VAJZËRI E PAPREKUR


Vullnet Mato


Tregim

Ato ishin dy gra të reja në pamje, por po u afroheshin të dyzetave. Kuna dhe Lora, shoqe qysh nga fëmijëria, po takoheshin pas shumë vjetësh, për të pirë kafen e mëngjesit, te një lokal, në mes të pallateve të tyre. Lora sapo ishte kthyer për pak ditë nga Gjermania, ku kishte mbaruar studimet e larta dhe kishte mbetur aty e martuar me një gjerman.

Ajo ishte mbështetur te shpina e kolltukut të lokalit me një varg perlash në qafë dhe me qëndrimin e një gruaje, që i ka provuar të gjitha kënaqësitë e kësaj bote.

Ndërkohë Kuna, dukej tejet e rënduar në pamjen e saj, me buzët e shtrënguara fort, ku lexohej një padurim i dukshëm, për të zbrazur ngarkesën e brendshme. Ajo mezi priti çastin, derisa kamerieri vuri në tryezë kafet makiato, për të shpalosur lirisht brengën që e mundonte,

- Besoj të ka ndodhur të shohësh ndonjë nga ato gratë fshatare të ngarkuara me barrën e madhe të druve, që ecin të përkulura përgjysmë e me vështrimin përtokë, nga pesha e rëndë mbi shpinë? - e filloi ajo bisedën e saj të paduruar.