top of page

Ujqërit e kanë fajin?!


Fatmir Terziu

...nga pakoha...


Dihej fati i djemve të asaj shtëpie. Ishte i paracaktuar që në lindjen e tyre. Dhe shkopi qëndronte i varrur në një gozhdë jevgu të ngulur në mur. I kthyer, i latuar në dorakun e vet ky shkop herë quhej kërrabë e hërë shkop i bariut. Ndaj nuk duhej të mendoje thellë pse e mbanin djemtë e asaj shtëpie në dorë qëkur bëheshin dhjetë vjeçarë. Quheshin barrinj të lindur. E ajo derë që i nxirrte në jetë me këtë zanat quhej dera e madhe e barrinjve. Thua se ishte një derë e bekuar. Ndërsa të tjerët, moshatarët e tyre sa lindnin e bekoheshin me çekiç e mastar u shkruheshin dhe fatet e udhëve ku ata do të shkonin më pas të punonin si ustallarë të gurit e drurit. E kështu kishte mbetur ajo punë derisa…

Një herë e një kohë një nga djemtë e asaj dere të madhe në vend të shkopit në dorën e tij kishte shfaqur dëshira të tjera. Ngaqë ishin shumë, vetëm shkopin mund të thuhej, se nuk e kishte për qejf. Shkopi si shkop, në atë përcaktore herë tingëllonte keq e herë merrte një mallkim… „eh, shkoftë në dreq!“. Nga ky mallkim vetëm i Ati dilte me fytyrën e përskuqur. E, si baba nuk donte ta linte djalin e tij në mes-halleve të mëkatit, jashtë arsyes që kjo derë i kishte besuar dhe mësuar vetë zanatit, po aq sa kjo derë më shumë se prej fatit, ishte njohur vetëm prej zanatit. E babai nguli këmbë. Sa hapur, aq dhe fshehtas e bëri bari kësaj here, pa shkopin e asaj dere. Ia dha sakaq, dhe besimin e tij. Ia dha dhe shkopin imitim…, por ai se kapi kurë me dorë. E kjo mesele zgjati në kohë e në pakohë.

Nuk e di pse, por thuhej se ai kishte mbetur duke ëndërruar, e duke ëndërruar me sytë e lodhur e kishte zënë gjumi, e kështu bagëtitë i kishte harruar në pyll. E në pyll ujqërit kishin bërë aheng. E ahengu kishte marrë gojët e miletit dhe mileti kishte zaptuar odat me të thëna e të pathëna që u zgjatën duke u treguar deri në këto kohë. E kishin trazuar mjaft. E më në fund kishin thënë njëzëri se „Ai nuk është bari! Nuk duhet të ishte lënë në këtë detyrë!“

Por ende nuk donin ta shkatërronin fare. I thurrën këngë, poezi, citate dhe lavde, ku fajin ua vinin ujqërve. „Ujqërit e kanë fajin!“ Kjo e kishte mbajtur për një kohë të gjatë ashtu në atë dremitje të tij, rehat, rehat dhe për pesë palë qejfe në udhëtimin e tij të gjatë, atje lart, lart e më lart… si bari me shkop e pa shkop të lehtë, duke zgjedhur tashmë delet në sojin e vet, sipas përzgjedhjes që i paqtonte me symbylljen, dhe kështu Ai mbeti të quhej bari, ndërsa përditë e përherë vetëm humbiste delet e tij.

Disa ngriheshin dhe hakërrenin në vetvete, disa mësynin me fjalë dhe kërkonin ta largonin, disa shkonin më thellë të kërkonin llogari, e disa i qëndronin akoma më shumë pranë e më pranë. Por të gjithë e dinin se ai nuk ishte vetëm asnjëherë, edhe kur gabonte, edhe kur e pësonte, se gjithnjë kishte ose pas tij, ose në një hije, ose në një qosh babanë. E kështu ajo derë e bekuar, ose e shpresuar me vite ëndërrash që të mbante gjallë gjithë atë trashëgimi të marrë nëpër këmbë mbeti e varrur, si ai shkopi kërrabë i pakorrë, që thuhej se askush nuk mund ta mbante më në dorë.

E provuan, por fshehurazi… Sa e kapnin dorëzoheshin menjëherë. Imituan shkopa të tjerë, bënë minishkopa…, por e njëjta gjë. Dështim! Humbje! Humbje! Humbje!

Shkuan tek hoxha e prifti, e madje edhe tek disa plaka të reja e të moshuara që të gjenin dertin, që dinin të përmbysnin filxhane, të kërkonin se kush e kishte mallkuar atë shkop, por nuk gjenin derman. Nuk dinin se ku kishin gabuar.

Vetëm shihnin ëndrra. Ëndrra me shkopin e varrur pas dere në derën e madhe të bariut. E ëndrrat duhej kohë që të kuptoheshin. Duhej kohë të kuptonin se ai shkop dikur kishte qëlluar mbi kocka…, e kockat ende nuk ishin gjetur dheut ku treteshin si të braktisura nga jetët e sëmura mbi dhe, e jo më të ishin shërruar. Ende thuhet se në ato anë kërkohet e kërkohet derman! Por prapë herë nëpër dhëmbë e herë me dhëmbë thuhet se nuk na qenka puna tek bariu që i humb delet, e aty kanë lënë ëndrrat, e kanë shpalosur planin: ujqërit e kënë fajin…

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page