VËRSNIK ME LISIN
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Aug 9, 2023
- 1 min read

VËRSNIK ME LISIN
Lapsin ma thyen, morën fletën
Goja u mbyll me çelës burgu
Sa gjatë kërkuan, po nuk gjetën
Se ç’fshihte brenda heshtjes murgu!
Çekiç e daltë s’më lanë t’i mbaja
Të gdhendja gurin, siç gdhend fjalën
(Në ëndërr ngjitesha në maja
Prisja më kot, si bregu valën!)
Të bëhem mjek, dhimbja më nxiu
I thonja vetes dhe vrapoja
Mbi rafte librash syri mbiu
Më jepnin dritën që kërkoja
Jo, jo-më thanë, bujqit na duhen
Dhe doemos, barinj për tufën
E djeshmja sot me fjalë nuk thuhet
Veç unë e di si nxirrja bukën!
Dhe shkova larg, në një korije
Në trung të lisit emrin shkrova
E sot i thinjur rri nën hije
Lisi më mban siç dëshiroja!
Kurvelesh, Gusht 2016
Comentários