Vajtimi shndruar në këngëose uji i shndruar në verë.





Nga Timo Mërkuri



Kur më 25 Nëntor 2005 u shpall vendimi i UNESCO për njohjen e iso-polifonisë shqiptare si kryevepër shpirtërore të njerëzimit dhe marrjen e saj në mbrojtje, ky lajm në popullin tonë, u përjetua si çasti i daljes së nuses në valle. Nuk ishte nevoja që të shkreheshin pushkët në ajër, u shkrehën në këngë mijra shpirtëra artistësh popullorë dhe artdashësish. Në këtë vorbull gëzimi të ligjshëm, pakkush mendoi për rrugën e gjatë dhe të mundimëshme që kishte kaluar populli për rritjen e kësaj “nuseje”-këngë. Nënat vetë, i harojnë gjithmon mundimet e tyre ditën e bardhë të dasmës së bijave, por ne le ta shohim që në fëmijëri jetën e kësaj “vajze”, teksa ajo hedh vallen e nusërisë në shesh të..artit.

I-Është vërtetuar dhe pranuar shkencërisht se kënga isopolifonike vjen nga vajtimi me ligjërime dhe se iso-ja s’është gjë tjetër veçse rënkimi para, gjatë dhe pas vajit. Natyrshëm lind pyetja:- Si e qysh ky vajtim u shndrua në këngë, ndërkohë që vetëm Jezu Krishti shndroi ujin në verë? Po nuk është kjo pyetja e vetme. Të tjera pyetje e pasojnë, pyetje që duan një përgjigje si: -Ç’janë vajtoret, autoret e kësaj kryevepre? Ç’janë zërat e vajtimit dhe si janë shndruar në zëra të këngës iso-polifonike.? Pra, pyetjet janë të shumta dhe përgjigja për to nuk është kaq e lehtë. Por për këtë besoj se do të na ndihmojë njohja dhe kontakti real gjatë jetës sonë me ligjërimet nëpër ksodhet, ku kemi marrë pjesë.

II--Vajtoret Kemi dëgjuar shumë të flitet për vajtoret, apo vajtojcat, për ligjërimet e tyre nëpër morte, aq të dhimbëshme dhe fine, sa që shumë prej tyre kanë ngelur në kujtesën e popullit, jo vetëm të familjarëve. Madje jo vetëm vajtimet e tyre me ligje, ato vajtime që u dhanë famë, por për shkak të këtyre vajeve, edhe emrat e tyre kanë fituar një jetëgjatësi tej jetës njerëzore. Niveli i lartë artistik i këtyre ligjërimeve, qoftë si tekst, qoftë si vajtim (vijë melodike) si dhe prania e vajtoreve të njohura nëpër ksodhe në fshatra të ndryshme, ka krijuar legjendën e “vajtoreve profesioniste”. Këtë pseudo-legjendë e ka përforcuar edhe fakti i dhënies së ndonjë darove, dhuratë, këtyre vajtoreve, kur ato niseshin të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre pas mortit. Teza mbi “profesionalizmin e vajtoreve”, sado e pafajëshme që të duket, jo vetëm që nuk i përgjigjet realitetit, por mbart në vetvete edhe rrezikun e shtrëmbërimit të origjinës së këngës sonë popullore shumëzërëshe, nga një këngë me burim ligjërimin mortor, në një këngë me burim profesionalizmin e vajtoreve. I hiqet këngës kolektiviteti vajtimit dhe anonimati, duke i vënë si autorësi një emër të përvetshëm njeriu. Kënga jonë popullore nuk është produkt i një njeriu të vetëm apo i një grupi njerëzish të një epoke. Ajo, gjithashtu nuk është as produkt i një krahine, siç teorizohet kohët e fundit, duke e quajtur product (vetëm) i krahinës së Epirit. Ajo nuk është as produkt i një apo disa shekujve. Kënga jonë popullore iso-polifonike është produkt i një kombi të tërë, në të gjithë shtrirjen e tij gjeografike dhe kohore. Laboratori krijues popullor vazhdon edhe sot, në kohët moderne, funksionin e tij, në drejtim të përsosjes së këtij krijimi. Ajo që ka më shumë rëndësi, është fakti se, kënga jonë iso-polifonike u bë pjesë e AND të identitetit të etnitetit tonë kombëtar. Është i vetmi komb që krijoi një vlerë artistike nga një ceremonial mortore dhe ca më tepër, që vijon të përsosë e modernizojë këtë vlerë me burim kaqë arkaik

. Rolin e vajtores në mort e luan çdo grua, qoftë nëna e të ndjerit, motra, gruaja, tezja, halla, kushërira, etj. Jo vetëm këto, edhe fqinjët apo bashkëfshataret bashkojnë vajin e tyre me atë të më të afërmve, duke krijuar kështu një kor vajtoresh. Askush nuk e qorton një vajtore pse s’i gjeti “mire” fjalët për të ndjerin që iku, por ama të gjitha u hapin vend e radhë vajtoreve të njohura, të cilat vijnë të shprehin dhimbjen e tyre nëpërmjet vajit. Nëse këto vajtore “të mira” dikush i quan profesioniste, gabohet. Askush s’i paguan ato për të vajtuar. Askush s’i porosit ato të vajtojnë mire, se… “do shpërblehen”. Kjo edhe për faktin se, një vajtore, po ta ngrejë “la e më la” të ndjerin, po t’i veshë merita që s’i ka, s’ja përton vajtorja tjetër që të ja hedhë poshtë gjithë atë “kala” lëvdatash që i ngritën. “Mos e qaj la e më la, / Po thuaj ato që ka”, i ndërhyri në një vajtim një grua vajtores që po e ngrinte në qiell të vdekurin, me merita që s’i kishte.

Vajtimi shqiptar është akt kolektiv. Asnjëherë nënat shqiptare nuk vajtojnë vetëm. Për këtë dëshmitë janë të herëshme. Fillesat( e dokumentuara) janë qysh nga Ajkuna kur qan Omerin, në vajtimin e të cilës marin pjesë zanat dhe zogjtë si dhe elementë të natyrës, hëna dhe yjet, duke vazhduar me Plutarkun, i cili na dëshmon se në Butrint, kur mbriti lajmi për vdekjen e Panit të Madh, nisën të vajtojnë të gjitha nimfat, duke vijuar me vajtimin e Lekë Dukagjinit dhe gjithë ushtrisë shqiptare ditën e vdekjes së Gjergj Kastriotit, në Lezhë. Udhetarët e huaj, nëpër Shqipëri kanë dokumentuar ceremonitë mortore të gjëmës, ku pjesmarrës aktivë janë, jo një por disa burra.

Si i gjejnë vajtoret ato fjalë aqë të mrekullueshmë, aq fine dhe artistike sa që bëjnë dhe “gurin të dridhet” nga dhimbja që mbartin dhe bukuria e të shprehurit ? Po cila nënë nuk i gjen fjalët për birin apo bijën e saj, kur dihet që vaji del nga shpirti dhe jo nga goja. Nëna për të birin apo të bijën, motra për të vëllanë, për motrën apo vajza për babanë do t’i gjejë fjalët më të bukura që ka dëgjuar apo mësuar, sepse këto vargje burojnë nga shpirti dhe jo nga profesionalizmi. Shpirti i plagosur nga morti buron vargjet e famshme të ligjeve.

III-Zërat e vajtimit. Janë nënat e motrat ato që vajtojnë bijtë e bijat, vëllezërit e prindërit, qoftë në gjëma, qoftë në morte të zakonshme. Duhet të theksojmë se dhe vajtimi ka disa rregulla, ka disa norma. Nuk është një e qarë me ulërimë e me rrëmujë dhe aq e vate. Tonaliteti i vajtimit s’ka të bëjë shumë këtu, por edhe ai ngrihet e ulet sipas disa rregullave të pashkruara e gati të padukshme. Edhe vajtorja kryesore, ato që ndërhyjnë apo ato që shoqërojnë vajtimin vetëm me rënkime, kanë një rradhë të paracaktuar ligjërimi, ndërhyrjeje apo shoqërimi. Kjo ndoshta nuk dallohet nga kushdo, por po të asistosh, psh. në të nëntat, në të dyzetat apo në ceremoninë mortore përkujtimore të vitit dhe ta krahasosh me vajtimet e ditëve të para dhe sidomos të ditës apo të momentit të varrimit, bie në sy dukshëm ndryshimi. Ka më shumë rregull, respektim rradhe, vëmendje ndaj të tjerëve, etj.

Nëpër ligjërime ka gjithmon një vajtore kryesore, ajo udhëheq vajtimin. Ajo ligjëron tekstin dhe i jep tonalitetin vajtimit. Gratë e tjera e shoqërojnë me rënkime, pa i ndërhyrë në tekst apo në vaj.

IV- Po ta shohim me vëmendje dhe të pranojmë të bëjmë një paralelizëm, vajtorja e parë , kryesore, kryen një rol të ngjashëm me atë të “marrësit” të këngës. Ndryshimi është vetëm një. Këtu kemi të bëjmë me vajtim, “marrësi” ka të bëjë me të kënduar, ndërsa këtu vajtorja kryesore udhëheq vajtimin. Duhet të theksojmë se nëpër mortet shqiptare, nëna e të ndjerit, motra, kunata etj nuk janë vetëm dhe nuk vajtojnë vetëm. Aty gjithmon janë të pranishme gra të tjera, bashkëfshatare ose të ardhura nga fshatra e krahina të tjera, të afërme apo të njohura të cilat janë pjesmarrëse aktive në ligjërime.

V-Fillimisht ligjërimi mund të fillojë me disa rënkime dhe pastaj nis vargëzimi i vajit nga vajtorj