top of page

U SHUA NJË LUFTËTAR I SHQIPTARIZMIT



Kadri Tarelli shkruan:

U SHUA NJË LUFTËTAR I SHQIPTARIZMIT

Studiuesi Nuri Dragoj

Me gazetari dhe studiuesin Nuri Dragoj jam njohur vite më parë, rreth 17-18 vjet të shkuara, në mjediset e redaksisë së gazetës “Mësuesi”, kur unë, një herë në javë, apo një herë në dy javë, çoja shkrimet e mia, (me disketa), si forma më moderne e atyre kohëve. Ishte Viron Kona, at’herë redaktor i gazetës, i cili pasi regjistronte shkrimin në kompjuter, me ftonte për kafe, në një lokal të vogël në oborrin e pasmë të Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Nuk e di si e kanë përjetuar të tjerët, por çuditërisht shumë rrallë mund të mbeteshim vetëm në tavolinë, pasi miq, shokë, gazetarë dhe shkrues artikujsh, mes tyre, si puna ime, shumë mësues e drejtorë shkollash, që pasi përshëndeteshim uleshin dhe fillonin bisedën, madje edhe pa u prezantuar, duke menduar se kishim të njëjtin problem: Gazetën.

Në një nga këto dit, rastisi që u njoha me Nuri Dragoj dhe që atëherë u bëmë shokë dhe miq të mirë. Aso kohe ai ishte kryeredaktor i gazetës “Republika”, ndaj shpesh më kërkonte shkrime të cilët i botonte menjëherë, duke më nxitur të gjej tema të ndryshme, jo vetëm probleme arsimore. Unë mjaftohesha t’i shprehja mirënjohje për kujdesin, që i pranonte në heshtje.

S’besoj se jam i vetmi që e them, se rastësia të njeh me dikë, ndërsa miqësia lidhet vetëm kur miku zgjidhet, pasi përputhen në kulturë, në marrëdhëniet njerëzore e shoqërore e sidomos në idetë, mendimet, madje edhe kundërshtitë. Më mjafton një shprehje e tij, për të përcaktuar edhe karakterin njerëzor të tij: “Dua njerëz që e përdorin gojën për të folur dhe jo për të kafshuar, që i përdorin buzët për të puthur dhe jo për të pështyrë”. Kjo ishte edhe arsyeja, që sa herë shkoja në Tiranë dhe takohesha me shkrimtarin Viron Kona, Prof Murat Gecaj, kritikun Sejdo Harka, shkrimtarin Bashkim Saliasi, gazetarin Fran Gjoka dhe Ibrahim Hajdarmataj, do t’i bënim thirrje në telefon edhe Nuriut, i cili na sajdiste në shumicën e herëve.

Më gjatë me të, kam ndenjur në dy raste, që i quaj fatlume dhe të magjishme, sepse nuk përsëritën më:

a. Korrik 2017. Me makinën e Nuriut që e ngiste vetë, u rehatuam edhe tre shokë: Viron Kona, Bashkim Saliasi dhe unë, që udhëtuam nga Tirana drejt qytetit Bajram Curri, me rastin e paraqitjes së librit “Thesari Kombëtar. 7-8”, botuar nga “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve shqiptar “Papa Klementi XI. Albani”, që vepron në Suedi. Veprimtaria u organizua në mjediset e Muzeut Historik të qytetit, nga Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve, të Tropojës, i drejtuar nga z. Lulzim Logu. Patëm një pritje tejet miqësore.

Këtë ngjarje që e pasqyrova në një shkrim me titull: ““Thesari kombëtar” vjen në Tropojë”, ku përmenda: “Të pranishmit e mirëpritën dhe vlerësuan vendimin që “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve shqiptar “Papa klementi XI. Albani”, pranoi “Anëtar nderi”, studiuesin e njohur z. Nuri Dragoj dhe Profesorin e shkencave sociale z. Zydi Dervishi, të cilët iu bashkuan listës së gjatë të emrave të pranuar më parë, ku mes të tjerëve janë edhe Murat Gecaj e Viron Kona nga Tirana dhe Flora Dervishi nga Durrësi”.

b. Pak dit pas kësaj ngjarje të bukur, në mesgusht 2017, një tjetër udhëtim edhe më i këndshëm drejt qytetit të Mitrovicës, ku u pritëm nga nikoqirët z. Hysen Ibrahimi, kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptar “Papa Klementi XI-Albani”, Suedi dhe z. Bajram Muharremi-Bistrica, nënkryetar. Të dy bij Dardanie nga Drenica, banues në Suedi. Mes nesh ishte edhe Nuriu. U lumturuam, pasi përmbushëm një ëndërr, sepse asnjëri nga ne nuk e kishte parë këtë qytet shqiptar me shumë histori të trazuar. Këtë herë në timon ishte profesor Zydi Dervishi. Fjala u kënaqëm është shumë e vakët për të shprehur ndjesinë që përjetuam, jo vetëm nga mikpritja tradicionalë shqiptare. Këto i shprehëm edhe në fjalën tonë në TV. lokal “Mitrovica”, që u transmetua po atë mbrëmje nga gazetari Fazli Muharremi-Tali.


Plot kureshtje vizituam qytetin. E shkelëm dhe e kaluam edhe urën mbi lumin e Ibrit, që ndan në mes Mitrovicën dardane. Bëmë fotografi pranë shtatores së Isa Boletinit. Në të tilla raste të përfshin frymëzimi, ndaj shkrova:

“Mitrovicë e bukur, pse mbetesh e ndarë,

Veriu me serbë, jugu me shqiptarë?

Ibri shkon në mes, me këngën e vrarë,

Nuk e dimë ç’ thotë, kur tërhiqet zvarrë!”. Kadri Tarelli. Libri: Koha në vargje”. Poezia: “Mitrovicë dardane! Largoji ato re!”.

Nuk kam ndërmend të shkruaj jetëshkrimin e mikut tona Nuri Dragoj. Po mjaftohem vetëm me pak fjalë, për t’i lënë vendin veprave dhe vlerësimet që i bëjnë autorë të ndryshëm, shkrimtarë, kritikë dhe historianë:

Nuriu, me një karrierë të gjatë si gazetar profesionist, ka filluar që me gazetën “Zëri i Popullit” dhe më pas në shumë organe shtypi. Ka qenë kryeredaktor i gazetës “Republika”, punonjës në Institutin e Historisë, kryeredaktor dhe botues i gazetës “Dëshnica”. Është autor i shumë librave të karakterit studimor-historikë, monografi personalitetesh të nderuar, si luftëtarë, dijetarë, atdhetarë e letrarë, etj, etj.

Më poshtë pa paraqes një listë prej botimeve të tij më kryesore:

“Lumo Pavari”, 2004

“Hajrulla Muhametaj”, 2005

“Dëshnica dhe Dëshnicarët (3 vëllime), 2005-2008

“Eshtra që akuzojnë”, 2006

“Trebeshina, një jetë para gjyqit”

“Shqiptarët dhe grekët”, 2009

“Familja Qerimi në sfidat e pentagramit”, 2010

“Monografi – rreziku i shkombëtarizimit”, 2011

“Xhevahir Spahiu, sfidat e poetit”, 2012

Prapaskenat e Konferencës së Londrës”, 2013

“Arsimi në Përmet (1912-1944), 2015

“Përmeti midis dy luftërave botërore”, 2015

“Në përballje me krimin”, 2016

“Përmeti dhe Lufta e Dytë Botërore”, (3 vëllime)

"Dhimbje shqiptare", (Skica dhe ngjarje historike),

“Njerëz të pushkës dhe të penës”.

Siç vihet re, pjesa më e madhe e librave i kushtohet historisë së kombit Shqiptar, si problem i pa zgjidhur përfundimisht, i mbetur nën kërcënimin e vazhdueshëm të fqinjëve lakmitarë dhe dallavereve që bëjnë kancelaritë e huaja.

Mjaftojnë këto pak fjalë për të kuptuar të gjithë mendimin e tij shkencor, historik, letrar dhe filozofik, mbi kombin dhe shtetin shqiptar dhe gjendjen në të cilën ishte, është, dhe po vazhdon të ndodhet edhe në ditët sotme: “Në të gjitha momentet e ekzistencës së vet, Shqipëria i ngjante një fëmije, të cilin e rrihnin çdo ditë, por nuk e linin të qante. Edhe në çastin kur po bëhej gati të fliste, fqinjët po përgatiteshin t’i prisnin gjuhën, mbase edhe kokën”. Nuri Dragoj. “Prapaskenat e Konferencës së Londrës”. Diku edhe pyet me dhimbje: A ka strategji kombëtare, për zgjidhjen e çështjes shqiptare? Pyetje që shpon plagën e hershme. Heshtja është tragjike, sepse dhemb akoma më shumë sot, kur kemi shtetin tonë dhe shohim e dëgjojmë se ç’ pazare bëhen.

Një thënie Rusoit të ndritur na rrëfen: “Shkalla e vlerës së një libri, varet jo vetëm nga fakti se sa të emocionon, por edhe sa të bën të mendohesh”. Ndërsa unë shtoj pa modesti, se kur libri të frymëzon është më shumë se kaq: është mrekulli dhe ka brenda madhështi. E them këtë se librit “Prapaskenat e Konferencës së Londrës”, pasi e lexova, i kushtova shkrimin: “Një libër që nuk pata guxim ta çoj deri në fund”. “Prapaskenat e konferencës së Londrës”. Autor Nuri Dragoj. Shkrim që u publikua: Fjala e lire”. Londër, më: 29. 06. 2018. Gazeta “Durrësi Bulevard”. 29. 06. 2018, edhe në disa portale të tjerë. Më pas vazhdova edhe me një poezi që ka titull ngacmues: “Europa e prish pazarë, sa kohë jemi të përçarë”. Kadri Tarelli. Libri; “Koha në vargje”.

Lidhur me librin dhe shkrimet për të, akademiku Eshref Ymeri, anëtar i Akademisë shkencore-letrare, shqiptaro-Amerikane me seli në New York, shprehet: lexova analizën mjaft serioze të librit “Prapaskenat e Konferencës së Londrës”, me autor studiuesin e mirënjohur dr. Nuri Dragoj, një intelektual ky me formim të admirueshëm nacionalist.

Ndërsa Bashkim Saliasi shkruan: Në javën e trete të shtatorit 2020, Nuriu më dhuroi dy libra të botuara kohët e fundit: "Dhimbje shqiptare", (Skica dhe ngjarje historike), dhe “Njerëz të pushkës dhe të penës”. Është kënaqësi t`i kesh në bibliotekë dhe, kur ke nevojë të njohësh më shumë për ngjarjet historike, ke se çfarë mëson.

Bashkimi nuk e dinte se ç’do të ndodhte pak dit më pas. Kështu me fjalë zemre e uron: “Urime miku im Dr. Nuri Dragoj dhe suksese në punën tuaj krijuese dhe studiuese. Të uroj shëndet dhe qofshi mirë nga hera familjarisht dhe sa më shumë krijime të tjera të bukura letrare artistike dhe studime me vlera historike. Respekte”. Revista “Dituria”. Suedi. Shkrimi “Një jetë kushtuar gazetarisë, studimeve historike dhe letërsisë”. 15. 10. 2020.

Sejdo Harka: Ti  Dr. Nuri Dragoj do të mbetesh në zemrat tona modeli i njeriut modest, që nuk dije të mburreshe, por me thjeshtësinë dhe dashamirësinë që të karakterizonte, i dhe shoqërisë vlera me studimet e tua historike.

Viron Kona: Nuriu e ka dashur shumë Atdheun, ndaj i ka kushtuar asaj dhe mbrojtjes së interesave kombëtare, energjitë e jetës së tij, të shpalosura në vepra me vlera të mëdha, të cilat kombi shqiptarë do t` i ruaj si margaritarë të rrallë të dijes dhe të shprehjes së patriotizmit të zjarrtë. Mesazh ngushëllimi drejtuar familjes.

Kujtim Mateli: Redaksia e gazetës “Dëshnica”: “Jeta e Nuri Dragojt ka qenë një përpjekje e pamposhtur për të thënë të vërtetën, për padrejtësitë që i janë bërë Shqipërisë, përgjatë gjithë historisë së saj. Ky përkushtim e nxiti që të studiojë historinë e Shqipërisë dhe të mbrojë doktoraturën në histori. Aq sa ishte një shkencëtar në fushë të studimeve historike, të tillë lartësi krijoi edhe si atdhetar i vërtetë. Nuriu, gjatë gjithë këtyre viteve të fundit, ndjehej i shqetësuar se nën agresivitetin e fqinjëve po rrudhej dimensioni shpirtëror i shqiptarëve………”.

Nuri Dragoj nuk është më mes nesh. Me keqardhje po sjell në kujtesë një telefonatë, bërë aty nga fundi muajit shtator 2020, ku Nuriu pasi më pyeti për shëndetin, më njoftonte, se kishte dëshirë të më dhuronte dy librat e tij të fundit. Unë iu shpreha: “Koha është e vështirë. Dy rrugë ka: ose të vi unë në Tiranë, ose të vish ti në Durrës. Dëgjova të qeshurën në telefon, ndaj vazhdova: Kam qejf të vish ti në Durrës, se edhe unë kam botuar një libër të ri”. Por nuk qe e thënë të takoheshim më! Ishte hera e fundit që i dëgjoja zërin. Do të na mungojë gjatë fizikisht.

Nuriu prehet në parajsë, duke lënë pas veprat e tij me vlera shkencore dhe atdhetare. Ato janë monument që ai i ngriti vetes, për të mbetur në përjetësi.

Kështu do të jetë përherë i gjallë mes nesh dhe krejt shqiptarëve, duke i dhënë të drejtë të diturit Moikom Zeqo, që na ka lënë ca fjalë të arta:

“Kur një krijues ndahet nga jeta, mbyllet një portë, por ai le me dhjetëra të tjera, që do të hapen nga brezat në përjetësi”.

Kadri Tarelli

Fundi i vjeshtës së dytë. 2020.


47 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page