Pata nderin, kënaqësinë, dhe privilegjin, të isha e para që mora në duar dorëshkrimin e kësaj vepre letrare. Nuk e pata aspak të vështirë të futem në palcë të veprës. Nuk e pata të vështirë të kuptoj nëntekstin e shprehjeve dialektore e krahinore të përmendura në këtë roman. Ashtu si për një teoremë, duhet kushti i nevojshëm dhe i domosdoshëm për vërtetimin e saj, po ashtu, edhe për të realizuar vlerësimin e një vepre letrare, duhet kushti i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Kushti i nevojshëm, është patjetër të njohësh strukturën mbi të cilat ndërtohet një vepër letrare, rregullat e drejtshkrimit, shenjat e pikësimit, dialogut, monologut e shumë e shumë të tjera si këto. Ndërsa kushti i domosdoshëm, në konceptin tim, është elemeti njohje. Që do të thotë, të njohësh kolonat mbi të cilat ngrihet vepra letrare. E këto kolona në këndvështrimin tim, janë:
Zona ku zhvillohen ngjarjet
Kultura, zakonet, traditat, besimi fetar, gjuha e personazheve të veprës, kultet e simbolet fetare, etj.
Autori i veprës letrare
Në njohjen e faktorit të domosdoshëm, e them me plot gojën që kam qenë fatlume. E them këtë, pasi e njoh pozicionin gjeografik të Krushës, njoh kulturën, zakonet, traditat, përkatësinë fetare, dialektin, zhargonin, kontributin e tyre në luftën për liri e pavarësi, dhe çka është më e rëndësishme, njoh fisnikërinë e njerëzve të kësaj zone. Njoh edhe autorin e këtij romani. Rrënjët e familjes nga vjen.
Romani është i ndërtuar si një vepër me një numër të konsiderueshëm ngjarjesh e personazhesh. Ka një shtrirje gjeografike të jashtëzakonshme. Ka miksim ngjarjesh e personazhesh të kombeve e kombësive të ndryshme, ka miksim simbolesh, kultesh e besimesh fetare. Simbolet fetare, do i vlerësoja si gjetje e bukur artistike, që vërteton tolerancën fetare të kombit tonë. Kjo tolerancë e ngritur në art, në roman paraqitet me kryqin në trupin e Imamit, dhe me plisin në kokën e Amerikanit. Ngjarjet në këtë roman, zhvillohen nga Kabuli, Afganistani, Kosova, Amerika, Gjermania e Shqipëria. Dua të përgëzoj autorin Sejfullah Sejfullahu, për kujdesin që ka treguar në trajtimin e ngjarjeve e personazheve. Romani është një gjini letrare që ndoshta bazohet në fakte e ngjarje reale, por lejon edhe fantazi e ilustrime artistike ngjarjesh e personazhesh. Autori ka trajtuar me elegancë e durim tematikën e tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, temë për të cilën, kombi shqiptar ka marrë vlerësim maksimal edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Në roman, kjo temë paraqitet nëpërmjet dialogut të Ben amerikanit, me Resul talebanin. Inspiruar nga teza, të gabosh është njerëzore, të falësh është hyjnore, autori guxon dhe e cek në romanin e tij këtë tezë nëpërmjet ushtarit serb që iu dorëzua shqiptarëve. Dikush mund të pyes, pse. Pse e bën autori ynë këtë?
Miranda Javori thotë se: - Gabimi do të ishte më mirë sikur të mos ekzistonte fare, por kjo gjë është e pamundur. Gabimi lind nga vetë jeta që ne e jetojmë, një jetë e cila është plot e përplot e mbushur me vaj që nga dita kur ti linde e deri në momentin kur ti të vdesësh. Gabimi yt ndoshta ka vrarë shumë njerëz, ka mbjellë shumë urrejtje, dhe plagën shpirtërore që ka krijuar gabimi yt, mund ta shuaj vetëm dashuria e madhe e atij që të fal.
Dashuria e madhe e atij që të fal! Sa bukur tingëllon kjo fjali!
E pikërisht nga kjo fjali, arrijmë në konkluzionin, se populli i Krushës, dhe populli i gjithë Kosovës, është popull që ka në zemër dashuri hyjnore. Është popull që di ta ndajë të fajshmin dhe të pafajshmin, viktimën nga krimineli. E në romanin tonë, ushtari i ri serb, është viktimë e politikës ekspansioniste serbe, por shqiptari di të fal, sepse beson në Zot. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ende nuk ka marrë përgjigje pyetja, nëse Zoti është mysliman, apo i krishterë.
Ajo që e bën të veçantë këtë vepër letrare, për të cilën e komplimentoj pa rezervë autorin Sejfullah Sejfullahu, është autoironia dhe satira e përdorur nga personazhet, ndoshta në momentet më tragjike dhe ekzistenciale të jetës së tyre.
E krejt në fund, nga renditja, por jo për nga rëndësia, dua të them se në këtë roman, autori ka përjetësuar kontributin e pupullit të kësaj krahine në luftën për liri e pavarësi të Kosovës, rezistencën e pashoqe ndaj masakrave, vrasjeve, dhunimeve e gjenocidit serb. Përjetësimin e kontributit të pamohueshëm të aleatit më të madh të shqiptarëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Preferova të ndalem në disa nga tematikat që prek ky roman, pasi dua që kënaqësinë e detajeve më të cilat janë përshkruar ngjarjet dhe personazhet, t`ia lë lexuesit.
Lola Shehi
Tiranë, 2024
Comments