top of page

U poq ulliri i avllisë time


U poq ulliri i avllisë time

  ( Poemth i ripunuar)

Tri shtëpitë e mëdha të fisit tim ,

në Çamërinë pellazgjike,

ende në këmbë qëndrojnë ,

(pa çati natyrisht, se druri s’rron sa guri),

por , në këmbë janë si tri kala,

që në vetminë e tyre trishtuese,

vajtojnë dhimbjen e pashoqe të braktisjes,

(dhimbje më të madhe në botë s’ka, )

dhe presin kthimin tonë shpresmadh ...


Më poshtë shtëpisë, përkarshi detit,

një ulli i madh , i madh hata,

i vjetër , sa vitet të numëruar s’kanë,,

i madh, sa dyzet ullinj bashkë,

ulliri që priti Odisenë kur kthehej nga Troja,

dhe e përcolli tek Penelopa,

me bekimin e tij Dodonian,

ulliri ,që përditë e përditë krahët zgjat ,

ç'ka është e tija, e jona dhe na e vjedhin,

në gjirin e hijen e tij don ta mbajë...


U poq ulliri i avllisë time lopsiote,

mbi të hipur tre grrabiqar “pronar”,

pamëshirshëm me shufra ullirit i bien ,

pa pyetur për dhimbjen e plagët që ai ka marr,

ndaj, çdo këkërr ulliri që në shesh bie,

nxjerr lot e jo vaj...


Në degën e madhe që zgjatet nga veriu,

hipur një vllah nomad,

(me qera i jipnim kullotat që na tepronin,

të jetonte me të tijët evlat),

i bie ullirit tim me sa fuqi ka,

aq, sa ullirit e shpirtit tim nga dhimbja,

lëkura i është nxirë dhe ka plas....


Në degën tjetër , atë nga jugu,

një grek ardhur nga Izmiri hipur,

me inat greku, më fort se vllahu ,

ullirit tim pellazgjik i bie,

(sikur fajin për padrejtësitë bërë atij nga kohërat,

ulliri im lopsiot i Vocajve e ka)...


Degës së ullirit tim nga lindja,

ka hipur një jevg , egjyptian, ,

më i pamëshirshmi “pronar”,

 ai , që dikur e kishim hyzmeqar ,

( di jevgu çdo të thotë dhëmbje ulliri..?!),

i mjeri ulli mbet' pa zot, mbi kurriz ç'mba!


Posht ullirit , tre refugjat shqiptar,

mblidhnin kokrrat e shkundura,

nga këta tre “pronar” grrabiqar,

që rrahin pa mëshirë ullirin tim,

secili për hesap të "efendikoit "të tij,

dhe vijnë e më thonë mua krekosur,

se kanë "efendikonj" të “mirë”, bujar,

siç më thotë edhe presidenti ,

edhe kryeministri,

edhe parlamenti,

edhe politikani i vendit tim,

mbetur pa zot e qeverim,

(siç ulliri im pellazgo-elim’ ,

se udha e jonë për në Europë,

duhet të "bekohet"në Athinë ...


U poq ulliri i avllisë time lopsiote,

por i mjeri ulli e di se ç’heq,

nga këta tre “pronar” grrabiqar,

që e rrahin pa mëshirë me purteka...

Në heshtje qan e rënkon i miri im,

por duron e s’vdes, do jetojë sa jeta,

deri sa plagët e tij e të miat,

 të na i shërojë e drejta, e vërteta...!


U poq ulliri i avllisë time, ulliri lopsiot,

por më shumë se vaj , kokrrat nxjerrin lot...

13 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page