(Pjesa II)
Ndryshe nga çdo popull çamëve nuk i u lejua ta flisnin dhe ta shkruanin dialektin (gjuhën) e tyre, po ashtu nga kushtet izoluese nuk u futën fjalë të reja që i përshtateshin zhvillimit shoqëror të kohës apo të njihej nga të huajt e shumtë që vizitonin ballkanin në kohërat e pushtimeve perandorake. Është e nevojshme që të parashtroj, nëpërmjet disa referimeve, mendime apo arritje të disa intelektualëve shqiptarë dhe të huaj, lidhur me temën tonë.
Shkrimtari Gjokë Dabaj në shkrimin me titull: “Folklori ynë, një mrekulli shpirtqetësuese”, trajton me shqetësim të drejtë problemin e “hallakatjes” së etnisë shqiptare, që në kohë ekziston prej 100 vitesh dhe në hapësirë shtrihet në të 78,000 km² e Shqipërisë natyrore (etnike). Për këtë shqetësim mbarë shqiptarë, kolegu ynë Dabaj shtron pyetjen?: “Ç’do të bëjmë këndej e tutje për t’i mbrojtur këto pjesë të Atdheut tonë?! Akademitë tona thujse janë shuar! I ka shkelur putra e ariut dhe mezi u dëgjohet herë pas here nga një gërhimë përmes këlbazës që ua ka zënë fytin!
Gazetat tona, që janë me dhjetëra, shkruhen e dalin ditë për ditë nëpër kioska, por për çfarë shkruhet nëpër ato gazeta?! Sa herë përmenden Kombi dhe Atdheu nëpër ato gazeta?! Vrasje, vdekje në përplasje makinash, ulurima kundër korrupsionit pa ua shkulur të korruptuarve as edhe një fije floku, “mençuri” shterpë, gjinj femrash, këmbë lakuriqe femrash, reklama që s’i lexon askush! Këto janë gazetat shqiptare të kohës sonë, të cilat, në ndonjë rast, edhe mund të kenë tituj “kombëtarë”, por që, për ç’i duhet Kombit, ose nuk i shkruajnë, ose belbëzojnë, ose i shkruajnë së prapthi”.
Vendndodhjen e rajonit të Çamërisë, veç shumë shkrimeve na e paraqet edhe shkrimtari grek Taso Vurkasi: “Është një vend sa një grusht dhé, i mbuluar me shkëmbinj, hone e burime të ftohtë. Njerëzit që banojnë në këto vende ngjajnë shumë me tokat e tyre, janë të ashpër, të veshur hollë dhe hije rëndë”.
Në mbrojtje të etnisë shqiptare të banorëve autoktonë të Çamërisë, kundrejt marrëzisë greko-turke të Lozanës (viti 1923), patrioti çam, Ali bej Dino(¹), më 07/qershor/1924, i drejtohej Komisiomit miks në Athinë me një letër në përpjekje për të vërtetuar se çamët janë racë shqiptare, me banim në vendin e tyre autokon. Në letrën e tij midis të tjerash shkruan: “Të gjithë banorët e Çamërisë flasin shqip. Ka burra që flasin greqisht e turqisht dhe këto i flasin jo saktësisht, për arësye të nevojës për të kominikuar me autoritetet, apo me oficerët gjatë shërbimit ushtarak. Përkundrazi, vijoiai, e pohoj në mënyrën më të prerë se gratë dhe fëmijët flasin dhe njohin vetëm shqipen, asnjë fjalë turqisht apo greqisht”.
Thesprotët (çamët) kanë traditat, racën, të folurën e tyre dhe territorin historikisht dhe gjeografikisht të përcaktuar fort mirë dhe të njohur që nga pellazgjia. Gjuha që flasin çamët është gjuha e vjetër shqipe, por sot ka marrë formën e një dialekti me disa të veçanta në krahasim me shqipen e sotme, ajo ruan dhe sjell freskinë e rrënjëve të pellazgjishtes.
Duke lexuar Eqrem Çabejn në shkrimin: “Ilirishtja dhe shqipja”, tërheq vemendjen konstatimi që ai shpreh se fjalët “thalassa” dhe “ochtë” nuk kuptohen me të folurën e greqishtes. Kur të dyja këto fjalë kanë përdorim të gjërë në dialektin Çam dhe që fjala e parë nënkupton detin (thellësinë) dhe e dyta nënkupton anë lumi, anë kanali. Po kështu kemi edhe fjalën “hals”, që nënkupton ujin e kripur. Për fjalën shqipe e “hidhur”, çamët përdorin fjalën “llojq”. Të tilla fjalë kemi edhe fjalën “mënd”, që ka kuptimin e dhënies gji fëmijës nga nëna ose mëndëresha.
Në dialektin çam vazhdojnë të përdoren shkronjat e pa evoluara, duke ruajtur formën e tyre të lashtësisë, të gjuhës së vjetër shqipe, e cila na bëhet e njohur nga disa shkrime të shkruara gjatë shekullit të XVI, që i hasim tek Gjon Buzuku, Matranga, tek “Kanuni i Lekë Dukagjimit”, etj.
Le të njihemi me disa nga këto shkronja që nuk kanë kapërcyer evolimin, me zëvendësimin e tyre që përdoren sot në gjuhën shqipe:
Shkronja “L”, në shqipen e sotme është zevendësuar me shkronjën “J”, shembuj: gluri/gjuri; gli/gji; glatë/gjatë; glim/gjëmb; gluhë/gjuhë; klaj, klajnë/qaj, qajnë; klumësht/qumësht; ulk/ujk; alkë/ajkë (ajka e qumështit); bulk/bujk; val/vaj (val ulliri); fal,faltor/faj, fajtor, etj.
Shkronja “Ç”, në shqipen e sotme në disa fjalë është zëvëndësuar me shkronjë “Sh”, shembull: raçë/rashë; u vraçë/u vrashë; u greçë/u ngrita; paç/pashë; laçë/lashë; do shkoçë/do shkoshë; kleçë/Isha, qeshë); etj.
Të veçanta hasim edhe tek bashkëtingëlloret, të cilat në dialektin çam nuk kanë përdorimin e gjuhës së sotme shqipe: Shkronjat “k” apo “g”, në gjuhën e sotme shqipe janë zevendësuar me bashkëtingëlloren “ng”, shembuj: kadalë/ngadalë; gas/ngas; grej/ngrej; garkoj/ngarkoj; daj/ndaj; baj/mbaj; ka/nga (ka do shkoç/nga do shkojsh); ka je?/nga je?; glan/ngjan; gushtë/ngushtë; zgledhur/zgjedhur; daloj/ndaloj; zglatur/zgjatur; bërthe/mbërthe; zbërthe/zmbërthe, etj.
Rastet kur nuk përdoren zanore apo bashkëtingëllore, shembuj: klloj/kulloj; droj/duroj; dhroj/dhuroj; kllot/kullot, kallm/kallam; klloshtër/kulloshtër; këmë/këmbë; kutu/këtu, etj. Në të shumtat e rasteve para fjalëve nuk përdoren dy bashkëtingëllore, shembuj: bush/mbush; baj/mbaj; bill/mbyll; bledh/mbledh; bjell/mbjell; bille/mbylle; bit-bite/mbyt-mbyte; mik/myk, etj.
Në disa folje shkronja “n”, ka evoluar në “h”, shembuj: punonej/punohej; dashuronej/dashurohej; zemronej/zemrohej; gëzonej/gëzohej; hidhëronej/ hidhërohej; veçonej/veçohej; ndërtonej/ndërtohej; veçonej/veçohej; kujtonej/ kujtohej; takonemi/takohemi; etj.
Veçori ndodhen edhe në shumë fjalë të përafërta si për shembull: zdrigju/zbrit; zglidh/zgjidh; zglat/zgjat (u zglat/u zgjat); zgjur/ndryshk; ognazë/unazë; turjelë/tryelë; xathur/zbathur; xhveshur/zhveshur; xhurape/çorape; glajnë, glan/ngjajnë, ngjan; fendihe/bizë; grihe/limë.
Zanora “Y” nuk përdoret në asnjë rast, ajo shprehet sipas rasteve në dy zanore “i” dhe “u”, për shembull: pill/pyll; burek/byrek; lip/lyp; Bardhul/Bardhyl; Avdul/Avdyl ose Abdyl; kriq/kryq; në numurat: di/dy.
Tek numurat bashkëtingëllorja “l” është zevendësuar me shkronjën “J”, shembull: një milë/një mijë; dimilë/dymijë;qilim/qylim; il-ilër/yll-yje; inë/ynë (vendi inë/ynë); shutë/shytë (dele shutë/shytë-pa brirë); Dimale/dymale; etj.
Ndeshemi edhe me raste kur fjala ndërtohet mbi bazën e rrënjës, shembull: nga fjala glim (gjemb) rrjedh fjala gëlpova (kur hyn gjembi në ndonjë pjesë trupi; ose rasti kur nuk përdoret fjala “pickoj”, por në vend të saj thuhet “gëlpoj”, shembull: më gëlpoj areza/më pickoj grenxa; potis/ujis; etj.
Në të folurën e çamërishtes ndeshemi edhe me fjalë të vjetra që nuk përdoren në gjuhën e sotme shqipe, shembuj: mjalcë/bletë; stromë/dyshek; papllomë/jorgan; portopullë/deriçkë; kaciq/keç; pullaqidhë/kalastre; qipollondër/gargull-zogj që bëjnë foletë (vrima) në anët e lumenjve; dhrangule/nepërkë/; pisë/errësirë; karakaçe/laraskë; korthë/kore-buke; uthulla me val/ylberi; tabije, tabje/ mendje, vepër, shembull: ç’mëndje më ke?!, ose ç’farë vepre ke bërë; lipsu, ka lipsur/ik, largohu, është larguar; haset/inat, zili; hasha/nuk e pranoj, nuk e kam thënë ashtu; hajdhepsur/përkëdhel (ose lejmonisur); honeps/pranoj, duroj- ose nuk e honeps/nuk e duroj dot; gjalmë/fije peri;etj.
Të folurën me dialektin e Çamërishtes e kam trajtuar tek libri “Vatani Flet” edhe me një “fjalorth”, botim i shtëpisë botuese “Koha”-Tiranë viti 2000.
Nuk duhe të anashkalohen edhe disa fjalë të veçanta, që në gjuhën e sotme shqipe janë po thuaj të pa përdorshme, po thuaj të “harruara”, por që kur rrallë herë ndeshemi me ’to, pa u menduar thuhet: “janë fjalë të huaja”, kur ato janë fjalë të vjetra të gjuhës tonë. Shembuj: Në dialektin çam, rrugicave u thuhet “dhrom-e”. Në rastet e përdorimit të kësaj fjale me bashkëbisedues, me një herë deklarojnë se fjala “dhrom” është fjalë greqisht. Po, edhe në greqisht është fjala “dhrom”, por ata i thonë “δρομάκι-dromáki”. Ne i themi “dhrom”, pa prapa shtesë, grekët i vendosin prapashtesë, rrënja tregon se është e fjalës së vjetër shqipe.
Në shkrimin e z. Kolë Tahiri, të datës 16/mars/2020 me titull: "Grija e Tropojës, model edhe i harmonisë fetare", botuar në “Zemra shqiptare”, shkruhej se në territorin e atij fshati kalonte një nga rrugët, arterie kryesore që lidhte fshatrat e krahnat e largëta të cilat tregëtinë e bënin në Gjakovë, Prizren, etj. Rruga quhej drumi i madh i fisit…. Drumi i dynjasë. (Dhrom/Drum). Fjala "dhrom", e përdorur" nga banorët më jugor të territoreve shqiptare; fjala "Drum", e përdorur nga shqiptarët më veriorë, është fjalë që i përket gjuhës shqipe.
Raste të tilla pretendimesh, që realisht përdoren për të fallsifikuar historinë e popujve edhe nëpërmjet vjedhjes së gjuhës, kanë qenë dhe janë të shumta. Fjala "proto", përdoret gjërësisht në dialektin çam, shembuj: proto jenë (fëmija i parë), protare, proto do shkoj tek filani/në fillim do shkoj tek filani). Fjala “Potame” në të folurën çame përdoret normalisht që kuptohen fushat në anë të lumenjëve, por pretendohet se është fjalë e gjuhës greke.
Në thellim të gjykimt të kësaj fjale, ndeshemi se fjala “potam” është përdorur edhe në Azinë e Vogël, ku thuhet “Mesopotamia”, pra kuptohet hapësira, tokë mes dy lumenjëve -Tigër dhe Eufrat, po ashtu në Sarandë kemi fshatin me emër “Mesopotam”, pra tokë mes dy lumenjëve -Pavël dhe Bistricë; fushat në afërsi të lumit, çamët i quajnë potame/ lumëla, ndërsa në greqisht quhen ”Ποταμιάς - Potamiás”, ka afërsi të fjalës, por nuk vërtetohet si e gjuhës greke, përkundrazi është fjalë e vjetër e përdorur nga disa gjuhë, etj.
Edhe Prof. Arif Mati në lidhje me këtë temë ka konkluduar se thesprotët janë pasardhësit e drejtëpërdrejtë të pellazgëve: “…Në testamentin e vjetër gjëndet fjala shqipe “Urim”. Hebrenjtë i kanë marrë disa fjalë Filistine, pa u bërë merak për kuptimin që kishin këto fjalë tek ata, Filistinët. (Filistinë janë quajtur nga hebrenjtë Peleshtët pellazgë, të cilët për ne janë me origjinë nga Thesprotia)”
Arkeologjia si shkencë që studion qytetërimet, kulturat njerëzore të së shkuarës,lidhjet e tyre me mjedisin rrethues, nëpërmjet shqyrtimit të gjurmëve lëndore, mbetjeve biologjike dhe njerëzore dhe që e shtrin veprimtarinë kërkimore-shkencore në tokë, në nëntokë dhe nënujra, edhe kërkimet shkencore në gjuhësi le të shembëllehen me ’të, duke u quajtur “lënda gjuhësore-arkeologjike”.
Trajtesa në fjalë është modeste, por synimi i saj është pretendim, nxitje për të nxjerrë nga errësira thesaret e fshehta që, historianë, gjeografë, gjuhëtarë, të ndryshëm vendas dhe të huaj, kanë bërë operacione të thella në drejtim të “vdekjes së gjuhës së vjetër shqipe”. Gjithashtu dëshiroj të kuptohet si një apel dhe thirrje e zërave paraardhës për të realizuar rivendosjen e identitetit gjuhësor pellazgo-iliro-epirot në vendin e merituar.
Një program i mirëfilltë shkencor, kërkon zgjimin e Akademisë së shkencave, institucioneve shtetërore studimore përkatëse, atyre jo shtetërore, albanologëve dhe intelektualëve të fushës. Nga trajtimet në shkrimet e derisotme, të këtyre temave, dhe që më është dhënë mundësia për tu njohur, do të preferoja të angazhohen intelektualë me “emër të mirë”, të cilësuar si:“Studiues i mirë është ai që punët kërkimore-shkencore i kryen me vullnet dhe këmbengulje mbi baza shkencore, ndërsa arritjet i dedikon në dobi të njerëzimit, larg egos, vartësive dhe tregut”.
Çamëria ekziston historikisht dhe gjeografikisht; ndodhet ngjitur me kufirin jugor të Republikës së Shqipërisë, por për banorët autoktonë të saj, ajo prej 76 vitesh nuk është e dukshme, është në lëngim, “gjenocidvirusi-44” e ka pushtuar, na “vret” nëse i afrohemi!.
Mbas gjithë tragjedive, dramave që përfunduan në gjenocid të pastër, detryrimit të heshtjeve dhe trysnive ndaj vendlindjes së të parëve dhe tonës, edhe mbas 76 viteve të larguar me dhunë, ajo mbetet e freskët, e pranishme, e paharruar dhe e kërkuar, sepse vendlindja të shoqëron me aromën e pazëvëndësueshme të nënës; brenda nesh qëndron ndjesia e thellë e një përgjegjshmërie, dhimshurie dhe dashurie që trashëgohet, shfaqet dhe vërtetohet në marrëdhëniet prindër-fëmijë- atdhe (vendlindje). Kjo lidhje është objektive, pavarsisht ndërhyrjeve keqdashëse subjektive.
Përvoja ka treguar se popujt dhe njerëzit më të mirë janë ata që bëjnë jetë normale, ata janë të gjindshëm për këdo në nevojë; ndryshe ndodh me këdo që kalon këtë prag duke siguruar pasuri mbi normalen, tek ata fillon e merr krah ligësia, pangopësia. Fatkeqësisht “Bota” nuk është vetëm e të mirëve, por dhe e të ligjëve.
Shënim (¹): Ali bej Dino (1890-1938) ishte një karikaturist dhe politikan shqiptar, anëtar i parlamentit grek. Lindi në Prevezë/Çamëri.
Shënim (2):Fosile= I vjetruar, e pa zhvilluar, mbetet vetëm dëshmi, gjurmë e së kaluarës..
Tiranë, më 04/04/2020. Studjues: Fahri Dahri
Comments