
UDHA E GJAKUT
-Kushtuar rrënjëve të të parëve-
Nga Fatmir Terziu
Linde nga guri, nga kurmi i tij i ftohtë,
por emri shpejt t’u njoh zjarr në Botë.
Në të solli miti, apo vetë legjenda
fati yt u shkrua vetëm nëpër zemra.
Nuk qe lindje e lehtë, në ato mote,
kur në ato vise vetëm mollnja[1] korrte.
Ç’ish ai fat i shkruar mbi dhimbje,
ç’të mbajti gjallë me atë bindje?
Trupit tënd iu sulën me farmak gjuhe,
të trazuan fjalët, të lanë vetëm kuje.
Kodrat-faqelotur e përcillnin gjëmën,
ti lotët u thaje duke përcjellë këngën.
Dora e tyre shpesh e shkoi kordhën,
Ti vazhdove udhën, nuk e ule kokën.
Që nga kohë e lashtë shpurra u orvat,
shpirtin tënd punëtor për të ta tharë.
Tutje nga Radika zbrisnin sikurse dhitë,
frymën të të merrnin të gjitha ordhitë.
S’bënte derman as një minutë vetë guri
me armë në dorë qëndronte burri.
Drinin e Zi e frynë, me farmak me vete,
gryka, çurka, pllaja i lanë pa gjethe.
Dhe pastaj të quajtën kodërzhveshur
kur të shkelën me këmbë si të dehur.
Të dogjën tre herë racat e dushmanit
fara e nakatosur e ferman Sulltanit.
Ti nuk u përgjigje në gjuhë të hasmit
por vetëm këndoje për tokën e Arbërit.
“Bie vesë e hollë në tokën arbërore”[2],
i tërbonte më shumë ata tufa sorre.
Eh, gjithë Ballkani dridhej në govatë
ata të tërbuar shkulnin llokma si në pjatë.
Më pas nuk gjenin qetësinë as vetë,
kur u fole shqip më 1913-të[3].
I futën defterët në të tjera sënduqe,
pas disa vitesh thurrën të tjera huqe.
Iu kthyen gjuhës që ta trazuan vetë,
njëri thotë e imja, tjetri nuk hesht.
I pari që të dogji me fis e me farë,
të dorovit me ligj e të bën bullgar.
I dyti që thotë se me gen të meriton,
nga dheu rrëmon të të quaj maqedon.
Diku në disa fletore mbetet dhe një sqep,
me toponime të bën edhe serb.