Nga Fatmir Minguli
Udhëtim shpirtëror në muzikalitetin e poezisë
( Një analizë mbi poezinë e poetit Kujtim Hajdari, në shtatë librat e tij poetikë )
Kudo që më shpunë teoritë, unë pashë
se një poet kishte shkuar para meje. Sigmund Froid
Te poezia e Kujtim Hajdarit të gjitha janë brenda saj: ofshama dhe protesta tё shprehura me shumë art që godet fort në
mendim dhe në ndjenja. (Dhimitër Shtëmbari)
Të shkruash për poezinë e Kujtim Hajdarit nuk është e lehtë, biles e vështirё. Kjo vështirësi vjen nga një fakt tejet i thjeshtë. Ai është kaq i fuqishëm si poet por kaq i thjeshtë dhe natyral në poezitë e tij!
Kjo e ve përpara një dileme analistin që do të bëjë portretin e këtij poeti të ditëve tona. Eshtë e vërtetë se sot në Shqipëri e jashtë saj janë me qindra dhe ndoshta mijra poetë dhe poete që shkruajnë poezi. Por nuk ka kaq shumë poetë të vërtetë. Nuk janë klikimet e tastireave të I - fonit apo kompjuterit që lëshojnë bateritë e “like” -ve por janë komentet ato që vlerësojnë poezitë e aksh poeti.
Por është pikërisht facebooku që më njohu me poetin Kujtim Hajdari, ёshtë poezia e tij që më tërhoqi dhe unë i bëra komentin tim. Eshtë poeti që erdhi në Durrës dhe më dhuroi shtatë librat e tij poetikë.
Unë sapo i kalova shtatë kodra e shtatë lumenj të poezive të Kujtim Hajdarit dhe tani në ajrin e freskët të Adriatikut po sjell mendimet e mia për poezinë origjinale të Kujtim Hajdarit.
Shumë analistë kanë shkruar për jetën e poetit Kujtim Hajdari dhe kanë vënë në dukje peripecitë e jetës së tij në kohën e monizmit. Duke mos dashur që të përsëris këta njerëz të nderuar po riprodhoj përgjigjen që vetë Kujtimi më dërgoi ndaj pyetjes time: Pse nuk ke botuar që nga 1990 deri në 2018?
Dhe ja pёrgjigja e poetit të sinqertë:
“Nё kёtё periudhё nuk kam shkruar asgjё. Unё nisa të shkruaj nga mesi i 2017-tёs poezitё e para, pas mё se 20 vjetёsh që nuk shkruaja që kur deshën të më dёnonin me vёllimet qё çova nё kohёn e monizmit, me vёllimin me tregime “Violinisti”, me dramёn “Netë pa gjumë”, me vёllimin me poezi “A do të vij pranvera” qё nuk i punova nga frika, nga hallet e punёs e tё familjes. Dhe kёto i pata lёnё tek njё shok, atij i hyri uji nё shtёpi dhe u prishёn fare dhe kopjet e vetme qё i pata shtypur nё shtypshkronjёn e Lidhjes sё shkrimtarёve tё rrethit duke mbajtur rradhёn edhe nё darkё.”
Nga takimi në Durrës me Kujtim Hajdarin dhe Vathi Hajdarin mё 31 janar 2023
Kaq mjafton për mua e ndoshta dhe për analistë të tjerë. Por ajo që më bën shumë përshtypje, madje që më krijon hapësira të gjera të mendimit është muzikaliteti i poezisë së Kujtimit. Eshtë një muzikalitet që vjen si një jehonë e shekujve në tokat e Myzeqesë. Eshtë ai muzikalitet i hershëm i kohërave iliriane ku poeti ynë na e sjell ëndrrën aq reale sa që ajo duket e vërtetë! Dhe duke lexuar poezitë e Kujtimit të ngjallet dëshira që nga kjo ëndërr apo këto ëndrra nuk ke dashur të ndalesh! Dhe rri e mendon: Si ta ndaj botën e ëndrrave nga realiteti i sotëm shqiptar!?
Kjo është dhe magjia e poezive të Kujtim Hajdarit. Dhe kjo magji vjen si një trashëgimi e hershme që lindi në tokat e Myzeqesë. Zef Jubani në vitin 1871 botoi librin në italisht nё Trieste ” Përmbledhje e këngëve popullore dhe rapsodive”. Në parathënien e këtij libri ai shkruan se “Nën këto vështrime, këngët e Shqipërisë së mesme sidomos ato e Myzeqesë janë më të mirat dhe më të kërkuarat të këtij populli.”
Pa u zgjatur, do shtoja se Zef Jubani është ndër të parët që emrin Myzeqe e sheh si rrjedhojë të emrit “Muzikë.”
Nuk mund të ishte ndryshe ky shpërthim i grumbulluar për vite me radhë dhe me të drejtë studjuesi Shpend Sollaku Noe shkruan për këtë shpërthim se “Kujtim Hajdari mbeti si vullkani i porsalindur me lak në fyt. [....]Përgatituni ta keni këtë poet nё mes tuaj dhe jua garantoj, keni për t’u ndier më të pasur. Burimit të llavës së tij sapo i është hequr kapaku.”
Këto janё fjalë të shkruara për vëllimin e parë poetik të Kujtim Hajdarit dhe janë profetike.
Ky poet në shtatë vëllimet e tij na fut magjishëm në emocionet e botës së tij të brendshme dhe ne kuptojmë vullnetin e tij për të mbjetuar artistikisht, veti e poetëve të vërtetë. Vetë poezitë e tij janë si pjesë e një romani të veçantë të thurur me fijet e një muze që nuk zbehet e nuk largohet kurrë.
Mbi këtë konstatim timin, shtoj dhe faktin se poezitë e tij shprehin një dashuri universale për njerëzit dhe për natyrën, ashtu si tek “ Kënga e këngëve” e Biblës. Por aty është bota shqiptare që Kujtimi i këndon me romantizëm elegant ku intersektohen njerëzit, poeti dhe elementët më të thjeshtë të natyrës.
Si për të na e vertёtuar këtë intersektim ai në poezinë e parë “ Mbrëmë isha pa ty” botuar në vëllimin e parë na jep brengën e mungesës të përgjithshme të dashurisë për jetë, megjithëse ai është optimist.
Kultura poetike e Kujtim Hajdarit është superiore duke dhënë poezi shumë të bukura plot mendim dhe mendimi është një figurë artistike më vete, një forcë shprehje ku edhe një varg i vetëm është poezi.
“Kam uri, zotëri” thërret cigani i vogël, ky është varg i tronditjes me forcë migjeniane në poezinë “Cigani i vogël”.
Në shtatë librat poetikë tendoset vetë jeta e poetit Kujtim Hajdari, por edhe pse ai i këndon gëzimeve dhe vuajtjeve të tij, del bukur se ai i këndon gjithë atij brezi të tij që vuajti në monizëm.
Temat, subjektet e poezive janë të shumta dhe të ndryshme nga njera tjetra. Emigrimi, dashuria për Shqipërinë dhe fshatin e tij, vuajtjet e shumta në varfërinë e njerëzve e bëjnë kozmopolit këtë autor.
Ai, kështu skanon jetën e kaluar duke aluduar të tashmen dhe më tej të ardhmen. Ai bashkon poetikisht dashurinë njerëzore me plasaritjen shkëmbore të dhimbjes dhe vuajtjeve por dashuria del si lule mbi këta shkëmbinj. Ai është poet i drejtë për drejtë, pa insinuacione të inskenimit, të para mendimit, apo “hartimit të planeve të poezisë“ çka nënkupton mos autocensurimin aq të dukshëm te shumë poetë që i kёndojnë qokave.
Ai Kujtim Hajdari, në librin e gjashtë të tij “Kur shkoj në fshat” shpërthen me metafora të papara e figura të tjera, a thua se është fshati me peisazhet dhe jetёn e tij ёshtё bashkëautor!
Në poezinë “Çaste mërzie është strofa e mëposhtme ku figurat artistike kalojnё çdo parashikim.
Edhe zogu i fundit heshti e s’dëgjohet më
Nata mbështeti kokën në trishtimin tim e dremit
Veç mua gjumin ma kanë vrarë, siç vrasin rrufetë
Ndjej kështjellën e hspirtit të dridhet prej mërzisë.
Romantizmi i Kujtim Hajdarit është i fuqishëm, plot shpirt. Duke mos u marrë me poezitë e përditshme që shumë poetë postojnë në rrjetet sociale, ai në të kundërt ka poezi të mendimit, të emocioneve të çastit që mendimi dhe ngjarja jetësore shkakton. Me një gjuhë të thjeshtё tejet natyrale, me një shqipe të pastër ai na çon në labirinthet e ndjenjave të tij herë të mërzisё e herë të dashurisë :
Mua më ndez drit’ e bukur
Që ti rrezaton me ata sy
Dhe hënën do ta kisha zhdukur
Dritë qiellit t’i bënim ne të dy.
Kujtimin do ta fusja te të fundmit e romantikëve për të thënë se ai është romantiku i vërtetë në kohët tona. Dua të theksoj se rima e poezisë së Kujtim Hajdarit si dhe metrikat që përdor nuk janë artifice që i fut Kujtimi si performnacë. Ajo rimë mund të mendosh se nuk ekziston aq shumë hyn në shpirtit e vargut poetik që në fund të fundit është poeti padroni i rimës dhe i metrikës.
Poeti duke qenë në një emigracion të vazhdueshëm kurrë nuk u nda nga atdheu i tij. Sa më larg të jetë ai gjeografikisht nga Shqipëria aq më të ndjeshme dhe më të fuqishme janë poezitë e tij. Ato sot përbëjnë një poetikë të sociales, të barazisë shoqërore, të atdhedashurisë dhe të dashurisë pannjerzore.
Në këtë poetikë bën sy poezia që pi frymëzim në gurrat e poezisë popullore. Unë po t’i mblidhja poezitë e tilla tё Hajdarit do të krijoja një vëllim aq shumë të bukur ku bota e këtij poeti do të barazohej me shpirtin poetik të popullit tonë, e veçmas me atë të Myzeqesë ashtu siç e përmenda më lart me konstatimin brilant të Zef Jubanit.
Për poezinë e Kujtim Hajdarit ia vlen që të analizohet gjer në rrembet e saj sepse i bëjmë nder jo poetit, por poetikës së këtij shqiptari, të cilit i këndon zemra dhe ku disa poezi janë elegji të mirëfillta dhe tejet origjinale.
Durrës 16 shkurt, 2023
Comments