boçarit, me trupin e tij në një vig mbi supe hidhnin hapin me ritmin e një valleje, teksa këndonin këngë trimërie kushtuar kapedanit të tyre, këngë që e shoqëronin edhe me të shtëna armësh. A ju kujtohet Selim Brati, të cilit i erdhi lajmi i vrasjes së djalit në kufi, te festa në Drashovicë? Ai nuk vuri kujën dhe as zuri vajin, por mblodhi shokët dhe hoqi vallen e rëndë duke kënduar..”Drashovicë bëhet festimi/Vjen i vrarë Hito Selimi”.

Në rastet e mësipërme askush nuk bëri ndonjë gjë të re, thjeshtë respektoi traditën e trashëguar. Sepse sipas traditës, babai vërtet është baba, por për djalin është dhe burrë, prijës e komandant, ndërkohë që nëna është vetëm nënë.

Babai te djali shikon edhe heroin e nesërm, ndërsa nëna edhe te heroi shikon vetëm djalin.

A e kini vënë re: në gjamën e burrave në malsi edhe në stadin e sotëm, janë burrat ata që vihen në rresht para të ndjerit, këlthasin dhe godasin gjoksin me grushte, pastaj godasin tokën me këmbë, më pas me grusht, çohen dhe hedhin një hap para dhe ripërsëritin gjestet e ritualit etj. Gratë nuk janë pjesë e kësaj ceremonie, sepse ato janë pjesë kryesore e laboratorit krijues të shndrimit të vajit në këngë dhe jo të valles. Kjo është arsyeja që edhe sot gratë e bregut dhe të labërisë nuk heqin valle, ndërsa janë në rolet drejtuese në këngën isopolifonike.

IV- Kemi hedhur idenë se edhë vallja e ka origjinën nga ritet mortore dhe jemi referuar te “vallja e rëndë e burrave” si stili i parë i valles. Vetkuptohet jo në këtë gjëndje e stad që e kemi ne sot, sepse është përmirësuar e ‘modernizuar’’nëpër shekuj, pavarësisht se ky modernizim është bërë në një shesh fshati. Para se të vinim te sheshi i fshatit ku kërcehej në ditën e Pashkës se Madhe a të ndonjë feste tjetër fetare, shumë shekuj para se të krijoheshin këto festa që flisnin për ringjallje të birit të zotit , në Dodonë bëhej një ceremoni tjetër.

Aty ishte orakulli i Dodonës që parathoshte fatin.

Aty qe edhe tempulli i shenjtë ku shërbenin disa vajza, domosdo virgjëresha.

Këto vajza, “murgesha”, apo “virgjëresha”që i qenë kushtuar (me dëshirë apo jo) vetë Zotit, bënin gjithë shërbimet në tempull, ku edhe banonin. Një ndër shërbimet e tyre ishte t’i këndonin hymne Zotit. Veshur me të bardha apo ngjyra te çelura, krehur bukur, kapeshin dorë për dore dhe duke kënduar himne, vallzonin rreth simbolit të shenjtë, që mund të ishte një pemë, statujë, piedestal apo diçka tjetër. Sipas besimit, Zoti i shihte nga kupa qiellore, ndaj ato kursesi s’mund ta linin në mes të kënduarit e hymneve kushtuar Zotit dhe as vallzimin rreth simbolit të tij. Sidomos askush nuk guxonte të kërkonte të ndërpriste këtë ceremoni valleje kushtuar zotave, pa marë si ‘’resto’’ ndonjë rrufe pas koke.

Kështu veprohej te orakulli i Dodonës, kështu u veprua dhe te orakulli i Delfit. Kështu vepruan edhe vestalet romake më von, në mënyrë të ngjashme shërbejnë dhe i thurin hymne Zotit edhe murgeshat kristiane, por ama kjo filloi nga Dodona.

V- Mirë se filloi nga Dodona dhe u zhvillua në Dodonë, por këtë ceremoni e panë gjithë të pranishmit, dhe midis tyre shumë vajza të reja që shoqëronin prindërit, të cilave u lindi dëshira të imitonin vajzat e tempullit. Ndoshta nga që u pëlqeu, ndoshta nga që doninti shërbenin Zotit si vajzat e tempullit, por nga që s’mund të shërbenin të gjitha aty në Dodonë, këto vajza të reja kur shkuan në fshatin e tyre, fillimisht në oboret e shtëpive të tyre dhe më pas në sheshin e fshatit, filluan të imitojnë vallzimin në Dodonë. E kishin një “statujë” perëndie në vendbanimin e tyre, a një rrap në mes të sheshit, a një simbol tjetër. Filluan të vallzojnë rreth këtij simboli të ri, duke kënduar hymnet që dëgjuan në Dodonë a duke krijuar të reja për “perëndinë” vendase. E filluan si rastësisht gjersa u ‘’ligjërua’’me apo pa dekret dhe u bë një festë e fshatit apo krahinës. Duke qënë se simboli i perëndisë ishte në qëndër të sheshit të fshatit, kjo kushtëzoi formën rethore të valles e cila ka mbritur gjer në ditët tona.

Hapja e valles dhe spërdredhjet e trupit të vajzave gjatë valles nuk janë gjë tjetër veçse ekspozim i hireve femërore të trupit për t’u admiruar në fillim nga Zoti apo Zotat dhe më pas nga më të zotët e më trimat e fshatit apo të krahinës.

Ende vazhdon të qëndrojë ajo ndrojtja e çuditëshme se ‘’po prishe vallen të vret Zoti’’, ndaj askush nuk guxon ta ndërpresë atë. Mos t’u duket e çuditëshme kjo. A nuk ju ka rënë në sy që edhe djemtë më ‘’trazovaçë’ kanë njëfarë ndrojtjeje para murgeshave apo vajzave muslimane me veshjen fetare. Kjo ndrojtje nuk është vetëm respekt për ‘’shërbëtorët‘’apo ’’nuset e Zotit’’, por edhe njëfarë ‘’frike’’ ndaj ‘’zemërimit’’ të Zotit . Emrin mund t’ja vëmë si të duam, fakti është se ajo egziston.

Fakt është që vallja respektohet si e shënjtë dhe askush s’guxon ta ndërpresë atë.

VI- Më sipër thamë që edhe vallja e ka origjinën nga ritet mortore, dhe pikërisht nga çasti që të afërmit afrohen sup më sup, ose mbanë për supesh prindin a vëllanë e të ndjerit. Në këtë moment, si të dehur prej dhimbjes, ecja nuk është normale, por duke u lëkundur, qoftë në momentin e vajtjes në varreza, qoftë edhe në kthimin prej tyre, pas përfundimit të varrimit. Edhe sot kushdo që e takon në rrugë një grup të tillë kortezh, çohet në këmbë po të jetë ulur, zbret nga kali po të jetë kalorës, mandje sot ndalin makinën, dalin prej saj e qëndrojnë me nderim në anë të rrugës. Pikërisht këtë ndjenjë respekti, frike dhe droje kanë shfrytëzuar ‘’koreografët’’ e parë që krijuan vallen‘’artistike’’dhe e vunë në shërbim të zotave, qoftë në Dodonë apo gjethkë.

Duke marë respektin mortor dhe duke e vënë në shërbim të zotave ka një llogjikë. Sipas gjithë besimeve, shpirti i të vdekurit a nuk shkonte te Zoti apo zotat? A nuk i luteshin Zotit të afërmit e të ndjerit që të kujdesej për shpirtin e të dashurit të tyre të porsa vdekur? A nuk i blatonin dhurata Zotit, qysh nga flitë për shpirtin e të vdekurve, qirinjtë që ndiznin e gjer të pasuria që u vinin në varr?

Madje “koreografët” korigjuan edhe lëvizjet, nga një lëvizje lineare e kortezhit e shndruan në një lëvizje rrethore, me qendër statujën apo simbolin e shenjtë në Dodonë, retushuan pozicionin e duarve mbi supe që ishte te vallja e burrave, në një pozicion me duar të lëshuara ose të “lidhura” mes tyre me një shami, fshinë goditjen e tokës me këmbë dhe e zvëndësuan me hapin e lehtë vajzëror etj.

Përpunimi artistik i valles së rëndë të burrave dhe krijimi i llojeve të ndryshme të valleve, qoftë stilet e ndryshme të valles së rëndë të burrave apo vallja e vajzave dhe djemve, është një proces evolimi tepër i natyrshëm. Mandje duhet thënë se pikërisht ky evolim, kjo shkëputje dhe rikrijim stilesh të reja është shkaku që vallja nuk humbi nëpër humbëtirat e shekujve.


Sarandë, më 2008-2021

69 views1 comment

1 Comment


Faruk Myrtaj
Faruk Myrtaj
Dec 04, 2021

Mos-nderprerja, mos-prekja e valles, per asnje arsye, as dashurie si sfide, dhe shembellimi ne ritm me ritualin mortor, eshte moment arti, pik arti, magjishem prekse. Keshtu edhe shkruar, Timo...

Faruk Myrtaj

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page