top of page

URIM PËR KRISHTLINDJE



 

Dal në oborrin e shtëpisë dhe ulem çdo ditë nën kurorën e ullirit dhe rrufit kafen e mëngjesit. Me letrën hollake mbështjell një cigare dhe bashkëbisedoj me veten. Ndanë udhës lëvizin kalimtarët, shumica të lidhur me zinxhirët e pushtetit, e që fatkeqësisht kujtojnë se jetojnë në liri, sepse dhuna e vërtetë është joshja ndaj saj…Brenda vetmisë time mendimet më shpien larg. Dua të besoj se ulliri është më i lashtë se njeriu. Në trungun e kësaj peme bujare dhe të bekuar Odisea kishte ndërtuar krevatin e martesës. Dhe këtë e mësojmë nga Homeri. Edhe Krishti i tradhëtuar nga Juda u arrestua në kopështin me ullinj. Ju e dini se ç’ndodhi paskëtaj. Nuk di pse kam një dëshirë të fshehtë, që edhe unë, nën kurorën e gjelbëruar të ullirit ta jap frymën e fundit, jo brenda mureve të dhomës, as në tavolinën e ngrënies apo në shtratin e spitalit. Aty le të zbresë ëngjëlli i vdekjes, ai që mban në dorë defterin dhe shikon emërat e atyre që kanë radhën për t’u marrë shpirtin. Dua ta marr me vete nje bistak të gjelbër, t’u afroj paqen dhe atyre që s’mundën të më vrisnin së gjalli. Jeta është e gjatë kur është e plotë. Unë s’e kam patur të tillë, asnjëherë. Në moshën time, njeriu nuk i ndjen dhimbjet e trupit, por të jetës. Është muaji Dhjetor, 2023. Data 25. Acari dimëror nderet mbi varfërinë tonë. Si mendoni ju, a do të vijë Krishti përsëri, të shpëtojë njerëzimin? Ç’të jetë vallë kjo, një ëndërr e bukur apo gënjeshtër dymijë vjeçare? Gjithsesi, njerëzit duhet të festojnë. Pas Krishtlindjes vjen Viti i Ri. Përsëri unë jam dyshues. Nëse do të vijë, a do të jetë vërtet i Ri, siç shpresojmë? Po ju mos u shqetësoni, mbushni gotat. Ngrijeni një shëndet për të ikurit, pastaj për fëmijët. Dhe buzëqeshni jetës. Gëzuar!

9 views0 comments

Commenti


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page