top of page

UNË GËNJEVA HËNËN



Ditën ishim dy të panjohur endacakë, mbanim ngarkesat tona mbi supe dhe kërkonim njëri-tjetrin. Natën unë nuk fle, e bëj gjumin copa-copa. Në copat që gjumi ikën e marr seriozisht jetën. Si jetoj midis copave mund t'më pyesni ju?! Ashtu, duke ia marrë ca fytyra ditës e ca episode, asnjëherë nuk shpëtoj nga mania ime. Unë jam një kafshë mendjeripërtypëse. Ajo më shoqëron në zgjimet e mia, vjen dhe më shpupurit flokët, hyn nga dritarja bashkë me dritën e Hënës. Përbri meje shtrihet dhe më dëgjon sa larg më ikin tingujt. Jemi si dy rreze ne të dy, ngado t'ia nisim bashkohemi në qendër. Kështu ka qenë dhe kur e kishim shpirtin dhe duart të buta, pa kallo. Atëherē flinim në krahët e njëri-tjetrit, pas lodhjeve nuk na mbetej asnjë e çarë që krijonte copa. Jeta qënka një copë me copa, disa i kam fotografuar në kujtesë, disa të tjera nuk i gjej dot, kanë humbur në mjergull. Kur ditët tona qenë me diell, ne nuk ishim të mençur shumë, herë digjeshim e na binte lëkura copë-copë, herë harroheshim në hije dhe e shikonim zenitin e perëndimin me strehën e dorës. Ajo kishte ide, ma mbante dorën mbi zemër dhe ma drejtonte gishtin kokës. Unë mërzitesha. Burri isha unë. Tani jam një i pagjumë që vajtoj humbjet e mia dhe pres që ajo të vijë nga dritarja bashkë me Hënën. Bëj sherr me çarçafët tërë natën. Më mbulojnë djersët, nuk jam obez, nuk është shumë vapë, nuk jam sëmurë. Kur isha me temperaturë ajo më lagte ballin me shami të bardha. Kur isha mirë e ndaja kohën në copa, më të mëdhatë i ndaja me unin tim, me egon time, me veten time të lirë. Ca thërrime mbeteshin dhe për të, në fillim ajo mjaftohej. Tani ajo i ka fituar të gjitha, unë e kam ndarë dhe veten në copa, ndjesitë e mia u janë qepur rrezeve. Gjumi im kërkon atë. Natyra ma njeh dhimbjen,ajo nuk ndahet në mijëra copa, vuajtja ime është e vërtetë. Hënës i dhimbsem dhe më nanurit pak. Ajo është naive. Unë jam egoist. Romantizmi është drejtim imagjinar. Unë e di që humbja nuk të jep asgjë, as copat. Ndaj e përdora Hënën. Ajo m'i sjell rrezet e vjedhura dhe unë për pak bëj si i lumtur dhe dremis.

11 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page