top of page

USHTARAK NË DETYRË – POET NË ZEMËR




KAPITEN SHEFQET FETAH BYLYKBASHI, ATDHETAR DHE POET I DËSHMUAR



Nga Sinan GASHI


Janë një kategori personalitetesh që, duke pasë në vete aftësi të shumanshme, vështirë t’i radhisnin ato më parësoret, në mënyrë që të jenë aty me zë të theksuar, por ngarendin së pari pas asaj që u jepej si mundësi, reklamë, mbase edhe mundësi që përmes saj të ekzistojnë, e dikur, nëse ajo, për çfarëdo ngjyre shihet, del kryekreje dëshira tjetër, ajo e brendshmja, shpirtërorja e ndjenjorja, për të thënë diçka të bukur, të sinqertë, siç mund të rrëfehet përmes letërsisë, e cila është mënyra e vetme ku nuk lejon të falsifikohet brendësia në raport me jashtësinë.

Nisur nga kjo, mund t’i radhisim disa personalitete të kulturës shqiptare, të cilët, kanë kryer tjetër shkollim, apo kanë ushtruar krejt tjetër profesion dhe janë marrë me krijimtari letrare ose artistike, në përgjithësi.

Esat Mekuli, po e zëmë, kishte bërë një mund të madh në studimet e shkencës së veterinnarisë, duke fituar me punën e tij të përkushtuar edhe gradën më të lartë, atë të doktorit të shkencave, por duke mos e ushtruar pastaj asnjëherë atë profesion, dhe duke iu përkushtuar i tëri letërsisë, qoftë si vetëkrijues, apo si redaktor i krijuesve të shumtë letrarë në Kosovë.

Ndër këta tipa intelektualësh krijues është e Shefqet Fetah Bylykbashi, i cili gjithë dijen dhe forcën fizike të rinisë ia kushtoi artit ushtarak, duke pasë edhe gradë ushtarake karriere, Kapiten i Klasit të Parë, e tek më vonë, pas shpërderdhjes së asaj, në kushtëzim nga erërëndat politik, ai rrëfen artistikisht atë ndjenja që kishte që në rini por mundësia e shprehjes së atyre i kishte ardhur vetëm tashti, në një pleqëri të konsideruar.


Diçka nga jeta e tij


Shefqet Fetah Bylykbashi është i lindur në fshatin Baicë e Kolshit të Drenicës (Kosovë) në vitin 1910. Familja e tij, bylykbashët, ishin të njohur si të përkushtuar në mbrojtje të së vërtetës, të së drejtës njerëzore, e mbi të gjitha asaj kombëtare, e cila i bënte që të durojnë gjithçka që vinte si rezultat i kësaj nën sundimin e huaj sllav, qoftë varfëria si ndrydhje për shuarjen e kësaj krenarie, qoftë edhe dhuna e natyrës administrative, si shenjë kërcënimi e fizik.

I ati i tij, Fetah Osmani, për kundërshti, ishte i anëtarësuar në Partinë Demokratike të Jugosllavisë së Vjetër, për të qenë kundër radikalëve të Nikolla Pashiqit. Ai, më parë ishte marrë vazhdimisht në aktivitete atdhetare, qoftë duke shpërndarë libra shqip fshehurazi, qoftë edhe në aktivitete të tjera, të cilat ishin në raport me lëvizjet që organizoheshin, të udhëhequra nga ideologë të këtij vendi, si me Nazim Gafurrin, m,e të cilin ishte në lidhje të përhershme. Familjarët tregojnë se librat i vendoste nën hambar, aty ku lidhej qeni, ndërsa shpërndarjen ua besonte njerëzve të besuar. Pasi burgoset nga ai sistem për kundërshti të asaj politike antishqiptare dhe për aktivitetet të tjera, ai, pas vajtjen e djalit për shkollim në Tiranë, më 1931, shkoi te ai, derisa edhe e gjeti vdekja më 1938.

Atyre viteve, për orientim dhe kahe të drejta rrezatimi idetë e mëdha të diplomatit atdhetar Hasan Prishtina, qenë të vërtetë ishin bërë idetë e Komitetit të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, që vijimisht udhëhiqej nga ideologu tjetër Kadri Prishtina.

Një nga format për ta ruajtur një unitet shpirtëror dhe fizik mes shqiptarësh, ishte proklamuar mendimi i drejtë, ai i ndriçimit të mendjeve përmes shkollimit, i cili duhet të ishte i përhershëm dhe patjetër që të kishte karakter shtrirje në gjithë hapësirat shqiptare. Nisur mu nga kjo, ishte propaguar nga të gjitha familjet nëpër Kosovë që t’i shkollojnë fëmijët e tyre në gjuhën amtare, ku tjetër pos në Shqipërinë mëmë.

Në dëshirën për shkollim, Shefqeti ishte dërguar fillimisht në Medresën e Gjakovës, por asgjë atje nuk i pëlqeu, sepse ai kërkonte dije atdhetare e jo fetare, andaj e lë atë. Nisur nga kjo, viti 1924 shënon edhe nismën e mbarë, që edhe disa familje drenicakësh t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollim, madje në shkollën ushtarake, ndër të cilët Fetah Osmani e dërgon djalin Shefqet Bylykbashi nga Baica e Kolshit, Banush Sadllari djalin e vet Ibrahim Hoxhën nga Shala (Sadllari), Rifat Berisha nga Berisha ishte dërguar atje me preferencën e xhaxhait, Tahir Berisha. Këta të rinj, me interesimin e Sadik Ramës së Gjurgjevikut, që jetonte në Tiranë aso kohe, ishin vendosur në konviktin që mbante emrin e poetit të rilindjes “Naim Frashëri”.

Veçmas Shefqeti kishte treguar zgjuarsi dhe interesim të jashtëzakonshëm, duke e mbaruar shkollimin ushtarak në afatin rekord, në degën e artilerisë. Pas kryerjes së kësaj shkolle profesionale, ai ishte emëruar aspirant në njësinë e artilerisë në Postribë të rrethit të Shkodrës. Duke qenë po ashtu i përpëlitë, i përkushtuar dhe tepër i suksesshëm edhe në punën praktike, ai vlerësohet pozitivisht nga eprorët e tij, të cilët edhe ia dhënë gradën nëntoger.

Pos punës së përkryer ushtarake, në të cilën shihej si një kopje e ushtarakut të lakmuar, ai kishte edhe jetën e tij të rëndomtë. Në të vërtetë, në vitin 1934 , ishte njohur me një vajzë të një familje atdhetare kosovare, e Ymer Bellanicës-Shtimja, e cila ishte shpërngulur nga dhuna dhe jetonte në Shqipëri, Hankën e kërkesave të tija femërore dhe të edukuar, me të cilën edhe do martohej

Kështu, pas një viti martese u lind edhe fëmija i parë, djalë, të cilin për respekt të Sadik Ramës, njeriut meritor për çështjen e shkollimit të rinisë kosovare atje, e pagëzojnë me emrin Sadik. Pastaj edhe vajza Ollanda, që fatkeqësisht i vdesin.


Shefqeti u bërë pjesë të Gardës Mbretërore


Pos jetës së lumtur familjare, atij i duhej të shëtiste nëpër lokalitete të ndryshme në Shqipëri, ashtu siç caktoheshin nga rregullat ushtarake. Kështu atë e gjejmë duke kryer shërbimin profesional në Burrel njëherë, Macukëll, Shkodër, Tropojë, Peshkopi më pastaj e po ashtu edhe në Tiranë. Edhe në kazermën ushtarake “Ali Rizai” të Tiranës ai tregohej vazhdimisht e përherë më i përkryer në detyrat ushtarake, bie në sy dhe fiton besimin e eprorëve, të cilët e avancojnë, duke u bërë pjesë të Gardës Mbretërore, e cila kishte një ngjyrë të madhe respekti edhe të besueshmërisë.

Duke e ditur se ky ishte një i ardhur aty dhe nuk kishte shtëpi as katandi, pos një rroge dhe një banese, qeveria në shenjë shpërblimi për përkushtimin e tij dhe aftësitë e treguara, e shpërblen duke ia ndarë një truall në qytetin e Elbasanit.

Erërat politike në gjithë Evropën ndiheshin edhe në këtë pjesë të cunguar të vendbanimit të shqiptarëve. Kështu erdhi data e 6 prillit të vitit 1939, kur Shqipëria sulmohej nga fashistët, qeveria shqiptare ishte e pazonja t’i bënte ballë kësaj katrahure. Një sakrificë gati individuale e tregoi Mujo Ulqinaku në Durrës, prej nga me artilerinë që ishte në dispozicion, kundërshtoi aq sa mundi, deri sa ra heroikisht.

Shefqet Bylykbashi,që tashti kishte gradën kapiten, ishte caktuar me gardistët të tjerë të zgjedhuri që të ishte në shërbim të sigurimit të suitës mbretërore, për ta ndihmuar shpëtimin e saj në ikje nëpër Greqi fillimisht e pastaj gjetiu. Këtë detyrë,në shërbim të Mbretit Zog dhe familjes së tij, ai e kishte kryer me sukses. Nga Greqia ai ishte kthyer në Tiranë, ngase mbreti kishte caktuar njerëzit të cilët do t’i qëndronin pranë. Kapiteni i klasit të Parë, Shefqeti Bylykbashi tashti, pa dëshirën e tij, ishte vënë në shërbim të qeverisë mikste italo-shqiptare, e cila e kishte dërguar në Romë për të ndjekur Akademinë e Lartë Ushtarake, së bashku me disa kolegë të profesionit. Me vete kishte edhe familjen.

Këta kryenin shkollimin përkatës, por edhe dërgoheshin në fronte te luftës kudo që ishte nevoja e qeverisë italiane.

Kjo veprimtari e detyrueshme, pa asfarë dëshire dhe vullneti, e kishte vetëm një të mirë profesionale, ngase kapiten Shefqeti kishte treguar afërsira të jashtëzakonshme ushtarake dhe kishte përfituar shumë nga dijet ushtarake në teren. Ai preferencën e kishte në lëmin e artilerisë, të cilën e zotëroi tej mase.

Kjo ishte një kaptinë jete e çuditshme, me përjetime të pashpjegueshme fillimisht të Shefqetit, deri sa nuk kapitulloi Italia fashiste. Më pastaj, me fuqizimin e Gjermanisë, ai kthehet në Shqipëri, në shtatorin e vitit 1942, e pastaj gjithsesi edhe në Kosovë. Fillimisht caktohet në detyrën ere në Tropojë, në të cilën detyrë qëndron deri në majin e vitit 1953. ajo kohë lidhet edhe me lindjen e vajzës së parë, pagëzuar Ollanda.


Duke kundërshtuar depërtimin e forcave bullgare dhe çetnike në trojet shqiptare


Shqipëria dhe Italia atij ia morën më se shtatëmbëdhjetë vjet të jetës më të mirë, prej nga pastaj ai nis jetën në Kosovë. Edhe këtu po ashtu ushtron profesionin e vet, atë që e dinte, e donte dhe e respektonte aq shumë. Pra, pas insistimit këmbëngulës të tij e hasim në detyrë në Kosova, në Regjimentin e Katërt të Ushtrisë së Mbretërisë Shqiptare në Prishtinë, nën udhëheqjen e kolonel Fuat bej Dibrës. Duke ia ditur aftësinë dhe specializimin e tij, ai caktohet komandant i Forcave të Artilerisë Shqiptare, nga shatori i 1943 –shit e deri nëntor të vitit 1944. detyra ishte sa e ndjeshme aq edhe atdhetare, në të vërtetë kishte të bënte me ruajtjen e linjës kufitare me Serbinë, të cilën e kreu ashtu sic ishte parë gjithmonë, në krye të detyrës dhe me sukses të plotë, duke kundërshtuar depërtimin e forcave bullgare dhe çetnike në trojet shqiptare, duke iu prirë edhe forcave vullnetare. Këto njësi kishte ushtarë vullnetarë nga shumë lokalitete të Kosovës, si nga Konculli, Hanroci, Tuxheci, Kamenica, Hajkobilla, Gjilani, nga fshatrat të Drenicës e tjerë. Këtu, përveç kapiten Shefqetit, në udhëheqje ishin edhe Mark Dredha, Rexhep Gjilani, Sabit Basha e ndonjë tjetër. Kapiten Shefqeti, edhe pse i shtyrë në moshë, për të dëshmuar përcaktimin e tij, kishte mësyrë u pari në ato kundërvënie armike, sa edhe për ta larguar hamendjen e atyre vullnetarëve disa nga ata edhe të papërvojë luftarake. Gjithçka nga veprimet e tij bënë që ai të fitoi respektin dhe besimin e këtij ushtaraku me virtyte të larta njerëzore dhe kombëtare, duke u bërë ballë stuhive armike, si një trup i vetëm. Si rezultat i këtij organizimi dhe besimi reciprok në mes të tyre, ata arritën fitore në tri luftëra të përgjakshme: në Velegllavë, më 28-219 qershor, në Kikë më 26 korrik, kundër forcave serbe, dhe në luftën e 18 tetorit të vitit 1944, tashti kundër forcave bullgare, në vijën kufgitore Hajkobillë-Dabishevc-Prapashticë.

Mbi të gjitha, fitorja ishte si rezultat i artiljerit profesionist Kapiten Shefqetit, i cili me precizitet të jashtëzakonshme i asgjësonte pikat e vendosjes së tyre, duke u shkaktuar humbje të madhe. Për këtë fitore luftarake është edhe dëshmia e periodikut të kohës, përkatësisht gazetës “Lidhja e Prizrenit”, e cila në numrin e 29 tetorit të vitit 1944, kishte shënuar ndër të tjera se “Regjimenti 31 dhe 32 bullgar u shkatërrua prej fuqive tona.” Ata e kishim mbajtur vijën e frontit deri me ardhjen e çetave partizane jugosllave, me të cilat ishin edhe çetat shqiptare të bashkuar me ata.

Por, megjithëkëtë, synimet partizane-çetnike nuk hoqën dorë nga lakmia e marrjes së territoreve të reja, duke përdorur edhe formën tjetër, tepër të ndjeshme, në propagandimin dhe mobilizimin e njerëzve në aradhet partizane. Kështu që numri i tyre shtohej dhe çfarëdo konfrontimi që do të bëjë humbës do të ishin shqiptarët, ngase ishin në të dy anët e përballjes. Për ta evituar një vëllavrasje për hirë të “vëllazërim-bashkimit” Komanda supreme e Ushtrisë Mbretërore Shqiptare kishte urdhëroi që të tërhiqesh ushtria shqiptare, një vendim i përjetuar rëndë nga luftëtarët e idealeve kombëtare. Në këto rrethana të krijuara Kapiten Shefqeti i këshillon ushtarët e vet që të shpërndahen dhe të veprojnë secili sipas mundësisë dhe dëshirës së tyre.

Tashti ata ishin kthyer në vendlindje, pas luftës së përgjakshme të Shaban Polluzhës, ata kishin krijuar formuar organizimin e mbrojtje së territoreve nga bandat çetnike dhe partizane jugosllave.

Duke e parë se luftën e kishin humbur, ai si njeri me dije të mëdha profesionale, më 1945 kishte kaluar me bashkëmendimtarë të tij nëpër bjeshkët e Drenicës, të Krojmirit, të Shalës e Karaçicës, Kleçkës dhe Baicës, duke e kaluar dimrin e ftohtë nëpër miq e dashamirë të asaj ane, por i ndjekur vazhdimisht, deri sa i bien në gjurmë dhe e rrethojnë me forca të shumta policore dhe ushtarake. Edhe duke mos dashur që të krijoi gjakderdhje e cila tashti mund të manifestohej vetëm në mes të shqiptarëve të degdisur në dy fronte, ai dorëzohet vetiu dhe pranon të gjitha përjetimet individuale të vuajtjeve dhe dënimeve në sistemin e shtetit te ri politik jugosllav. Më vonë ai pat treguar se pse ishte dorëzuar pa e shkrep asnjë fishekë, kur pozicioni i tij në shpellë afër fshatit Karaçicë, në besë të burrit të dëshmuar Ajet Godeni, i cili me muaj ushqeu, ishte më strategjik për të luftuar deri në fund.. “Më le të qajë nëna ime, sesa qindra nëna shqiptare.”

Kështu tashti e përjetoi burgun famoz për të gjithë shqiptarët e Kosovës anti ideologji komuniste, në Nishin famëkeq, pastaj në Pozharevc e gjetiu, duke u shpallur “armik i popullit”.

Gjatë hetimeve të gjata, të rënda, ai veç torturave fizike dhe fyhej, duke u quajtur fashist, armik, zogist. Ai, duke e nxjerrë mendimin nga qenia e tij idealiste, duke u përgjigjur: “Nuk i përkas asnjë ideologjie. (...) sllavokomunizmin e konsideroj armikun më të madh të shqiptarizmit, që ka për qëllim copëtimin e Shqipërisë, varrosjen e saj.” Madje atij i ishin ofruar edhe bashkëpunim në planin ushtarak, p;or ku e kishte refuzuar me përbuzje.

Edhe atje,në birucat e errëta e lemeritëse dhe fyerjet e pafundme, ai kishte qëndruar gjithnjë i njëjti, i pathyeshëm në idealet e tij, atë të dashurisë dhe sakrificës për tërësinë territoriale të tokave shqiptare.

Pas kirimit, me një amnisti, ai kthehet i drobitur fizikisht, por asnjëherë shpirtërisht, në Baicën e tij të varfër, për t’ia nisur jetës që nga e para. Një gjë e rëndonte shpirtërisht tej mase, mënyra e funksionimit të pushtetit komunist, që kishte rekrutuar jo njerëz të dijshëm e të dinitetshëm, por hafije e mjeranë, edhe të mashtruar e intersxhinjë, të cilët sygjetoni atë në veçanti, se pos personi i tij ishte me shenjë si një ushtarak i jashtëzakonshëm i sprovuar në shumë fronte të huajt dhe tonat, dhe me një dije të jashtëzakonshme.


Ushtaraku me akademi, bujk i heshtur fshati


Ai tashti ishte Shefqeti bujk, fshat me veshje dhe me pamje, pa asnjë dallim nga fqinjët e varfër përreth, duke bërë punë të kushtëzuara për ekzistencë, si ato të bujqësisë, me asfarë mjetesh për punë. Edhe kufizimi i lirisë frymimit ia rëndonin qenien e tij prej intelektuale e shpirt krijuesi. Ndonjë bishtnim largimi nga fshati për te ndonjë njeri i besimit të fjalës, ai e realizonte duke udhëtuar natën pa hënë, që të mos e gjurmonte askush.

Me bashkëshorten e pandashme ata kishin lindur dhe rritur fëmijë të tjerë: vajzën e ripagëzuar Ollanda dhe djemtë Fuatin e Adnanin.

Në ndejat e odave tradicionale të Drenicës, ai kushtëzohej shpesh të thoshte ndonjë mendim mes burrash, ngase shumica ia dinin aftësitë e tij intelektuale dhe mençurinë tradicionale. Ai, duke e ditur fatin e vet të ligë, fliste vetëm kur nuk kishte mundësi të mos thoshte asgjë, por gjithmonë duke u përkujdesur në kahen e mendimit, në shprehjet me karakter përgjithësues, por përherë me synimin në udhëzimet për përgatitjen për ardhmërinë-arsimimin e brezave, që shumë ideologë dhe idealistë e kanë parë vetëm ashtu shpëtimin e kombit të tyre.

Jeta ecte më një ritëm ashtu siç e diktonte diktatura komuniste, ndërsa ai frymonte lirinë e brendshme, atë të mendimit të tij që askush nuk e kishte mundësi ta kapte konkretisht. Ishte një lokalitet mbi fshatin e tij të lindjes, që thirrej Gjytet. Aty ai, në humbakohë, kishte gjetur themelet e një kështjelle ilire, për çka kishte biseduar se duhej ta varrosnin mu aty.

Vdekja e mori herët, në një varfëri të thellë, në moshën e pjekurisë 59 vjeçare, përkatësisht më 16 korrik 1969.

Dhuntia artistike


Ngase dhuntia krijuese është nismë e rinisë dhe pastaj, në bazë të rrethanave realizohet me tej, duke u perfeksionuar ose zhduket përgjithmonë, të kapiten Shefqeti ai ishte ruajtur si një zog i trembur në një skutë të qenies së tij, për të dalë në një kohë të vetmisë, edhe tashti në rrethana tepër të fërfllazta. Kjo ishte edhe një dhunti nga Zoti, si shpërblim për ta ruajtur të pa shkatërruar shpirtin e tij prej intelektuali, delikat e artistik. Përmes mendimit poetik, shpirtëror, ai kishte mundësi të nxirrte shfryrjen që e kishte bërë kacek, por edhe që të mos ndjehej i vetmuar në jetën e tij.

Krijimtaria letrare është një terapi e jashtëzakonshme në raste të veçanta.

Ai nuk ishte një njeri që nuk kishte lexuar, (atë madje e kishte edhe pasion), nuk ishte njeriu që nuk dinte gjuhë të huaja (italishten e njihte posi gjuhën e nënës), nuk ishte një njeri që nuk kishte lexuar krijuesit në zë shqiptarë (rilindësit dhe ata të viteve ’30 që kishin bërë emër në Shqipëri dhe që publikonin në periodikun jo të paktë të kohës) dhe ata italianë (Karduçi, Leopardi, Manxoni e ndonjë tjetër edhe asish jo italianë), në mënyrë që mos të kishte edhe dije profesionale të kësaj natyre. Por, mbi të gjitha ai kishte edhe diçka të ndjenjës shqiptare, që nuk e linte të qetë, të mos e shprehte mendimin e vet, i cili katrrisej interesimeve të aktualitetit jetësor, qoftë ai mendimtar-meditativ ose edhe i lirikës intime.

Duke mos i vajtur mendja asnjëherë se ai do bëhej poet në zë, se do të botonte vëllime poezish që do komunikonin me lexuesit e brezave të ndryshëm, ani pse ai kishte krijuar aq sa të botohej një vëllim më vete, ai kishte vargëzuar vetëm për ta thënë ndryshe nga dialogimi i përditshëm ato që kishte në shpirtin e tij; që të ndihej i lehtësuar dhe i gëzuar për krijimin e diçkaje origjinale nga ai. Jo ndoshta krejt nga frika e gjykimit për mendimin e thënë, por nga kultura e tij dhe pasuria leksikore, mendimet poetike i shpreh përplot me figura që krijojnë shijen tërheqëse të lexuesi. Ato, po ashtu reflektojnë ato dijet dhe kulturën artistike të përfituar nga mjeshtrit e mëdhenj të fjalës së shkruar, të cilët i cituam më lart.


Krijimtarinë letrare aktive ai e bëri për tri vite radhazi, që nga viti 1953 e deri në vitin 1955.


Po ashtu në një poezi tjetër, të shkruar më datën 5 qershor 1953, të cilën e titullon “Lulet e prandverës”, që më parë e kishte titulluar dhe vijosur përmbi “Prandvera në dimën” ai niset nga stina e rrëfen fatin e njeriut në jetë, mbase atë të vetin. Këtë e bën ase duke u frikuar nga kuptimi i drejtpërdrejtë i së thënies, ose ngase artistikisht vetëm kështu plotësonte kriterin artistik dhe madje kuptimin tej kohor të mendimit. Poezia që ka gjithsej 16 strofa katërvargëshe, nis kësisoj:


Kur pranvera u dimnue

Hijeshi e lules u terru

Të tjerat s’dijnë gja gëzohen

Dhe ato kohësh shkrum pervlu.


Mjer kush dhimbje s’ndigjon

Jetën me gaz i duket shkon

Por shtriga e pa mëshirë

Mashtron, prap vetë shkatrron.


Dhe kështu përkufizon në vijimësi përjetimin e rëndë të gjendjes politike në Kosovë e më gjerë, duke i thënë ato vazhdimisht me shprehje përmes figurave artistike, të cilat edhe kanë mendime, edhe kanë, ide por edhe kanë mesazhe për një të ardhme, siç është është përmbyllja e kësaj poezie më këtë strofë, që ishte aktuale për kohën e krijimit dhe më tej:


Shife bletën insekt i pa arsy

Pluhën merr lulet tuj shetitë

Kambët i mbuush në banesë dërgon

Dyll e mjalt me te punon.



Është edhe diçka karakteristike se gjuha e këtyre poezive të pakta që i kemi trashëgimi, ngase shumica i janë asgjësuar ose djegur vetë, me rastin e bastisjeve të shpeshta dhe tepër brutale nga udbashët e kohës, se gjuha është tepër rrjedhshme tepër afër me letrarishten e sotme. Baza e asaj gjuhe është një elbasanishte e kulluar, anipse aty-këtu i dalin disa shprehje lokale, që për vitet e ’50-ta të shekullit që lamë pas, është tepër e pakapshme për të folmen e trevës së tij dhe madje tërë Kosovës.

Rrëfimi poetik tashti nuk është krejt fantazimi i bukur artistik, por shprehja e brendësisë së asaj që i kishte ruajtur me vite brenda, se qëllimi i tyre nuk ishte asfare ideologjie, por i kombëtarisë dhe ruajtjen së truallit të stërgjyshërve, por që kushtëzimet kishin bërë që ata të gjinden në formacione të ndryshme, me që kohet po ashtu ishin të tjera.

Ja se çfarë thuhet në poezinë e tij kjo rrugë e nismës së mbarë:


Sir-ret e ezelit un as ti s’i dimë

Këto shkronja gjëzash si njohim un as ti

Prapa perdes falmë, e falim që të dy

Kur të ngrihet perdja ngelim në habi


Ata e pështullen vuajtjet pa anë

Në mbledhje vertytash qartë të shohësh janë

Nga kjo natë e errët dualm në rrugë

Nga një përçart folëm dhe në gjumë ramë


Me pahirë më pruni sefte në trup mue

Veç habitjes tjetër nga jeta mu shtue

Ikmë me përdhunë s’dim ç’ish qëllimi

Ardhëm, ndejmë, ikmë, ç’ish s’kuptova!


Nga kjo poezi e gjatë meditative, me gjithsej 111 strofa katrene, por pa titull, shfaqet poeti që tashti rrumbullakon një jetë; veprimet, synimet dhe së fundi përkufizimet e tërësisë së saj, e cila është ngjasore me pak përjashtime me të gjitha kohët, me të gjithë personalitetet e veprimit ushtarako-politik.

Duke qenë një përvojë e madhe jetësore, madje e një personaliteti të dijeve të thella dhe kulturës së gjerë, edhe mendimet poetike këtu dalin shumë bindëse dhe, mu për kuptimin e tyre universal, krijojnë jetëgjatësinë e interesimeve.


Shoh q’i thotë patës një peshk qi përzhitet

Vallë ujë prapë në lumë a ngjitet

Na të dy, tha pata, si të na përzhitin

Det a hiq u baka bota për ne ç’pritet?


Në radhum të qiellit që fundi s’i dihet

Me gëzim pi venë se koha keq shihet

Kur radhës e mundimit të vjen ah mos thirr

Kjo kupë me radhë nga të gjithë do të pihet.


Edhe në një poezi tjetër, më e shkurtër, e shpëtuar nga fërfllaza e kohës, mendimi është i njëjti, strofa po e një këso forme rrokjesh dhe rimash, vetëm se hepon dukshëm lirizmi dhe ndjenja intime e tij, e cila gjë e afron më nga njerëzorja, përkatësisht dija për karakterin e tij, se ishte një ushtarak liberal, i ngrohtë, dhe jo si ushtarakët e hekurt, që di vetëm të jep urdhra dhe të merr masa.

Poezia është shpirti i tij lirik e njerëzor, që manifestohej edhe nën petkun e ushtarakut.

Ja disa strofa nga poezia tjetër:


Po u tha një lule, hiri mbetet

Jeta si një frymë shpejt mbaron

Sa je gjallë mos e kujto vdekjen

Lufto për aty me shekuj ku pushon

Ose,

Për xhami, për kishë, për gja s’meritoj

Baltën e di Zoti se qysh ma gatoi

Si qafir i varfër, si kurvë e shëmtuar

As fe, as mall fare, as parajsë s’shpresoj


Veç krijimtarisë poetike, ai kishte qenë edhe një lexues i pasionuar. Kishte lexuar edhe shumë vepra historike, që mbase edhe ishte afër dijeve profesionale të ushtarakut, por edhe kishte marrë shënime për to, përkatësisht kishte shkruar edhe vetë recensione ose edhe shkrime prozaike të natyrës së historisë.

I ruajtur në dorëshkrim ka ngelur edhe vetëm një punim i tillë prej 14 faqesh, që nis interesimet që nga viti i largët 1871, ku veçohen episodet e luftërave shqiptare kundër sulmuesve të ndryshëm turq, malazias, serbë, duke ardhur kohërave deri në vitin 1913.

Edhe pse tashti kanë kaluar mbase dyzet vjet nga vdekja e tij, veprimtaria luftarake dhe atdhetare, krijimtaria poetike dhe ajo publicistike e tij mbeti fare e panjohur. Dhëmbi i kohës i hëngri pothuaj të gjitha, por kujtesa historike dhe dy-tri dorëshkrime të tijat janë dëshmi e fortë për ta ndërtuar figurën e tij prej intelektuali dhe idealisti të rrallë.





Legjenda: 1. Kapiten Shefqet Bylykbashi

2. Kapiten Shefqeti me Gardën Kombëtare Shqiptare

3. Sherfqet Bylykbashi me familje

4. Shefqet Bylykbashi me familje në Baicë – Drenicë

5. Shefqet Bylykbashi i posakthyer nga burgu

6. Dorëshkrimi i një poezie të Sh. Bylykbashit

7. Dorëshkrim i një recensioni me temë nga historia jonë kombëtare

17 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page