
Ujqërit e kanë fajin?!
Nga Fatmir Terziu
..nga pakoha...
Dihej fati i djemve të asaj shtëpie. Ishte i paracaktuar që në lindjen e tyre. Dhe shkopi qëndronte i varrur në një gozhdë hekurpunuesi të ngulur në mur. I kthyer, i latuar në dorakun e vet ky shkop herë quhej kërrabë, e herë shkop. Disa e quanin dhe shkopi i bariut. Ndaj nuk duhej të mendoje thellë pse e mbanin djemtë e asaj shtëpie në dorë qëkur bëheshin dhjetë vjeçarë. Quheshin barrinj të lindur.
E ajo derë që i nxirrte në jetë me këtë zanat quhej dera e madhe e barrinjve. Shkopi kishte metaforat e veta. Ishte mik, ishte besnik, ishte mbrojë, ishte mbrojtje. Ishte një mjet që të mbante dhe kurrizin drejt. Ishte dhe një shkop që shkonte përtej destinacionit të tij që mbahet mend sot…
Por ajo që ishte dhe mbetet e shkruar se ajo derë na jep në memorje ishte krijuar, thua se ishte një derë e bekuar. Ndërsa të tjerët, moshatarët e tyre sa lindnin e bekoheshin me çekiç e mastar u shkruheshin dhe fatet e udhëve ku ata do të shkonin më pas të punonin si ustallarë. E kështu kishte mbetur ajo punë derisa…
…Një herë e një kohë një nga djemtë e asaj dere të madhe në vend të shkopit në dorën e tij kishte shfaqur dëshira të tjera. Ngaqë ishin shumë, vetëm shkopin mund të thuhej, se nuk e kishte për qejf. Shkopi si shkop, në atë përcaktore herë tingëllonte keq, e herë merrte një mallkim… „eh, shkoftë në dreq!“.
Nga ky mallkim vetëm i Ati dilte me fytyrën e përskuqur. E, si baba nuk donte ta linte djalin e tij në mes-halleve të mëkatit, jashtë arsyes që kjo derë i kishte besuar dhe mësuar vetë zanatit, po aq sa kjo derë më shumë se prej fatit, ishte njohur vetëm prej zanatit. E babai nguli këmbë. Sa hapur, aq dhe fshehtas e bëri bari kësaj here, pa shkopin e asaj dere.
Ia dha sakaq, dhe besimin e tij. Ia dha dhe shkopin imitim…, por ai se kapi kurë me dorë. E kjo mesele zgjati në kohë e në pakohë.
Nuk e di pse, por thuhej se ai kishte mbetur duke ëndërruar, e duke ëndërruar me sytë e lodhur e kishte zënë gjumi mbi një yll, e kështu bagëtitë i kishte harruar në pyll. E në pyll ujqërit kishin bërë aheng. E ahengu kishte marrë gojët e miletit, dhe mileti kishte zaptuar odat me të thëna e të pathëna, që u zgjatën duke u treguar deri në këto kohë. E kishin trazuar mjaft. E më në fund kishin thënë njëzëri se „Ai nuk është bari! Nuk duhet të ishte lënë në këtë detyrë! Dhe jo vetëm kaq?!“
Ata ende nuk donin ta shkatërronin fare. I thurrën këngë, poezi, citate dhe lavde, ku fajin ua vinin ujqërve. „Ujqërit e kanë fajin!“ Kjo e kishte mbajtur për një kohë të gjatë ashtu në atë dremitje të tij, rehat, rehat dhe për pesë palë qejfe në udhëtimin e tij të gjatë, atje lart, lart e më lart deri tek retë … si bari me shkop e pa shkop të lehtë, duke zgjedhur tashmë delet në sojin e vet, sipas përzgjedhjes që i paqtonte me symbylljen, dhe kështu Ai mbeti të quhej bari, ndërsa përditë e përherë vetëm humbiste delet e tij.
Disa ngriheshin dhe hakërrenin në vetvete, disa mësynin me fjalë dhe kërkonin ta largonin, disa shkonin më thellë të kërkonin llogari, e disa i qëndronin akoma më shumë pranë e më pranë. Por të gjithë e dinin se ai nuk ishte vetëm asnjëherë, edhe kur gabonte, edhe kur e pësonte, se gjithnjë kishte ose pas tij dhe po aq dhe pranë, ose në një hije, ose në një qosh babanë.
E kështu ajo derë e bekuar, ose e shpresuar me vite ëndërrash që të mbante gjallë gjithë atë trashëgimi të marrë nëpër këmbë mbeti e varrur, si ai shkopi kërrabë i pakorrë, që thuhej se askush nuk mund ta mbante më në dorë.
E provuan, por fshehurazi… Sa e kapnin dorëzoheshin menjëherë. Imituan shkopa të tjerë, bënë minishkopa…, por e njëjta gjë. Dështim! Humbje! Humbje! Humbje!
Shkuan tek hoxha e prifti, e madje edhe tek disa „plaka“ të reja e të moshuara që të gjenin dertin, që dinin të përmbysnin filxhane, të kërkonin se kush e kishte mallkuar atë shkop, por nuk gjenin derman. Nuk dinin se ku kishin gabuar.
Vetëm shihnin ëndrra. Ëndrra me shkopin e varrur pas dere në derën e madhe të bariut. E ëndrrat duhej kohë që të kuptoheshin. Grigja ishte e lodhur nga humbjet. Duhej kohë të kuptonin se ai shkop dikur kishte qëlluar mbi kocka…, e kockat ende nuk ishin gjetur dheut ku treteshin si të braktisura nga jetët e sëmura mbi dhe të mbaruar, e jo më të ishin shërruar.
Ende thuhet se në ato anë kërkohet e kërkohet derman! Por prapë herë nëpër dhëmbë e herë me dhëmbë thuhet se nuk na qenka puna tek bariu që i humb delet, e aty kanë lënë ëndrrat, e kanë shpalosur planin: ujqërit e kanë fajin… E tufa… Tufa si gjithnjë e shkërmoqur, e joshur, e trullosur. Eh, ujqërit e kanë fajin… kjo mesele s'ka të sosur.
Comments