UNIVERSI POETIK QË NUK SHTERRON


Xheladin MJEKU

Sabit Rrustemi: “PA NJË VDEKJE MBES”, poezi, botoi “Beqir Musliu” – Gjilan, 2016

Prologu i fjalës

Sabit Rrustemi (1959), emër që vjen fuqishëm në universin e letrave shqipe të periudhës së viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar e këtej, veprimatria krijuese e të cilit ende vazhdon të jetë në vlugun e vlerave të padiskutueshme. Ndoshta tingëllon paksa i sforcuar ky mendim, por me shpalosjen e bibliografisë së tij do ta tumirëni këtë vlerësim me duartrokitje dashamirëse.

Kanë kaluar mbi dyzetë vite (1977), qëkur vjen me lajmëtarin e parë të futjes në radhët e krijuesve tjerë të kohës, për të vazhduar parreshtur nëpër sprova të ndryshme, gjithnjë me synimin e sjelljes së vlerave të qëndrueshme. Ai vjen gjithnjë e më i përafërt me marrësin dhe i pandalshëm në arritjen e sukseseve gjithandej në botën krijuese letrare - artistike.

Pas një periudhe kohore prej rreth një dekade, sa e kishte të ndalur publikimin e krijimtarisë së tij letrare, Sabit Rrustemi në vitin 1990 boton librin poetik “Ku i la lisat era”, për të vazhduar pastaj për më shumë se tri dekada me sjelljen në dritë të librave tjerë me poezi: “Besoj në një diell”, “Natyrë me vaj”, (album poetik), “Variacione për lirinë”, “Ëndrra që puthet”, “Paqja e brishtë”, “Nën qerpikun tënd”, “Zjarrmi e kthjelltë”, “Në fytyrën e një gjethi”, “Murale shpirti”,”Shiu i buzëve tua”, “Pa një vdekje mbes”; pastaj poezi të zgjedhura për dashurinë nga Anton N. Berisha me titull ”Ndezje yjesh në zemër”, “Mëkati që (s)e bëmë”, e deri në përmbledhjen e fundit me poezi për dashurinë “Hyjnia ime je ti”, vëllimi I dhe II – 2019. Nuk mund të mos theksohet edhe përfaqësimi i krijimtarisë së tij në gjuhën rumune me veprën “Antingere divina / Prekje hyjnore”. Poashtu, ai ka botuar edhe librat në prozë e në publicistikë, ndër të cilët, vëllimet me tregime: “Pika e zezë”, “Maska e mysafirëve”, “Mëkati që (s)e bëmë”, (përzgjedhje tregimesh nga opusi i tij, gjithnjë nga studiuesi Anton Nikë Berisha, që konsiderohet si njëri nga njohësit dhe studiuesit më të mirë të krijimtarisë së Sabit Rrustemit), pastaj “Hiri i pritjeve të djegura”, etj. Krijimtarinë e tij në prozë e plotësojnë tregimet popullore “Stina e meseleve” (në dy vëllime), proza dokumentare “Jetëshkrimi i Sylë Kopernicës”, etj.

Ky letërnjoftim i shkurtër i krijimtarisë së begatë të Sabit Rrustemit na cyt të kuptojmë se kemi të bëjmë me një krijues erudit të përmasave kombëtare, me synimet e pandalshme në prurje edhe të shumë veprave tjera dhe kurorëzimit të sukseseve gjithnjë e më të qëndrueshme, me çmime e vlerësime nga emra të njohur krijuesish e studiuesish gjithandej në botën letrare.

Ligjërata poetike

I gjatë është ligjërimi poetik i Sabit Rrustemit, që nga paraqitja publike e tij me vargjet e para, për të mos u ndalur asnjëherë, sepse ky ligjërim nuk ka veç një temë, as një motiv, as edhe veç një pikë të vetme shtjellimi. Ky rrugëtim ligjërues shtrin krahët në çdo skaj të atdheut, zbret thellë në kujtesën historike dhe shpërfaq fuqishëm dashurinë për të bukurën, si fenomen dhe prekje reale e jetës dhe ambienteve prej nga frymon poeti. Kjo ligjëratë është ndërtuar në vazhdimësi mbi themelet e autoktonisë dhe dashurisë njerëzore për vendlindjen, për lirinë dhe shtigjet e reja të ardhmërisë së njeriut të tij prej gjaku e fryme.

Për ta argumentuar më bindshëm këtë që u tha më lartë, po ndaloj në njërin prej shumë titujve poetik të Sabit Rrustemit, që karakterizohet për simbolikën dhe përbërjen homogjene tematike “Pa një vdekje mbes”, që mund të konsiderohet një fushë e gjërë e interesimeve të shumëfishta të shtjellimit, prej nga përshkohet me lloje të shumta motivore dhe tematike, që gjasojnë në një kopsht lulesh gjithëfarësoji, ku secila prej tyre reflekton një pamje të veçantë, një bukuri vetjake, për ta krijuar pastaj një ambient të përbashkët të shpërfaqjeve të shumta të ëndrrave, të situatave, shqetësimeve, të ndryshimeve kohore e kujtesës historike - kombëtare në shekuj, deri në mrekullinë e quajtur dashuri për të bukurën, për jetën dhe atdheun. Qasja me përkushtim kësaj poezie gjithësesi kërkon durim dhe vendosmëri, meqë ka të bëj me një hapësirë ku nuk ekziston përkufizimi i njohur në cikle poetike, por as ndonjë renditje tjetër motivore. Një ecje e shkujdesshme nëpër një zonë të tillë të “minuar” gjithësesi të imponon vëmendje në çdo hap e në çdo shteg, ndonëse kjo thyerje tematike nuk krijon shumë hapësirë të trajtimit të gjërë të një motivi të vetëm. Kjo, mbase është edhe qështja më e veçantë në kapjen efektive të materjes së plasuar brenda kësaj kornize librore, që sjell një botë interesante temash e ngjarjesh të trajtuara përmes vargut të tij.

Tercina “Pa një vdekje mbes”, që është edhe pagëzorja e librit, vazhdon të mbetet enigma e vërtetë, që duhet zbërthyer kujdesshëm, për të kuptuar se cila në të vërtetë është ajo që mund të vinte të martën, kur gjithëçka tjetër po e humbiste kuptimin kundruall kësaj ardhjeje të veçantë: “Krejt harroj që është e martë/ kur më shfaqet ajo që e pres/ brenda jetës pa një vdekje mbes” (po aty, fq. 175) Ky trevargësh, i cilësuar si moto e librit që po vinte, që në realitet ndrynë brenda saj gjithë brumin e kësaj materje, del të njëjtësohet me kryefrymën e lëndës së tërësishme poetike, ku autori shpërfaq këmbëngultësinë në pambarim, duke provokuar unin e tij krijues me tema e ngjarje që e ”torturojnë” parreshtur. Jo pa një arsye e fillova me këtë poezi, që me aq pak fjalë e vargje flet shumë, duke krijuar kupolën e gjithë tërësisë poetike që takojmë brenda këtij libri, gjithnjë në kërkim të gjetjeve të shumta tematike, motivore dhe vlerave që vazhdojnë ta bëjnë të qëndrueshëm dhe të dashur për lexuesin këtë libër poezish, nga më të veçuarat në opusin krijues të Sabit Rrustemit.

Prekja shqisore e këtyre poezive, njërën pas tjetrës, për të krijuar një fond të vogël mbresash nuk do mend se është kënaqësi e llojit, ku shpirti mbushet aromë vargu me frymë jete të poetit, që për dekada nuk rreshti së gjurmuari çdo skaj të botës së tij imagjinare për të përmbushur misionin e përcaktuar prej krijuesi. Kështu, që në nismë të këtij libri poetik, shijojmë freskinë e ujit që gurgullon nga burimi frymëzues, të shprehur nga “Lotët e kronit”. Këto vargje për pak çaste më krijojnë ndiesinë sikur takova njëkohësisht edhe Azem Shkrelin te “Gurra e Martin Bogës”, ku uji me çiltërsinë jetike korrespondon gjithandej viseve tjera, me po atë ndiesi dhe mall për të bukurën, për dhimbjen dhe fuqinë e shprehjes së dashurisë për vendin, për traditat, zakonet dhe frymën atdhetare.

Nëna është ndër personazhet më të dashura të trajtuara në poezinë e Sabit Rrustemit. Dashurinë e pafund dhe këshillat e nënës i paraqet edhe përmes poezisë si vlerat dhe frymëzimet e pashterrura gjatë gjithë jetës dhe krijimtarisë së tij.

“Nën qerpikët e bardhë

fshihet dritarja

po Sytë e Nanës

më shohin

edhe nga thellësia e Alpeve”

(“Dritarja rri mbyllur”, fq. 36)

Gjithnjë i bindur se “Nana / edhe në gjumë/ më sheh”, poeti nuk harron ta kujtoj çdo lëvizje a këshillë të saj, si një mësim i mirë dhe i pranueshëm në çdo kohë. Kjo lidhje shpirtërore dhe besim i fuqishëm shprehet edhe në poezinë tjetër ”Të mirat nana”, që argumenton fuqishëm se nëna është udhërrëfyes i denjë dhe pa kushte për jetën.

Nuk mund të anashkalohet për asnjë çast as pjesa tjetër prindore, meqë poeti sikur ka baraspeshuar dashurinë ndaj tyre, duke i portretizuar deri në detaje. Madje, gjatë paraqitjes së këtyre portreteve nga më të dashurat, nuk harron të shpreh edhe përkushtimet e tyre në edukimin dhe udhërrëfimet drejt ardhmërisë, që do t’i kujtoj çdoherë, sidomos kur ndihet në nevojë për këshillat e tyre. Këtu babain e takojmë në poezinë “Mësimi që morëm nga ti”, ku mes tjerash shprehet: “Na mësove për t’mos u ndalur/ se vetë ditët i ece nëpër terr/ për ta puthur dritën e syve tanë/ si tash neve, kujtimi yt” (po aty, fq. 143). Në këtë frymë të përkushtimit i gjejmë edhe poezitë: “Vdekjes mos i qoftë për nder”, “Mëngjesi i një pikëllimi”, etj.

Po aq me interesim janë edhe poezitë: “Tokës”, “Qytetit”, “Detit Jon”, “Në Butrint”, “I zbrazur prej ditës”, “Nëpër miliona zemra”, e ndonjë tjetër, që sjellin imazhin e realiteteve që prek poeti, duke ndier njëjtësimin e tij me karakteristikat kohore, veprimet a kujtesën që do të mbruan në shpirt për kohë të gjatë.

Ndërkaq, poezitë: “Hyrja në datën 21 dhjetor 2012” dhe ”Dalja nga data 21 dhejtor 2012” reflektojnë si një episod i shkurtër i përditshmërisë së poetit (apo mund të ketë qenë edhe një ditë e veçuar e tij, qoftë edhe përmes imagjinatës), të përshkruara deri në detaje, pa u anashkaluar edhe vogëlsirat e ecejakeve në dhomën, prej nga, siç do ta përshkruan ai: “çela derën/ te dollapi i shkallëve/ ngroha fytin me raki shpie” (po aty, fq. 31), që rrjedhimisht ta