top of page

UNGJILLI SIPAS NIKO KACALIDHËS



Nga Timo Mërkuri

I- Poezia e Niko Kacalidhës është një rrëfim i sinqertë dhe zëulët që qaset me rrëfimin në kishë, madje shpesh herë ky rëfim ka brenda tij vijën melodike të të kënduarit të Ungjillit ditën e Pashkës së Madhe. Kjo, por edhe fakti se Niko Kacalidha përdor me një dendësi termat dhe temat e Ungjillit, në një mënyrë që mund të themi se ai e rishkruan (poetikisht) ungjillin mund të ketë qënë arsyeja pse Vasil Vasili[1] e cilëson si një ndër tre Ungjillorët e poezisë shqipe.

Temat dhe termillogjia ungjillore në letërsinë shqipe së pari është përdorur nga Fan Noli, por temat dhe termillogjia ungjillore e tij është përdorur në sensin patriotik, ku fallohet së pari nga një tingëllimë kushtrimore, luftarake, ndërsa në poezitë e Niko Kacalidhës kjo është përdorur në sensin estetik me një tonalitet të ulët, e shoqëruar me një pasuri të madhe fjalësh, sa të fjalorit kishtar aq dhe të të folmes moderne. Kjo në fakt është pasuri stili më vete, pasi poezia është “lojë” e pasurisë së fjalës, e cila të çon në parimet e estetikës së lashtë greke ku: “nuk ka rëndësi vetëm se çfarë thua, në poezi ka rëndësi se si e thua”. E parë me vëmëndje poezia e Niko Kacalidhës ka një puhizë a brymë të brishtë e të butë mirësie te çdo varg e çdo fjalë, sa që kur qëndron para tyre të duket se qëndron para ikonave, të cilat duke i parë me mirësi, dashuri e besim ato të shënjtërojnë, duke u bërë në këtë mënyrë njëherësh ungjillizimi i dyanshëm.

Niko Kacalidha është një njeri trup imët, që ngjason me një varg të lirë poezie moderne, ecën nxitimthi më një hap të vogël, të pret me një buzëqeshje, thua se mendon gjëra të bukura që do bisedojë me ty. Sytë e tij nuk kanë marë asgjë nga hieja e një ish ministri, ata janë të qeshur dhe me një dritësim të ngrohtë që të ftojnë në një bashkëbisedim, ku ai është një dëgjues shumë i vëmëndshëm. Kur nis të flaës për poezinë i ngjan një djaloshi të dashuruar që flet për vajzën që do, ai për fjalorin që përdor ashtu edhe për gjestilacionin shoqërues. Nuk i mungojnë qajet dhe citimet me terma dhe termillogji kishtare, por ato janë thjeshtë qasje që i japin një nuancë ungjillore fjalës së tij.


II-Duke e lexuar me vëmëndje poezinë e Niko Kacalidhës shohim një pasuri fjalësh, lule të çelura në kopështin gjuhësor poetik, jo për ti këputur e bërë tufa, por për të na treguar bukurinë e jetës, jo për të bërë një paradë lulesh, por si një domosdoshmëri e pasqyrimit të realitetit poetik në mënyrë moderne. Është interesante se gjuha e poezisë së tij shpesh herë na ngjan si një gjuhë e një kohe të “shkuar”, sidomos kur në sfondin e saj poetik ka peisazhe të mitologjisë greke, Biblës apo të Homerit, por duke hyrë në brendësinë e saj befasohesh me faktin se te kjo gjuhë gjallon koha jonë, të cilin poeti e ka zhytur në një solucion arti, ku vishet me arin rinor poetik.

Poeti luan me vargun pesëmbëdhjetë rrokësh, me vargun nëntërro-kësh, me vargun trevargësh, me vargun tradicional ose vargun e lirë, por ajo që ka rëndësi është fakti se ai përdor lehtësisht në këto vargje një gjuhë të kultivuar, tradicionale e moderne, pasuruar me fjalë e shprehje të një gjuhe të herëshme, gjë që sjell pasurimin e gjuhës shqipe. Mbi të gjitha ai zotëron aftësinë që me përdorimin e këtyre fjalëve të krijojë një kuptimshmëri të vargjeve dhe poezive të tij që të të tronditë, të të entusiazmojë apo të të hutojë (sipas rastit) dhe ti ta kuptosh arsyen shumë von ose mund të mos e kuptosh dot, siç ndodh rëndom me poezinë moderne.

III-Niko Kacalidha është një poet surrealist, dhe kjo duket më së miri te ngjeshja dhe zgjerimi i vargut shkallë shkallë, jo aq për tu fshehur te hermetizmi se sa për të dalur nga thellësia e “enigmës” në një sipërfaqe flladitëse plot dritë të kënaqsisë estetike. Unë do tju ftoja të lexonit këdo nga poezitë e tij të cilësuar prej meje në rradhët e mëposhtëme, por edhe poezinë: “Po hyja në tempullin e vjeshtës” ku si nën titull ka dy vargje të Bodlerit dhe pikërisht: “Pyje të mrekullueshme, që më tmerroni, /tempuj që si organo katedraleje ulërini”f.93, ku poeti përdor prozën poetike, formë e përdorur së pari ntga surrealistët francize, por edhe nobelistët grekë Elitis dhe Seferis apo dhe poetët Embirikos dhe Engonopulos. Kjo formë poetike është si një det plot me korale e peshq të padukshëm që lëvrijnë dhe për ti kapur duhet të kesh kaleidoskopin e notarëve peshkatarë të sprovuar që ti nxjerrësh në dritë e të “hapësh” metaforat e tyre. Këtë mënyrë poetike Niko Kacalidha e ka përdorur masivisht te cikli i fundit i librit, të titulluar “Blatimet e borës”f.413) ku vargjet kanë një dendësi mendimi dhe një dritësim arti të diamanttë, sa që ke frikë ti “zbërthesh” nga droja se mos i thërmon me ndonjë “goditje” kritike të gabuar.

Niko Kacalidha ka krijuar një stil të vetin poetik me një ndërthurje fjalësh të fushave dhe epokave të ndryshme, sa nga Ungjilli, nga bota antike greke dhe Homeri, aq dhe nga koha moderne duke i lidhur këto me vargje poezie ashtu siç lidhen pjesët e trupit me fije nervash.

IV-Nuk gabojmë në qoftë se përmbledhjen “Heraldikët e borës” të Niko Kacalidhës do ta quanim “Ungjilli poetik” i tij, pasi ndjejmë se është sa i ngjashëm aq dhe i ndryshëm me Ungjillin e shenjtë. I ngjashëm pse Ungjilli i tij është prej fjale, dhe ne na kujtohet fraza ungjillore: e para ishte “fjala”, i ngjashëm pse ky Ungjill është prej fjale poetike, gjë që na kujton se edhe Ungjilli vetë është poezi me lidhësen “dhe”, si psh: ”Dhe Zoti tha: Të bëhet dritë”, i ngjashëm se vargjet e tij mbartin një mister e ngrohtësi si vetë fjalët e Ungjillit të shenjtë. Ai ndërkohë është i ndryshëm nga Ungjilli i shenjtë pse Ungjilli i tij poetik hymnizon e lëvdon njeriun dhe shpirtin e tij, madje e ngre atë lart, si Birin e Atit të shenjtë.

Këtu kuptojmë se poeti Ungjillin (por edhe mitin grek e ciklin homerik) i sjell në funksion të krijimit të poezive estetikisht të bukur duke e ngjizur me modernen, pra “Ungjilli poetik” i tij duhet lexuar në kontekstin poetik, sepse Niko Kacalidha ka shkruar poezi si një poet modern, pavarësisht dijeve të tij në fushën e krishtërimit, dije që të i lidh me ato në fushën e hortikulturës, ornitologjisë apo ihtiologjisë dhe i bën pjesë të poezisë, pavarësisht bindjeve të tij fetare.


V-Le ta shohim se si e (ri) shkruan Niko Kacalidha në Ungjillin (e tij) poetik aktin e krijimit të njeriut nga Zoti te poezia “Apokalips”, ku pasi tregon se si Zoti krijoi njeriun në gjashtë ditë krijoi “me një grusht balte magjike”, pasi e përfundoi.:


Pa lodrën me magjinë e zërit dhe e ndoqi

pas drurëve për t’i kujtuar apokalipsin.

Të shtatën ua la poetëve ta ribënin botën

nga e para. f.207


Është hera e parë që dikush shkruan se Zoti “ditën e shtatë ua la poetëve ta ribënin botën nga e para” gjë që në kuptimin kristian është blasfemi, por në kontekstin e të shkruarit nga Niko Kacalidha tingëllon shumë bukur. Këtë konceptim krijiuesi të poetit, Niko Kacalidha e shpalos edhe te poezia: “Detin do ta klenë bërë poetët” shkruan:


Detin do ta kenë bërë poetët, do ta kenë

shkulur zemrën e tyre dhe do ta kenë

bërë perlë në mes të guackave.

Dhe do ta kenë vënë mu në mes të bunacës.

Do kenë shkulur dy sytë e tyre dhe vetë

do kenë mbetur me dy zgavra.

Dhe njeri u bë hënë e tjetri u bë diell.

……………………………………………….

Sidoqoftë, unë them se detin duhet ta kenë

bërë poetët.

Patjetër duhet ta kenë bërë poetët.


Të paktën Poseidonin ata duhet ta kenë bërë,

aedët. f. 138


Këtu ska asgjë të pa natyrëshme, poetët nga vetë natyra e tyre janë krijues (si Zoti) që krijojnë botë me fjalën e tyre. Si për të na treguar se nuk është një rastësi ky konceptim i poetëve si krijues Niko Kacalidha na jep qysh në vitin 1990 poezinë “Zotat dalin nga tempulli” ku na tregon se vërtet botën e ndërtuan (apo e rindërtuan) poetët :


Zotat dalin nga tempulli me një bluxhins

a një palë pantallona doku. Zotat

dalin nga tempulli flokëdredhur profetikë.

Mbaroi arkitektura, bojërat, hieroret.

Pastrojnë penelat në grushtat e guaskave

të detit

…………………………………………….

A, të riktheheshin dhe një herë, të gatuanin

bojë të kuqe për martirët e shtrirë mermerit.

Tempulli u kompletua, të vonuarit sillnin në

supe arkivolët e fundit. Tre fytyra ungjillore.

……………………………………………….

Dhe atje jashtë, në shkallët e tempullit, plasën

damarët e ullinjve e u përkulën të lanin duart

krijuesit e gjithësisë.

Zotat që dalin nga tempulli me një bluxhins

a me një palë pantallona doku

duke treguar me gisht botën, janë poetët. f.216


Dimër 1990


A ju kujtohet se si fillon Zanafilla te Ungjilli sipas Gjonit: “E para ishte Fjala dhe Fjala ishte Perëndi”, ndërsa çuditërisht te Ungjilli poetik i Niko Kacalidhës kemi vargun : “e para ishte puthja”:


Puthja, të thashë unë, si qenka kështu puthja!

Si qenka kështu rebele puthja!

Dhe u binda në atë mbrëmje se akti i parë në

ngjizjen e botës do të ketë qenë puthja.


Në fillim ishte puthja, the, në fillim ishte puthja. f.161.


Qënka e bukur kjo botë që fillon nga puthja, me puthje vazhdoftë gjer në skajin e fundit kohor të saj, por ndërkohë unë ju ftoj të shkojmë të “Pagëzimi i zogjve” ku:


“Ringjallet Isusi nga kryqet e drurit.

Ringjallen mersinat dhe zogjtë, Shën Mëria e hënës e

jargavanit. Nga ta kap zogun e flijimit vetëtimave? Në altarin

e drurit tufa borziloku, epitafi i heshtjes. Në altarin

e gurit pupla blatuar mbirë buzëperëndimit.

Në altarin e hënës ndez bishtukun e zogjve patriarku

i dimrit”.


Në qoftë se ju doni të dini kush është pagëzori i zogjve, mos u habisni kur tju tregoj se është pikërisht ai, poeti Niko Kacalidha, siç ishte Gjon Pagëzori në lumin Jordan dhe pagëzon me formulën: “Në emër të atit, të birit, të zogut të shenjtë…” që është formulë pagëzimi e Ungjillit të tij poetik.

Unë, pagëzori i tyre duke shfletuar ungjillin

e gjethërimit, u mësoj formulën e pagëzimit:

“Në emër të atit, të birit, të zogut të shenjtë…”

………………………………………………………..

Në fillim ishin zogjtë dhe shpirti i zogjve.

Fryma eterne nga shpërthimi i yjeve e gjeneza

e botës. Nga zogjtë,

tha, nga zogjtë u bënë konstelacionet e yjeve” f.225

………………………………………………..

“Në fillim ishin zogjtë dhe amarandusi i shpirtit

ecte mbi lumin e Lithisë, në rropullitë e malit

të Murganës, pranë shtëpisë sime” f.225


Sigurisht që vetëm te Ungjilli poetik i Niko Kacalidhës mund të lexosh vargje të tilla si Psalme kishtare për pagëzim apo shugurim të zogjve, aty mund të lexosh për “Epifaninë e hënës” apo “Hieroren e gurit” dhe të ndjesh se ato kanë kuptimin universal të shënjtërimit të botës.

Le të shohim poezinë “Krishti u kryqëzua në Leshnicë” për të ndjerë dhe kuptuar shpirtin dhe fjalën ungjillore të poetit, gjuhën e tij të veçantë dhe tingëllimën e vargut.


Krishti u kryqëzua në Leshnicë

(Sipas Ungjillit të gjyshes sime

viti 1990 pas Krishtit)


Krishti u kryqëzua në Leshnicë

dhe gjithë e përpjeta gjer në buzë të muzgjeve

të nxirrte në Golgotën time,

me lulekambana të rëna nga shëtitja e epitafit.

Kryqin ia dhanë stërgjyshit tim dhe e mbante

mbi shpinë me një peshë të tmerrshme të fatit

dhe u zbardh brenda një nate.

Gjyshja ime ishte vetë Shën Mëria e borzilokut

dhe e dhembjes së përgjakur,

që vuri kujën në shpellat e mia të shpirtit

dhe u bë ikonë e shtëpive tona,

dhe ajo erë e marrë që fryu mbrëmë ishte erini

e saj e kujës.

Krishti u kryqëzua në Leshnicë

dhe gozhdët i kërkuan hua nga yjet e Kashtës

së Kumtrit që na rri mbi krye

dhe pikoi gjaku mbi shegët e egra.

Dhe qirinjtë i kërkuan hua për ringjalljen, nga

yjet e Asterisit.

Dhe ciklaminet për kurorë nga agullimi ynë.

Krishti u kryqëzua në Leshnicë.

Dhe në Leshnicë do të ringjallet së vdekuri,

sipas Ungjillit të gjyshes.f.186


Qysh në krye të herës duhet të theksojmë se kjo poezi është ndër më të fuqishmet në letërsinë shqipe dhe ka shumë të drejtë Gëzim Basha kur shkruan se: “është e vështirë të imagjinosh një antologji të poezisë lirike në gjuhën shqipe pa ‘të”. Kjo poezi është botuar te vëllimi poetik “Profecitë e drurëve” (Dritëro 1998), por nga struktura e vargut dhe tensioni që përmban në alegorinë e tij duhet të jetë krijim i viteve ’90, madje citimi poshtë titullit: “Sipas Ungjillit të gjyshes sime/ viti 1990 pas Krishtit” mendoj se është pikërisht data e krijimit të poezisë, ndonëse mendimi për “të ka egzistuar shumë më shpejt.

Qysh në titull ndjejmë e kuptojmë se Krishti nuk është nazaretasi që u kryqëzua në Golgotha. Sigurisht ai ishte një bashkëfshatar i poetit, i cili gjithë jetën e tij “ka mbajtur në shpinë si kryqin e kryqëzimit” epitetin kulak, armik i kllasës, “ka vuajtur si Krishti në të përpjetën e Golgothasë” gjithë jetën e tij, e kanë demaskuar në “gjyqet” e frontit, e kanë mënjanuar, diskriminuar, burgosur dhe më pas internuar, prej nga është kthyer në fshat një plak i drobitur e i cfilitur, në prag të vdekjes. Nuk mjafton kaq, por edhe ceremoninë e varrimit të tij e bëri vetëm familja, madje edhe varrin ja bënë diku, në një cep të varrezave.

Thjeshtësish poeti shkruan:


Krishti u kryqëzua në Leshnicë

dhe gjithë e përpjeta gjer në buzë të muzgjeve

të nxirrte në Golgotën time,

me lulekambana të rëna nga shëtitja e epitafit”.


Dhe ne befas kujtojmë se e përpjeta e Golgothasë ishte një gurishte ku ju përgjakën më tepër këmbët e zbathura Krishtit dhe askush nuk hodhi lulekëmbana në rrugën ku shkeli ai. Këto lulekëmbana I hodhi poeti në vargjet për ‘të, për ta dëgjuar ne kumbimin e tyre. Ja dhe disa vargje të tjera na vënë në mendime për diçka që nuk e kemi thënë më parë:

Kryqin ia dhanë stërgjyshit tim dhe e mbante

mbi shpinë me një peshë të tmerrshme të fatit

dhe u zbardh brenda një nate.

Gjyshja ime ishte vetë Shën Mëria e borzilokut

dhe e dhembjes së përgjakur,

që vuri kujën në shpellat e mia të shpirtit

dhe u bë ikonë e shtëpive tona,

dhe ajo erë e marrë që fryu mbrëmë ishte erini

e saj e kujës.


Paskësh qënë stërgjyshi i poetit vetë Krishti që mbante kryqin e kryqëzimit me një peshë të tmerëshme të fatit , paskësh qënë gjyshja Ollga Shën Mëria e borzilokut që vuri kujën në shpellat e shpirtit të poetit dhe u bë ikonë e shtëpive tona. Ndoshta duhet ta pyesim Niko Kacalidhën për më shumë hollësi, por ç’rëndësi kanë hollësitë e tij familjare kur Krishti ishte bir i shtëpive tona dhe gjyshja e poezisë ishte gjyshja jonë. Nuk ka rëndësi ku i gjetën gozhdët e kryqëzimit, rëndësi ka që, të bindur në ringjalljen e tij, qirinjtë i kërkuam hua nga yjet e Asterisit dhe për kurorë morëm ciklaminet nga agullimi ynë. Por mbi të gjitha ka rëndësi që:


Krishti u kryqëzua në Leshnicë.

Dhe në Leshnicë do të ringjallet së vdekuri”.


Në qoftë se më pas do më pyesni se ku ndodhet kjo Leshnica ku u kryqëzuar Krishti, unë pa hezitim do ju tregoja çdo fshat apo qytet të vendit tim.

Ajo që dua tju tregoj veçanërisht është ky stil i veçantë poetik, i pangjashëm me asnjë në letërsinë shqipe që sjell pranë nesh poezi mbuluar me art , si një nuse me vello të bardhë, e cila mbart farën e shpresës për të ardhmen.


Sarandë, më 26.12.2022

[1] Vasil Vasili : “Tre Ungjillorë të poezisë” ( Zeqo, Rreshpja dhe Kacalidha) Patra, 4 Korrik 2015

20 views1 comment

1 Comment


Fatmir Minguli
Fatmir Minguli
Dec 27, 2022

Shume profesionale kjo analize i nderuar Timo! Duke e lexuar, studjuar dhe nenvizuar kuptova jo vetem mrekulline e poezise se Kacalidhes por dhe mjeshtrinè e vrojtimit kritik. Asnjè koment me shume!Urime dhe me befasove!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page