top of page

Udhëtari i panjohur


Vasil Klironomi

Udhëtari i panjohur tregim Pas disa orësh udhëtimi në autostradën e re që hynte e dilte brenda maleve, autobusi nxori kokën në Fushëgropën e Pollogut. Një fushë dikur e sistemuar, ku lumi i Vardarit puthte nga të dyja anët parcelat e ndara në vija të drejta që të linin të kuptoje se këtu njerëzit, nuk ishin grindur kurrë për ndarjen e tokave. Shumica e shtëpive kishin dyer e dritare të mbyllura dhe ajo që të binte në sy, ishte mungesa e njeriut. Mjetet bujqësore nëpër oborret e shtëpive, prisnin e përcillnin stinët ,ndërsa motopompave edhe pse në anët e lumit, u ishin tharë buzët. Lumi shkonte gjer në njëfarë vendi dhe me zigzage, kthehej prapa sikur të kish parë ndonjë lëvizje të dyshimtë dhe të papëlqyer. Shtëpi të tëra të lëna në dorën e fatit. Toka të dhëna me qira, të lëna dhe ato në mostrajtimin e mirë të qiramarrësve. Udhëtari i panjohur edhe pse i mbështetur në ndenjësen, shpesh bënte lëvizje të ngutshme sikur donte të largohej sa më shpejt nga ai dorëzim pa kushte. Trupin e tij të hollë, me pakë fantazi, mund ta rrotulloje brenda veshjes. Një e dy, kruante kokën, veshët. Pastaj nxirrte shaminë të fshinte djersët e ftohta. Syzet e mëdha e të trasha shpesh shkisnin gjer në fund të hundës dhe kjo e acaronte. Donte të mbaronte sa më shpejt ai udhëtim që krejt ndryshe e kish përfytyruar. Bënte ç’ bënte dhe me gishtin tregues tërhiqte kombin e kravatës që mbushte vendin e kombit të fytit. Ndërkaq, autobusi po hynte në zemrën e Fushëgropës së Tetovës. Lumi i Vardarit kish rralluar zigzaget dhe dukej, se dhe ai po bëhej gati të hynte në qytet. Pak para mbërritjes, hapej vende ,vende si për tu çlodhur cektësive. Së fundi, lartë korsive të autostradës, mbërthyer në një stendë të hekurt këmbët e së cilës përfundonin në shtresa betoni, u duk tabela ku ishte shkruar me shkronja të mëdha emri i qytetit, i zbukuruar në njërën anë me flamurin e shprehur në tre ngjyra; e kuqja, e zeza dhe e verdha dhe në anën tjetër me stemën e qytetit; një mburojë e verdhë e zbukuruar në pjesën e poshtme me dy vija blu dhe në mes, një shtëpi e përshtatur në dimrin e butë të zonës. Ajo stemë të linte përshtypjen e një simboli principate, por të pa plotësuar. Udhëtari ynë, me fantazinë e tij ,vendosi një shpatë dhe më konkretisht, shpatën e dëgjuar të epokës mikeniane të gjetur fushëbetejën e qytetit. -Ja kështu do të ishte e plotë –mendoi- se mburoja pa shpatë, nuk shkon në këtë qytet ku janë zhvilluar gjatë mijëvjeçarëve qindra luftëra. Pas disa minutash, autobusi mbërriti në agjencinë e udhëtarëve. U mblodhën përreth vetura të shumta dhe të afërmit e udhëtarëve, pas përqafimeve morën valixhet, i futën në bagazhe dhe bashkë me të ardhurit humbën rrugëve të qytetit. Udhëtari i panjohur si zbriti, futi duart në xhepa për të nxjerr monedhat që i kishin mbetur. Si hekurosi dhe mënjanoi sa i duheshin për kthimin, hodhi çantën krahut dhe iu drejtua stacionit të taksive. Që andej për të vajtur në qendër të qytetit u deshën rreth pesëmbëdhjetë minuta. Tani më, autostrada u kish lënë vendin rrugëve me dy kalime dhe lëvizja e automjeteve bëhej më e ngadaltë dhe më e dendur. Kur kaluan para universitetit, udhëtari i panjohur mbeti i mahnitur. Një ndërtesë moderne, e ndarë në tri pjesë ku e purpurta të çlodhte syrin. Në pjesën më të madhe të fasadës, hapësirat mbylleshin nga xhama të tejdukshëm. Sipër ndërtesës, ishte e shkruar në shqip dhe në maqedonisht UNIVERSITETI I TETOVËS, ndërsa në krah të mbishkrimit, stema e universitetit e rrumbullakët me dy inicialet brenda saj, të ndriçuara lehtë nga një dritë çlodhëse që buronte nga brenda një libri të hapur. Dhe ajo theksonte vlerat e universitetit . Poshtë librit, viti i çeljes së universitetit i zbukuruar përreth me gjashtë yje. - Nesër –mërmëriti udhëtari i panjohur, -nesër do ta shikoj më nga afër- dhe nxori shaminë të fshinte djersët e ftohta si për tu gjetur burimin. Ndërsa taksia vazhdonte rrugën , më të djathtë, fare pranë veshit u dëgjua një buri e fortë që i tronditi zemrën dhe fill pas saj, mallkimi i shoferit të taksisë dhe ankesa e tij për brezin e ri të shoferëve që nuk donin t’ ia dinin për rregulloren e qarkullimit. Pastaj shoferi sikur të kërkonte rrënjën e fjalës, lidhi rregulloren me rregullin dhe nuk vonoi të ankohej për parregullsitë e qytetit. Me njërën dorë mbante timonin ndërsa me tjetrën, tregonte rrugët jo të mirëmbajtura, lokalet dhe ndërtesat e reja që u kishin zënë vendin lulishteve të qytetit. – Tranzicioni, tranzicioni e ka fajin – theksoi me zë në notat e një ankese. Kishin arritur te Xhamia e Pashës kur në hyrje të kryqëzimit, udhëtari i panjohur i kërkoi shoferit të ndalte. Jo pa qëllim zgjodhi xhaminë si pikë takimi. Ndoshta e udhëzoi pasiguria e mikpritjes. Me mikun e tij tetovar u njohën në një përvjetor shoqate në jug të atdheut mëmë ku kishin folur gjatë për ndryshimin që kishin pësuar letërsia dhe artet pothuajse në të gjitha shtetet e lindjes. Pastaj e sollën bisedën më afër, në qytetet ku jetonin dhe më pas, rreth krijuesve që ndodheshin në sallë. Disa prej tyre ishin gazetar ushtarak dhe anëtarë të ish-Partisë së Punës që kishin bërë një kthesë të madhe në krijimtari dhe që kishin ironizuar dhe dënuar akoma dhe veten nëpërmjet personazheve që ndërtonin. – Ja, ai në tavolinën përball që ka në krah atë seksi bombën, ka qenë komisar brigade,- iu drejtua udhëtari i panjohur me një shikim tinëzar mikut nga Tetova. - Sot është kishar. Vitin që shkoj romani i tij me titull “Fajtor ndaj Zotit” u cilësua libri më i mirë i vitit. -Kujtoi titullin e romanit dhe sytë i shkuan te xhamia pranë, e zbukuruar në faqet e mureve me dekore lulesh. Për lustrimin e ngjyrave, udhëtari kish dëgjuar se ishin përdorur mbi tridhjetë mijë vezë. Në oborrin e xhamisë, gjithashtu një kopsht me lule dhe një burim që dukej sikur dilte prej ngjyrave, bënin më të këndshëm ambientin. Mungesa e kubesë së jashtme të linte të kuptoje se arkitekti i saj Isak Beu kish mendim tjetër për besimit. -O Zot! -Gati sa s’ thirri udhëtari i panjohur..- Si mund të hidhej në atë kohë nëpërmjet një tempulli, një mendim aq i guximshëm dhe i avancuar për besimin. Kish marr dita rrugën e ikjes kur udhëtari i panjohur nxori celularin për të komunikuar me mikun tetovar. Vërtet i kish kërkuar mikpritjen dhe ai e kish aprovuar me një lëvizje të kokës poshtë-lartë, por asnjëherë se pat ftuar. Paraditen tjetër miku tetovar shijoi kafen me kisharin dhe të shoqen. Ndërsa autori i romanit fliste, miku tetovar herë pas here fshinte lotët që vijëzonin mollëzave dhe hapeshin si deltë rreth buzëve. - O Zot!- Përsëriti udhëtari. -Të mos e ketë pyetur për mua.- Ndërkaq dielli ishte fshehur pas maleve të Sharrit dhe udhëtari i panjohur për të qenë i sigurt për natën që po vinte, pyeti qytetarin më të parë që shkoi aty pranë: -Më falni; Ku ndodhet dhe sa mbanë që këtu teqeja e Baba Harabatit?- Si mori përgjigjen, falënderoi kalimtarin ,dhe si vendosi trupin mirë brenda veshjes, formoi numrin në celular. Nga ana tjetër u dëgjua sinjali dhe asgjë më tepër. E formoi përsëri dhe përsëri askush. -Duhet të pres- tha duke ngushëlluar veten.- Kushedi ku e ka lënë celularin. – Një zotëri që kaloi pranë si e pa të mbështetur te muri- gardh i xhamisë, i hodhi një vështrim pyetës në se kish nevojë për ndihmë, por si s’ mori përgjigjen që kërkoi, u largua duke kaluar nëpërmjet vijave të bardha në trotuarin tjetër. Kishte marr nata dhe udhëtari i panjohur pasi kish formuar dhe tri herë të tjera numrin në celular, i humbi shpresat. –S’ ka pse të pres më- tha dhe hodhi një sy më të kot në çantën e mbushur me libra dhe kumtesa. Ndërkohë, zotëria që kish kaluar para tri orëve, u duk përsëri. Ca nga kureshtja, ca nga zemërmirësia u ndal para udhëtarit dhe pa pyetur i afroi një cigare. -Të shumta orët që prisni;- nisi bisedën zotëria dhe i ngacmuar nga lagështia, shfaqi shenjat e një bronkiti astmatik – si mund t’ iu ndihmoj? -Tani nuk mund të më ndihmoni- iu përgjigj udhëtari i panjohur duke shijuar cigaren. – Po kini orë të tëra që prisni i vetëm. Sigurisht dikush iu ka dalë prej llafit!- vazhdoi zotëria me këmbëngulje dhe që të mos bezdiste udhëtarin, u kthye nga ana tjetër për të nxjerr gëlbazët . Si u kthye në pozicion e mëparshëm, pa se njeriu që priste i vetëm kish nxjerr një libër nga çanta dhe në faqen e parë pas ballores , linte nënshkrimin. – Jini njeri i mirë - e lëvdoi - dhe vetëm se u interesuat dhe më afruat cigaren, për kënaqësi u falë njërin prej librave që kam shkruar. - Pse shkruani libra? Pyeti tjetri gati i çuditur. -Po - iu përgjigj udhëtari i panjohur. – Sa kini shkruar? - Gjashtëmbëdhjetë. Tetë romane dhe tetë novela. – Atëherë, ju duhet të jini i pasur! Pse prisni këtu në rrugë i vetëm?- Pyeti tetovari i zhgënjyer.- Më prisni këtu- përsëriti – dhe sa të digjni cigaren, unë do të kthehem.

Vasil Klironomi

5 Comments


Noke Abilekaj
Noke Abilekaj
Jun 23, 2020

Letërsi e pjekur. Vasil Klironomi ka zgjedhur të udhëtojë në klasin e sipërm.

Like

Faruk Myrtaj!

Kur shkruan për krijimet e mia, pas fjalës së fundit çlirohem nga ankthi.

Kozma Gjergji!

Gëzohem që para se të lexoj ato çka shkruan për krijimet e mia. Në përzemërsinë tënde unë u mallëngjeva. Ime shoqe lotoi.

Myslim Maska!

Kur shkruan se vdekja është vazhdim i jetës, unë e lexoj si premtim.

Faleminderit dhe përsëri faleminderit!

Vasil Klironomi

Like

mich.maska
Jun 14, 2020

Tregim jetesor, i shkruar thjesht dhe kendshem, me nje humor sarkastik,

befasues ne fund te tregimit: Per cudi!... Profesorin e "Madh" nuk e pret askush

per leksionin qe do te mbante ne Universitetin e Tetoves.

Urime

Myslim Maska


Like

Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
Jun 14, 2020

Tregim me një prerje psiko-analitike e lakonik, që shpalos mjeshtërisht copëza pejsazhi e karaktere me mendësi ballkanike. Rrjedhë krejt natyrshëm e mbart një enigmë që e bën lexuesin ta ndjekë me shumë kureshtje deri në fund.

I dashuri dhe i respektuari Vaso! Më ka pëlqyer e pëlqen krijimtaria jote. Kjo na ka bërë dhe miq. (Më kujtohet që në vogëlinë time mbanim në shtëpi ikonën e Shën Vasilit dhe e festonim si shënjtin tonë. Kur u njohëm bashkë m'u kujtua e thashë se mbase e gjeta me të vërtetë Shën Vasilin.)

Nga "ndeshjet "e tua të fundit kuptova se duhet të jesh minoritarë ose i përzier. Po ç'rëndësi ka kjo? Është habitje e madhe sesi mund të quh…

Like

Faruk Myrtaj
Faruk Myrtaj
Jun 14, 2020

Kim Mehmeti duhet ta lexoje kete proze, doemos...

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page