Nga Kristo Çipa
T'i shikosh me sytë e shpirtit dhe t'i ndjesh me rrahjet e zemrës, tingujt, zërat, brigjet, njerëzit dhe valët e detit; nëpër brigjet e bukura me erërat e forta të rivierës, do të thotë se forca poetike është ngurtësuar në gjak dhe venat e trupit. Ilir Bobo, ky poet i dhimbjes, që jeton brigjeve joniane, na dhuron personazhe dhe episode historike në këtë vëllim poetik, që, sa të gëzojnë edhe të trishtojnë, sa të futin në mendime edhe të kthjellojnë. Përjetimet e tij deri në dhimbje dhe dashuritë deri në kockë, të marrin me vete në gjithë rreshtat, madje, edhe gërmë për gërmë, me një muzikalitet, si iso kënge dhe, kur mbyll rreshtin e fundit, i lutesh faqes të riprodhojë poezi të tjera. Rrallë herë ndodh që poeti të gjejë në vendin ku ka ardhur për të jetuar, zërin e gurit dhe dhimbjen e valës, të trishtohet për këngën dhe të lumturohet me prillin, të shqetësohet për erën shterpë dhe të brohorasë veriun. Sita poetike e Ilirit, nuk ka vetëm sitjen e dhimbjes, por edhe kurën për mjekim.
Figurat letrare, asonancat dhe aliteracioni i tij, të robërojnë dhe nuk të lënë asnjë çast, të mendosh për ndonjë defekt, të cilat janë të pashmangshme në krijimtari. Iliri i njeh personazhet e bregut dhe është i dashuruar me ta, deri në dhimbje. Në jetesën e tij, në Himarë, ai është munduar të mos marrë pika balte nga turbullirat që nxjerr deti dhe përplasen me shkëmbinjtë kryeneç. Ai ka një qartësi jetësore, që i jep rrezatim vargut të tij dhe përkëdhel në duar dhimbjen, duke e hyjnizuar atë. Qartësia dritësore e tij, është e një lloji të veçantë, që i ngjan naivitetit profetik. Merr çdo sinjal që i jep mjedisi dhe si drugdhendës, i jep formë dhe frymë shumë natyrshëm dhe, njëkohësisht, i bën ato, sikur të kenë mijëra vjet në shkëmb e në valë. Me mundësitë e pakta që ai ka, kërkon që t'i dëgjohet zëri, se nuk është gur në rrokullimën, por shkëmb me rrënjë që shëtit brigjeve të Himarës, me emër të përveçëm dhe shumë domethënës, "ILIR". Këtij vëllimi poetik i uroj udhë të mbarë dhe u bëftë bashkë me vëllimet e tjera! "Rrugë të kaltra!"
Comments