
Uji?! E ujta filozofike që ka shpërndarë ndjenjat, mendimet, gjykimet dhe shtjellimet popullore pas mijëra arsyeve. E ujta? E ndërsa drita sillet mbi natyrën dhe rëndësinë kulturore të një lënde shumë të njohur, një lënde që i dha dhe e mbajti jetën e Njeriut, vetë Njeriu me dritën e kësaj lënde nisi të shpotisë e të argumentojë ujërat dhe të ujtat në mjedise të tjera kulturore. Kohë më parë shkencëtarë e studiues zgjodhën dy tema kryesore të ndërthurura, të dyja këto adresonin lëndë nga shekulli 18 deri në ditët moderne, ku uji dhe rrethkulturimi i qasjes popullore formonte atë që ne shpesh e kemi dëgjuar dhe provuar me shije e pa shije. “Sa ujë ka në tregimin e këtij…, sa ujë është ky roman…, sa e ujtë është kjo poezi…Sa?!
Në këtë rast nuk është tema parësore vendi qendror i ujit në kuptimin evolucionar të shkencës për materien, por thellësia e mendimit pozitiv të Njeriut që zotëron aftësinë të dallojë mes ujësisë atë që është e panevojshme, që është e tepërt. Dimë se deri në fund të Iluminizmit, uji ishte një simbol, dhe një nga katër elementët. Në kiminë e re të Lavoisier dhe bashkëpunëtorët e tij, ajo u perceptua me habi si një përbërje e dy gazeve. Në 1806, analiza e ujit përcaktoi se përbërjet që mbajnë ‘afeksionin zgjedhor’ së bashku ishin elektrike. Pas polemikave të gjata dhe një kongresi ndërkombëtar kimik, pas 1860-ës uji fitoi përfaqësimin e tij modern si ‘H2O’, duke e bërë të mundur Tabelën tonë Periodike të njohur nga ne shqiptarët e më gjerë, nga brezi ynë që e studioi me zell e dëshirë, si të Mendelievit. E ndërsa, uji mbetet akoma një kompleks i bezdisshëm dhe i veçantë, po aq dhe aspektet historike, shkencore dhe filozofike të përdorimit të tij, identitetit dhe rëndësisë intelektuale janë thellësisht rezonuese, aq sa janë dhe prurjet e hershme shekullore në kulturat e ndryshme një mjeshtëri fine e detyrimit për të shkuar më thellë.
Nga koha kur poeti anglo-amerikan Wystan Hugh Auden na solli në vëmendje se “mijëra kanë jetuar pa dashuri, as një pa ujë.” Reflektimet logjike ndaj ujit u vunë në disa parime të tjera. Aq sa dhe Zbuluesi i Vitaminës C, Albert Szent-Gyorgyi, M.D shtoi se “uji është çështje dhe matricë e jetës, nëna dhe mediumi. Nuk ka jetë pa ujë ”. Ndaj duke e parë kështu ujin kuptojmë se roli i luajtur nga uji në projektin e zotërimit të natyrës, roli thelbësor i teknologjisë dhe mjekësisë në kulturat evropiane dhe koloniale është padyshim dhe një ridimensionim kulturor në shkrime, rrëfenja, tregime, përralla, mite dhe mjaft krijime të mëdha. Meqenëse pjesa më e madhe e sipërfaqes së Tokës është e mbuluar nga uji, navigatorët globalë duhej të dinin se ku ndodheshin dikur kur dilnin në oqeane, po aq sa dhe krijuesit vunë penë e letër që në kohë të hershme të zbrazinin ato që mbeteshin dhe të largonin ujësitë e tepërta kulturore. Në tokë, uji luajti një rol kryesor në terapitë fetare dhe mjekësore, të respektueshme dhe alternative, që i qetësuan shpirtrat dhe shëruan trupin, në letra dhe vepra artistike ai bëri dërgesën e mesazhit të trashëguar nga të parët, nga rritjet dhe shkencëtarët. Në shekullin e tetëmbëdhjetë, banjat u bënë qendra të qytetërimit dhe ‘detoksikimit’ për klasa të reja të kohës së lirë, dhe ujërat minerale biznes i madh, kështu Elbasani si një qendër e re qytetërimi e asaj kohe kishte dhe mbajti në gjirin e tij edhe Llixhat, edhe Banjot, të cilat treguan edhe në letra më vonë se “larja” dhe “shpëlarja” e tepricave të shkrimit sjellin më shumë kulturë, më shumë qëndrueshmëri. Një shembulli i tillë ishte dhe ai që quhej “Almanaku” i Krijuesve, ku mbetën vetëm pak rrjeshta jashtë ujërave dhe ujësive, pasi aty ngeli shkrimi i detyruar dhe i deleguar diktaturës dhe diktatorit.
Në vite, e vitet më jetësore për shëndetin publik ishin furnizimet me ujë të pastër për qytetet në lulëzim të revolucionit industrial, ku uji me tub dhe kullonjat e bënë Londrën në vitet 1870, për shembull, vetë-mbajtëse për herë të parë në historinë e saj, dhe po kështu dhe prurjet artistike të asaj kohe kanë më pak ujësi, më shumë art dhe krijimtari. Edhe shekulli XIX shpëlau lumenjtë e ndotur në të njëzetat, dhe i solli në ditët tona që uji uji të jetë i mjaftueshëm, i pastër dhe që të jetë për të gjithë i tillë mbetet një objektiv i largët, sikurse ende në letra duhet të thellohet kërkesa për të larguar ujërat. E ne mendojmë dhe shpresojmë se reflektimi i ujit do të na sjellë një kuptim të ri se ku jemi dhe si arritëm këtu, ndërsa do të kemi mundësi të korrigjojmë e të largojmë ujësitë e ndotura nga librat dhe shkrimet që vlojnë e vlojnë të determinojnë kahje të shumësisë së ndotjes.
Në këtë ndotje është edhe koha e quajtur “pushim” dhe “përkushtim” pushimesh, lojë me kohë e lirë në ujë. Në këtë pikë të gjithë, thuajse të gjithë i turremi ujit, ashtu sikurse ndonjëherë edhe uji na turret neve, me faturën e jetës në pak raste. Uji është kryefjala. Po aq në këtë ujësi kohore mes ujit kryefjala ndërron shpesh edhe temë. Tema bëhet virusale, e ndotur, e frikshme për jetën, agresive në ardhjen masive të ujërave. Kjo ndodh pasi “disa njerëz e duan oqeanin. Disa njerëz i frikësohen atij. E dua, e urrej, e kam frikë, e respektoj, e ushqej, e urrej dhe e mallkoj shpesh. Ai sjell më të mirën tek unë dhe ndonjëherë më të keqen”, do të thoshte - Roz Savage. Rosalind “Roz” Savage është një vrapuese angleze e oqeanit, mbrojtëse e mjedisit, shkrimtare dhe folëse. Ajo mban katër rekorde botërore të Guinness për kanotazh oqeanik, përfshirë gruan e parë për të kaluar solo në tre oqeanet: Atlantik, Paqësor dhe Indian.
Kështu, megjithëse fenomenologjia e kulturës spekulon në mënyrë të padiskutueshme gjendjen e vetëdijshme dhe të pavetëdijshme të milionave drejt të cilave drejtohet dëshira për ujin dhe dashuria me ujin, po aq dhe rreziku dhe frika nga uji, masat nuk janë parësore, por mbeten dytësore, ato janë një objekt llogaritjeje, një shtojcë e makinerive, që lidhen me konsumin e moralin e parasë. Konsumatori nuk është mbret, pasi kjo formë dhe sforcim i kulturës do të dëshironte të na besonte, jo tema e saj por objekti i saj, ajo që na zhgërryen dhe na gërryen në detaj, duke na bërë me e pa faj. Vetë fjala për mediat, e bërë posaçërisht për këtë zonë ujësore të kulturës, tashmë e zhvendos theksin në terrene më të dëmshme. Nëse vazhdohet kështu ujësia dhe e ujta do të vazhdojnë të na zënë frymën dhe jetën, pa e kuptuar do të kthejmë në ujësi dhe Gjuhën më të bukur në botë, gjuhën që të parët tanë e mbajtën gjallë në shekujt agresivë.
Kjo turrarendje e ujësisë së kulturës keqpërdor rëndësinë e saj për këtë masturbim klasik shqiptar me shkrimin, vazhdën për të kopjuar, sforcuar dhe jo për të forcuar mentalitetin e tyre, i cili prezumohet si një e dhënë dhe e pandryshueshme. Se si mund të ndryshohet ky mentalitet, përjashtohet i gjithi në një ujësi, në një rrjet-socialitet-krijues, në një dhënie e marrje masive çmimesh dhe konkursesh me “fitues” … dhe në formatin online. Masat nuk janë masa, por ideologjia e ujësisë së kulturës me fonde e shoqata, edhe pse vetë kjo formë e kulturës vështirë se mund të ekzistonte pa u përshtatur me masat ujësore, të së ujtës masive.
Ismail Lila
Respekt, Dr. Profesor Fatmir Terziu e lexova atë që kishe shkruar, më pëlqeu shumë. Bravo, komplmente për punën që bëni. Uroj shëndet dhe fat.
Edhe pse besohet se Uji perben 70-80 nder te 100-at e Trupit te Njeriut, por edhe te Planetit, askund ne Natyre nuk eshte teper...
Ne te berat e Njeriut, pra edhe ne te shkruarat, sidomos ne kohen e sotme, Jo kudo dhe nga kushdo mund sherbehet Uje.
Vet-diferencimi nis dhe ndodh prej Vetes, kur vendos te shkruash:
Nese Arrin te bindesh veten se Ke dicka qe do duhet ta thuash vetem ti!
Nese te duhet te nderosh, me Fjalen Tende, Dike qe Beson vertete se do nderohet me gjere...
Nese duke folur/shkruar madhon Lirine Tende kur kjo gjallon ne Shtepine e Madhe te Lirise se Njeriut...
Pajtim Xhelo
I ke tejkaluar kufijtë e mendësisë letrare shqiptare, urime të çiltra!
Artur Shemaj
Nje shkrim shume i kendshem ,nga menyra e qasjes dhe gjetjes per ta perdorur si simbolike dhe metafore kete elemen kaq te domomosdoshom jetesor ,pa te cilin nuk do kishte jete ne kuptimin e drejte perdrejt dhe filozofik
Profesori si nje magjistar i fjales di te na e jap kuptimin e tij ne nje tjeter kontekst me nje ngarkese tjeter ,qe dhe sasia e ujesise kur nuk masen kthehet ne bumerag ,nje paralelizem midis fjales ,mendimit dhe ujit ,te dyja kane nevoje per njera tjetren ,po pa mbytur njera tjeten ,me nje fjale te ruash sencin e mases
Te pergezoj miku im dhe te uroj shendet e krijmtari letrare