VËRTET E VËRTETA ËSHTË NJË POR "BABALËT(¹)" KUNDËR SAJ JANË SHUMË


Fahri Dahri

I

a)Tronditja e së vërtetës brenda shoqërisë

E vërteta është një, për kundër saj krijohen shumë mashtrime, gënjeshtra dhe shpifje. Janë pikërisht këto “korba”, “nepërka” që vërtiten rreth saj, por dhe që e bëjnë të kuptohet e vërteta

Në të gjitha kohërat njerëzimi ka bërë dhe bën cilësime si: Lashtësia, Mesjeta dhe Koha moderne. Nëse tregojme pak vemendje do të dallojmë se këto përcaktime përshtaten edhe me moshat e njeriut. Në lashtësi, ashtu dhe në mesjetë, njerëzimi nuk përballej me vështirësira me të cilat ndeshet në kohën e sotme moderne. Nuk do shtjellohen specifikat e vështirësive, sepse janë të shumta dhe tepër të ndryshme, si dhe të pa mundshme për tu përsëritur, si fjala vjen skllaveria, apo roli parësor i kuajve në mesjetë. Të dy këta elemente edhe në Mesjetë kanë qenë forca më e madhe e punës e përdorur dhe që prej tyre është zhvilluar gjithçka. Ndërsa në kohën moderne forcat kryesore të punës kryesisht janë teknologjitë gjithëpërfshirëse.

Njerëzimi në kohën moderne përballet me ngarkesa mendore shumë herë më të thella dhe me përgjegjësira të një niveli që shpien deri në shkatërrimin e gjithë jetës në Tokë. Nëse kohën njerëzimi e ka ndarë në periudha historike, siç u theksua, edhe vetë moshat e njeriut i ka ndarë në periudha, si: adoleshenca, mosha e pjekurisë, mosha aktive e jetës dhe mosha e tretë. Po ti vrojtojmë me kujdes këto dy shembuj apo fenomene, na rezulton se pavarësisht nga dukja të ndryshme, ato janë të njëjta dhe brenda së tërës, pra të vetë jetës, kohës. Kalimi nga një periudhë historike e kohës në një tjetër, të cilat dallojnë dhe kanë zhvillimet specifike të tyre, kështu ndodh edhe me moshat e njeriut, të cilat dallojnë dhe kanë zhvillimet specifike të tyre.

Le të ndalermi në fazat e moshave të njeriut. Së pari rezulton se në të shumtën e rasteve, moshat më të spikatura në fushën e mendimeve të vyera për njerëzimin si në shkencë, filozofi, shpikje, në urtësi, vrejmë se frekuencat më të shpeshta i përkasin njerëzve të moshave 50 vjet e lart, pa injoruar njerëzit me mosha më të reja me mendje të ndritura, talentet dhe gjenitë. Realiteti duhet njohur dhe shpallur se sa më shumë të jetohet mbi të pesëdhjetat, tek njerëzit intelektualë, përvojat e hasura në jetën e tyre, po nëpërmjet tyre mbeten të “gjalla” për breznitë, kjo sepse ata i përpunojnë, i glorifikojnë, duke ja “dhuruar” shoqërisë si teza të plota për ti përdorur sipas rasteve që jeta u a sjell.

Personalisht kam kaluar një jetë ku për fatin tim të mirë apo jo, kam kaluar përvoja të shumta, kjo edhe jetëgjatësia normale që përkon me treguesit statistikor të kufijve brenda të mundshmes së jetës tek njerëzit. Ky fakt më ka bindur se për të zbuluar të vërtetat, në çdo fushë jete, që siç dihet kundër saj janë ngritur institucione të niveleve të ndryshme për ta penguar dhe për të mos dalë në shesh, siç janë disa nga institucionet fetare, shtetërore, politike, shoqërore, mediat, etj. Me pak vemendje, kujdes dhe llogjikë të freskët, arrihet të zbulohen pikërisht tek shumimi i kundërvënieve që i bëhet një të vërtete.

Nga përvoja, lidhur me të kuptuarit e kësaj gjetjeje, shembujt janë të pranishme edhe në shoqërinë tonë ku aktualisht ndeshemi me kundërvëniet në të gjitha rastet kur vendoset për tu goditur një e keqe apo shumë të tilla. Në këto raste hidhen “batare” veprimesh dhe mos veprimesh që ta pengojnë një të vërtetë. Sa shumë kohë është humbur për të gjetur ”medikamentin” e luftimit të korrupsionit, që është një e vërtetë, por ja që janë përdorur dhe përdoren metoda dhe mënyra të ndryshme që ai të mos luftohet. Njëra prej metodave për të mos u luftuar, përdoret pikërisht metoda e falsitetit të zërave të shumtë duke u çjerrë :”Të luftohet korrupsioni”.

Nuk mendoj se dikush nuk e di që korrupsioni nuk është objekt, send që të vritet, të burgoset apo të luftohet, por të angazhuarit për ta luftuar nuk është gjë tjetër veçse një mashtrim, gënjeshtër, të cilat u vlejnë "brohoritësve" pikërisht për të vrarë të vërtetën. Krimi nuk gjendet as në ajër dhe as në Tokë, ai gjendet dhe luftohet tek njeriu, personi, individi apo grupnjerëzit që vjedhin, mashtrojnë, gënjejnë si me ligje dhe me paligje. E vërteta për luftimin e krimit gjendet tek personat, organizatat, apo grupime njerëzish. Nuk bëhet luftë kundër krimit, por kundë kriminelit, kriminelëve, organizatave kriminale, është qëllimi i tyre që kamuflojnë duke gënjyer, mashtruar, duke thurur lloj - lloj manovrimesh me thirrjet "Të luftohet Krimi". E vërteta është një, dhe gjendet tek lufta kundër ktiminelit/krimineleve kudo dhe kushdo që të jenë.

Rast tjetër që i vërsulet të vërtetës e shohim tek Reformat, tek ajo e drejtësisë dhe Zgjedhorja. Të gjitha palët politike bëjnë be e rrufe për t'i përfunduar sa më parë ato, kundërshtojnë dhe akuzojnë njëra tjetrën radhazi si në kohë dhe në vende të shumta foltoresh. Në të vërtetë manovrohet që Reformat të pengohen dhe të shtyhen sa më shumë. Shoqëria në tërësinë e saj, miopiset (verbohet dhe shurdhohet) mbas debateve dhe kundërshtive, qoftë me tone të ulta, të larta dhe të ashpra, beson se politika dhe ligjëvënësit po merren seriozisht me reformat, kur e vërteta është se nuk merren për të përfunduar reformat por përdorin kundërshtitë ndaj njëra tjetrës për të penguar të vërtetën.         Si konkluzion gjykoj se për të mos humbur shumë kohë për ti dhënë gjetjen dhe vendin të së vërtetës, duhet ti përmbahemi përkufizimit që na jep përvoja e viteve të moshave të treta:“E vërteta është një, kundër saj thurren shumë mashtrime, gënjeshtra dhe shpifje. Janë pikërisht këto veprime që vërtiten qëllimshëm ndaj saj, por me një analizë të thellë, rezulton se sa më të shumta të jenë mashtrimet, gënjeshtrat dhe shpifjet kundër së vërtetës, aq më qartë shkëlqen e vërteta. Kështu krijohet raporti i zhdrejtë në favor të së vërtetës që është një”.

Seriozisht nuk e kam menduar se me shekullin e ri do të kishte tjetërsim në tërësinë e veprimeve dhe mos veprimeve të shoqërisë njerëzore. Një zhvillim me kahje jo fort të pëlqyer po pushton të gjitha qelizat e saj. Jo që nuk është e nevojshme për tu ndalur tek tjetësimet, sepse janë tepër të dukshme me praninë e tyre kudo, por ndjehet nevojë e domosdoshmëri e shoqërisë që nëpërmjet institucioneve përkatëse të shqyrtojë me shumë kujdes e maturi taktikat dhe strategjinë mbi të cilën duhet të drejtohet zhvillimi shoqëror në tërësinë e tij. Për këtë duhen njohur dhe përpunuar të gjitha kulturat e popujve, qofshin të perëndimit apo të lindjes, traditat e tyre, besimeve fetare, për të konkluduar në të mesmen e artë, doemos në përshtatje me klimën, dhe vend ndodhjet gjeografike.

Të qenurit e njeriut i sinqertë kërkon që ashtu siç tregohesh në dukje duhet të jetë edhe përbrenda; ndjenjat, sjelljet, veset, karakteri që shfaqesh nga përbrenda të mos përgënjeshtrojë atë që duket nga jashtë. E kundërta e sinqeritetit dihet, është gënjeshtra, ajo ndjell dhe mundohet të sjellë pengesa dhe errësirë për të “mbytur” të vërtetën, krijon mjedis të sikletshëm deri në mos besim tek të interesuarit, apo tek e gjithë shoqëria.

Aktualisht, kur mjetet e informimit, të njohjes me gjithçka na rrethon, qoftë nëpërmjet internetit, mediave, lëvizjeve të lira, transportit të llojeve të shumta dhe të shpejta, kanë krijuar ngritje të theksuar në zhvillimin mendor tek njerëzimi, të thëna ndryshe “Bota është bërë më e vogël” dhe si e tillë favorizohemi për të zgjedhur dhe marrë më të mirat prej saj.

Le të ndalemi me disa shqetësime që autorë të ndryshëm shfaqin mendimet e tyre lidhur me kulturat sipas popujve dhe vendeve të ndryshme:

● Në internet tek faqja “Forumi-Al”:

- Degjenerimi masiv që vjen nga Perëndimi. Dhe që ka 30 vite që promovohet edhe këtu. Nuk është thjeshtë lajm, ky është promovim. Promovojnë kurvërinë e hapur tek femrat dhe thërrmimin e çdo lloj norme në shoqëri. Kjo vjen nga Britania, ku shumë vajza shqiptare shkojnë për studim dhe studiohen mirë, Britania që merret si shembull për tu ndjek.

Ç’farë mendimi keni ju o forumistë?. Drejt kësaj rruge duhet shkuar? Top channel. Njihemi me disa nga mendimet:

“Vajzat e reja që bëjnë marrëveshe me burra të pasur, me të cilët ruajnë lidhje seksuale në këmbim të një pagese mujore, sa vjen e po rritet në Britani. Rreth 500 mijë studente zgjedhin këtë rrugë të shkurtër për të përballuar faturat”.         - Një 18-vjeçare ka thënë për BBC se ajo ka shtatë burra të tillë, të pasur, prej të cilëve merr rreth 22 mijë euro në muaj. Ajo është studente në një shkollë mode, dhe thotë se shumica e të pasurve me të cilët ka marrëveshje janë mbi 40 vjeç. “Nuk dal dot me djem të moshës sime”, thtoë ajo. “Ata e kanë mendjen të rrinë mbyllur në shtëpi e të luajnë video-lojëra me futboll”.

- ”Përgjigje e: Degjenrimi masiv që vjen nga Perëndimi.         “Ky fenomen po ndodh kudo në botë dhe jo vetëm në Shqipëri. Kjo ndodh sepse përveç kërkesave të larta që kërkon shoqëria kapitaliste, sot ato skanë as minimumin për të studiuar e punuar në të njëjtën kohë. Këto janë fenomene që politikat duhet të ndryshojnë patjetër”.

U ndalëm në një nga aspektet e jetës, por lexuesi mund të ndalojë dhe të gjykojë për plot të tilla që na shfaqen në jetën e përditshme, të cilat edhe nëse nuk dëshirojmë të merremi me ’to, na i sjell me bollëk politika, mediat e të gjitha llojeve, shtypi i ditës, marrëdhëniet në qendrat e punësimit, ambjentet e zyrave në institucionet shtetërore dhe jo shtetërore, në shkolla, tek institucionet që predikojnë besimet fetare.

Shkurt 2020. Fahri Dahri

Vijon

25 views

Shkrimet e fundit