Udhë labirinth



Astrit Lulushi

Njerëzit kanë të drejtë në privatësinë e tyre. Por kështu ata kurrë nuk mund të njohin vërtet njëri-tjetrin; kujdesen, por nuk mund të pretendojnë të dinë gjithçka për njëri-tjetrin. Kjo është bota intime, privatësia; pa hyrje, pa dalje, as dyer, as dritare, por vetëm mure dhe asnjë tjetër brenda. Pavarësisht se thonë që s’ka mundësi, njeriu në fakt edhe i mbyllur mund të jetojë, në terr e pa ajër të pastër.

Vetëm njeriu i keq bën sikur e njeh plotësisht tjetrin. Me këtë pretendim ai ushqen frikën; është mënyrë për të mbajtur nën kontroll e sunduar.

Një thënie që rrjedh nga tregimi i Platonit për Sokrati, është "Unë e di se nuk di asgjë". Por ndryshe mendojnë ata që kanë vetëm ide me luftra; që bëjnë sikur ndryshojnë pa u penduar, dhe kur diskreditohen ndryshojnë vetëm emrin. Vetë-izolimi si mënyrë jetese nuk është zgjidhje. Më parë njeriut i merrej gjithçka, dhe ai lihej i qetë kur mbetej pa asgjë. Pastaj në mur u hap një derë nga ku njeriu u lejua të ikë duke lënë pas gjithçka; kur ktheu kokën pa se kishte jetuar në shkretëtirë nën një shtet gërmadhë.

Njeriu tani ecën dhe mendon se sheh fytyra që i njeh, të etur për të arritur në një vend tjetër. Duken në nevojë. Thonë se e dinë për çfarë. Por janë mësuar të presin. Nuk duan të dinë se ndryshimi fillon me idenë, e cila kur mbetet e njëjtë sjell të njëjtat pasoja, edhe në mjedis tjetër. Ecja vazhdon me njeriun që vjen rrotull; ndeshet me të papritura, në çdo anë e përballë plot pasqyra, ku ai përplaset, thyen, rrëzohet, mendon se rruga ka dalje, dhe dritë mund shohë. Këtë udhëtim të tjerët e quajnë guxim të verbër në një tunel fasadë; është labirinth i ngrysur, me pasqyra mashtruese, me viktima gjithmonë në kërkim të fatit dhe me të tjerë që presin në rradhë.

7 views

Shkrimet e fundit