top of page

VAJZA QË SFIFDOI PROKURORIN



Rrëfenjë

Arbeni është nga Mirëdita. Ka lindur dhe është rritur në Bozhiq por rrënjë ka edhe në male, atje ku ndahet Mirdita me Lurën, në Kurbnesh, tek një kullë në tre poda që thotë se ka qenë monument kulture e mbrohej nga shteti (tani nuk pyet kush për të). Atje, në atë kullë ka lindur dhe është bërë nuse e ëma për të bërë rrugë e u ulur në troje më të buta.

Benin e gjeta në Omonia me një “Emigranti” në dorë. E pyeta se ç’farë merrte nga ajo gazetë. Më tha se e merrte çdo të dielë kur kishte një hapsirë të lirë kohe nga puna që bënte në një ndërmarje bashkiake për shtrimin e tubacioneve të gazit në të gjithë Athinën. Më tha se i kishte dhënë para disa kohësh një vajze një intervistë. Ma tha edhe numrin e gazetës edhe përmbajtjen e intervistës.

E ngamë muhabetin në atë copë rruge në këmbë nëpër shesh. U “ngjitëm“ maleve e zbritëm fushave, takuam të njohur e trokitëm në histori të vjetra. Kjo, derisa zbritëm tek lulet e jetës së njeriut, tek fëmijët. Arbeni ka dy vajza. Njera, thotë, e madhja është në lice dhe ka mesataren më të lartë të shkollës, mbi 19.5. Tjetra është në gjimnaz...

Arbeni e ka një histori “të tijën”, një histori që lidhet me vajzat e në veçanti me vajzën e madhe. Ai dhe e shoqja kanë dokumente të rregullta. Kanë leje qëndrimi, janë të lidhur me punën, kanë emsima, janë njerëz të rregullt në mardhënie me administratën dhe ligjet greke. Halli ishte se dy vajzat nuk i pranonin t’i regjistronin duke u nxjerrë, siç e dimë të gjithë, lloj lloj pengesash e kërkuar pafundësi dokumentesh që më në fund i injoronin. Burokracia ndante fëmijët nga prindërit, fëmijë që vazhdonin shkollën greke, ishin më të mirët, ishin të regjistruar në librin e IKA-ve të prindërve...

Arbeni vendosi të kërkojë ndihmën e ligjit, iu drejtua gjykatës greke. Mori një avokat dhe u paraqit në gjyq. I vu përpara prokurorit dhe trupit gjykues të gjitha dokumentet, në origjinal e në fotokopje të legalizuara në polici. Kërkoi që dy vajzave tu jepet e drejta dhe të kenë dokumentet e tyre për qëndrim e lëvizje ashtu siç e thoshte ligji...

Prokurori kërkoi dëbim nga Greqia ( ! )

Para trupit gjykues doli vajza e madhe. Filloi të flasë me një greqishte të pastër e me një zë melodioz. Tregoi me një sinqeritet fëminor rrugën e ardhjes në Athinë. Tregoi si kishin zbritur nga malet e Mirditës dhe u ishin ngjitur e kishin ecur për ditë të tëra maleve të Greqisë. Tregoi se si kishin paguar 4500 euro derisa kishin mundur më në fund të zbrisnin e të stabilizoheshin në Athinë. Tregoi se si punonin babai dhe nëna dhe si mësonte në shkollë ajo dhe e motra...

Kryetari i trupit gjykues u ngrit në këmbë dhe duke iu drejtuar prokurorit të seancës i tha: “Kjo vajzë e flet greqishten më mirë e më bukur se ti z. Prokuror”...

Dy vajzat tashmë kanë dokumentet e emigrantit siç i kanë gjithë të tjerët. Vazhdojnë mësimet dhe më e madhja, ajo që sfidoi prokurorin, është më e mira e shkollës...

Me Arbenin u ndamë për t’u takuar përsëri. Në këto shënime përmenda vetëm emrin e tij. Këtë e bëra sepse historia që më tregoi “në këmbë” nuk është një histori vetëm e tij, ajo është një qelizë nga trupi i shëndoshë i mërgatës shqiptare që ecën përpara me dije e kulturë bashkëkohore.

Radhën tjetër, duke pirë kafe, do ta marr (a do më marrë) përdore në udhëtimin drejt Mirditës së bukur që ai e njeh me rrënjë e me degë e unë e njoh vetëm ngandonjë gjeth i saj. Atëhere do t’i përmend edhe mbiemrin, edhe emrat e të parëve, emrat të cilat ai m’i nxori paksa në ato pak minuta shetitje në Omonia.

Athinë, 2006

24 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page