Livadhi me lule, era trëndelinë, Vajza e çobanit përmbi sy shaminë, Mes tufës së dhenve sytë i farfurijnë, Qengjat njomëzakë rreth e rreth i vijnë.
Fustani i bardhë për beli shtrënguar, Leshrat korb të zeza gjer në mes lëshuar, Faqëzat e bëshme, mollë e kuqëluar, Kodërzat e gjirit si zjarr i pashuar.
Kur më sheh e qesh, përndizet lugina, Fëshfërin e ndrit lule trëndelina, Kur e ndjell me gaz me ca fishkëllima, Pas na ndjekin qengjat me ca blegërima.
Nuk e di kur ramë në gjumë të flinim, Qengjat edhe delet te koka na rrinin, Ne putheshim të etur, ata qumësht pinin, Kurmet tanë puthitur dridhma dridhërinin.
Comments