Urimi përshëndetës


Urimi përshëndetës

Myth is more potent than history.

Robert Fulghum,

(All I Really Need to Know I Learned in Kindergarten: Uncommon Thoughts On Common Things)


Nga: Armela Hysi


E pa rastësisht tek ajgëtonte oqeanin, ashtu qëllimhumbur, e pavetëdije. Vështrimi i vet i eshkur u ndal një çast në shkëlqimin e saj, që sikur e thithi mbi vete. Duhet të ishte diçka e veçantë, e ndryshme nga tërë ato që gjendeshin përherë në shkretinën shkëmbore pranë bregut të atij ishulli të lëbyrtë vetmie, ku e kishte vërtitur dallgët, vite më parë. Nuk kishte ndryshuar relievi, as ngjyra, format, por një ndjenjë që vorbullohej rrethas një fijeje të shkëndijztë që i vinte gjer tek sytë e lodhur prej diellit, gati si një aurë joshëse që diç kish mbajtur peng nga agu, e bëri ta dallonte. Disa hapa të shpejtë drejt ujit, të pavetëdijshme, drejt atij sendi, a më saktë shkëlqimi mikroskopikë që e ndiente instinktivisht të ardhur nga bota e vet njerëzore, qe reagimi i parë, por teksa uji që thellohej, i kishte kaluar brezin e kraharorin, ndërsa duhej të fillonte tanimë të notonte, sikur u përmend. Nuk duhet të jetë gjë, ngurroi me vete. Më tepër sesa lodhjen deri tek shkëmbi, që hapej ujësisë mjaft larg gjirit të qetë, kurthit e mbrojtjes së vet, ku qe mësuar të peshkonte e lahej; më tepër sesa rrezikun që dallgët ta batisnin e ta cakosnin në atë brez shkëmbor ku rrymat bëheshin të pamëshirshme dhe trupi i vet i dobësuar ndoshta nuk do të mund të përballonte shungullitjen dhe shumë më tepër se takimin me ndonjë bishë hidrike mitike, nga ato që shihte ëndrrave të vetmuara thershëm, qe shija e zhgënjimit nga frika e ngjalljes së ndonjë shprese gërryese. Ishte e vetmja që nuk do mund të duronte. Ditët, muajt, vitet e para në këtë rrethinë ujore, ishte pikërisht ajo pritje, ajo shpresë e kurrëndodhur, që i shteronte fuqitë dhe e degdiste në skutat më të errëta të ndërgjegjes së vet humane, të dilemave më të sëmura dhe pasive që e bënin të mos pranonte realitetin, por të ëndërronte aty nën hipnozën e diellit dalldisës, si nën ndikimin e një droge mvarëse. Iu desh kohë të mblidhte veten, të largohej nga kthetrat e asaj vrastareje, amorfe me trajtën e butë si një pambuk të ngrohtë mbështjellës – kukule mirëpritëse që e thërriste një bote ku mund të kotej edhe kohë e kohë më pas formimit të krahëve; por një bote ku ishte pa vështrim dhe pse jo në verbëri biologjike, pa dëgjuar, pa perceptuar, pa analizuar, pa vepruar, siç është në të vërtetë pritja. Në botën e një lloj vdekjeje të vogël vullnetare.

Nuk është ama, frika ndjenjë e pamposhtur e njeriut. Kurioziteti joshës për tek objekti i cili dërgonte prafullima fotonesh të gëzuara, fluturake – bebëzave të veta, dhe këto pa i mënuar aspak as intensitetin, as furinë gazmore, ia përcillnin zemrës, që kishte nisur tashmë të ndiqte ritmin lozonjar të rrezeve dhe të ndihej edhe ajo e gëzuar, ia zhveshi ngurrimin e qullur si një mantel që u tret ujit dhe krejt pakuptuar shkëmbi nisi të afrohej plot energji. Nga afër e vërente se qe një varg shkëmbinjsh që s’e kishte vizituar ndonjëherë gjatë qëndrimit të vet në atë ishull, pasi nuk kishte lidhje tokësore dhe tek ai më i jashtmi gjeografikisht, shkëndija kishte marrë tanimë formën e një shisheje qelqi të mbyllur dhe madje, po qe se nuk e gënjenin sytë e mrrolur dhe ajo drithërimë rrëqethëse që e ndjeu gjer në palcë, kishte një letër të mbështjellë cilindrikisht brenda. U ngjit cacas këmbadoras, dhe tek e mbajti në dorë, përcëllimi prej temperaturës nga e shëllimi në diell i shishes, qe e fundit ndjesi që mund t’i përvetësonte truri i rrëmbushur mallëngjim, dhimbje të brendshme, mall e kureshti.

E vështroi gjatë dhe me frikën se duart që i dridheshin pa i kontrolluar dot, mund ta hidhnin mbi shkëmbinj e ta bënin copë e thërrime dhe se për t’u kthyer letra do i lagej e grisej, vendosi të mos e hapte aty. Do mundohej ta hapte, e të mos e thyente, jo vetëm që të mbante shishen për përdorim, sepse tërë ato vite kishte bërë dhe pa të, por sepse ajo ishte një mike nga bota e njerëzve, e vetmja që dëshmonte veç hijes së vet në atë ishull të vogël, se ekzistonte një botë e tillë. Ndonëse, kushedi kjo letër mund të qe mesazhi që po vinin për ta shpëtuar. Mund të qe ndonjë hartë për të shkuar diku, ndonjë këshillë si të kapërceheshin dallgët që sa herë kishte provuar të kalëronte ndonjë çift trungjesh lidhur me kulprat dhe mllefin e vet, vite më parë, e kishin rikthyer e përplasur sërish dhe pa asnjë justifikim në bregun e atij gjiri të thekur diellit. Iu desh shumë të kthehej në ujë, nga shpati aspak i volitshëm i shkëmbit, sepse zemra i rrihte aq fort dhe ngashërimet e shkundnin. Akoma më shumë të merrte veten frymë mekur, pasi mbërriti në breg, përpara se të gjente mënyrën se si të hapte shishen e dyllosur. Qe sidoqoftë më e thjesht se ç’e kishte menduar, me të filluar të qëronte me thonj e dhëmbë shtresën e dyllit. Tapa nuk qe plotësisht e futur brenda dhe sapo përbërja ngjitëse u largua, arriti ta tërheq me dhëmbë dhe me një shkop të hollë e pak ngulmim të vëmendshëm, të nxjerrë në grykën e shishes një cep të letrës të cilën duke e tërhequr kujdesshëm e mori përfundimisht në dorë. Me duart e mpira e vërejti, i preku sipërfaqen, e nuhati duke u munduar ta perceptonte sa më mirë dhe pak nga pak nën goditjet e zemrës që qe ndezur kraharorit e mbante ritmin e daulltë të zbulimit, zuri ta çqerthullonte. Vija të lakuara, dhe germa shtypi, ishte bilanci i parë gjer sa t’i kthjelloheshin sytë dhe të afrohej nën hijen e pemës së vet, që ta lexonte më qartë: Përshëndetje! Urime nga zemra për mbarësi! Dhe pranë vizatuar një dorë, një vijë e lakuar nga ato që krijohen kur përshkojmë rreth e përqark dorës së mbështetur në një fletë, me majën e një rapidografi. Një dorë që mund t’i ngjante dorës së vet, që nuk tregonte kush vërtet ishte personi, as kur dhe nga ku e kishte shkruar... Dhe një... një... përshëndetje!!! E ç’i duhej vërtet një përshëndetje... Një urim për mbarësi?! Po tallej me të dikush? Zoti vetë? Hera e parë pas kaq vitesh që shikonte një objekt njerëzor dhe dikush, nga diku, që s’tregonte asgjë për vete, s’dinte asgjë për të, kishte guximin dhe ironinë t’i uronte mbarësi... nga zemra. Kjo fjala e fundit sikur i solli një puhizë freskie dhe një drithërimë ëmbëlsie që s’mbante mend ç’i kujtonte, por nervat që qenë bymyer e përskuqur nën hormonin e inatit dhe zemërimit, qenë më të acaruar se për të vërejtur nuancat e vetëdijes, aq më pak burimin e saj. Pa kuptuar përse, e rimblodhi kartën që kishte ruajtur formën, e vuri në shishe, e mbylli furishëm duke i ngjeshur tapën dhe me hov e gjuajti bregut. Qe larguar ca hapa të mirë, gjithashtu dhe fuqitë e kishin lënë me gjithë ato emocione të njëpasnjëshme, dërrmuese, të zgjuara pas shumë kohësh, këtu e gjithë këtë ngjarje që nga zanafilla, që mund të mos qe më tepër se disa minuta, por krejt të papritur për limontinë e jetës së vet, ndaj shishja nuk ra në ujë, por në ranishten e lagur të bregut. Nxitoi ta merrte sërish, ta hidhte sërish, pa i lënë kohë nervave të ngritura të largoheshin pikërisht sepse diç kishte nisur të rritej në mesin e kraharorit dhe e trembte, e trembte pamasë. Shishja sërithi nuk u largua shumë ra në cektinën e bregut me një plluq të gjallë që e pasoi heshtja dhe çdo gjë në atë ishull të thekur në diell qe tashmë si më parë. Si gjithë e gjithë ato orë, ditë, e vite më parë.

I ktheu shpinën detit. U mundua të kujtohej se ç’ duhet të bënte, siç bënte zakonisht në atë periudhë të ditës; nuk i kujtohej fare as në kishte ngrënë, apo sa kohë kishte që ishte zgjuar, nuk po perceptonte dot hapësirën që e qarkonte, aq të njohur gjer në detaje, për të. Nuk po qetësonte dot planet e ndriçuara që si ekrane të ndezur i vërtiteshin lobeve pa e lënë të kontrollojë dot shqisat... u plas në rrëzën e trungut të një peme dhe shtrëngata vorbulluese në mes të kraharorit e përpiu tërësisht për disa çaste. Nuk e dinte se kishte mbledhur brenda vetes aq shumë lot. Edhe pasi furia e parë u zbut, lot të qetë rridhnin si një pajtim i ajkët me botën dhe jetën, dhe një ndjenjë e thellë mirënjohjeje dhe paqeje ia pushtoi tërë qenien. Kishte krijuar në atë ishull një jetë që çfarëdo epiteti të kërkonte nuk do të qe e mundur ta përshkruante krejtësisht, përveçse si një jetë krejt e veçantë. Kishte ndierë sa e sa herë se si gërshetoheshin të gjitha antitezat dhe se si çdo përvojë e vet, mund të përshkruhej njëkohësisht thellësisht pozitive edhe thellësisht negative, fatkeqësi edhe aventurë, burim jete dhe vdekjeje; rigjenerim embrional dhe dekompozim; mjerim edhe frymëzimi. Humbje edhe fitore. E vetmja gjë, e vetmja gjë që kishte pasur e kishte vërtetë nevojë, qe pikërisht një urim, një fjalë e ngrohtë përshëndetëse. Një dorë, pa asnjë të dhënë, një identitet pa asnjë tabelë përveçse si një shpirt fisnik që një vagëllim të bukur jete, u nis të shkruante një përshëndetje të cilën hyri i tërësisë e vuri të përshkojë brigjet, të kaptojë hapësirat e t’i vijë pranë. Vetëm një përshëndetje për të kuptuar ekzistencën!

Armela Hysi

13 Korrik 2020

Për të gjithë shpirtrat-ishuj që dërgojnë e marrin përshëndetje!

22 views

Shkrimet e fundit