Vështrim mbi librin “Vdekja e një nate” i poetit dëshmor Dr. Fahredin Hoti


Leonora Lokaj

U rreka të lexoja diçka mes librave me poezi të poetëve që i kisha në disponim në këtë kohë të mbylljes nga kjo pandemi globale. Ndoshta për ta ushqyer shpirtin dhe për t’u larguar sadopak nga përditshmëria e zymtë. Rastësisht me ranë në sy tri libra me kopërtina të kuqe, te cilat ditë më parë sa për estetikë i kisha radhitur afër njëra-tjetrës, duke filluar nga antologjia “Poezia spanjolle e shek. XX”, “Antologjia e poezisë shqipe e shek. XX” si dhe libri me poezi “ Vdekja e një nate” e Dr. Fahredin Hoti.Cila është ajo pranverë që nuk na kujton dëshmorët dhe sakrificat e vendit tonë?

Kush me shumë se vargu i një poeti dëshmor meritonte t’i kushtohej kohë në këtë stinë?!

Si për çudi, duke njohur sipërfaqësisht kontributin e familjes Hoti, nisa ta lexoja biografinë e poetit, duke filluar nga shkollimi, ngitja në karrierë si studiues i mjekësisë, pastaj si i specializuar në gjinekologji, kontributin e tij në kuadër të shumë shoqatave humanitare në mbrojtjen e shëndetit të nënave dhe fëmijëve të Kosovës gjatë viteve të ’90-ta, kontributin në arsim dhe me theks të veçantë kontributin që e dha në luftën e fundit në vendin tonë.

Dr. Fahredin Hotit, nuk i kishte mjaftuar shtëpia e tij në Krushë të Madhe, e shndërruar në spital ku kuroheshin pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por kishte improvizuar edhe një spital fushor në Kodrën e Krushës, që t’u dilte në ndihmë edhe të sëmurëve nga zonat e tjera, ku kryente operacione kirurgjike për te plagosurit në luftë.

Në një përpjekje për t’i ndihmuar të strehuarit në mal, një predhë e ushtrisë serbo-çetnike, i plagos të birin e tij 12 vjeçar, Kreshnik Hotin. Edhe përkundër dhimbjes së një babai ndaj të birit, për asnjë moment nuk u ndal, duke kuruar edhe të tjerët, derisa plagoset edhe vet nga snajperistët serb. Mjeku që kuroj qindra ushtare dhe civil në lufte, ndërron jetë bashkë më të birin duke kuruar plagët e veta.

Ky ishte mjeku.që la gjurmë të pashlyera në historinë e vendit të vet. Ndaj, sikur të mos i mjaftonte familjes Hoti kjo ngjarje e rëndë edhe babai i Dr. Fahredin Hotit, vdes nga maltretimet e shumta që i bëhen nga hordhitë serbe. Ky ishte fati i familjes Hoti, si shumë të tilla në Krushën e përgjakur, që sakrifikoj tre breza për lirën e vendit.

Pas një pushimi të vogël, kapluar nga vorbulla e emocioneve dhe drithërimë zemre, vazhdova ta lexoj librin. Them të drejtën, e rilexova disa herë dhe nga dëshira e madhe t’i ndaj mbresat e kësaj përmbledhje me poezi me dashamirët e artit letrar, duke kërkuar ndjesë për lëshimet eventuale, vendosa ta publikoj një vështrim për librin “Vdekja e një nate” e poetit dëshmor Dr. Fahredin Hoti.

Ky libër përmban poezi të viteve të ’70 dhe ’80 te shekullit të kaluar, të shquara për nga vlerat artistike dhe temat e atdhedashurisë, preokupimeve të atëhershme të shprehura mjaftë mirë përmes lirikave tejet moderne për kohën.

Kjo përmbledhje më poezi, përbëhet nga tri akte si: “Këngët e dashurisë së shpirtit”, “Ëndrrat që nuk përfundojnë” dhe “Pishtarët e fatit tim”, që përmbajnë poezi me refleksione poetike për të gjithë lexuesit, në të cilat dominon një varg modern ku determinohen motivet atdhetare, sociale por edhe ato të dashurisë, të stisura si është më së miri përmes simboleve.

Lirisht mund të themi se vargu i poetit dëshmor Dr. Fahredin Hoti, është i hartuar më një mjeshtri të veçantë që do t’i rezistoj gjatë kohës dhe do të jetë njëra ndër vlerat kombëtare që ka letërsia, trashëgim për brezat që vijnë pas.

Në secilin varg të poetit Dr. Fahredin Hotit, del në pah një dashuri e madhe, më e madhe se vet jeta. Ishte kjo, pikërisht dashuria ndaj atdheut, Dukagjinit, Drinit të Bardhë, fushave, maleve e korijeve të Krushës së Madhe, vendlindjes së vet poetit dëshmor. Jo rrallëherë, poetët përmes vargjeve ju paraprijnë shume proceseve nëpër të cilat kalojnë vendet e tyre, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me poetet shqiptarë brez pas brezi që i kanë thurur vargjet më të bukura për lirinë, marrë parasysh faktin që vendi ynë gjithmonë ka qenë kafshatë lakmie për pushtues të ndryshëm. Ishin pikërisht shkrimtarët ata që ngjallnin shpirtin revolucionar të kombit për luftën ndaj robërisë. I njëjti fenomen haset edhe të vargjet e poetit Hoti, me ç'rast në poezinë “ Do t’i këndoj” shprehet:

“Do t’ju këndoj shpresave

ndjenjave që ushqejnë shpirtin

nëpër kohërat e përgjakura

bartin në gjoks shenjën e lirisë…”

Vargjet e poetit Hoti, në njërën anë shprehin bindjen e poetit në rriten e rinisë, e cila e rritur nën robëri mund te ishte një grusht i fuqishëm për triumfin e vendit dhe në anën tjetër ishin një lloj kushtrimi për liri ashtu siç edhe e hasim këtë porosi të poezia “Rini”:

“Rini e dhembjeve të gjata

nëpër breza kohërash të egra

*** *** *** ***

rinove jetën në errësirën e djajve”.

Edhe tema e dashurisë është e spikatur në vargun e poetit dëshmor Dr.Fahredin Hoti, madje shumë mirë përmes simbolikave kishte bërë përshkrimin e një aktualiteti të atëhershëm, kur rinia e imponuar nga rrethanat e kohës, shpeshherë harronte dashurinë duke u përpjekur vetëm për proceset politike e atdhetare për vendin, ashtu siç edhe shprehet në poezinë “Shkrova”:

"Atë natë kur ndjenjën ma vodhën

dashuria mbeti e pikëlluar

*** *** *** ***

Prita këngën e mëngjesit

yjet t’i zgjoj nga heshtja".

Në këtë përmbledhje poezish, gërshetohen ngjyrimet e një realiteti të dhimbshëm për kombin në vitet e vështira të robërisë me një tablo poetike me plot simbolika. Nën ritmin e vargut të lirë poeti dëshmor Dr. Fahredin Hoti, paraqet edhe shpirtin luftarak dhe ëndrrën e pa tjetërsuar për liri ashtu siç shprehet edhe në poezinë “Shpresojmë”:

“Në udhën time te madhe

me fate të ndrydhura

kërkoj një shkëndijë drite”.

Në këtë libër poeti dëshmor, pasqyron para lexuesit një identitet të veçantë krijues duke sjell dimensione të reja frymëzimesh për rrethanat e kohës dhe vargu i tij si një brum i ardhur mirë, përmbushë poetikën tonë me prurje të reja, të cilat edhe pse kanë dal vonë në dritë përmes këtij botimi, do të mbeten një thesar i çmuar në fonotekën e letërsisë kombëtare.

Dr. Fahredin Hotin, nuk do ta njohin brezat e ardhshëm veç si dëshmor kombi, që dha shumë kontribut dhe u flijua për lirinë e këtij vendi, por edhe si një humanist i cili me profesionin e tij prej mjeku i doli në ndihme secilit bashkëkombës edhe në kohërat më të vështira të luftës. Kësaj mori veprimtarish do i shtohet edhe kontributi i dhënë në artin letrar përmes përmbledhjes me poezi “Vdekja e një nate”, përmes së cilave vargje, mbi të gjitha brezat do të mësojnë se si duhet atdheu.

Pse

Pse

para se të ves

ëndrrat me shfaqen në shpirt?

Pse

shpresat e mia këmbët m’i lidhin

e gjakun ma pengon në damar?

Pse

kënga e zogjve është kaq e zbehtë

e dielli ka aq pak ngrohtësi?

Pse

lumenjtë janë kaq të qetë

edhe kur ushujzat pijnë lëngun e tyre?

Pse

nuk ndjejë tingullimën e vdekjes

edhe kur laku sillet rreth qafës?

32 views

Shkrimet e fundit