top of page

UNAZAT E FEJESËS


Liri Bele

- Ja, tani më dëgjoni t’i përgjigjem pyetjes suaj të sinqertë. Po nis t’jua tregoj thjesht e ngadalë arsyen e mosardhjes sime në takimin tonë të djeshëm, për më tepër, që thelbin e saj njerëzor, lidhjen e ngushtë me ecurinë e jetës sonë të përditshme çdokush duhet ta njohë, - shqiptoi fjalët e para sapo takoi shokët Përparimi, duke u prezantuar me një buzëqeshje të mezidukshme dhe hodhi ngultas shikime të vëmendshme në fytyrat e tyre. Qëndroi në pritje derisa të sigurohej se do ta aprovonin kohëzgjatjen e domosdoshme të rrëfimit të tij si përherë. Do të diskutonin së bashku duke shprehur gjykime personale, të cilat nuk ishin kopje të njëra-tjetrës, por prezantonin individualitetin e secilit.

Ishin tre shokë pensionistë, Përparimi, mjeku specialist i sëmundjeve të brendshme, ekonomisti Pandeli, dhe mësuesi i gjuhës angleze, Tomi, tashmë një përkthyes i palodhur e i përkushtuar (punonte çfarëdo përmbajtje të kishte teksti që i kërkohej, një punë intensive dhe e lodhshme për moshën e tij). Ata e ndienin të domosdoshëm një takim të përbashkët, pothuajse përditë, për të pirë kafen e mbasdites, por edhe për të shkëmbyer biseda rreth informacioneve të lexuara në gazetat ditore, të dëgjuara në emisionet televizive, realisht të përsëritura, të cilat i mendonin dhe dëshironin t’i ndanin mes tyre në formë komenti. Vetëm kështu ata përjetonin një ndjenjë kënaqësie të natyrshme dhe e kishin të pamundur ta shpjegonin se përse me të tjerët qëndronin në heshtje pothuajse gjithë kohës në takime të rastësishme.

Respekti ndaj tjetrit, përsa i përkiste temës apo kohës së diskutimeve, përbënte thelbin dhe kësaj here Përparimi, njeri fjalëpak, i kulturuar, tepër i zgjuar, njohës i thellë i jetës, në bazën e së cilës qëndronte puna e mjekut, për më tepër se katër dekada, po prezantohej nën shikimet e përqendruara të syve ngjyrë ulliri të një nuance të errët, ende pjesë e bukurisë së dikurshme djaloshare, pavarësisht kontrastit me ngjyrën gri të vetullave të trasha, të flokëve që rrethonin në formë kurore ballin e lartë, të lëmuar, si të mundohej të tregonte natyrën e tij krenare të mirënjohur, shoqëruar me shtatin e lartë e të pacenuar për një mashkull afër të 70-ve, por përparësinë e merrte lartësia e skajshme e gjykimeve të porsashprehura që prekte këdo para tij, pa humbje kohe.

Mënyra e hedhjes së shikimeve të ngulitura dhe të përqendruara drejt shokëve, linte të kuptohej se do të bisedonin rreth një problemi të rëndësishëm të jetës së përditshme, të cilin, në mënyrë të larmishme kishin rastisur ta takonin gjatë viteve të shumta të jetës dhe kohëzgjatjes së miqësisë së admirueshme.

Natyrisht po e prisnin me kureshtje nisjen e bisedës së tij, e cila përherë kishte të bënte me episode të zakonshme të jetës. E veçanta qëndronte në mënyrën tërheqëse të shtjellimit dhe më kryesoren e përfaqësonte thellësia e mendimit, që shpesh shoqërohej me qasjen e episodeve të ngjashme të jetës reale, aq sa të ndodhte të ngatërroje episode të jetës ndodhur në kohë të ndryshme, për shkak të lidhjeve që krijoheshin.

- Mos na lër gjatë në pritje Përparim, - e mori fjalën i pari Pandeliu. - Dje ishte e diel, dita e shënuar e javës, dhe mungesa jote bëri që takimin e merituar tonin të mos e realizonim, sikurse prisnim. Le ta pranojmë me ndërgjegje që e përjetuam si një lloj boshllëku, një gjendje fare e pakëndshme. Nisur nga pamja jote e jashtme, dyshojmë se mos ke pasur ndonjë arsye të fortë, me vlerë dhe rëndësi më të madhe se takimi ynë. Si thoni, a kam të drejtë të mendoj kështu? Hera e parë që dyshoj…

- Po, gjithçka fillon mbas kohës së takimit tonë të shtunën mbasdite, kur unë shkova të shihja mbesën time ende shtruar në spital pas aksidentit që pësoi autobusi në një kthesë rruge të amortizuar, ditën e festës kur shkolla organizoi ekskursion jashtë qytetit. Fatmirësisht për të dhe shokët e saj, lëndimet nuk ishin të thella dhe pa u shoqëruar me probleme shëndetësore serioze. U mbetën më të paktat gjurmë, të cilat po ecin drejt përmirësimit dhe në fillim të javës tjetër do ta kemi ne shtëpi. Më bëri përshtypje që ndihej e gëzuar, sigurisht nga prania e shoqes.

Këtë herë po më dukej më e çelur, për faktin se dy ditë më parë, në shtratin përballë, u njoh me vajzën studente me emrin Adela, e cila, mbas qëndrimit tre ditor në repartin e reanimacionit dhe kur në tërësi treguesit mjekësorë pozitivë vërtetuan se gjithçka kishte mbetur pas, u transferua në dhomën dyshtretëshe, ku ndodhej mbesa Marjeta.

Të gjithë e dimë se jo rrallë takimet e rastësishme mund të lënë mbresa pozitive qysh në çastin fillestar të prezantimit. Me kalimin e kohës plotësohen duke u konsoliduar në të ardhmen në një miqësi të vërtetë.

Informacionet e para që mora pas njohjes me Adelën do t’i plotësoja të nesërmen mbasdite, saktësisht dje. Do t’ju kthej dhe përgjigje për pyetjen tuaj lidhur me mungesën, dhe ju kërkoj falje për këtë veprim, sepse duhet t’ju informoja për mungesën. Më kuptoni, ju lutem, sinqerisht u ndodha nën ndikimin e forcës së mbresave të marra atje. Ja, e verteta:

Pardje, i ulur pranë shtratit të saj, teksa po qëndroja mes dy vajzave të reja, me lehtësi kuptova se, pavarësisht kohës së shkurtër të njohjes, të dyja i ishin përshtatur situatës reale brenda njërës prej dhomave të spitalit kirurgjikal. Tani do të mësoni më tepër, - ndali një hop Përparimi dhe pastaj vazhdoi:

- Pacientja e re me emrin Adela studon në Universitetin e Arteve, në degën e Arteve të Bukura, si një nga institucionet publike të arsimit të lartë me karakter artistik, ku arsimi profesional mund të shoqërohet me veprimtari krijuese në fushën e artit e të kulturës, duke ndihmuar kështu drejt për së drejti në rritjen e standardeve të qytetërimit në vendin tonë, nivelin real të të cilit e njohim mirë dhe i gëzohemi kësaj pune. Ne shprehim respekt të sinqertë kur mësojmë se bëhen përpjekje për shkallë më të larta studimore në mosha te reja.

Ajo vazhdon vitin e fundit dhe ndodhet në prag të marrjes së diplomës universitare; njëherazi ka qenë e prirur së tepërmi mbas punimeve artistike të kohëve të sotme, pa anashkaluar krahasimet me ato të mëparshmet, jo rrallë antiket. Adela përpiqej të krahasonte aktualet dhe të bënte lidhje të mundshme, sado të pakta, me krijime të shekujve të hershëm, kur ato prezantonin punime artistike të papërsëritshme, veçanërisht në vlerat universale të shkëmbimit të unazave midis një mashkulli dhe një femre të dashuruar, sikurse ajo po përjetonte dashurinë e vërtetë me shokun e saj Miri.

E kishte gjykuar të arsyeshme ta prezantonte Mirin me prindërit e saj të dielën e parë të muajit të ardhshëm dhe po e priste me shpeshtim rrahjesh zemre çastin e lumturisë sublime. Adela, një studente e shkëlqyer, përgjatë ndjekjes me korrektësi të programeve mësimore, merrte njohuri themelore në teorinë e artit dhe pedagogji, por lënda më tërheqëse për të ishte historia e artit vendës, botëror dhe estetika. Gjithashtu, gjatë ciklit të parë të studimit, rëndësi e veçantë i kushtohej rritjes së kapacitetit analizues dhe interpretues nëpërmjet ushtrimeve e detyrave studimore.

Studentët njihen me gurët, hekurat, mermerin dhe materiale të tjera, teknikat e punimeve të të cilëve me mjete të ndryshme në të shkuarën e largët krahasohen me teknologjinë e kohës. Adela ëndërronte që mbas mbarimit të fakultetit të punonte në një studio fotografike, por më tërheqëse për të ishte historiku i shkëmbimit të unazave, njëri nga treguesit e jetës së përbashkët të burrit me gruan.

Më tërhoqi vëmendje fakti që në shtratin përballë mbesës Marjeta qëndronte shtrirë një vajzë trupgjatë, pothuajse sa gjithë gjatësia e tij, e mbuluar në tërësi nga një çarçaf i bardhë prej pambuku, i cili, fare pas trupit të saj, përvijonte saktësisht format perfekte të tij. Binin në sy të dy ekstremitetet thuajse me një kontur të gdhendur mjeshtërisht dhe lart mbi belin e hollë konfigurohej një gjoks i lulëzuar, që vijonte me qafën e bardhë paksa të përkulur lart, për shkak të jastëkut vendosur nën të. Dukej si diçka e veçantë që parakrahu i majtë nuk konfigurohej qartë, sepse në sektorin e prezantimit të dorës binte në sy një pështjellje e trashë, me garza të bardha që rriste përmasat e tij…

Nuk dyshohej të ishte vendosur në mbrojtje të shtresës së allçisë, sikurse veprohet pas goditjeve të anësive, si një zgjidhje e domosdoshme për të siguruar kohën e duhur, deri kur funksioni t’i rikthehej ekstremitetit të dëmtuar. Në të dyja anët e jastëkut shtriheshin tejpërtej tufat e flokëve të dendur, të gjatë, me ngjyrë të zezë që përcaktonin saktë kontrastin me lëkurën e bardhë e të lëmuar të fytyrës ovale, gjysma e majtë e së cilës dukej paksa e enjtur dhe e ravijëzuar me ngjyrë të errët, si të ishte lënë përgjysmë puna e nisur për të realizuar “tatuazh shkarravitës” në regjionin e faqes.

Bukuria e buzëve të kuqe, të fryra, ku lodronte një buzëqeshje e mezidukshme, e cila rritej nga konfigurimi i lehtë i një gropëze të vogël nën faqen e djathtë, dallohej sapo buzët shqiptonin të parën rrokje. Perfeksioni i pamjes shoqërohej me vetullat e holla, të harkuara mbi ballin e lartë, sytë e formës së zgjatur si imitues të kokrrave të bajames dukeshin mbuluar përgjysmë me qerpikë të dendur dhe të gjitha së bashku prezantonin të njëjtat nuanca të ngjyrës së flokëve, duke të krijuar përshtypjen se po sodisje një pikturë mjeshtërore.

Pas një çasti admirimi të sinqertë (nuk më kishte ndodhur më parë ta shihja shëmbëlltyrën e bukurisë perfekte shtrirë në shtrat dhe të mbuluar me çarçafë), në një qëndrim njerëzor, njëherazi në atë të mjekut, i drejtova pyetje të thjeshta, doja të mësoja shkakun pse një vajzë të ishte e detyruar të ndodhej në spitalin e traumës, njëherazi shoqe dhome e mbesës në spital.

Përparimi vazhdonte të përjetonte ngjarjen e treguar thjesht nga e dëmtuara dhe vazhdoi përsëri pas një ndërprerje të shkurtër:

- U detyrova ta përshkruaj me hollësi këtë episod, sepse ai është zanafilla e gjithçkaje që vijoi më vonë, dhe më la mbresa.

- Të gjithë e dimë mirë kuptimin e vërtetë të fjalës “Laku”, - vazhdoi Përparimi, pasi përsëri heshti një moment. - Pikërisht pardje, pas takimit tonë të zakonshëm, unë i bëra vizitën e përditshme mbesës në spital dhe rastësisht u njoha me Adelën, në moshë të re, rreth 22-23 vjeç. Besoj se të duket diçka e rrallë kur sheh të qëndrojë në një shtrat spitali të traumës një femër të bukur, e cila sigurisht jo rastësisht ka njërën dorë të fashuar e të vendosur në allçi, sikurse ime mbesë pas aksidentit në jug të vendit, ditë më parë…

Ishte vërtet një femër e bukur Adela, por më tepër tërhiqte vëmendje zgjuarsia e saj, kultura e gjerë dhe natyrshmëria, aq sa e ndiqja me interes teksa tregonte episodin pothuajse tragjik që e kishte detyruar të gjendej në shtratin e spitalit, fatmirësisht me shpresa dhe argumente bindëse për një ecuri pozitive, pasi fillimi i episodit u prezantua në mënyrë tragjike.

Adela ndërpreu tregimin e ngjarjes dhe për një çast heshtëm të tre.

- Kam kureshtje të di se mos është një ngjarje e përsëritur, por kësaj radhe me siguri do të ketë ndodhur në pjesën veriore të vendit tonë, - thashë pas pak me një fije ironie ,e vijoi tregimin Përparimi..

Pasi më hodhi një shikim të butë dhe të ëmbël, teksa përpiqej të qëndronte ndenjur, Adela m’u përgjigj me zë të ulët:

- Ndodhi në një prej trotuareve të kryeqytetit tonë, fare pranë qendrës, teksa atë mbasdite po kthehesha në shtëpi nga vizita në panairin vjetor të librit. Ndihesha e lumturuar, pavarësisht peshës së çantave me librat e shumtë që kisha blerë në stendat përkatëse të Shtëpive Botuese, shkruar apo përkthyer nga autorë të përzgjedhur shqiptarë. Po më shoqëronte mikja ime, Lida, e prirur mbas letërsisë dhe besoj se, ajo do të jetë një shkrimtare e ardhshme. Po të tregoj rrjedhën e ngjarjes. Më fal për ndërprerjet e herëpashershme, sepse… dhembja e dorës së majtë... Ah! Sa e fortë! Ndiej pamundësi të lëvizjes së tre gishtave të fundit të po kësaj ane, janë të shoqëruar me enjtjen e tyre, sikurse sipërfaqja e dorës dhe parakrahu ka një gërvishtje të thellë… Fytyra ime e tregon vetë se çfarë pësoi…

Ekzaminimi radiologjik diagnostikoi thyerje të kockave të dy gishtave të fundit, gjë që, sipas mendimit të specialistëve, do ta rimarrin funksionin. Fillimisht dukeshin të gërshetuara dëmtimet fizike relativisht në përmasa të vogla dhe në krye të tyre qëndronte çorientimi mendor kalimtar, që fatmirësisht nuk po më përsëriten më. Përgjatë atyre çasteve unë jetoja fragmente nga librat e lexuar apo edhe pjesëza nga punimi i doktoraturës me subjektin tërheqës “Simbolet antike të jetës martesore”, fatmirësisht me një kohëzgjatje 2-3 minuta, që, edhe kur i kujtoj tani, më shkaktojnë trishtim.

Përkujdesi i stafit mjekësor, natyrisht udhëhequr nga rezultatet e ekzaminimeve në mënyrë të faktuar, po garantonin shërim të Adelës. Pas tyre, mund të renditet edhe njohja me Marjetën në spital. Adela vijonte të fliste:

- E veçanta dhe bukuria e këtij episodi që në mënyrë të papritur më shkaktoi goditjen e dyfishtë: dëmtime fizike dhe turbullim mendor kalimtar, që kurrë më parë as i kisha imagjinuar jo më provuar, më detyruan të pranoja pasojat e tij si dhurata të çmuara, sepse përballë meje ndodheshin stiva gurësh rrethues për rindërtimin e trotuarit, gjë që e qartësova shumë më vonë.

Dukej që në fytyrën time qartësohej pamundësia që nuk po futesha në brendi të temës së bisedës, edhe pse po përpiqesha, gjë që nuk po e fshihja tregonte I emocjonuar Perparimi, prandaj Adela me një zgjuarsi të natyrshme, pas një heshtjeje të shkurtër, sqaroi:

- Bëhet fjalë për një rrëzim të papritur timin në pllakat e trotuarit, shoqëruar me goditje të të gjithë trupit, por ndofta instikti i vetëmbrojtjes, si një nga tiparet e qenies njerëzore, më ndihmoi të anohesha brinjas nga e majta. Kështu shmanga goditje të kokës në stivën me gurë fare pranë meje, sikurse e mësova më pas, se atë takim e realizuan syzet e mia, të cilat fluturuan gjatë lëvizjeve tepër të shpejta të kokës sime drejt gurëve, teksa po rrëzohesha përtoke dhe ato u copëtuan…

- Ndodhem shtrirë në këtë shtrat të lartë, - vazhdoi ajo, - nën kujdesin mjekësor e njerëzor, të panjohur më parë prej meje dhe njohja me mbesën tuaj, Marjeta, më ka krijuar mbresa të këndshme. Për më tepër ndihem e sigurt se gjithçka po shkon mirë, krahasuar me ditën e parë të ardhjes. E ndiej se më gëzon së tepërmi fakti i pakësimit të madhësisë së maskës së shëmtuar në gjysmën e majtë të fytyrës së enjtur, e shoqëruar me vështirësi në artikulimin e fjalëve; realisht iu kthye normalitetit shumë më shpejt nga sa pritej. Sinqerisht, tani e gjykoj me gjakftohtësi se për gjithçka që ndodhi edhe unë mbaj një pjesë përgjegjësie, sepse nuk duhet të hidhja hapa pa kujdes, të shihja vetëm rrotull apo drejt qiellit, pavarësisht se fijet ishin të holla e me ngjyrë të bardhë, shkëlqimi i të cilave mund të ngatërrohej me atë të vijëzave të ujit mbas shiut…

Mbas goditjes, Adela humbet ndjenjat dhe Lida, me të cilën ishte shkëputur brenda një kohe aq sa i duhej asaj të kalonte në anën tjetër të rrugës, kur dëgjoi e tmerruar klithma në krahun ku Adela disa godina më tej kishte shtëpinë, shtangu me një parandjenjë të frikshme, në pamundësi të dallohej qartë çfarë po ndodhte realisht. Ktheu kokën dhe nuk po u besonte syve kur pa dy-tre persona që shpejtonin të ngrinin dikë të shtrirë përgjatë sipërfaqes së trotuarit. Po, ajo ishte një femër që i ngjasoi me Adelën, por Lida nuk po kuptonte se çfarë kishte ndodhur dhe pse ishin mbledhur aq kalimtarë brënda disa minutave duke prezantuar një situatë të pa zakontë.

Vrapoi përmes rrugës kryesore, pa i respektuar rregullat e qarkullimit rrugor, gjë që edhe mund t’i kishte shkaktuar pa dashje vehte vetes, një përfundim tragjik. Me më të shpejtën kohë iu afrua personave që ndihmonin ta ngrinin Adelën dhe së bashku e vendosën fillimisht në pozitë gjysmë ndenjur, sa ajo të merrte veten; njëherazi, në pritje të ardhjes së autoambulancës, që dikush po i telefononte…

Teksa hidhte vështrimin rrotull, në kërkim të syzeve të shoqes, Lidën e zaptoi hidhërimi, për më tepër kur po dëgjonte përgjigje jo të qarta të Adelës në pyetjet që i drejtonin dy femra të reja përkulur drejt saj. Në çast gjykoi se koha nuk priste, nuk duhej të humbisnin as sekondat. Rreth dy-tre hapa më tej ishte flakur çanta e shoqes dhe pranë saj qeskat e mbushura me librat e blera në panairin e librit. E mori në duar çantën, duke e hapur me shpejtësi, sepse duhej t’u gjente të shënuar në celular numrat e telefonit të prindërve të Adelës, të cilët i informoi shkurt, pa u futur në brendësi të ndodhisë, njëherazi duke u kërkuar të takoheshin sa më shpejt të ishte e mundur.

Në të njëjtën kohë, teksa e mbante mbështetur në krahun e saj të djathtë, dëgjoi Adelën të pëshpëriste emrin e Mirit, të cilin e kërkonte ta lajmëronte, por nuk po mund ta identifikonte në rreshtat e gërmës “M” në aparatin celular. Duket se haste vështirësi dhe vetëm drejtimi i shikimeve pyetëse e tejet të shqetësuara drejt saj realizoi mirëkuptim. Pa shkëmbim fjalësh me Adelën, ajo do të bisedonte me Mirin për situatën e krijuar, ndërsa mori vesh që Adela e kishte shënuar në listën e saj të telefonit Mirin me emrin “Artisti”.

Adela do të vijonte rrëfimin e saj:

- Lida në çast më përqafoi sërish, duke më shoqëruar kur po më merrnin me ambulancë, më qëndroi pranë gjithë kohës dhe nisi të më sqaronte se Miri, në momentin kur dëgjoi të përmendej emir im e të tjera fjalë, si: “goditje, urgjencë”, u çorientua aq sa nuk po mund të bënte lidhjen midis tyre, nuk e kishte të qartë se personi që po bisedonte më të, ishte mikesha ime. Tepër i tronditur kërkonte sqarime të hollësishme për të mësuar çfarë kishte ndodhur realisht, gjendjen time shëndetësore aktuale, duke këmbëngulur të bisedonte me mua, sidomos në çastin kur dëgjoi Lidën të shqiptonte e hidhëruar fjalë të mbytura, të ndërprera me ngashërima:

- Adelën po e shoqërojmë në repartin e reanimacionit të spitalit kirurgjikal. Atje do të mjekohet urgjentisht!

Aq e tronditur ishte Lida në ato momente sa, po ja përcillte dhe Mirit gjendjen emocionale të cilen ajo vetë po e përjetonte. Nuk mundej t’i ndante fjalët e saj drejt meje dhe të tjerat me te cilat ajo duhej t’i shpjegonte konkkretisht Mirit se çfarë ishte duke ngjarë…Dëgjova zërin me nuancën më pikëlluese të njohur prej meje:

- Po. Adelën po e shoqërojmë në repartin e urgjencës së spitalit….

Sigurisht situata e rënduar, koha tepër e kufizuar nuk e lejonte Lidën t’u përgjigjej thirrjeve të përsëritura të tij në telefonin celular, gjë për të cilën i kërkoi falje kur u takuan. Miri shpejtoi të shihte Adelën, të kuptonte gjithçka kishte ndodhur në më të shkurtrën kohë të mundshme, aq sa prezantohej si të kishte qenë një zog fluturues. Ishte shumë i vështirë për të momenti kur mësoi lajmin e hidhur për të shtrenjtën Adelë, plotësisht e shëndetshme dhe pa më të voglën ankesë shëndetësore deri një natë më parë. Së bashku kishin shëtitur deri vonë dhe pikërisht të djeshmen e kishin gjykuar me ndërgjegje dhe të lumturuar vendimin se kishte ardhur çasti për të hedhur hapin vendimtar në jetën e tyre, pra do të ekspozonin lidhjen martesore, kështu do të kthenin në realitet ëndrrën e përbashket trevjeçare, njëherazi këtë qëndrim të palëkundur do t’ua bënin të ditur të dyja familjeve, të cilat dinin paksa, rreth marrëdhënies së tyre miqësore.

“Cili të kishte qenë shkaku që detyroi ta sillnin Adelën në spital dhe detyrimisht ta mbanin nën kontroll mjekësor?” - përsëriste pyetjen Miri.

Ishte në dijeni të asaj mbasditeje që ajo së bashku me mikeshën Lida do të vizitonin panairin vjetor të librit. Ditëve të fundit interpretimi prej tij i një personazhi të famshëm në shfaqjen e radhës, ia kufizonte së tepërmi kohën e lirë dhe nuk mund të shkonin së bashku.

Tepër i tronditur, pyeti shkurt mjekun e shërbimit për situatën shëndetësore të Adelës, por dukej se përgjigjet e marra ia shumëfishuan shqetësimet, të cilat, shoqëruar dhe me të tjera shpjegime nga Lida, e çoroditën fare. Hapi me vrull derën e dhomës, largoi infermieren pranë shtratit dhe po ashtu impulsiv, diç mërmëriste. Afroi fytyrën e vet pranë Adelës dhe konstatoi me hidhërim të thellë se ajo momentalisht po ngatërrohej në përshkrimin e ndodhisë, fytyrën e kishte të transformuar dhe… serumet në krahë…

- U përkul pranë fytyrës sime, - vazhdoi të tregonte Adela, - më puthi lehtas ,mbajti ngulitur shikimin në gjysmën e majtë të enjtur me ngjyrë të errët, duke mos kuptuar se përse qëndrimi im në shtrat ishte një pozicion i detyruar. Diçka duhet të kishte ndodhur, por jo sa të mund ta zbërthente plotësisht…

Çasti kur Miri nguliti shikimin në faqen time të majtë të enjtur, me ngjyrë të errët duke përsëritur fjalët pothuajse pëshpëritëse (dukej qartë që dëneste), u shoqërua me shpejtimin e rrahjeve të zemrës dhe sikur kisha një ndjesi peshe mbi kraharor…

-A mund të shpjegohet kjo?! - pyeste ai me dhimbje të thellë. - Po? Absolutisht nuk pranohet!

- Oh, përsëri u trondita thellë, - vijoi Adela. Sërish gati po më çorientonte Miri, me një pamje krejt ndryshe. Asnjëherë më parë nuk kisha njohur në fytyrën të bukur një egërsi të skajshme, gërshetuar me ndjenjën e hakmarrjes dhe krenarisë, si të kisha para syve të mendjes kohën disa sekondëshe para fillimit të duelit midis luftëtarëve në kampet armike në kohë të shkuara, kur ndeshja vazhdonte me forcë deri në marrjen e jetës së kundërshtarit…por atij çasti e pamundur për mua ta ndaja tiparin mbizotërues aktual në fytyrën burrërore të Mirit. Vallë po udhëhiqej nga ndjenja e hakmarrjes apo nga krenaria? Përsa e njihja së afërmi, e dija mirë se ai nuk i pranonte padrejtësitë në jetën shoqërore, për më tepër ndaj meje, një person absolutisht i pafajshëm, sikurse kisha dhënë prova…

E njihja mire shikimin zhbirues, ngulitës prej syve të ngjyrës së errët me shkëlqimin e më të çmueshmit gurë të çmuar, mbi të cilët vetullat e dendura e të kërleshura, u shtonin admirimin; balli i lartë, i gjerë, rrethuar nga flokë të dallgëzuar gati të arrinin shpatullat e gjera, si pjesë e natyrshme e vazhdimësisë së gjatësisë së trupit të tij afërsisht 2 metër (sigurisht, konstrukti dhe tërësia e tipareve të ngjashme me atë të një aktori të famshëm, ishin përcaktuesit, përparësia e tij në rolet teatrale, (prandaj po vijonte me sukses në kinematografi).

Impulsiv si asnjëherë tjetër, Miri hapi derën prej xhami, duke shpërfillur kundërshtimin e infermieres, m’u afrua përsëri, i përkulur pranë fytyrës sime më puthi lehtas dhe nuk e shkëpuste shikimin nga gjysma e majtë, e enjtur dhe me ngjyrë të errët. Përsëriste të njëjtat fjalë dhe kontrasti midis ëmbëlsisë së tyre të natyrshme dhe rreptësisë aktuale të prezantimit jo çdokujt mund t’i qartësohej, por unë njihja zemrën e tij të pastër.

Orët ndiqnin njëra-tjetrën dhe Adela përgjigjej më me qartësi:

- U ndërgjegjësova. Më kishin sjellë me urgjencë në spital dhe ndodhesha në shtrat nën kujdesin e admirueshëm të personelit të shërbimit, që nuk m’i ndanin shikimet e njerëzishme, të natyrshme, por qëndronin fare pranë meje për të mësuar si ndihesha, nëse më duhej çfarëdo lloj ndihme prej tyre dhe ishin të gatshëm ta plotësonin në çast. Në të dy krahët shihja shishe me lëngje, numrin e pikave infermierja e kontrollonte me përpikmëri, pa i shkëputur shikimet prej meje. E kisha të pamundur të përcaktoja ecurinë time shëndetësore të mëtejshme, dhe për sa kohë do të më nevojitej të qëndroja nën mjekim. Nuk më shkëputej pyetja:

“Si do të jetë e nesërmja ime?”.

Më të shumtën e kohës, përgjatë orëve të para, sytë i mbaja mbyllur, qetësohesha disi dhe ndieja ngrohtësi shpirtërore kur dëgjoja Lidën të më fliste me zë të ulët. Disa herë pika lotësh preknin fytyrën time, sapo rrëshqisnin prej syve të saj me ngjyrë të çelët. Nuk më ndaheshin nga mendja fjalët dhe qëndrimi i Mirit:

- Ua tregoj unë atyre se çfarë shkakton tenda mbrojtëse nga shiu për arkat me zarzavate të vendosura në trotuar! Po kur mbetet gjysmë e hapur me litarëzat të shpërndarë pasi shiu ka ndalur dhe qytetarët lëvizin secili në punë të vet? Atëherë? Si mund të shpjegohet? E ku ndodhi kjo ngjarje? Pikërisht në kryeqytet, jashtë imagjinatës për çdo njeri normal. Tani detyra ime është të veproj, të kthej tek ty e shtrënjta Adelë , të drejtën njerzore të shkelur brutalisht.

Më përshëndeti lehtas, u largua më vrullshëm se po kuptonte që nuk po ia shpjegoja qartë ecurinë e ndodhisë. Sa për mua, mendime të ngatërruara buronin, por më e shpeshta pyetje:

“Cili do të jetë fundi!? A do ta gëzojmë jetën tonë të lumtur?”.

Po. Ne të dy e duam sinqerisht dhe thellësisht njëri-tjetrin. Një dashuri e lindur natyrshëm mbas një miqësie të konsoliduar, përmasat e kësaj janë ngulitur brenda zemrës sime, gjë që e pranoj më ndërgjegje, sepse e kam të provuar, por tani më çudit fakti se nuk e paskam njohur saktësisht dashurinë e Mirit. Të jetë në përmasa të pamatshme? Forca që buron prej saj, të mund ta tjetërsojë aq sa po e ngatërroja aktualitetin me një mashkull hero legjendar të lexuar në libër apo parë në film. Edhe pse jo fort e kthjellët, po ndihesha e ngazëlluar, për më tepër, e bindur që ky episod i jetës nuk ishte tregues i një prove teatrale interpretuar prej Mirit ndaj meje në rolin e aktores pas një aksidenti të pa parashikuar…

Në çastet e mëtejshme, gjithçka rreth episodit të përjetuar, po qartësohej. Përtëritjet në kujtesën time sa vinin e pakësoheshin, duke më kthyer në jetën reale. Duket se fjalët e Mirit më favorizuan kthjellimin dhe tani mund ta përshkruaj saktësisht:

Sapo u ndava me Lidën, shpejtova t’i bija shkurt rrugës, si përherë e angazhuar me punë studimore të linjës profesionale e letrare. Shiu kishte rënë rreth një orë më parë, dëshmi e të cilit ishin pastërtia e asfaltit të rrugës, pllakat e lagështa në trotuar me rrezëllim të lehtë, përhapur këndshëm prej disave kur mund t’i preknin rrezet e pakta te diellit prej qiellit, mbuluar më parë me rè të errëta që largoheshin me shpejtësi. Ato prezantonin çdonjërën, si të ishin së bashku në një konkurs të dyfishtë midis shpejtësisë e konfiguracionit dhe nuk mund të kisha siguri nëse shiu në moment do të rifillonte. Pikërisht atëherë librat e shumtë në duart e mia, të porsablerë në panair, do të lageshin, do u humbiste vlera funksionale dhe kopertina e dëmtuar nuk do t’i lejonte të rreshtoheshin krahë të tjerëve në raftet e bibliotekës së shtëpis sonë, e cila vazhdonte te pasurohej prej meje .

Çfarë më kishte ngjarë? Jo vetëm që unë nuk fitova kohën e vyer, por gjendem në shtrat spitali dhe e tronditur, e pasigurt për të ardhmen… Si ndodhi? Gjithçka ia dedikoj një tende… Gjysmë e hapur në trotuar kur shiu ka pushuar, mos vallë ka marrë një tjetër detyrë ajo tendë; për të penguar ecjen e kalimtarëve, pikërisht të atyre që ëndërrojmë civilizim, - vazhdoi Adela, përpara se të heshtte, paksa duke psherëtirë.

Cila mund të ishte pikërisht ajo forcë misterioze e rrezikshme për jetën e Adelës brenda një kohe disa sekondash, në një ditë pranvere nën rrezet e diellit që anohej drejt perëndimit dhe ku qielli i pastruar vende-vende pa retë e mugëta si dhuruese të reshjeve të shiut po prezantohej me nuanca të buta e tërheqëse të ngjyrës së kaltër, tepër i admirueshëm menjëherë pas shpërndarjes së tyre, të cilat, pasi i dhuruan tokës pastërti, të dëshmuar nga mbetja e pikave të pakëta të ujit mbi sipërfaqet e lëmuara, të krijonin përshtypjen se ishin duke i falënderuar e përshëndetur ato, teksa përpiqeshin t’i mbijetonin humbjes së gjurmëve të mëparshme…

- Po ecja me hapa paksa të shpejtë duke hedhur shikime rreth e qark njëherazi drejt qiellit, - rifilloi Adela, - por jo në pjesën e pllakave ku hidhja hapat. Ndihesha e trembur nëse mund të ndodhesha papritur nën një tjetër rrebesh shiu dhe, pa e kontrolluar rrugën para meje, diçka e zakonshme për çdo njeri në punë të vet, dhe papritur…

Ende nuk mundem ta shpjegoj momentin fantastik kur u gjenda shtrirë rreth dy metra më tej vendit ku ishin vendosur radhazi arkat me zarzavate në trotuar në formë këndi, pranë të cilave gjendej një tendë e bardhë, e stërmadhe, tepër e lartë, vlera e së cilës dukej në mot të lagësht, sapo fillonin pikat e para të shiut sikurse këtyre ditëve kanë qenë të përsëritura. Ajo funksiononte në varësi të kohës, duke mos lejuar dëmtimin e perimeve. Kur ajo nuk ishte e vlefshme, sigurisht duhej të mbyllej nëpërmjet tërheqjes së litarëzave nga i njëjti person që e kishte hapur me parë, por ajo ende shihej gjysmë e hapur…edhe pse shiu ende nuk kishte prezantuar pikat e para…

Mirë, po fijet lidhëse që siguronin hapje-mbylljen e saj a të ishin verifikuara,pra të tërhequra përreth boshtit? Kishin mbetur gjysmë të tërhequra, shpërndaheshin rreth saj dhe qytetari në ecje të natyrshme nuk mund ta parashikonte momentin tragjik kur njëra këmbë e tij mund të futej brenda gërshetimit të tyre, sikurse veprova unë me këmbën e djathtë,e cila brenda një sekonde përshkoi përmes një laku të fijeve të tendes së hapur. Pra, fijet lidhëse që siguronin hapje-mbylljen e saj nuk ishin verifikuar si të tërhequra përreth boshtit, të mbledhura afër majës së tij saje funksionit të një litarëze tjetër. Sigurisht fijet gjendeshin shpërndarë pa kujdes dhe të gërshetuara midis tyre; ngritja e fijeve urdhëruese të hapjes së tendës mbrojtëse, tërheqja e kujdesshme në vendin e përcaktuar për to brenda kohës disa sekonda (natyrisht në kohën që ajo nuk ia vlente të qëndronte e hapur), janë veprime parësore që duhen zbatuar, në të kundërt pakujdesia ndaj litarthit, duke e lënë shtrirë përtokë, sjell pasoja fatale… Dhe kështu, pa dashje, një kalimtar i rastit atypari, i pa përqendruar të shihte vendin ku ecte, teksa shikimin e nguliste në sipërfaqet e arkave të shumta ,ende i pavendosur për sasinë e cilësinë e blerjes për të cilen ndodhej në tregun ambulant pa pritur pësonte…

Qëndrova shtrirë disa çaste dhe kujtoj fytyra të përkulura fare pranë meje. Gati në prekje me ballin tim dallova fytyrën tejet të pikëlluar të Lidës, me të cilën ishim përshëndetur pak më parë ,aq kohë sa iu desh asaj të kalonte në krahun tjetër të rrugës dhe mbas goditjes shoqëruar me humbje të përkohshme ndjenjash kur Lida në moment dëgjoi e tmerruar klithma …

Tri femra, me pamje dashamire e shikim të butë, ku pasqyrohej mirësia njerëzore në pastërtinë më të lartë të saj për të cilën kisha lexuar në libra, më shkuan krahët pas shpatullave duke më ndihmuar të qëndroja në shesh. Njëherazi dhe dikush tjetër mori duart e mia shtrënguar në të vetat, duke tentuar të ngrihesha. Në çast u kuptua se ishte e pamundur, mbasi ndjesia e të vjellit më detyroi të kthehesha anash; për më tepër dhembja e fuqishme e gjysmës së majtë të trupit kur përpiqesha të ngrihesha, më detyroi të shtrihesha sërish në pritje të ndihmës mjekësore.

-Po ecuria e kësaj ngjarjeje? - foli Përparimi. - E trishtuar… Dy të rinj të dashuruar kur vendosin ta celebrojnë atë, papritur takohen në spital të dëmtuar, brenda 3 orësh…

Përparimi pyeste me zë të ulët ku tregohej qartazi trishtimi dhe përjetimi i një gjendjeje shpirtërore te veçantë, duke e kaluar shikimin herë nga njeri tek tjetri, më thellë ngulitur brenda shpirtit të tij tepër të ndjeshëm. Përgjatë gjithë viteve të shumta të ushtrimit të profesionit të mjekut, ai nuk kishte mundur të ndante kufirin midis pjesës profesionale e asaj njerëzore, sa shprehej me çiltërsi të mos ekzistonte ndarja midis tyre. Pra, fjala “kufiri” të ishte thjesht një kuptim teorik.

Këto koncepte personale, ndershmëria dhe përkushtimi në punë, e prezantonin pensionistin Përparim një idhull.

- Çfarë ndodhi me Adelën mbas goditjes? - pyeti Tomi i prekur , teksa dëgjonte i përqendruar dhe plot përjetim ngjarjen.

- Ju doni të mësoni sa më parë - ia ktheu Përparimi, - por fatkeqësisht lindën probleme të tjera të vështira, të paparashikueshme përgjatë kohës në vijim, fundi i së cilës mund të ishte humbje jetësh apo gjymtime të pariparueshme.

Adela, pasi e rimori veten pas disa çastesh pushimi, vazhdoi:

- Ndihem mirë. Shpresoj që edhe mjekët të mos lënë as gjurmën më të vogël në të ardhmen, sepse ne fytyrën e një femre në moshë të re, edhe shenja në madhësinë e një xixëllonje tërheq vëmendje. Ajo është në kontrast shumë më tepër kur ndodhet brenda kuadrit të një bukurie femërore të vlerësuar, - buzëqeshi me çiltërsi Adela, duke iu gëzuar shprehjes me nënkuptim humori; njëherazi pranonte se ajo shaka përputhej saktësisht me realitetin.


* * *


- Nuk po e kuptoja sa kohë kishte kaluar, - vazhdoi të tregonte Adela, - se çfarë mund të kishte ndodhur nga çasti i largimit të Mirit derisa më vonë, në shtratin e fundit në këndin tjetër në dhomën e reanimacionit, vëmendjen ma tërhoqën veprimet e shpejtuara të personelit që komunikonin midis tyre me zë të prerë dhe me ton të ulët. U ndjeva përsëri e turbulluar, aq sa në moment e humba logjikën teksa po përhapej zëri i Mirit që rënkonte nga dhembjet.

Kulmi i tronditjes sime ishte një çast i mëvonshëm, kur dëgjova papritur një zhurmë, ndonëse të lehtë, brenda repartit të reanimacionit. Sytë e mi ndiqnin fytyrat e përqendruara dhe të shqetësuara të infermiereve ngulitur drejt barelës që ishin duke e spostuar në këndin e dhomës së madhe të reanimacionit, lëvizjet e së cilës i drejtonin me kujdes njëherazi me shpejtësi drejt shtratit të parapërgatitur. Në të shtrihej një trup i fuqishëm, si të mos përshtatej me përmasat e saj të zakonshme. Punonjësit shëndetësor, të mirorganizuar në ekip, shpejtonin; njëri prej tyre po i vendoste serume në krahë dhe tjetri po siguronte lidhjen me aparatin e oksigjenit. Pikërisht momenti kur po përshtatej maska e oksigjenit në fytyrën e të porsaardhurit, u dëgjuan rënkime në dhomë të shkaktuara prej dhembjeve të forta; njëherazi kuptohej që ai po përpiqej ta mbante brenda vetes intensitetin e tyre të vërtetë.

Intuita, apo shqisa e gjashtë e cila mendohet se ka lidhje me një transmetim të saktë e të shpejtë të informacioneve dhënë nga shqisat sikurse e njeh enciklopedia, në momentin përkatës u vërtetua dhe u fuqizua sapo unë dëgjova intonacionin e zërit të Mirit. Nuk dija asgjë se çfarë po ndodhte, por as tani nuk mundem të kuptoj forcën me të cilën tentova të zbrisja nga shtrati, gjë që nuk munda ta realizoj, për shkak të një dhembjeje të fortë në gjurin e majtë, saje lëvizjes së beftë të trupit. Një zgjidhje e volitshme ishte përshtatja e trupit tim në pozicion gjysmë ndenjur dhe duke u munduar të zgjasja kokën në drejtim të zërit fare pak i rezistova tronditjes kur njoha përmasat e dukshme të trupit të tij mbuluar me një batanije. Më e tmerrshmja ishte pamja tejet e zbehtë e fytyrës që i tregonte buzët pothuaj të ngjyrës së zezë. U kujtova se kisha lexuar diku fjalën “cianotike”, etiketuar persona të uritur për oksigjen.

E pamundur t’u rezistoja pamjeve të tilla për zbërthimin e të cilave nuk po më ndihmonte as logjika. Sa për emocionet, fuqia e tyre më vuri nën këmbë brenda çastit, ndërsa zëri im u përpoq të shqiptonte emrin e shtrenjtë që unë e mbaja në mendje, shpirt dhe në buzë: “Miri! Miri!”. Por fjala më ngeci në fyt, nuk po mund të kuptoja e ndiqja qartë situatën e porsakrijuar, veçse po ndieja një përkushtim të ekipit të shërbimit në vlerësimin e të porsaardhurit.

Në orët e mëvonshme, mora pjesërisht disa përgjigje për pyetjet e mia të shumta për të mësuar se çfarë kishte pësuar Miri mbas largimit nga spitali në të cilin u njoh me fakte dhe mori të dhëna të hidhura për çka më kishte ndodhur. Pra, brenda 2-3 orëve ndodhi fatkeqësia e dytë. Ai pësoi një goditje të rëndë në gjoks, e cila solli transformimin e pamjes, ku treguesi më i rëndësishëm ishte nxirja e buzëve, enjtja e syve; njëherazi shihej i djathti me qepallën e sipërme të nxirë,dhe vazhdimësia me gjurmë gjaku në ballë asaj ane.

Më pas mësova të vërtetën. Gjithçka kishte ndodhur pasi Miri kishte shkuar në vendin ku unë kisha pësuar goditjen. Atje ishte konfliktuar me fjalë deri në goditje me bashkëshortin e shitëses së perimeve, një person rreth të 40-ve, i pashkolluar, njeri impulsiv, që nuk po e kontrollonte veten (duket e vriste ndërgjegjja dhe po ndiente përgjegjësi për pakujdesinë e treguar çaste më parë ndaj tendës mbrojtëse lënë gjysmë të hapur me fijet tërheqëse për mbylljen e saj, hedhur të përhapura në sipërfaqen e trotuarit). Ai kishte një konstrukt fizik tejet të fuqishëm, saje punës së tejzgjatur në fermën ku prodhonte perime; njëherazi duke transportuar arkat e mbushura në tregun e përditshëm, të improvizuar shumë larg vendit të prodhimit të tyre. Dukej si një atlet kampion.

Pra, përleshja me njërin nga meshkujt në këndin e trotuarit ku vazhdonin të tregtonin perimet, pa u bërë përshtypje fakti se një vajzë e re pa as më të voglin problem shëndetësor po qëndronte në shtratin e repartit të urgjencës dhe, shumë shpejt pas asaj ndodhie të hidhur dhe të pakëndshme, po ai burim e përsëriti ngjarjen me të njëjtën përmbajtje, por kësaj radhe e prezantuar me një tjetër konfigurim:

një tjetër djalosh, plotësisht i shëndetshëm ndjek i dëmtuar fizikisht me urgjencë rrugën e spitalit të takonte një vajzë të re të dëmtuar në të njëjtin sipërfaqe të trotuarit, që për ironi të fatit rastisi të ishin të dashuruar dhe në prag të prezantimit të lidhjes së tyre të vërtetë drejt martesës. Pra, të takohej shoqja me shokun në të njëjtin repart reanimacioni të spitalit falë goditjeve të forta në gjoksin e tij, jo të rastësishme; dinin se ndodheshin në mjekime, por në pamundësi të komunikonin midis tyre për vetë situatën në të cilën ndodhej secili.

Përleshja mes dy burrave erdhi ngaqë Miri donte t’u tregonte dhe t’u jepte një mësim të munguar shitësve ambulantë, të cilët mendonin vetëm për vete dhe ishin të pakujdesshëm; dinin të zaptonin hapësirat publike, që s’ishin gjë tjetër veç sipërfaqeve të trotuarit në shërbim të kalimtarëve. Komente të tjera do të ishin të tepërta.

Gjendja e rënduar filloi ndryshimin pas ditës së tretë, kur treguesit po premtonin përmirësim dhe atij nuk i nevojitej prania e mëtejshme e bombolës së oksigjenit. Optimizmi i punonjësve së pari refkektohej në komunikimin e tyre dhe transmetimin e menjëhershëm drejt meje. Kështu më ndihmonin të mos prezantoja të tjera çaste turbullimi.

Një moment tentova të ngrihesha rrëmbimthi dhe rrezikova të bija nga shtrati. Klitha me zë të lartë: “Miri! Miri!” dhe m’u krijua përshtypja se po i dëgjoja zërin e sikur më thoshte:

- Do shkëmbejmë unazat e fejesës. Kemi vendosur që së shpejti…

Në moment u turbullova, por infermierja më ndihmoi të qetësohesha. Më pozicionoi shtrirë dhe zbatoi mjekimin e përcaktuar në kartelën personale për çdo pacient. Pra, sërish prezantoja episode të shkurtra, kalimtare të çrregullimit mendor, pasojë e pamundësisë për t’u rezistuar emocioneve të forta të porsa mara dhe të njëjta me ato të mëparshmet.

Në njërin prej tyre, kur gjatë mjekimit të pjesëve të dëmtuara nuk po mund të përqendrohesha dhe të gjykoja saktë çfarë më kishte ndodhur dhe si do të shkonte puna më tej (pyetje që nuk më ndahej; jam një vajzë studente dhe me të drejtë të ligjshme e ëndërroj të ardhmen në rrugën e artit të ngritur mbi një punë këmbëngulëse përkrah shokut të jetës gjithashtu artist, por gjithçka kushtëzohej nga shëndeti mendor dhe ai fizik). Teksa dëgjoja bisedën e dy punonjësve kur bashkërendonin veprimet nëpërmjet mjekimit të pjesëve të dëmtuara të gjysmës së majtë të trupit tim, dhembjet m’u rishfaqën të forta, sa më duheshin përpjekje t’i përballoja dhe, kur po i pështillnin me një fashë të bardhë vendosur në formë rrethi, përsëri u turbullova.

Pjesërisht edhe nën efektin e narkozës, m’u kujtua tema e bisedës së fundit me Mirin për organizimin e ceremonisë së fejesës. Unë nuk po jetoja jetën reale, por pa e kuptuar as vetë papritur u krodha në leximet e shumta dhe pjesët studimore…

Kisha mësuar se vendi që njihet si kultura e parë ku njerëzit shkëmbenin unazat e dashurisë, ishte Egjipti i lashtë rreth 5000 vjet më parë. Ata e shihnin unazën një rreth si simbol të fuqishëm të dashurisë së përjetshme dhe hapja e saj përfaqësonte një portë drejt së panjohurës shoqëruar me të tjera informacione rreth saj.

Rreth vitit 1800 u pranua nga amerikanët se një unazë metalike prezanton marrëdhënien në çift si një simbol i materializuar për të kujtuar angazhimin e përjetshëm.

Unaza është një rreth i pathyeshëm, ka kuptimin e përjetësisë në marrëdhënien e çiftit dhe përdoret për të simbolizuar një lidhje e vazhdimësi të jetës martesore, por me kalimin e kohës konceptet u bënë më të thjeshta. Mbishkrimet “Dy trupa, një zemër”, gdhendur brenda unazave në floririn e përpunuar, tregonin vetëm mesazhe midis të dashuruarve…

Martesa është një mirëkuptim mes familjeve. Një unazë e zbukuruar nënkupton një marrëveshje ngritur mbi dashurinë, pavarësisht unazës së thjeshtë apo e përpunuar nga monedha ari apo gishtit ku ajo vendoset. Ka të dhëna për diçka hyjnore, mitologjike, nisur nga koha romake, përpara se mjekësia shkencore të zbulonte funksionin e sistemit të qarkullimit të gjakut, atëherë kur njerëzit besonin se një enë gjaku në gishtin e katërt të dorës së majtë shkonte drejtpërdrejt në zemër, e quajtur “vena amoris” në latinisht, si vena e dashurisë, por që studimet e mëvonshme të bazuara në anatominë e njeriut nuk e aprovuan atë ide…

Unaza e fejesës si simbol i besnikërisë dhe lidhjes së një çifti më vonë në martesë, u kthye në traditë të gishtit të katërt të djathtë dhe Adela, si një studiuese e thelluar, njëherazi e talentuar në këto fusha, i dinte mirë të gjitha format dhe përcaktimet sikurse njëra prej tyre: “Unaza është energji pozitive brenda secilit, që ndikon në gjendjen shpirtërore”, por fakti që Adela dorën e majtë e kishte të dëmtuar përgjatë rrëshqitjes në sipërfaqen e trotuarit, nuk sillte problem dhe konkretisht unaza do të vendosej në gishtin e katërt të dorës së djathtë. Nga ana tjetër, ajo kishte lexuar se kultura dhe tradita të ndryshme tregojnë që shumë njerëz në Evropë e mbajnë unazën në gishtin e dorës së djathtë. Adela përsëri nuk e kuptonte se si realiteti i rikthehej:

- Jetojmë kohën kur një burrë i propozon gruas në mënyrë direkte duke i dhuruar një unazë, punimet e së cilës, përsa i përket stilit dhe materialit, janë të pafundme, por i përzgjedhuri mbetet diamanti; unaza është simbol i dashurisë së përjetshme, një premtim për martesë dhe hapi i parë drejt një bashkëjetese. Në të tjera studime, tregonin se unazat e fejesës kanë ekzistuar që nga kohërat më të lashta dhe konsiderohet njëra prej traditave më të përshtatshme në të gjithë botën, sepse, nga momenti i shkëmbimit të tyre, çifti shihet i fejuar zyrtarisht.

Ditëve të fundit, shkëmbimi i unazave ishte thelbi i bisedave, prandaj Adelës i rikujtohej më shpesh se çdo diskutim tjetër; për më tepër, kishin vendosur t’i prezantonin prindërit duke qëndruar në pritje të aprovimit të marrjes së bekimit prej tyre dhe për të filluar jetën familjare.

- Përgjatë kohës së shkurtër 2-3 minutëshe të episodeve çorientuese mendore kalimtare, fatmirësisht pa pasoja, rikujtoja ngjarje të jetës fëmijënore, fragmente nga librat e lexuara apo edhe pjesëza nga punimi i doktoraturës me subjekt simbolet antike të jetës martesore, që tani më shkaktojnë trishtim, sigurisht pasoja të përkohshme mbas goditjes së kokës. Përkujdesi i stafit mjekësor po më garantojnë shërim të plotë dhe ndihem paksa më e qetë, sidomos pasi munda të takoja Mirin në shtratin e tij kur ai nuk e kishte të nevojshme marrjen e oksigjenit nga bombola.

Ishte një takim i shkurtër pa shkëmbyer asnjë fjalë. U kuptuam në heshtje, përmes shikimeve tona që transmetonin ndjenjat e dashurisë së pastër, të porsadalë nga burimi tyre. Zemrat tona gufmonin nga ndjenja, rrihnin me forcë, a thua se do të shpërthenin, teksa i shtrëngonim fort duart e njëri-tjetrit gjatë gjithë kohës që qëndrova pranë shtratit të tij, pa iu bindur këmbënguljes së infermieres që unë të kthehesha në shtratin tim I cili ndodhej në anën tjetër të sallës…

Nuk ishte e nevojshme t’i kërkoja falje për shkelje të dukshme të rregullores, sikurse kisha vepruar gjë që e pranoja, por nga ana tjetër, njoha zbutjen e “dënimit tim”, dhuruar nga shikimet e syve të saj të mjegulluar. Sa për mua, as që mendoja se lotët në formë rrëkeze rrëshqisnin në dorën e shtrirë të Mirit dhe në ballin e tij sapo i afrohesha; ato ishin faktikisht e vetmja dhuratë e dukshme konkrete, sepse ndjenjat tona të shkëmbyera ecnin në rrugë të tjera, të njohura, të ndërtuara prej nesh dhe funksiononin në shkëmbimin reciprok të dashurisë sonë, duke e fuqizuar për të ardhmen, aq sa ajo t’u rezistonte gjithë viteve të jetës sonë të gjatë dhe të lumtur. . .

Mbas ardhjes së Mirit në spital, u mësua për konfrontimin në rrugë me një person të papërgjegjshëm i cili mbante përgjegjësi për dëmtimin e Adelës së dashur. Përfaqësuesit e drejtorisë përkatëse verifikuan problemin (tenda vazhdonte të ngrihej në këndin e trotuarit). Ata bënë zgjidhjen që zarzavatet nuk do tregtoheshin në trotuare ditëve në vazhdim.

- Po unë nuk kam përmendur anën tjetër po aq emocionale të ditëve të para në spital, - mendueshëm vijonte të tregonte Adela. - Të parët erdhën prindërit e mi. Lida njihej me ta dhe i kishte njoftuar menjëherë. Unë dhe ime ëmë pothuajse përherë jemi mirëkuptuar së bashku. Ndoshta edhe profili i saj si mësuese e ciklit të ulët ka bërë punën e vet, përveç faktit se ajo shpesh më shihte si e para në rreshtin e fëmijëve të asaj klase ku ajo edukonte dhe u mësonte shkrim e këndim vogëlushëve, gjë e cila fillimisht më tërhiqte, por vitet e mëvonshme po ndihesha e shqetësuar kur po kuptoja që grupi i shoqeve dhe shokëve të mi e gëzonte së tepërmi, por jo aq sa unë të hidhja hapa të mëtejshëm me ndonjërin , të përzgjedhurin tim.

Kjo ishte e vetmja arsye përse nuk kisha marrë guximin t’i flisja hapur për dashurinë time për Mirin dhe ndihesha e frikësuar se mund të më kundërshtonte, duke e konsideruar të parakohshme vendimmarrjen time. Përsa i përket mirëkuptimit tonë me babanë, e pohoj me bindje se e kemi në më të lartën shkallë, por nuk e gjykoja si zgjidhje të mençur të anashkaloja nënën. Rrëfimi im do të ishte i pamundur edhe për faktin e impenjimit të tij në punën pa një kohë të caktuar si fillim dhe një orë tjetër të përkonte me atë të mbarimit; aktiviteti privat që ai po përpiqet ta zgjerojë, i ka vështirësuar çdo ditë e më tepër qëndrimet tona së bashku, duke na e kufizuar kohën e lirë, aq sa ndihemi të përmalluar.

Prindërit e mi, edhe pse të ngujuar në stolat e gjerë të korridorit, e dija mirë si po i përjetonin vuajtjet e dyanshme, për më tepër pasigurinë e së ardhmes për mua; ndiqnin me përpikmëri ecurinë e gjendjes sime shëndetësore, duke vëzhguar edhe prezantimet e jashtme në fizionominë e njërës apo tjetrës punonjëse kur largohej prej meje, pasi më kishin dhënë ndihmesën e duhur dhe ata bënin vlerësimin e gjendjes shëndetësore, duke komunikuar dhe me mjekun përkatës që më kuronte. Kështu, kur e mora veten, më kryesorja - nuk po më përsëriteshin episodet çorientuese dhe dhëmbët po i ndieja më të pakta; gjuri i majtë u përmirësua çuditërisht më shpejt nga sa prisja, e gjykova me vend në kohën kur më kishin transferuar në njërën nga dhomat e pavijonit, sigurisht mbas kohës së domosdoshme të qëndrimit në repartin e reanimacionit, ta bisedoja hapur me prindërit vendimin tim për t’u prezantuar atyre Mirin, si shokun e jetës dhe hapin vendimtar do ta hidhnim të dielën e parë të muajit të ardhshëm, por... Rrjedhja e ngjarjeve të ditëve të fundit kishte sjellë pasiguri dhe, në njëfarë mënyre, na pengonte të mos mendonim për realizimin e më së bukurës ëndërr të jetës sime rinore.

Përmirësimi i gjendjes së Mirit po dukej orë mbas ore, duke na gëzuar të gjithëve, sidomos kur mundi të zbriste nga shtrati dhe me shumë ngadalësi, por jo i pasigurt, iu afrua shtratit ku po qëndroja. Natyrisht ky është momenti më i lumtur i jetës sime të derisotme! Po më dukej sikur ia kishim dalë të qëndronim mbi dallgët e tërbuara mes detit dhe të dy kishim prekur në mënyrë të sigurt varkën e shpëtimit, prej nga persona të fuqishëm po zgjasnin duart të na vendosnin brenda saj...

Mbas ardhjes së prindërve të Adelës, mbërritën në spital edhe prindërit e Mirit. Çasti kur ata hodhën vështrime drejt shtratit të të birit nuk mund të përshkruhet: trishtim, lot, ngashërime, pamundësi të flisnin dhe për ta ndihmuar njëri-tjetrin; mbështeteshin në supet e njëri-tjetrit dhe as mund ta kuptonin e jo më ta pranonin çfarë po mësonin për fëmijët e tyre, të rrezikuar krejt papritur me jetën apo, me ndonjë dëmtim jo të vogël pasues…

Po cilin të fajësonin? E palogjikshme të pranonin që rreziku kishte ardhur nga një fije litarthi e hollë në formë laku, e flakur në mes të rrugës, ku njerëzit kalojnë lirshëm dhe nuk kanë arsye të kontrollojnë me kujdes hapat që hedhin përgjatë ecjes ne rrugen zakoneshme…

Tejet të shqetësuar, prindërit u përshëndeten thjesht mes tyre dhe situata e krijuar bëri të afrohen më tepër kur, të bazuar në informacionin e marrë, u bindën që të dy fëmijët kishin vendosur për një lidhje të përbashkët martesore; e vendosën ditëve të fundit të prezantonin prindërit e secilit të dielën e parë të muajit tjetër, njëherazi java e parë e pranverës. Çdonjëri e kishte hamendësuar se prindërit dinin paksa rreth lidhjes së fëmijëve, por si përfaqësues besnikë të traditave familjare, ata prisnin veprime konkrete për ta pranuar fejesën e vajzës së tyre të vetme, sikurse edhe Miri, djali i vetëm i prindërve të tij.

Prekja shpirtërore për të gjithë ishte çasti kur Adela, në pozicion ulur pranë shtratit të Mirit, iu drejtua së ëmës:

- Nënë, po ky është ai djali që doja të të prezantoja… Pikërisht sot ne ndodhemi në spital… Nesër, e diela e parë e muajit, por ne…

- A duheni ju të dy? Si e ka emrin? - pyeti me përzemërsi e ëma e saj, Ana.

- Miri, - foli Adela. - E kishim menduar të shkëmbenim unazat, por ju e shihni me sytë tuaj, e gjykoni me gjakftohtësi se është e pamundur tani …

Lotët e papritur nuk e lejuan të vazhdonte. Një heshtje e plotë; njëri merrte frymë thellë dhe nëna e Mirit i përmbante lotët me vështirësi. Të dy baballarët u ngritën nga vendi ku qëndronin ulur, u afruan pranë duke mos ia shkëputur vështrimet njëri-tjetrit, të cilat shprehnin pa qenë e nevojshme të dëgjohej asnjë fjalë, një vendim njerëzor të prerë, burrëror dhe në çast, sërish pa nxjerrë as një tingull, ju drejtuan me një komunikim të koduar, njëherazi familjar, bashkëshorteve të veta. Pastaj të dyja nënat ngrihen, i shkojnë krahun njëra-tjetrës, largohen të heshtura dhe në mirëkuptim të plotë. Mençuria, prakticiteti dhe ana njerëzore e natyrshme realisht prezantohej në më të shkurtrën kohë, sepse vlerësimi i gjithë sa kishte ndodhur le të hidhej mbas krahësh. Fëmijët e tyre jetonin dhe do ta shijonin me të drejtë lumturinë në një familje të re… Saktësisht, të dielën mbasdite rreth orës 17. 00, kthehen të dyja nënat me unaza të vendosura në kuti të vogla të pahapura. Nëna e Mirit, grua me pamje fisnike, flokëthinjur, i thotë të birit:

- Ngrihu tani, dhe vërja unazën në gisht Adelës… Por, po e shoh se në gjishtin e majtë nuk është e mundur. Allçia e vendosur do t’ia kthejë si më parë.. Edhe gishti i djathtë, i Adelës është.

Dy të rinjtë shkëmbejnë unazat në një dhomë spitali, përqafojnë njëri-tjetrin dhe dukeshin tejet të lumtur. Në ato çaste nuk mendonin vendndodhjen, as faktorin përgjegjës. Ambient i gëzuar, i zhurmshëm, disi i ngushtë, Marjeta si paciente, unë gjyshi i mbesës, një ditë më parë Adela më bëri ftesë të sinqertë, së cilës iu gëzova sepse përfaqësonte një episod të rrallë, të paprovuar më parë mes ndjenjash të vërteta njerëzore.

Rastësisht, sikurse u mësua më vonë, edhe prindërit e Mirit prezantonin të njëjtën pozitë emocionale, sapo arritën ta gjykojnë me gjakftohtësi situatën e krijuar shëndetësore. Pra, pasi analizuan të dyja anët e rrugës së mundshme të jetës së Mirit dhe Adelës, e vlerësuan me objektivitet aktualen, duke e aprovuar vendimin e të rinjve për ta prezantuar lidhjen e tyre martesore dhe e konsideruan të pakthyeshme realizimin e saj në ditën e paracaktuar prej të dashuruarve, pavarësisht vendit ku ata ishin të detyruar të qëndronin. Zgjodhën një mënyrë të thjeshtë simbolike të kremtimit, shoqëruar me vështirësi të natyrshme të mbledhjes së bashku brenda një dhome reparti kirurgjie me çfarëdo lloji përmasash të saj .

Secili pjesëmarrës ndihej në më të gjerin, më të këndshmin mjedis, saje pastërtisë së ajrit, aromës dehëse të trëndafilave dhe rrezeve të ngrohta të diellit, që, pasi përshkonin me lehtësi hapësirat qiellore, përshëndesnin zemrat e çiftit dhe i uronin lumturi.

Pasiguria që prindërit kishin ditët e para po pakësohej. Ata shihnin përmirësimin e të rinjve, me një mirëkuptim shpirtëror, shkrirë me logjikën e shëndoshë dhe aprovuan bashkimin e tyre në çift. Nuk dëshironin të përsëritej ndjesia e dhembjes së përjetuar, sapo u njohën me aksidentin e dyfishtë, por vendosën ta përfundonin me gëzim.

Ndodhi e pazakonshme për ecurinë e përditshme të jetës brenda një pavijoni të spitalit dhe mjeku ortoped në shërbimin e mbasdites, i shqetësuar, kërkon të mësojë se çfarë po ndodhte aktualisht. Ia shpjeguan mes emocionesh, kërkuan falje për zhurmën e pazakontë, ndonëse të lehtë, të krijuar në atë mjedis. Babai i Mirit ngrihet me vërtik, e përqafon mjekun dhe mërmërit mes lotëve:

- Po, do të mblidhemi sërish në një ceremoni me gjithë miqtë tanë në një festë tjetër, kur të dy të kenë dalë nga spitali. Ti do të jesh në krye të tavolinës për këtë punë të jashtëzakonshme që keni bërë, pasi përkushtimi i gjithë ekipit tuaj bëri të mundur vazhdimësinë e jetës për fëmijët tanë. Ju shprehim falënderime të shumta nga zemra si prindër dhe mirënjohje të sinqerta!

Gjithë sa ishin atje po përjetonin një situatë emocionale tejet të fortë, e cila krijohet kur çdokush është vetvetja.


* * *

Përparimi u drejtoi miqëve fillimisht një vështrim të trishtuar njëherazi prezantues edhe të emocjoneve pozitive renditur pas tij dhe heshti, duke ngulur vështrimin diku larg. Pas një çasti, qetësisht nisi të fliste njohësi i gjuhës angleze i cili përherë e zgjeronte temën, saje pafundësisë së leximeve e përkthimeve të realizuara prej tij, për më shumë se 50 vjet:

- Ja si e shpjegoj unë këtë episod të porsadëgjuar me vëmendje që e përjetuam shpirtërisht, se është i pazakontë, por jo i panjohur për ne: laku prezanton një rreth të realizuar nga një nyjë lidhëse dhe të shtrënguar fort që siguron bashkimin e dy gjysmave të një materiali gjatësor (në emërtesën e thjeshtë njihet si litar), gjatësia e të cilit është e paracaktuar në përshtatje me qëllimin e përdorimit tij. Njihet mirë forca e tij saje një pune të kujdesshme përgatitore duke e prezantuar të mirë gërshetuar dhe të thurur me shumë fije të së njëjtës përmbajtje, si: pambuku, leshi, plastika e përpunuar, liri apo spangoja, fije të holla të përpunuara prej çeliku, ndërthurur me mjeshtëri. “Laku” është një fjalë e vetme shumë funksionale, me shumë këndvështrime.

Tomi nuk kish ndër mend të përfundonte dhe vazhdoi sërish:

- Laku e ka fillesën qysh nga koha e njohjes së njerëzimit, pikërisht vlera praktike e atyre fijeve të lira apo të tjerave të shtrënguara u siguronin bazën ushqimore fiseve nëpërmjet kapjes së kafshëve të egra në pyll; sigurisht edhe në disa vende këto metoda aplikohen, por jo në ato përmasa.

Nga më e preferuara në moshën fëmijënore, ajo tregon argëtimin e vogëlushëve, duke kapërcyer një litar, dy fundet e të cilit mbahen shtrënguar prej vetë personit apo shokëve pranë tij, në ndjekje të më së shkurtrës kohë të kapërcimit. Gjithashtu ato shërbenin edhe për kapjen në fshehtësi të një kafshe të egër në pyll. Rrallë edhe kishte ndodhur që egërsia njerëzore në shkallën më të lartë të saj, si njërën nga format e hakmarrjes, të bënte një lidhje në mes gjatësisë së një litari me madhësinë e një rrethi, sa të mund të vendosej brenda tij koka e viktimës dhe një tërheqje e shpejtë e lakut do t’ia ndërpriste frymëmarrjen pas disa minutash… Natyrisht jeta përfundonte shumë shpejt pas atyre veprimeve…

Pa harruar të përmendim këtu dënimet e aprovuara me ligjet në fuqi të disa shteteve në shekujt e kaluar, që në mënyrë publike fajtorit i vendosnin kokën brenda një laku të llogaritur në gjatësinë e një litari të fortë, lidhur në mënyrë të sigurt diku lart, direkt mbi kokën e fajtorit; pikërisht momenti i largimit të stolit ku qëndronte në këmbë i dënuari nga roja shoqëruese, në çast përfundonte gjithçka pa vonesë dhe laku e kishte përfaqësuar dhe përfunduar saktë detyrën e vet, teksa qindra sy ndiqnin me pikëllim e kureshtje njërën nga mënyrat e dënimit.

Fatmirësisht, kjo lloj zgjidhje nuk aplikohet prej kohe dhe vlerësohet e fundit si një prezantim publik i dënimit të fajtorit; aktualisht është e padenjë, e papranueshme të aplikohet, përveçse shumë rrallë.

Dikush nën peshën dërrmuese të gjendjes depresive e ka përzgjedhur si më të përshtatshme për largimin nga jeta e vet.

- Do të doja të përmendja edhes hprehjen nënkuptuese për të këshilluar dikë të tregojë kujdes e maturi në momente delikate përballë një tjetër personi të njohur për pabesi: “Ruaje veten, qëndro me sy të hapur dhe veshët ngrehur, se ta hedh lakun në fyt ai”, - përfundoi Tomi.

Miqtë si përherë e zgjasnin kohën e zakonshme të pirjes së filxhanit të kafes, duke qenë të ndërgjegjshëm se nuk takoheshin thjesht për të, ndienin nevojë për praninë e njëri-tjetrit, për më tepër mbas viteve të punës së përkushtuar në profile të ndryshme. Shpesh arsyetonin në mënyrë kritike ndaj veprimeve apo qëndrimeve të mbajtura prej tyre në rrethana të caktuara, rikujtimi i të cilave sikur ua lehtësonte ngarkesën,sado të vogël mbetur pas aq viteve të punës.

- Është radha ime të shprehem tani, por mos ju shkaktoj keqardhje për sa po flas, se laku ka treguar ndonjëherë edhe anën e vet të dobishme. Të më kuptoni drejt, - vazhdoi Pandeliu, - se edhe profili i ekonomistit më ndihmon ta bëj këtë përcaktim, i cili në të vërtetë nuk është vetëm personal:

vite të shkuara pata probleme shëndetësore me veshkat, infeksione të përsëritura, për të cilat më mjekonin në repartin e nefrologjisë, në katin e katërt të qendrës spitalore. Çuditërisht, një urdhëresë absurde nga drejtoria e spitalit (në vitet 1985-86) nuk lejonte të na sillnin familjarët sende ushqimore, kryesisht vazo me komposto të llojeve të ndryshme, fruta apo edhe ushqime shtesë, me arsyetimin se spitali mundej t’i plotësonte më së miri vaktet ushqimore në cilësi dhe sasi e të shoqëruara me fruta stinore, gjë që nuk ishte e vërtetë aspak. Këto fakte lehtësisht vërtetohen nga të sëmurë të shtruar aso kohe. Me sa mundëm të mësojmë, kjo sjellje e punonjësve, sigurisht e detyruar, duhej të tregonte se cilësia e shërbimit në spitale ishte e një niveli të lartë, ku njëri prej treguesve ishte gatimi, pra baraz me parametrat evropianë…

Edhe tani e kam të freskët, njëherazi të dhimbshme, pamjen në fund të pavijonit ku shiheshin grumbujt e vazove të kompostove (siguruara me shumë vështirësi nga të afërmit, për arsye të mirënjohura) të thyera, me përmbajtje të zbrazura në çimento, apo momentet kur infermieret i zvarrisnin me këmbë deri në grumbullin e të mëparshmeve. Ishte një artificialitet i pështirë. Mençuria e popullit përherë çan përpara dhe pikërisht litari në fundin e të cilit një lidhje në formë laku mundësonte ngjitjen e ushqimeve të munguara në të gjitha katet e qendrës spitalore ku në ballkonet e secilit kat, pranë dhomës përkatëse i prisnin të sëmurët e afërt, kishin marrë informacionet përkatëse me shenja apo me zë të lartë. Dihet mirë se celularit si mjet komunikimi iu njoh vlera vite më vonë. Ja, kjo tregon anën pozitive të përdorimit, vlerën e funksionit të transportimit të sendeve ushqimore, veçanërisht te një i sëmurë me ndihmën e litarit, në fund të të cilit ishte formuar laku. E shpreh me sinqeritet se e sotmja është shumë më lart se koha e disa dekadave të kaluara dhe nuk mund të justifikohet mungesa e korrektësisë në jetën e përditshme, thjesht duhet të kontrollohet tregu në trotuare.

Të tre shkëmbenin në heshtje mendime aprovuese dhe kuptohej se fjalët ishin të tepërta. Si herë të tjera, u larguan të qetë duke iu gëzuar takimit të nesërm, në të cilin sigurisht do të diskutonin probleme të jetës së përditshme, të vlefshme. Ditë më vonë, në një mbasdite, teksa kalonte rrugës për diku, Përparimi dalloi së largu Adelën në krahun e Mirit. Zemra iu mbush me një ndjenjë mirësie njerëzore, për më tepër që të dy dukeshin të qeshur, të qetë. Kur përshkuan trotuarin, rastisi në atë pjesë të tij ku ishte ndërthurur episodi pothuajse tragjik, kthyen kokën në përgjigje të përshëndetjes së Përparimit në krahun tjetër të rrugës, që me dorën ngritur paksa dhe me lëvizje të lehta, shqiptonte me zë të gëzuar dhe tonalitet të lartë, disi i pazakontë për të:

- Adela, Adela! Miri, Miri!





38 views0 comments

留言


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page