top of page

Unë mësova në “Universitetin Lazër Radi!”


Nga Ndrek Gjini E konsideroj veten me fat që në verën e vitit 1991, e kam njohur Dr. Lazër Radin dhe kam ndarë një kohë të gjatë me të kur drejtoja gazetën “Kombi”, një ndër gazetat e para të asokohe që quhesh shtyp pluralist! Takimi i parë me të, më ka lënë mbresa të forta. Ishte një burrë tejet i ditur, i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë. Më dorëzoi jo një, por shtatë a tetë artikuj të gjatë rreth çeshtjes kombëtare. Ishin të shkruara bukur, me makinë shkrimi, me tituj e nëntituj dhe përzgjedhur me kujdes. (Rasti i rrallë ky, mbasi shkrimet në atë kohë, shumica na vinin të shkruara me dorë…) I mora, dhe iu hodha një sy! I futa në një sirtar të redaksisë, dhe dolëm bashkë për kafe. Na ngjiti biseda. Qëndruam gjatë. Më vonë, duke e analizuar atë takim, thuaj rastësor, thuaj providencial, kam thënë me vete se ai ka qënë takim i dy botëve. Unë vija nga Puka! Kisha studiuar në Universitetin e Shkodrës për Letërsi, ku edhe Lazri kishte pasur vitet më të bukura të Gjimnazit! E ndërsa atë Shkodra e kishte mbushur me dritë, mua më kishin ngopur me thasë pafund me rrena. Ai vinte nga 46 vite burg dhe internime, mbasi i kishte kryer me medalje të artë studimet e tij të doktoraturës në Itali. Dinte gjashtë a shtatë gjuhë të huaja… dhe unë kisha i mbetur i mahnitur ndërsa shkëmbenim atë njohje të përbashkët për Pukën, ku edhe ai kishte kujtimet e një gjysëm shekulli të shkuar me Pukën dhe Migjenin! Ato pak orë bisede me të, më bënë të kuptoj për herë të parë në jetë se sa gënjeshtra dhe mashtrime të tmerrshme kisha mësuar gjatë jetës, ai me atë shpjegimin e tij të shtruar, ma përmbysi krejt atë botë dijesh të rreme. Isha i ri dhe i etur për dije. Po për dije të vërteta! Mbasi u ndamë; në heshjte u betova se do mundohesha ta takoja përditë atë Njeri. Të mësoja gjithçka prej tij. E thënë me fjalë të tjera: Të nisja mësimet në “Universitetin Lazër Radi!”.

Muajt që vijuan u takuam gjithnji e më shpesh, thuajse çdo ditë. E në vitet që pasuan, mbetëm miq shumë të ngushtë. Atë ditë, mbas takimit tonë të parë, kur u ktheva në zyrë, i mora shkrimet e tij me vete, që t’i lexoja në konvikt, ku jetoja jo veç unë, po edhe shumë gazetarë të kohës. Ishin shkrime befasuese. Kishin stil, dije, kulturë dhe informacion. Ndriçonin ato të vërteta tronditëse që na i kishin mësuar qëllimisht gabim. Më kujtohet se si i kalonim ato shkrime dorë më dorë, me tërë ata miq gazetarë që jetonim në konvikt. Ishin si trakte dijesh, si testamente të një historie të vërtetë, të një Shqipërie që duhej të dilte nga terri. Ishim të gjithë të befasuar nga ndriçimi që na përcillin ato shkrime të sjella prej atij njeriu, që pak ditë më parë,na ishte thuajse i panjohur, së paku për mua. Kur të nesërmen në mëngjes, erdhi Lazri për të më pyetur për shkrimet e dhëna një ditë më parë, i thashë shkurt. “Më sill çfarëdolloj artikulli që të shkruash, dhe unë do t’i botoj të gjitha!” I shndritën sytë nga një gëzim i përlotur dhe më përqafoj me dashamirësinë e një prindi. Dhe ashtu u bë! Lazër Radit i kam botuar thuajse në çdo numër të gazetës “Kombi” çdo shkrim që ai më ka sjellë. Dhe mbetëm miq, shumë miq të mirë, deri ditën që ai vdiq. Edhe në gazetën RD, ku unë punoja në kohën kur ai ndërroj jetë e përcolla me dhimbje humbjen e një Njeriu të rrallë e të papërsëritshëm për mua. Ndaj ndjehem me fat që e kam njohur, dhe e kam patur mik të shtrenjtë, dhe që kam mësuar në atë që unë mund ta quaj pa droje:“Universiteti Lazër Radi!” Kjo mbasi ai nuk ishte thjesht një person, po një institucion!

10 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page