top of page

U POQ GRURI I JETËS SIME


1. AROMAT E JETES

Kur hyj mes mollëve,

Erëmohem nga mollët,

Bie era mollë...

Kur hyj mes varreve,

Erëmohem nga qirinjtë,

Bie era qiri...

Aromë molle ka jeta,

Vdekja -

Aromë qiriu...

Midis dy aromave - njeriu!


2. U POQ GRURI I JETES SIME


Jetës sime hamullore

Me mjaft vite të ronitur;

Iu thanë ëndrrat qumështore,

Vit pas viti duke pritur...

Etja ishte e përditshme

Në gjithë fjalët e pathëna;

Te refrenet e mërzitshme,

Te këpucët thembërngrëna...

U poq gruri i jetës sime,

Nëpër rrudha,nëpër thinja,

Si kafshata,si thërrime

Vargje hëngra e s'u nginja...


3. TRENDAFILAT


Nga cilët shpirtra u sajuat,

Nga ç'puthje çiftesh dashurisht?...

Gonxhe-puthjet i sythuat,

I ermuat gonxhërisht...


4.E TASHMJA


Çdo çast e tashmja vjen e zhduket,

Me çastin tret në kohë të shkuar;

E çast pas çasti prapë,sa duket,

Si rërë firohet nëpër duar...

I mblidhka çastet mosha e thinjur,

I tkurr te rrudhat e ballit tonë;

Askush së tashmes s'i është nginjur,

Sa vjen,na tretet përgjithmonë...

Me të u mbushëm e u zbrazëm,

Me stinë,me vite,zheg e vapë;

Tek qajmë në vdekje,kcejmë në dasëm,

Shami beqarësh digjen prapë...


5. PSALM


Jam ai që s'kam qenë,

Ndryshe shqetësohesha atëhere e ndryshe - tani;

Kur është dashur guxim e s'e shkrova me penë,

S'e quaj trimëri...

Dhe gjërat për të cilat shkrova,kanë ndryshuar,

S'ka lajme me taraca,me shina e traversa;

Një pluhur i trashë harrese i ka mbuluar,

Ani se këmishat na griseshin nga djersa...

Kur guxim kam ndier e s'e shkrova me penë,

S'e quaj trimëri;

Vërtet,s'qenkam më ai që kam qenë,

Ndryshe e njihja veten atëhere e ndryshe - tani...

Po si do të ndjehem nesër?...

(Përgjigjen ua them të nesërmen,jo tani...)


6. ***

Prej njeriut zemërgurtë,

Mos e prit një fjalë të urtë.


7. ***


Lindur s'jam për privilegje,

S'kanditoj për deputet;

Jam si shtamba me dy vegje,

Kush më mbush,më pi me et...

8. ***

Jo çdo gjë mund ta peshosh,

A peshohet mendja bosh?...

122 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page